Filmi “Internimi” me regji dhe skenar nga Kast Hasa u shpall si filmi më i mirë i huaj në “Arizona Internacional Film Festival”, ku në këtë festival edhe shënoi premierën botërore.
Filmi tregon ngjarje të vitit 1983 nga Shqipëria gjatë sundimit komunist, ku një familje me mbiemrin Kulla detyrohet nga agjentët qeveritarë që të internohet.
Regjisori Kasta thotë se “Duke u rritur në Shqipërinë komuniste, nuk isha krejtësisht në dijeni të frikës dhe shtypjes që qeveria po shkaktonte në jetën e popullit të saj, jo vetëm për shkak të propagandës komuniste, por kryesisht për shkak se prindërit e mi kurrë nuk folën për të. Vetëm 10 km nga qyteti im ishin këto fshatra, njerëzit e të cilëve qeveria kishte detyruar internimin vetëm për shkak të diçkaje që kishin thënë. Internimi është një përpjekje për të hedhur dritë në mizoritë dhe absurditetet e kësaj kohe të veçantë”, shkruan Agjensia e Lajmeve Sot News, përcjell Pro Integra.
E njëri nga aktorët, Klodian Hoxha lidhur me punën e tij thotë se “E kam jetuar shumë këtë rol edhe besoj që është një nga personazhet më të realizuar”.
Ndërkaq përveç tij në film luajnë edhe Enxhi Cuku, Kristi Baçi, Kristaq Pilo, Jorida Meta, Gramoz Gashi, Arjeton Osmani, Loana Sinani, etj.

























