Nga Republika e kërkuar më 1982 te Republika e shpallur më 2008
Historia rrallë ecën në vijë të drejtë. Ajo zhvillohet përmes përpjekjeve të vazhdueshme, kthesave, ndërprerjeve, bashkimeve, ndarjeve dhe sakrificave të shumë brezave. Megjithatë, në këtë rrjedhë ka data që, edhe kur ndahen nga dekada, lidhen përmes një domethënieje të përbashkët historike.
Të tilla janë 17 shkurti 1982 dhe 17 shkurti 2008.
Saktësisht 26 vjet para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 1982, përfaqësuesit e PKMLSHJ-së dhe LNÇKVSHJ-së përfunduan në Ankara marrëveshjen për shkrirjen e dy organizatave në Lëvizjen për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi – LRSSHJ.
Kjo ndodhi pikërisht një muaj pas vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, më 17 janar 1982. Bashkimi ishte njëkohësisht përgjigje ndaj goditjes së rëndë që kishte pësuar Lëvizja dhe vendim për vazhdimin e organizuar të luftës politike për Republikë.
Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Republika, e kërkuar për dekada dhe e paguar me burgime, përndjekje, dëbime, luftë e jetë njerëzore, mori trajtën e saj shtetërore.
Çfarë u vendos më 17 shkurt 1982?
Bashkimi i vitit 1982 nuk ishte vetëm një marrëveshje për bashkërendimin e propagandës ose një afrim i përkohshëm rreth një parulle. Dokumenti i bashkimit parashihte shkrirjen e PKMLSHJ-së dhe LNÇKVSHJ-së në një lëvizje të vetme, me platformë, program, statut, Komitet Qendror dhe organ qendror të përbashkët.
Kërkesa për Republikë kishte ekzistuar edhe më herët. Ajo ishte artikuluar gjatë demonstratave të vitit 1968, ishte trajtuar në debatet për avancimin e statusit kushtetues të Kosovës dhe ishte përpunuar si platformë politike nga Organizata për Republikë – PKMLSHJ para demonstratave të vitit 1981, dhe e cila që nga viti 1978 zhvilloi luftën politike për republikë, që dominoi programet tjera të kohës.
Pranvera e vitit 1981 e shndërroi kërkesën “Kosova Republikë” në thirrje masive popullore. Ndërsa më 17 shkurt 1982, kjo kërkesë mori një formë të re të përbashkët ndërorganizative. Lëvizja e përgjithshme për Republikë po shndërrohej në një subjekt të organizuar politik për Republikën.
Procesi u zgjerua më 15 maj 1982 në Biel-Bienne të Zvicrës, kur OMLK-ja iu bashkua vullnetarisht dhe pa kushte LRSSHJ-së së formuar më 17 shkurt. Prandaj 17 shkurti dhe 15 maji nuk janë data rivale. Ato janë dy faza të të njëjtit proces bashkimi: themelimi i LRSSHJ-së dhe zgjerimi i saj me bashkimin e OMLK-së.
Dokumenti i 17 shkurtit dhe dëshmitë për bashkimin e 15 majit flasin për shkrirje organizative, jo vetëm për një afrim të përkohshëm rreth kërkesës për Republikë.
Lidhje historike, jo barazim juridik
Republika e kërkuar më 1982 dhe Republika e shpallur më 2008 nuk ishin juridikisht e njëjta zgjidhje politike.
Platforma e atëhershme synonte krijimin e Republikës Socialiste Shqiptare si njësi e barabartë në federatën jugosllave. Më 17 shkurt 2008 u shpall Republika e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.
Por ndryshimi ndërmjet dy projekteve nuk e ndërpret vazhdimësinë historike. Përkundrazi, ai dëshmon zhvillimin e kërkesës politike në përputhje me rrethanat.
Boshti lidhës ndërmjet dy datave ishte përpjekja që shqiptarët të mos trajtoheshin më si pakicë dhe Kosova si territor nën administrimin e të tjerëve, por si subjekt politik me të drejtë republike, vetëvendosjeje dhe shtetësie.
