Në prag të promocimit të veprimtarisë krijuese të gazetarit dhe të redaktorit të portalit tonë „transnacional.ch“ në kuadër të 150 vjetorit të themelimit të qytetit të Feriajt, më 14 korrik në Qendrën e Kulturës në Ferizaj, po japim fragmente nga shkrimet e redaktorëve apo recensentëve të të tria librave të këtij autori :
1) „Shqiptarët në Zvicër -1001 pamje“ 2)“Shtegtimet e një gazetari”, libër tre gjuhësor dhe 3) “Arbëreshët fotosintezë e shpirtit tim”, shqip dhe italisht.
Albanologu zviceran, Dr.Dr. Basil Shader për librin : “Shqiptarët në Zvicër -1001 pamje» :
Rexhep Rifati – Kujtesa e mërgatës shqiptare në Zvicër
Me punën e tij të palodhshme gazetareske dhe dokumentuese Rexhep Rifati është padyshim njëri nga njohësit më të mirë të jetës shoqërore, kulturore e sportive të komunitetit shqiptar në Zvicër me të gjitha aspektet e tij. Në këtë kontekst gati se nuk ekziston ndonjë personalitet, si shqiptar ashtu edhe zviceran, të cilin ai nuk e njeh, e nuk di për vlerat e tij. Andaj pikërisht për këtë Rexhep Rifati mund të quhet me të drejtë kujtesa apo enciklopedia e gjallë (por tejet diskrete!) e mërgatës shqiptare në Zvicër dhe të rretheve të lidhura me të. Kush do të ishte më i përshtatshëm dhe më kompetent se sa Rexhep Rifati ta bënte këtë, në qoftë se do të synohej të paraqitej një pasqyrim i gjerë e i larmishëm i kësaj diaspore (çfarë projekti interesant dhe i rëndësishëm!)
Ky libër është më shumë se një kronikë shumë e vlefshme për shkak se në të bëhet një dokumentim i gjerë i së kaluarës më të afërt të mërgatës shqiptare në Zvicër. Ai është një libër referues dhe enciklopedi për personalitetet dhe aktivitetet e tyre në mjediset përkatëse. Kjo përmbledhje e bukur nuk është e rëndësishme vetëm për shqiptaret dhe shqiptarët në Zvicër. Shpresojmë se ajo do të mund të shërbej edhe për shqiptaret e shqiptarët në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, të cilëve ju ofron një pasqyrë të larmishme për jetën e mërgatës shqiptare në Zvicër.
Natyrisht se ky libër është interesant edhe për publikun zviceran. Në qoftë se jo për diç tjetër, atëherë më së paku vetëm për shkak të fotografive të bukura. Do të ishte mirë dhe e dëshirueshme sikur materialet e këtij libri të përfshiheshin edhe në ndonjë një formë tjetër dokumentimi, sepse ka kohë që një dokumentim i tillë në gjuhën gjermane për mërgatën shqiptare në Zvicër mungon.
Rexhep Rifatiit nga zemra i dëshirojmë atij dhe veprës së tij të arritur e të dobishme shumë suksese, mirënjohje e vlerësime të merituara.
Hagenbuch/Zürich, November 2012 Dr.Basil Schader
- Ps. Dr. Dr. Basil Schader, albanolog i njohur zviceran, ka mbrojt dy doktorata, një në shqip në Tiranë dhe tjetrën në Zvicër , në gjermanisht , deri në pension ishte mësimdhënës i rregull në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Cyrih. Njihet si mik i madh i shqiptarëve dhe një nga ata që përmes projekteve të ndryshme ka ndihmuar mësimin plotësues shqip në mërgatë
IMAZHE TË GJALLA TË ORIGJINALITETIT SHQIPTAR
Prof. Migena ARLLATI- nga parathëna e librit “Shtegtimet e një gazetari”
“Shtegtimet e një gazetari”, kjo vepër e ndërtuar me shpirt dhe pasion nga Rexhep Rifati, nuk është thjesht një rrëfim mbi shqiptarët, të shtrirë në shtete të ndryshme brenda Ballkanit, nuk është as thjesht një album fotografish i monumenteve a vendeve tërheqëse.
Ky botim vjen pas një itinerari të gjatë ecejakesh dhe ndalesash, pikërisht në ato vende ku fotografia nuk do koment, apo aty ku mbresa e treguar bëhet lehtë e përjetueshme dhe e besueshme.
Vizita, ndalesa, përshtypje, takime, dialogë, përqafime dhe sërish një “Mirupafshim!”, sepse ky ndoshta ishte i pari, por jo i fundit takim… Në çdo ndalesë ndryshojnë emërvendet, ndryshojnë stacionimet, takimet rastësore me njerëzit, ndryshon shumçka brenda gjithçkaje që flet e gjallon shqip jo vetëm sot, por në kohëra e kohëra. Vetëm diçka nuk ndryshon e nuk ndalet asnjëherë: aparati fotografik, me të cilin Rexhep Rifati ka vendosur të ndërtojë reportazhin e një itinerari të gjatë nëpër Shqipëri, Kosovë, dhe gjithandej nëpër Ballkan ku ka shqiptarë, bile deri tek arbëreshët e Italisë.
