14.5 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

Përtej polemikave: Si duhet ta kuptojmë sot vitin 1981?

Screenshot
Screenshot

Shkas për këto reflektime u bë një prononcim i djeshëm i Veton Surroit, sipas të cilit demonstratat e vitit 1981 “nuk kishin arsye të organizoheshin”. Deklarata e tij ka nxitur reagime të shumta, shpesh edhe shumë emocionale.

Nuk po shkruaj për të polemizuar me Veton Surroin dhe as për të vënë në dyshim kontributin e tij të rëndësishëm në jetën publike shqiptare. Përkundrazi, pikërisht sepse ai është një nga intelektualët më me ndikim në hapësirën shqiptare, mendoj se pikëpamjet e tij meritojnë debat serioz, të argumentuar dhe të mbështetur në dokumente.

Po aq, nuk besoj se i shërbejmë së vërtetës historike duke e etiketuar atë si “tradhtar”, “serb” apo me cilësime të tjera fyese. Historia nuk mbrohet me etiketime. Ajo mbrohet me argumente.

Megjithatë, me tezën se demonstratat e vitit 1981 “nuk kishin arsye të organizoheshin”, nuk mund të pajtohem.

Për mua, demonstratat nuk ishin shkaku i krizës jugosllave. Ato ishin shprehje e një krize shumë më të thellë, e cila kishte kohë që po zhvillohej dhe e një kërkese të artikuluar prej vitesh për liri, barazi politike e kombëtare.

Kërkesa për Republikën nuk lindi spontanisht në rrugë. Ajo ishte përpunuar në platforma politike, analiza dhe dokumente të organizatave të ndryshme shqiptare. Në rastin tonë, Platforma Politike e PKMLSHJ-së ishte hartuar dhe qarkullonte qysh para demonstratave. Ajo nuk mbeti dokument i brendshëm, por iu dërgua edhe strukturave të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës dhe organeve federative, si përpjekje për të hapur një dialog politik.

Për këtë ekzistojnë dëshmi dokumentare. Mjafton të lexohet “Raporti i Komisionit për Përcaktimin e Përgjegjësisë së Mahmut Bakallit”, botuar në Rilindja më 26 shtator 1981. Kapitulli i parë i raportit i kushtohet pothuajse tërësisht aktivitetit të PKMLSHJ-së para demonstratave dhe dëshmon se autoritetet ishin informuar qysh nga viti 1978 për kërkesën politike për Republikën dhe për dokumentet që u ishin dërguar.

Kjo tregon se rruga institucionale nuk ishte injoruar. Përkundrazi, ishte provuar. Por në atë sistem çdo mendim politik i artikuluar jashtë vijës zyrtare konsiderohej apriori “subversiv”, “kundërrevolucionar” ose “armik”. Hapësira për dialog të lirë politik praktikisht nuk ekzistonte.

Një tjetër keqkuptim që vazhdon të përsëritet është se demonstratat e vitit 1981 qenkan përgjegjëse për forcimin e hegjemonizmit serb dhe për humbjen e autonomisë.

Unë e shoh krejt ndryshe.

Po të ishte problemi vetëm te demonstratat, si shpjegohet që Serbia vazhdoi sistematikisht me projektin e centralizimit, me “Librin e Kaltër”, me heqjen e Mbrojtjes Territoriale, me suprimimin e autonomisë dhe më pas me politikën e Slobodan Miloševićit? Këto procese nuk filluan në mars të vitit 1981. Demonstratat vetëm u përdorën si pretekst për përshpejtimin e një projekti politik që kishte filluar shumë më herët.

Historia nuk mund të gjykohet vetëm nga rezultati. Po ta ndiqnim këtë logjikë, atëherë shumë procese çlirimtare, dekolonializuese e demokratizuese në histori do të duhej të konsideroheshin “gabime”, vetëm sepse në fillim u përballën me represion. Historia duhet të gjykojë nëse kërkesat ishin të drejta dhe legjitime, si dhe kush mban përgjegjësi për dhunën që pasoi.

Një pjesë e brezit tonë zgjodhi rrugën e angazhimit dhe të sakrificës. Me vetëdije të plotë për rrezikun, shumë veprimtarë vunë në rrezik lirinë, familjet dhe jetën e tyre, sepse besonin se liria, barazia dhe dinjiteti kombëtar nuk fitoheshin pa përgjegjësi.

Një pjesë tjetër e elitës shqiptare zgjodhi rrugën e përshtatjes me sistemin, me bindjen se nga brenda do t’i mbronte më mirë interesat e Kosovës. Nuk i mohoj kontributet që ajo elitë dha në zhvillimin institucional të Kosovës. Por historia tregoi se kjo strategji nuk arriti ta ndalte projektin hegjemonist serb. Në fund, edhe ata që kishin shërbyer me besnikëri sistemit u larguan prej tij. Askush nuk mundi t’i shpëtonte fatit të popullit të vet.

Ajo që meriton të theksohet është se, pas ndryshimeve historike, krahu i rezistencës nuk kërkoi hakmarrje. Përkundrazi, ai ofroi pajtim dhe bashkëpunim për ndërtimin e një shoqërie demokratike. Pikërisht për këtë arsye është zhgënjyese kur edhe sot dëgjohen përpjekje për të relativizuar ose njollosur angazhimin e atyre që sakrifikuan për liri, barazi, Republikën dhe më pas për pavarësinë e Kosovës.

Po aq shqetësuese është edhe prirja për ta zhvendosur përgjegjësinë nga politika hegjemoniste serbe te vetë shqiptarët, sikur fajin për represionin ta kishin ata që kërkuan të drejtat e tyre. Kjo, sipas bindjes sime, do të thotë të ngatërrohet shkaku me pasojën dhe, me vetëdije ose pa vetëdije, t’i afrohemi interpretimit që për dekada e promovoi propaganda zyrtare serbo-jugosllave.

Më shqetëson edhe një dukuri tjetër.

Sa herë shqiptarët përballen me kriza të mëdha politike e shoqërore – si bllokada e gjatë institucionale në Kosovë, protestat aktuale në Shqipëri apo përçarjet e skajshme politike ndër shqiptarët në Maqedoninë e Veriut e gjetkë – polarizimi bëhet pothuajse instinktiv. Brenda pak ditësh krijohen kampe, njerëzit etiketohen dhe hapësira për debat racional ngushtohet.

Në këtë klimë, ata që kanë në dispozicion media të fuqishme, televizione, portale apo platforma me ndikim kanë një përgjegjësi të veçantë. Ata nuk formësojnë vetëm opinionin e ditës, por edhe kujtesën historike të shoqërisë. Pikërisht për këtë arsye, hapësira publike duhet të mbetet e hapur edhe për mendimin ndryshe, sidomos kur ai mbështetet në dokumente, dëshmi dhe përvoja të drejtpërdrejta. Historia nuk duhet të shkruhet vetëm nga ata që kanë mikrofonin më të madh.

Nuk i kam shkruar këto radhë për të bindur ata që i kanë krijuar tashmë bindjet e tyre. I kam shkruar sepse besoj se brezi ynë ka një detyrim moral ndaj brezave që vijnë: t’u lërë një histori të mbështetur në dokumente, fakte dhe dialog, e jo në etiketime, nostalgji apo teori konspirative.

Liria, barazia dhe dinjiteti nuk janë dhuratë e historisë. Ato janë rezultat i angazhimit, sakrificës dhe guximit të brezave që nuk pranuan ta normalizonin padrejtësinë. Pikërisht këtë ua kemi borxh ta ruajmë edhe në kujtesën tonë kolektive. Weniger anzeigen