Nuk kam njohuri për ndonjë dokument – përpos deklaratës së ish kryetarit te LPK Bedri Islami, i cili njihet si njëri i afert me shtrembëruesin kryesor te datës se bashkimit dhe jo vetëm – e që dëshmon se 17 shkurti 2008 u zgjodh zyrtarisht për ta përkujtuar 17 shkurtin 1982. Prandaj kjo nuk duhet paraqitur si fakt i provuar. Megjithatë, përputhja e datës dhe, mbi të gjitha, vazhdimësia e kërkesës për Republikë i japin kësaj lidhjeje një simbolikë historike që nuk mund të shpërfillet.
Nga kërkesa për Republikë te shteti paralel dhe lufta çlirimtare
Rruga ndërmjet dy 17 shkurtëve nuk i përket vetëm një organizate, një partie ose një rryme politike.
Në këtë histori hyjnë demonstratat e vitit 1981, organizatat e fshehta të rezistencës, LRSSHJ-ja dhe vazhdimësia e saj në LPRK e LPK, Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, Kushtetuta e Kaçanikut e 7 shtatorit 1990, sistemi paralel shqiptar, rezistenca institucionale, veprimtaria diplomatike, përgatitjet vetëmbrojtëse e ushtarake, UÇK-ja, FARK-u, LKÇK-ja, UNIKOMB-i dhe kontributet e shumta individuale.
Edhe ndarja e prerë ndërmjet “paqësorëve” dhe “çlirimtarëve” nuk e shpjegon plotësisht realitetin.
LDK-ja ndiqte zyrtarisht rezistencën paqësore, ndërtimin institucional dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Por brenda degëve të saj dhe sistemit paralel vepronin edhe ish të burgosur politikë, profesionistë ushtarakë, mjekë dhe veprimtarë që organizonin informimin, vëzhgimin, strehimin, vetëmbrojtjen dhe përgatitjet për një përballje të mundshme.
Dëshmia e Skënder Ibishit është veçanërisht kuptimplote. Sipas rrëfimit të tij, në kuadër të Degës III të LDK-së në Prishtinë u krijua një rrjet informimi nëpër rrugë dhe objekte banimi, u vëzhguan lëvizjet policore e ushtarake serbe, u evidentuan kuadrot ushtarake dhe mjekësore, u përgatitën strehimore dhe u ndërmorën masa për mbrojtjen e popullsisë.
Ai dëshmon gjithashtu për angazhimin në Mbrojtjen Territoriale të Kosovës dhe për organizimin e formacionit të Batalionit II në Prishtinë. Më vonë bashkëpunoi me veprimtarë të LPK-së, LDK-së, LKÇK-së, UÇK-së dhe me ish kolegë ushtarakë që kontribuuan në kuadër të FARK-ut.
Ky rast tregon se veprimtaria institucionale, vetëmbrojtja dhe përgatitja për luftë nuk ishin gjithmonë procese të ndara me kufij të prerë.
Edhe lufta e UÇK-së ishte njëkohësisht mbrojtëse dhe çlirimtare: mbrojtëse ndaj dhunës, masakrave dhe dëbimit të popullsisë; çlirimtare sepse synonte përfundimin e pushtimit dhe krijimin e kushteve për liri e shtetësi.
Prandaj lufta çlirimtare nuk është pronë ekskluzive e një organizate. Ajo ishte rezultat i një procesi plural, ku u ndërthurën rezistenca politike, sistemi institucional paralel, solidariteti popullor, diplomacia, vetëmbrojtja dhe lufta e armatosur.
Pse shtrembërohet 17 shkurti 1982?
Vitet e fundit janë shtuar përpjekjet për ta relativizuar, zhvendosur ose zhvlerësuar 17 shkurtin 1982 dhe për ta shkëputur atë nga rrugëtimi që çoi te 17 shkurti 2008.
Në disa raste mohohet vetë akti i bashkimit. Në raste të tjera pranohen dokumentet, por u zvogëlohet rëndësia. Herë krijohen data alternative pa i ballafaquar ato me aktet origjinale, ndërsa herë meritat e mëvonshme përdoren për të ndërtuar prapaveprueshëm role që nuk përputhen me kronologjinë.
