27.9 C
Zürich
Dienstag, September 15, 2026

KUR INTEGRIMI I VET QUHET REALIZËM, NDËRSA REPUBLIKA E TJETRIT “FRAKSION”

Reagim Ali Ahmeti

HISTORIA NUK ËSHTË PRONË

(Pjesa I) Kur integrimi i vet  quhet REALIZËM, ndërsa republika e tjetrit “FRAKSION”

Për LR(S)SHJ-në, BDI-në dhe standardin e dyfishtë ndaj historisë

NJË PËRCEPTIM NUK ËSHTË FAKT HISTORIK

Deklarata e Ali Ahmetit se Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi i ishte dukur atij dhe rrethit të tij si “fraksion i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë” nuk është thjesht një vlerësim i pambështetur për një organizatë të së kaluarës. Ajo pasqyron një mendësi më të gjerë: rruga politike e vet paraqitet si realizëm dhe domosdoshmëri historike, ndërsa rrugët, etapat dhe kompromiset e të tjerëve etiketohen si vartësi ose fraksionizëm.

Prandaj, ky reagim nuk i drejtohet vetëm Ali Ahmetit. Ai u drejtohet të gjithë atyre që e kanë trajtuar LR(S)SHJ-në si “fraksion” të një strukture armike pa paraqitur prova për një lidhje të tillë; atyre që e zhvlerësuan përcaktimin shqiptar të projektit për Republikë dhe, më vonë, e reduktuan Lëvizjen në një emërtim kryesisht gjeografik.

Kërkesa për Republikën Socialiste Shqiptare si njësi e barabartë në federatën jugosllave duhet gjykuar në rrethanat e fillimit të viteve 1980. Ajo synonte që shqiptarët të njiheshin si popull dhe jo si pakicë, ndërsa viset e tyre në Jugosllavi të fitonin subjektivitet të barabartë politik e kushtetues. Ishte përpjekje për ndryshimin e rendit ekzistues, jo për mbrojtjen e tij.

Për ta cilësuar LR(S)SHJ-në si fraksion të LKJ-së kërkohen prova për vartësi organizative, pranim të disiplinës së saj, marrje udhëzimesh, financim, raportim ose veprim brenda strukturave të saj. Asnjë dokument i tillë nuk është paraqitur.
Shprehja “na dukej” dëshmon vetëm perceptimin e një rrethi politik. Ajo nuk mund të ngrihet në fakt historik.

Represioni që rrëzon etiketën

Pjesëtarët e PKMLSHJ-së dhe të LR(S)SHJ-së u ndoqën, u arrestuan, u dënuan, u burgosën dhe u torturuan nga institucionet e po atij sistemi, “fraksion” i të cilit pretendohet se ishin. Rasti më i rëndë ishte vdekja e veprimtarit – me sa dihet të burgosurit të parë politik të pas demonstratave të vitit 1981 – Afrim Abazi në mars 1982, në Burgun Hetues të Ferizajt, pas torturave.

Represioni shtetëror nuk e dëshmon automatikisht drejtësinë e çdo qëndrimi të një organizate. Por, pa ndonjë dokument për vartësi ndaj LKJ-së, ai e bën të pambrojtshme akuzën se të përndjekurit dhe të burgosurit e atij sistemi ishin njëkohësisht “fraksion” i tij.

Kur standarti ndyshon sipas autorit

Kundërthënia bëhet e dukshme kur ky gjykim vihet përballë rrugëtimit politik të vetë Ali Ahmetit.

Pas përpjekjeve çlirimtare të vitit 2001 dhe Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ai themeloi dhe drejtoi Bashkimin Demokratik për Integrim. Edhe pse përfaqësonte kryesisht votuesit shqiptarë, subjekti nuk mbante përcaktim shqiptar në emërtim. BDI-ja veproi për vite brenda institucioneve të Maqedonisë së Veriut, hyri në koalicione qeverisëse dhe nuk arriti ta jetësonte plotësisht as Marrëveshjen e Ohrit, as barazinë reale të shqiptarëve.

