14.5 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

17 JANARI ISHTE TRAGJEDIA, 17 SHKURTI BASHKIMI, 15 MAJI ZGJERIMI

Imazhi Pjesa II

HISTORIA NUK ËSHTË PRONË – PJESA II

(Pjesa II): 17 janari ishte tragjedia, 17 shkurti bashkimi, 15 maji zgjerimi

PËRBALLJA E PRETENDIMEVE ME KRONOLOGJINË DHE DOKUMENTET E VITIT 1982

pjesën e parë të kësaj serie trajtuam pretendimin se Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi – LRSSHJ – ishte “fraksion i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë”.

Përfundimi ishte i qartë: perceptimi politik i një rrethi nuk mund ta zëvendësojë provën historike. Për ta përcaktuar karakterin e një organizate duhet të shqyrtohen dokumentet, programi, veprimtaria, raporti me pushtetin dhe rrethanat në të cilat ajo veproi.

Në këtë pjesë do të përqendrohemi te kronologjia dhe dokumentet e procesit të bashkimit, sepse një pjesë e kundërthënieve të sotme buron nga ngatërrimi i tri datave me domethënie të ndryshme:
• 17 janari 1982 ishte dita e atentatit ndaj Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës;
• 17 shkurti 1982 ishte dita e përfundimit të marrëveshjes për bashkimin e PKMLSHJ-së me LNÇKVSHJ-në;
• 15 maji 1982 ishte dita kur OMLK-ja iu bashkua pa kushte Lëvizjes së krijuar më 17 shkurt.

Këto data nuk janë rivale. Ato shënojnë ngjarje të ndryshme, të lidhura brenda të njëjtit proces historik.

Procesi i bashkimit kishte filluar para 17 janarit

Bashkimi i organizatave shqiptare nuk filloi pas atentatit të 17 janarit 1982. Ai kishte një parahistori politike dhe dokumentare që lidhej me platformën e PKMLSHJ-së për krijimin e Republikës Socialiste Shqiptare në Jugosllavi dhe me thirrjen drejtuar rrymave të tjera të rezistencës që të bashkoheshin rreth këtij synimi.

Që para demonstratave të vitit 1981, rryma të ndryshme politike, për aq sa e lejonin rrethanat e veprimit të fshehtë, ishin njoftuar për ekzistencën, platformën dhe synimet e PKMLSHJ-së.

Organizata kërkonte që shqiptarët në ish-RSFJ të njiheshin si popull dhe jo si pakicë apo “kombësi”, ndërsa viset e tyre të fitonin subjektivitet të barabartë politik e kushtetues përmes krijimit të Republikës Socialiste Shqiptare në Jugosllavi.

Pas shpërthimit të demonstratave të pranverës së vitit 1981, PKMLSHJ-ja e bëri edhe më publike thirrjen për bashkimin e forcave shqiptare rreth kërkesës për Republikë.

“Thirrja e përgjithshme – Kushtrimi” u shpërnda në Kosovë dhe u botua në maj e qershor 1981 në “Revolucioni”, organ i Komitetit Qendror të PKMLSHJ-së. Dokumenti nuk ishte vetëm thirrje për vazhdimin e rezistencës, por edhe ftesë drejtuar forcave të tjera politike që të bashkoheshin mbi një platformë të përbashkët për Republikën.

Procesi mori formë të drejtpërdrejtë ndërorganizative në fund të vitit 1981. Më 20 nëntor u vendosën kontaktet ndërmjet përfaqësuesve të PKMLSHJ-së dhe Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi – LNÇKVSHJ.

Gjatë dhjetorit 1981, Komiteti Qendror i PKMLSHJ-së u dërgoi shkresa LNÇKVSHJ-së dhe Organizatës Marksiste-Leniniste të Kosovës – OMLK, duke propozuar bisedime dhe bashkim rreth platformës për Republikë.

Jusuf Gërvalla, në emër të Komitetit Qendror të LNÇKVSHJ-së, iu përgjigj me shkrim Komitetit Qendror të PKMLSHJ-së. Kjo korrespondencë dëshmon se para 17 janarit 1982 ekzistonte jo vetëm një dëshirë e përgjithshme për bashkim, por edhe një proces konkret komunikimi ndërmjet organeve drejtuese të organizatave.

Për zhvillimin e bisedimeve flet edhe “Informacioni i Komisionit për Bashkim” i PKMLSHJ-së, i përgatitur në fillim të muajit janar 1981 për pjesëtarët e organizatës. Sipas këtij dokumenti, Bujar Hoxhës i ishte kërkuar që informacioni t’i përcillej edhe Partisë së Punës të Shqipërisë.

Ky fakt tregon se përpjekjet për bashkim zhvilloheshin paralelisht në rrafshin ndërorganizativ dhe në kontakt me përfaqësues të shtetit shqiptar.