Është e mundshme që pas disa prej këtyre interpretimeve të qëndrojë edhe dëshira për ta vendosur veten ose rrymën përkatëse në qendër të historisë. Por motivet personale nuk mund të shpallen fakte pa dëshmi. Ajo që mund të vlerësohet janë deklaratat, kundërthëniet dhe raporti i tyre me dokumentacionin.
Fakti që dikush nuk ka qenë protagonist i platformës së PKMLSHJ-së, i themelimit të LRSSHJ-së më 17 shkurt, i bashkimit të 15 majit 1982 ose i shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, nuk ia mohon të drejtën për t’i studiuar dhe interpretuar këto ngjarje. Por askujt nuk i jep të drejtë t’i ndryshojë datat, t’i heshtë dokumentet ose t’i zëvendësojë protagonistët e dëshmuar me role të ndërtuara më vonë.
Edhe meritat e mëparshme apo të mëvonshme nuk e shndërrojnë një pretendim në fakt.
Veçanërisht të papranueshme janë insinuatat dhe akuzat ndaj protagonistëve dhe dëshmitarëve të drejtpërdrejtë. Nëse ekzistojnë dokumente kundër tyre, ato duhet të publikohen dhe të ballafaqohen. Nëse nuk ekzistojnë, përbaltja nuk është historiografi, por përpjekje për ta neutralizuar dëshmitarin dhe për t’ia hapur rrugën një narrative tjetër.
Historia nuk është pronë, por as tokë pa zot
As protagonistët nuk janë pronarë të historisë. Edhe kujtimet e tyre duhet t’i nënshtrohen verifikimit, krahasimit dhe kritikës. Por dëshmitë e drejtpërdrejta dhe dokumentet origjinale kanë një peshë që nuk mund të barazohet me hamendësimet, kujtimet e tërthorta ose interpretimet e ndërtuara dekada më vonë.
Historia e Lëvizjes duhet të shkruhet duke i përfshirë të gjitha rrymat dhe kontributet reale: ata që formuluan platformën për Republikë; ata që organizuan demonstrata e rezistencë; ata që ndërtuan sistemin paralel; ata që vepruan në diplomaci; ata që përgatitën vetëmbrojtjen; ata që organizuan dhe zhvilluan luftën; si dhe popullsinë që i përballoi pasojat.
Por gjithëpërfshirja nuk nënkupton barazimin e roleve dhe as shpërndarjen arbitrare të meritave. Secili duhet të vendoset aty ku e vendosin dokumentet, veprimet dhe dëshmitë e verifikueshme.
Dy data, një rrugëtim historik
Më 17 shkurt 1982 u institucionalizua në një nivel të ri politik dhe organizativ lufta për Republikë.
Më 15 maj 1982 kjo lëvizje u zgjerua përmes bashkimit pa kushte të OMLK-së.
Më 17 shkurt 2008 Republika u shpall shtet i pavarur dhe sovran.
Ndërmjet këtyre datave qëndrojnë demonstratat, burgjet, mërgimi, sistemi paralel, diplomacia, rezistenca e armatosur, lufta e UÇK-së, ndërhyrja ndërkombëtare dhe sakrifica e një populli të tërë.
Prandaj 17 shkurti 1982 nuk ia konkurron 17 shkurtit 2008. Ai ndihmon për ta kuptuar atë.
Njëri shënon Republikën si platformë, kërkesë politike dhe projekt organizativ. Tjetri shënon Republikën si shtet të shpallur.
Kush përpiqet ta fshijë njërën datë për ta madhëruar tjetrën, nuk e pasuron historinë. Ai ia këput asaj një pjesë të kujtesës dhe vazhdimësisë së vet.
Dy 17 shkurtët nuk janë e gjithë historia e çlirimit dhe shtetformimit të Kosovës. Por janë dy pika të rëndësishme të së njëjtës përpjekje historike: nga Republika e kërkuar te Republika e shpallur.

