Megjithatë, pjesëmarrja në institucione, bashkëqeverisja dhe kompromisi politik nuk e bëjnë automatikisht BDI-në “fraksion” të VMRO-së, LSDM-së apo të shtetit maqedonas. Ato mund të shpjegohen si përshtatje ndaj raportit të forcave dhe si etapë politike.

Por, nëse ky mirëkuptim kërkohet për BDI-në, i njëjti standard duhet të zbatohet edhe ndaj LR(S)SHJ-së.

Një zgjidhje etapore brenda një rendi shtetëror nuk e bën bartësin e saj fraksion të atij rendi. Po të pranohej kjo logjikë, ajo do të godiste edhe partitë shqiptare që sot veprojnë brenda institucioneve të shteteve ku jetojnë shqiptarët.

Standardi i dyfishtë qëndron pikërisht këtu: kompromisi i vet quhet realizëm politik, ndërsa zgjidhja etapore e tjetrit shpallet afërsi me armikun. Integrimi i vet paraqitet si urtësi, ndërsa përpjekja e tjetrit për ta ndryshuar sistemin cilësohet fraksionizëm.

Nga përcaktimi kombëtar te reduktimi gjeografik

Kundërthënia thellohet me transformimin e mëvonshëm të LR(S)SHJ-së në LPRK. Përcaktimi “Shqiptare”, që identifikonte subjektin kombëtar dhe shtrirjen e çështjes shqiptare në Jugosllavi, u zëvendësua me emërtimin gjeografik “Kosovë”.

“Republika e Kosovës” kishte legjitimitet të fuqishëm popullor, të dëshmuar edhe në demonstratat e vitit 1981. Problemi nuk është vetë ky emërtim, por mënyra e ndryshimit: kush e vendosi, me çfarë mandati, me çfarë përfaqësimi dhe me çfarë pasojash për identitetin e Lëvizjes së krijuar më 1982?

Nëse projekti i LR(S)SHJ-së për Republikën Socialiste Shqiptare shpallet “fraksion i LKJ-së”, atëherë duhet shpjeguar edhe transformimi që ia hoqi Lëvizjes përcaktimin kombëtar, e ngushtoi atë në një emërtim gjeografik dhe u shoqërua me margjinalizimin e një pjese të themeluesve të saj.

Qëllimi nuk është që BDI-ja të shpallet “fraksion” i një partie sllavo-maqedonase. Kjo vetëm do ta përsëriste mendësinë përjashtuese që po kundërshtojmë. Kërkesa është për një standard të vetëm: çdo organizatë të vlerësohet sipas dokumenteve, programit, veprimtarisë, rezultateve dhe rrethanave të kohës.

Prandaj, pyetja është e qartë: a mund të shpallet LR(S)SHJ-ja “fraksion i LKJ-së” vetëm sepse kërkonte Republikën Socialiste Shqiptare si njësi të barabartë brenda federatës?

Përgjigjja është jo.

LR(S)SHJ-ja mund dhe duhet të kritikohet për ideologjinë, programin, organizimin dhe zhvillimet e saj të brendshme. Por duhet gjykuar për atë që ishte dhe bëri, jo për atë që dikujt “i dukej” se ishte.

Perceptimi mund të shërbejë për të studiuar mendësinë e një rrethi politik. Dokumenti është baza për të përcaktuar karakterin e një organizate. Ngatërrimi i këtyre dy niveleve nuk është historiografi, por prodhim i një narrative politike.

Historia nuk mund të reduktohet në gjeografi dhe as Lëvizja të shndërrohet në pronë të atyre që morën më vonë drejtimin e saj. Para se dikush të shpallet “fraksion i armikut”, duhet të paraqiten prova.
Pa prova, etiketa nuk e dënon LR(S)SHJ-në. Ajo demaskon mendësinë përjashtuese të atyre që vazhdojnë ta përdorin.

– – –
Vijon pjesa e dytë e serisë “Historia nuk është pronë”:
“17 janari ishte tragjedia, 17 shkurti bashkimi, 15 maji zgjerimi” – përballja e pretendimeve me kronologjinë dhe dokumentet e vitit 1982.