14.5 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

Deçanasi që në moshën 70 vjeçare u bë piktor

Në moshë të re Afrim Latajt iu desh që të punonte për ta mbajtur familjen pasi që kushtet e vështira ekonomike ia pamundësuan atij që ta ndjek ëndrrën e tij të bëhet piktor. Por këtë ëndërr ai e realizoj vetëm pas pensionimit.

Afrim Lataj nga Deçani për shumë vite punoi si mësimdhënës i gjuhës angleze, por pasion kishte krejt diçka tjetër.

Që i ri ëndërr kishte të bëhej artist. E për këtë Lataj priti plot 70 vjet që të bëhej piktor.

“Kam lind në fshatin Carrabreg të komunës së Deçanit. kam përfunduar shkollën normale dhe që nga fëmijëria e kam pasur pasion artin. e këtë nuk pata mundësi ta studioj për shkak se ishte nevoja shumë e madhe që dikush nga familja të punësohej. Më pastaj e përfundova fakultetin e gjuhës angleze ku edhe punova si mësimdhënës për më shumë se 40 vjet”, ka thënë Lataj.

Në këtë moshë ai arriti që të hapë ekspozitën e tij të parë me 70 piktura.

“Meqë nuk pata mundësi të merrem drejtpërdrejt me artin për aq vite sa punova si mësimdhënës, kur dola në pension pata kohë të lirë dhe fillova të merresha me art. Kur ishte panairi i gështenjës në komunën e Deçanit u mblodhën shumë artistë dhe kërkova edhe unë që të bëhem pjesë e saj. Që aty mora guximin që të sjell edhe unë diçka me brushë e ngjyrë. Por në këtë rrugëtim më kanë përkrahur shumë edhe miqtë e mi”, shtoi ai.

Gjatë kësaj kohe Lataj arriti t’i realizoi 250 piktura me tema të ndryshme.

E këtë pasion nuk e ka ndërmend ta ndalë deri në frymën e fundit.