15.5 C
Zürich
Mittwoch, September 16, 2026

Blerim Rrecaj: «BUQETA KALLINJSH»

MELODI E NDËRPRERË

Prag vere është
Zhurmë e rëndë e automjeteve
Shpesh ndërpret
Këtë këngë gjinkallash

SONTE NGA BALLKONI

Në këtë natë fillimvere
Hëna hedh pluhurimë drite
Edhe mbi reklamën: Exclusive Light

BUQETA KALLINJSH

Ec arës së korrur me grurë
Nëpër sërrnishtë shkrap-shkrup
Shkrap-shkrup
Dhe i dua këto buqeta me kallinj
Që si lule qëndrojnë në këmbë

MUZG FUNDKORRIKU

E purpurtë e mahnitshme qielli
E larë në ar
Më pëlqen po ashtu
Kur të sodis nga verandë e lartë

LULEDIEJT

Lulediejt që tërë ditën e lume
Morën rreze nga dielli
Tash këtë natë të lume
Marrin rreze hënë
Dhe pika drite nga yjet

LARG E LART

Lypeten madhështor e modest
Të shoh nga larg
Dhe më sheh
Dukshmëri e lartë e kësaj dite
Na magjeps
Na deh

VRANËSI VERE ME SHI

Nën dush
Kjo ditë gushti
Lahet e lahet
Shkumë shamponi
Noton mbi asfalt

NATË GUSHTI

Hëna dhe yjet
U kacavarën për qiell
Si lule nëpër vazo
Me litar e penj
Këndojnë bulkthat
E padukshëm
Fshehur nëpër bar
Fëmijët luajnë
Jo fshehtas
Por me top
Në mes arash
Në këtë livadh

SHKUNDJE

Pothuajse fundgusht
Natë
Dalim e shkundim
Këta drunj flokëkuqrremtë
Mbushur me trumcakë

PESHKU MBI ASFALT

Derisa fëmijët ndalin lojën
Për t’u dhënë ujë
Ca qeve të uritur
Pas një dite plot vapë
Një peshk i madh
Shfaqet i pikturuar në qiell
Ndërsa veturat nën të shkojnë me vrap

MALL PËR ÇASTE TË SHKUARËS

Ndonjëherë
Të merr malli
Për çaste të shkuarës
Si për këtë copë dite
Qiellhirtë vere
Ku nga çasti në çast
Pritet të vije shi
Për të prekur murin e xhamtë
Të këtij kati të epërm restauranti
Me një kënd mozaiku lojërash
Për fëmijë