Kjo vijë dokumentare – platforma e hershme e PKMLSHJ-së, “Thirrja e përgjithshme – Kushtrimi”, kontaktet e 20 nëntorit, shkresat e dhjetorit, përgjigjja e Jusuf Gërvallës dhe “Informacioni i Komisionit për Bashkim” – dëshmon se vrasja e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës nuk e krijoi idenë e bashkimit.

Atentati goditi një proces që tashmë ishte vënë në lëvizje.

Jusuf Gërvalla kishte rol të rëndësishëm në këtë proces dhe në afrimin e organizatave. Por respekti ndaj veprës dhe flijimit të tij kërkon që të dallojmë ndërmjet nismës, bisedimeve dhe marrëveshjes përfundimtare.

Procesi kishte filluar para 17 janarit; atentati e goditi rëndë, por nuk e ndali; ndërsa më 17 shkurt 1982 bisedimet u përmbyllën me marrëveshjen e dokumentuar për bashkimin e PKMLSHJ-së dhe LNÇKVSHJ-së në LRSSHJ.

17 janari: atentati që goditi Lëvizjen

Më 17 janar 1982, në Untergruppenbach të Gjermanisë, shërbimi sekret jugosllav kreu atentatin ndaj Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.

Vrasja e tyre ishte goditje e rëndë për mërgatën politike shqiptare dhe për përpjekjet për bashkimin e organizatave. Ajo krijoi tronditje, pasiguri dhe mosbesim.

Në rrethanat e veprimit ilegal, ku informacionet qarkullonin në rrethe të kufizuara dhe rreziku i infiltrimit ishte i përhershëm, atentati e thelloi edhe më shumë frikën nga dekonspirimi.

Megjithatë, 17 janari nuk ishte dita e bashkimit organizativ.

Përfaqësuesit e organizatave kishin zhvilluar kontakte, takime dhe bisedime, por nuk është paraqitur dokument që dëshmon se më 17 janar 1982 ishte miratuar marrëveshja përfundimtare për shkrirjen e tyre në një organizatë të vetme.

Përpjekja që tragjedia e 17 janarit të shndërrohet prapaveprueshëm në datë të bashkimit mund të kuptohet emocionalisht, por nuk mbështetet në kronologjinë e dokumentuar.

17 janari duhet të kujtohet për atë që ishte: dita e vrasjes së tre veprimtarëve të shquar dhe e goditjes së rëndë ndaj Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

17 shkurti: marrëveshja e dokumentuar e bashkimit

Një muaj pas atentatit, më 17 shkurt 1982, në Ankara, përfaqësuesit e PKMLSHJ-së dhe LNÇKVSHJ-së përfunduan marrëveshjen për bashkimin e tyre.

PKMLSHJ-ja pushoi së vepruari si organizatë më vete. Edhe LNÇKVSHJ-ja hyri në subjektin e përbashkët. Nga shkrirja e tyre u formua Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi – LRSSHJ.

Marrëveshja nuk parashihte vetëm bashkërendim të veprimtarive ose bashkëpunim të përkohshëm. Ajo përcaktonte krijimin e një lëvizjeje të vetme, me platformë, program, statut, udhëheqje dhe organ qendror të përbashkët.

Boshti i bashkimit ishte kërkesa për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi. Synimi ishte që shqiptarët të njiheshin si popull, ndërsa viset e tyre të fitonin subjektivitet të barabartë politik e kushtetues në federatë.

Kjo kërkesë ishte formuluar në dokumentet e PKMLSHJ-së para demonstratave të vitit 1981. Pranvera e vitit 1981 e shndërroi atë në kërkesë masive popullore, ndërsa marrëveshja e 17 shkurtit 1982 i dha trajtë të re të përbashkët organizative.

Bashkimi ishte njëkohësisht vazhdim i procesit të filluar më herët dhe përgjigje politike ndaj atentatit. Vrasja e tre veprimtarëve nuk e ndali procesin, por e shtoi përgjegjësinë që ai të vazhdonte.

Prandaj 17 shkurti nuk ia merr askujt meritën. Ai shënon datën kur kontaktet, shkresat, bisedimet dhe përpjekjet paraprake u përmbyllën në një marrëveshje të dokumentuar.

15 maji: zgjerimi i Lëvizjes së bashkuar

Procesi vazhdoi më 15 maj 1982 në Biel-Bienne të Zvicrës, kur OMLK-ja iu bashkua vullnetarisht dhe pa kushte LRSSHJ-së së krijuar më 17 shkurt.

Kjo datë shënon zgjerimin e Lëvizjes, jo themelimin e saj të parë.

Edhe kontributi i OMLK-së dhe i veprimtarëve të saj duhet vlerësuar sipas dokumenteve dhe veprimeve konkrete. Bashkimi i 15 majit i dha

Lëvizjes shtrirje më të gjerë dhe bashkoi në të tri rryma të rëndësishme të rezistencës shqiptare.