Duke pasur shtatë dekada jetë mbi supe, autori e di mirë rëndësinë e ҫdo pjesëze të gjeopolitikës shqiptare, ndaj asesi të mjaftohet vetëm me Shqipërinë e Kosovën. Me të njëjtën dashuri, pse jo edhe më të madhe, ai do të trajtojë edhe Manastirin, Kalabrinë, Sicilinë, Çamërinë, vende nga të cilat do të sjellë imazhe të gjalla të origjinalitetit shqiptar. Për të, kombi nuk mbaron në vijën e fundit kufitare; për të, kombi frymon edhe atje ku jeton qoftë edhe një shqiptar a pasardhës shqiptari.
Pavarësisht punës kolosale, autori ruan një vlerë të madhe shpirtërore, modestinë. Falë saj, ai mbetet një shqiptar i thjeshtë dhe njëkohësisht një shqiptar i madh. Si një njeri i vullnetit dhe i pasionit, si ish-gazetar i “Rilindjes” për rreth tridhjetë vjet, si një ferizajas që, pavarësisht se jeton larg vendlindjes, vazhdon të ndihet i tillë në çdo skutë të shpirtit të tij, si një banor zviceran që prej më se njëzet vjetësh ka njohur nga afër kujdesin që i duhet kushtuar vlerave muzeore, ai është i gatshëm t’ia dalë mbanë në “detyrimin” që i ka vënë vetes, aq më tepër që për të ky nuk është botimi i parë.
Falë gjithë kësaj pune voluminoze e të përkushtuar, autori na vë kështu përballë një tjetër monument të kulturës shqiptare. Ky monument është libri i tij!
Gjakovë, 14. 04. 2017
Fragmente nga fjala e Dr. Prof. Antonio Belluscit, në parathënien e librit “Arbreshët”…
Rexhep Rifati në këto udhëtime-studime në arkipelagun arbëresh, kreu një mision fisnik e historik të grupit tonë etnik
1) Miku dhe vëllai shqiptar i Kosovës, Rexhep Rifati, sa herë që vjen në Bibliotekën tonë Arbëreshe-Pan shqiptare në Frascineto (Cosenza), sjell me vete një botë përvojash, kujtimesh dhe vlerash shpirtërore e kulturore. Ky është rezultat i përvojës së tij si emigrant në Zvicër.
- Rexhep Rifati, në këto udhëtime-studime në arkipelagun arbëresh të Jugut të Italisë, kreu një mision të jashtëzakonshëm historik në favor të grupit tonë etnik, duke ndërthurur dhe bashkuar shpirtërisht popullin shqiptar të Kosovës, pra mërgimtarët shqiptarë me arbëreshët e Italisë si një popull, me gjuhë dhe qytetërim të ruajtur me shekuj. Me shkrepjet e fotove të tij ai e bën diasporën shqiptare një botë më sublime, një fener drite, shprese, projeksionesh ultra-kozmike e universale. Sot, duke arritur majat shumë të larta të integrimit, emigracioni ynë po rritet dhe zhvillohet brenda qytetërimit evropian.
- Në këtë vëllim, Arbërinë tonë në Italinë e Jugut, këtë tokë emigracioni shekullor, Rexhep Rifati, udhëtar, gazetar dhe fotograf, e ka dokumentuar me një rrugë të re rilindjeje kulturore, transformimi social e mjedisor të vendbanimeve tona. Vërejmë sot se si mjediset tona, aktualisht janë më të shpopulluara dhe të vetmuara për shkak të fenomenit aktual, të emigrimit të të rinjve arbëreshë në kërkim të punës në qytetet e veriut. Nga një situatë statike, por nga një këndvështrim të ri historik, autori, në çdo pamje të objektivit, shfaq përvojën e tij prej reporteri.
- Ky dokumentacion fotografik i çmuar dhe brilant, u ofron studiuesve mundësi të ndryshme për ta analizuar realitetin tonë arbëresh jo shumë të njohur e të shqyrtuar në të gjitha aspektet e tij historike, kishtare e rituale, kulturore e letrare. Mungesa e burimeve të gjithanshme historike i ka penguar studiuesit arbëreshë që ta përfundonin një vepër të njësuar dhe të plotë historike.
- Rexhep Rifati, me dokumentacionin e tij aktual fotografik, si mbi Arbërinë Bizantine, ashtu edhe për Arbërinë Latine, fokusohet të paraqesë një realitet arbëresh të pasur me histori dhe kulturë, i cili pavarësisht se ka humbur (pjesërisht) njohuritë dhe kuptimin e simboleve të tij origjinës, vazhdon të ekzistojë dhe të kalojë në gjurmët e saj origjinale historike etnike arbëreshe, e cila prezentohet, jo vetëm nëpërmes tabelave ekzistuese dygjuhëshe rrugore. E gjithë Arbëria na projekton, edhe në të tashmen, tipare rrezatuese të banorëve të saj dhe madhështinë e vjetërsinë e monumenteve dhe kishave të saj, që janë forca shtytëse të spiritualitetit, kulturës dhe paqes dhe bashkëjetesës shoqërore.
