19.2 C
Zürich
Mittwoch, September 16, 2026

Kjo është poezia fituese në konkursin ‚Frazat më të bukura të dashurisë‘

Një ditë do t’më tregosh…
Një ditë do t’më tregosh historinë tënde,
lotët që ke derdhur dhe puthjen e parë,
dashurinë e përjetshme, apo nostalgjinë
për shtigjet e tokës sate aq afër dhe larg.
Një ditë do t’më tregosh historinë tënde,
rrugëtimin e gjatë, rrëzimet e zakonshme
në ndjekje të lumturisë, derën gjysmë të
hapur që nuk të ftonte kurrë, iluzionet,
shqetësimet, intimitetet e tua, pasiguritë.
Do të dëgjoj zërin tënd që sjell gjithmonë
paqe në kaosin që brenda vetes unë mbaj;
këtë herë do të dridhet si flaka e një qiriri,
i ëmbël e i pakapshëm, si ëndërr magjike,
ndërsa tej xhamit, në heshtje, rrëzohen yjet.
Do t’më vijë keq që nuk u gjenda më parë
në udhëtimin e jetës sate tekanjoze dhe
të vështirë, të t’i thaja lotët, të t’i mblidhja
brishtësitë në gishtat e mi dhe, si fluturza
të bardha, t’i shpërndaja tutje në errësirë.
Libra tjerë nga autorja në fjalë.
Edhe kësaj radhe talenti dhe krijimtaria letrare e autorës shqiptare vlerësohet me çmim. Poezia ‚Një ditë do t’më tregosh…‘ nga Irma Kurti u shpall fituese në Konkursin ‚Frazat më të bukura të dashurisë‘ të mbajtur në Romë të Italisë.