Por zgjerimi nuk mund ta zhvendosë prapa në kohë krijimin e subjektit të cilit OMLK-ja iu bashkua. Vetë akti i bashkimit të saj dëshmon se LRSSHJ-ja ishte formuar më herët.

Prandaj formulimi historikisht më i saktë është: Më 17 shkurt 1982 u formua LRSSHJ-ja përmes bashkimit të PKMLSHJ-së dhe LNÇKVSHJ-së; më 15 maj 1982 ajo u zgjerua me bashkimin pa kushte të OMLK-së.

A u hesht atentati në dokumentet e bashkimit?

Në emisionin “Debat Plus” u shtrua pyetja se përse në komunikatën e bashkimit nuk përmendej atentati ndaj Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.

Pyetja mund të duket e arsyeshme nëse shqyrtohet vetëm komunikata e shkurtër publike. Por komunikata nuk ishte dokumenti i vetëm i procesit të bashkimit.

Procesverbali i 17 shkurtit 1982, i cili pasqyron më gjerësisht përmbajtjen e bisedimeve dhe vendimet e marra, e trajton çështjen në kuadër të diskutimit për organin e përbashkët të LRSSHJ-së, “Zërin e Kosovës”. Aty është vlerësuar edhe roli dhe kontributi i Jusuf Gërvallës në krijimin dhe botimin e këtij organi.

Prandaj nuk qëndron përfundimi se bashkimi i 17 shkurtit e kishte heshtur ose shpërfillur veprën e Jusuf Gërvallës. Mospërfshirja e atentatit në tekstin e shkurtër të komunikatës nuk mund të interpretohet si mungesë vlerësimi, përderisa procesverbali i bashkimit e dëshmon të kundërtën.

Këtu duhet bërë dallimi ndërmjet dy dokumenteve me funksione të ndryshme:
• komunikata kishte për qëllim njoftimin publik të bashkimit dhe paraqitjen e përmbledhur të rezultatit politik;
• procesverbali regjistronte më hollësisht diskutimet, çështjet e trajtuara dhe vendimet e pjesëmarrësve.

Një vlerësim historik nuk mund të mbështetet vetëm në atë që mungon në një komunikatë të shkurtër, duke lënë mënjanë atë që gjendet në procesverbalin e të njëjtit takim.

Roli i Jusuf Gërvallës, i cili qëndron ne piedestalin e historisë, nuk ka nevojë të zmadhohet përmes zhvendosjes së datave dhe as të zvogëlohet për ta mbrojtur 17 shkurtin.

Ai ishte pjesëmarrës i rëndësishëm në përpjekjet për afrim, bashkëpunim dhe bashkim, ndërsa vrasja e tij, e Bardhoshit dhe e Kadri Zekës ishte goditje e rëndë për procesin që kishte filluar.

Bashkimi i përfunduar një muaj më vonë ishte edhe vazhdim i asaj përpjekjeje, edhe përgjigje politike ndaj goditjes që kishte pësuar Lëvizja.

Roli i shtetit shqiptar duhet ndriçuar me dokumente

Materialet arkivore të paraqitura pjesërisht në publik, përfshirë ato që janë cituar nga protagonistë dhe janë prezantuar në “Debat Plus” të TV Dukagjinit, tregojnë se shteti shqiptar kishte rol të rëndësishëm në afrimin e palëve dhe në procesin që çoi te marrëveshja e 17 shkurtit 1982.

Këtë e përforcon edhe “Informacioni i Komisionit për Bashkim” i PKMLSHJ-së, në të cilin kërkohej që materiali t’i përcillej Partisë së Punës të Shqipërisë.

Kontaktet e përfaqësuesve të organizatave me përfaqësitë diplomatike shqiptare, veçanërisht në Turqi, nuk mund të trajtohen si hollësi anësore. Ato ishin pjesë e mjedisit politik dhe diplomatik në të cilin u zhvilluan bisedimet.

Megjithatë, përmasat, mënyra dhe qëllimi i saktë i këtij ndikimi duhet të përcaktohen përmes publikimit të plotë të dokumenteve arkivore.

Duhet dalluar ndërmjet ndihmës për krijimin e kontakteve, ndërmjetësimit politik, këshillimit dhe kontrollit të mundshëm organizativ. Këto nuk janë e njëjta gjë dhe nuk mund të barazohen pa prova.

Pranimi i rolit të shtetit shqiptar nuk ia heq bashkimit karakterin ndërorganizativ. Vendimin e morën dhe dokumentin e nënshkruan përfaqësuesit e organizatave që kishin zhvilluar bisedimet dhe kishin pranuar shkrirjen në një lëvizje të përbashkët.