6. Shkëlqimi i fotografive na bën të prekim karakteristikat e një Arbërie kozmike, mahnitëse dhe magjepsëse, e karakterizuar nga një identitet dhe trashëgimi e pasur etnike, duke pasqyruar gjithë diasporën shqiptare modele të jetës së shpërndarë dhe zhvillimit shoqëror në mbarë botën. Megjithatë këtu i shoh në harmoni dhe bashkëpunim ndërmjet grupeve të tjera etnike.
7. Mikut tonë të ngushtë, Rexhep Rifati i shprehim falënderimin tonë të thellë e të sinqertë, admirimin dhe mirënjohjen tonë për këtë vepër letrare monumentale, që nderon Arbërinë dhe kombin tonë shqiptar. Arbëria aktualisht po kalon një evolucion të madh. Ajo i ruan gjurmët e saj origjinale, por gjithashtu merr edhe forma të reja. Kjo vepër letrare do t’i nxisë, si arbëreshët, po ashtu edhe mërgimtarët shqiptarë në botë që t’i ruajnë rrënjët dhe frymën e përkatësisë kombëtare në zemrat e tyre, duke i bartur tek fëmijët dashurinë për gjuhën, besimin dhe traditat e të parëve. E gjithë Arbëria është mirënjohëse dhe falënderon Rifat Rexhepin, duke e cilësuar si një ndër personazhet dhe shkrimtarët më të shquar të letërsisë bashkëkohore.
8. Në këtë libër, Arbëria, është përshtatur në një mënyrë sublime dhe jashtëzakonisht të zbukuruar me panorama të shumta polikromatike, relieve, që e bëjnë atë të përhershme dhe të denjë për admirim nga pasardhësit. Nga pikëpamja kulturore, artistike, letrare, për sa u tha më sipër, sot admirojmë një kryevepër shumëvjeçare të artit sublim, ku kupa qiellore e Arbërisë shkëlqen më e gjallë dhe yjet e saj të shndritshëm, të kulturës, na duken më të afërt dhe më familjar.
Frascineto, 5 marzo 2022.
*Dr. Prof. Antonio Bellusci
Biografia e Rexhep Rifatit
Rexhep Rifati ka lindur në fshatin Komogllavë të Ferizajt, më 28 maj 1942. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Më 1966 ka kryer shkollën normale në Ferizaj, ndërsa më 1973 është diplomuar në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, të Fakultetit Filozofik të Prishtinës.
Fillimet e para në fushë të gazetarisë ishin rreth vitit 1967 në të përditshmen “Rilindja”, ku ushtroi këtë profesion deri në vitin 1995. Për shkak të presionit e dhunës së pushtetit serb, më 1 nëntor 1995 ka migruar në Zvicër, ku i njihet edhe statusi i të strehuarit politik.
Rexhepi nuk ishte vetëm një korrespondent aktiv “Rilindjes” në qytetin e Ferizajt, por edhe aktivist në jetën kulturore. Shpirti i tij prej artisti nuk u ndal në botën “sterile gazetareske”, por hapi shtigjet e gurrës popullore dhe të veprimtarisë humanitare: duke u bërë themelues dhe kryetar i parë i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Kastriotët”, si dhe themelues e donator i përhershëm i Fondit të Bursave të Solidaritetit, që tash menaxhohet nga Klubi Rotary i Ferizajt.
Pas migrimit në Zvicër, Rexhepi vazhdon të merret me shkrime, qoftë si gazetar, redaktor në disa gazeta të përditshme ose periodike, po edhe në portalet elektronike. Aktualisht është redaktor i portalit “transnacional.ch” në Zvicër.
Merret kryesisht me gazetari udhëpërshkruese, në këtë kuadër ka vizituar që të gjitha 52 ngulimet arbëreshe.
Në vitin 2013 ka botuar librin monografik: “Shqiptarët në Zvicër – 1001 pamje”.
Në vitin 2018 “Shtegtimet e një gazetari”, libër tre gjuhësor.
Në vitin 2019 “Një jetë në shërbim të lirisë dhe të zhvillimit” (Kushtuar jetës dhe veprës së veprimtarit Ilaz Ilazi)Në vitin 2022 “Arbëreshët fotosintezë e shpirtit tim”, shqip dhe italisht.
Poashtu është antar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, nga e cila lidhje është shpërbluer me titullin «Dielli Dardan»
Jeton në Cyrih të Zvicrës dhe ka 6 fëmijë dhe dymbëdhjetë nipa e mbesa.


