As roli i Shqipërisë nuk duhet mohuar, as vendimmarrja e organizatave nuk duhet zëvendësuar me të. Të dyja duhet të vendosen në raportin që dëshmojnë dokumentet.

A ishte LRSSHJ-ja një “fëmijë që nuk mbijetoi”?

Disa përpiqen ta paraqesin bashkimin e 17 shkurtit 1982 si lindjen e një subjekti që nuk mbijetoi, që dështoi menjëherë ose që nuk la vazhdimësi politike.

Ky vlerësim nihilist nuk qëndron.

LRSSHJ-ja mbijetoi si organizim, platformë politike dhe vijë veprimi. Ajo u përball me dallime programore, luftë për përfaqësim, përplasje ndërmjet rrymave, përjashtime dhe veprimtari fraksioniste. Disa nga këto konflikte i shkaktuan dëme të rënda dhe pasoja që nuk mund të zhbëhen.

Në raste të caktuara, lufta e brendshme mori tipare të njohura nga përçarjet e mëhershme të lëvizjes komuniste shqiptare: kundërshtari brenda radhëve paraqitej si më i rrezikshëm se kundërshtari i jashtëm, ndërsa dallimi politik shndërrohej në dyshim, akuzë dhe përjashtim.

Por konfliktet e brendshme nuk e fshijnë ekzistencën e Lëvizjes dhe as ndikimin e saj historik.

Pavarësisht ndarjeve dhe ndryshimeve të mëvonshme të emërtimit, një pjesë e strukturave, veprimtarëve, organeve dhe përvojës politike të krijuar më 1982 vazhdoi të vepronte. Kërkesa për Republikë mbeti bosht i luftës politike. Ajo u ruajt në organizimin e mërgatës, në veprimtarinë ilegale brenda vendit, në botime, në mbështetjen për të burgosurit politikë dhe në përgatitjen e fazave të mëvonshme të rezistencës.

Nuk mund të pretendohet se LRSSHJ-ja e realizoi e vetme tërë procesin që çoi në çlirimin dhe shtetformimin e Kosovës. Një përfundim i tillë do të ishte po aq përjashtues sa mohimi i saj.
Në këtë rrugëtim kontribuuan shumë organizata, rryma politike, të burgosur, veprimtarë të mërgatës, institucione, luftëtarë dhe breza të tërë.

Por as nuk mund të mohohet se LRSSHJ-ja ndihmoi në ruajtjen, organizimin dhe vazhdimësinë e kërkesës për Republikë. Pjesë të synimit të saj u jetësuan në rrethana dhe forma të ndryshme nga ato që ishin parashikuar më 1982.

Sot ekziston Republika e Kosovës, ndërsa shteti jugosllav që e kishte luftuar kërkesën për Republikë me polici, burgje, ushtri, propagandë dhe infiltrime nuk ekziston më as në hartën politike të Evropës dhe as në atë të botës.

Ky fakt nuk provon se çdo veprim i LRSSHJ-së ishte i drejtë dhe as se të gjitha objektivat e saj u realizuan. Por e rrëzon pretendimin se platforma për Republikë ishte një lindje e vdekur ose një episod pa vazhdimësi historike.

Tri data, tri domethënie

Historia e Lëvizjes nuk është pronë e asnjë rryme, grupi ose individi. Ajo u përket të gjithë atyre që kontribuuan, por secili duhet të vendoset aty ku e vendosin dokumentet, kronologjia dhe veprimet e dëshmuara.

Bashkimi i vitit 1982 nuk duhet idealizuar. Ai mbarti dallimet, mosbesimin dhe dobësitë e organizatave që u bashkuan. Zbatimi i marrëveshjeve të tij duhet shqyrtuar kritikisht, përfshirë përfaqësimin në organet drejtuese, kontrollin mbi “Zërin e Kosovës” dhe përjashtimin e mëvonshëm të një pjese të themeluesve.

Por konfliktet e mëvonshme nuk mund ta zhbëjnë prapaveprueshëm marrëveshjen e 17 shkurtit.

Dokumenti dëshmon bashkimin. Zhvillimet pasuese tregojnë sa e vështirë ishte ruajtja dhe jetësimi i tij. Vazhdimësia e kërkesës për

Republikë dëshmon se projekti politik nuk vdiq me përçarjet e organizatës.

Më 17 janar ndodhi tragjedia.

Më 17 shkurt u dokumentua bashkimi.

Më 15 maj Lëvizja u zgjerua.

Asnjëra nga këto data nuk ka nevojë ta fshijë tjetrën për ta ruajtur rëndësinë e vet.

Në pjesën III: Nga bashkimi te mosbesimi — Abdullah Prapashtica, dëshmia e Ibrahim Çavollit, pabarazia e kushteve në mërgatë, themelimi i BPK-së dhe beteja për përfaqësim brenda Lëvizjes.