Sot kur të gjithë bashkëndjejmë me ndarjen nga mesi ynë të shkencëtares së shquar, Shqiponja Isufi, në pamundësi që të marr pjesë në të pame (pasi gjendem larg Zvicrës), po jap shkrimin nga një bisedë që pata me te më 23 Dhjetor 2010 në lokalet e ETH-së në Cyrih, fill pas mbrojtjes së doktoratës nga ana e saj. Me këtë rast ngushëlloi nga zemra prindërit Qamil dhe Kadrije Isufi dhe të gjithë të afërmit, si dhe shokët e studimeve, duke ndarë për aq sa është e mundur, dhembjen me ta. Ajo që më shtyri të ribotoj tekstin është sidomos ana humane dhe shpirti fisnik që kishte Shqiponja për të cilën dimë më shumë si dijetare se sa si humanitare. Ndaj edhe tekstin, me pak shkurtime po e ribotoj pas afro 12 vitesh:
Shqiponja Isufi me prejardhje nga Gjilani, që migroi si 9- vjeçare në Zvicër, arriti që në afat rekord (në moshën 29 vjeçare) të mbrojë me sukses të shkëlqyeshëm temën e doktoraturës në lëmin e ekonomisë në Universitetin e Cyrihut dhe që të punojë si asistente shkencore në Universitetin e St. Gallenit
Nga Rexhep RIFATI
Gjilanasen e re, Shqiponja Isufi e takuam pikërisht më 23 Dhjetor 2010 në lokalet e ETH-së në Cyrih, kësaj vatre shkence e kulture me përmasa botërore, që financohet nga Konfederata Helvetike. Ishte kjo një bisedë e afërt e spontane, që përmbante në vete një biografi interesante, të përshkuar me skena sa të dhembshme e tronditëse, aq edhe krenare:
Malli nëntëvjeçar për babanë e migruar nga dhuna
-Nga ajo që më kanë thënë në familje: kam lindur më 29 janar të vitit 1981 dhe se ai që më tepër në cilësinë e një të afërmi se sa të një kumbare, që ma ka lënë emrin, ishte pikërisht Nuhi Berisha, i cili në mesnatën e 11 e 12 janarit 1984 ra heroikisht bashkë me Rexhep Malën gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë… Meqenëse edhe familja ime i përkiste kësaj lëvizjeje, derisa unë isha nëntëmuajshe babai, Qamili u detyra të migrojë në Zvicër, dashurinë e të cilit vetëm se ëndërroja nga larg për plot nëntë vite. E kur edhe nëna erdhi te babai në Zvicër, unë mbeta në kujdesin e madh të gjyshes e gjyshit, të cilëve u kam shumë borxh, ndaj edhe në vlugun e përgatitjes së doktoraturës i vizitova hiq më pak se gjashtë herë…
Kjo është ajo pjesë e jetës që e lidh Shqiponjën me Gjilanin e Kosovën, ndërsa pjesa tjetër në Zvicër për te është edhe më e bujshme e përplot të panjohura: “Këtu në Lucern ku fillova të jetoj me familjen 5-anëtarshe- babanë Qamilin, nënën Kadrijen, që ndërpreu studimet në vendlindje për shkaqe politike, motrën Dafinën të lindur në vitin 1982 në Gjilan dhe vëllanë Kushtrimin të lindur në Zvicër më 1987. Nga familja e ngushtë nuk mund ta ndaj as hallën Saime, ish gruan e Kadri Zekës, e cila më përkrahu gjatë tërë kohës si një nënë e vërtetë.
Treshi i art shqiptar në gjimnazin e Lucernit
Pasoi periudha e mëtejme e shkollimit, më parë në fillore e pastaj edhe në gjimnazin e Lucernit, ku ajo ishte me një gjeneratë me Driton Komanin, aktualisht asistent i matematikës në Universitetin e Cyrihut, që është në përgatitje të doktoraturës. Vetëm dy gjenerata më vonë ishte po në atë gjimnaz ishte edhe Ardian Jusufi, që ka mbaruar studimet e posdiplomës në Biology University of California at Berkeley (SHBA), ku edhe ka realizuar dy zbulime shkencore.
Meqë Shqiponja ishte kudo e suksesshme, në Universitet regjistrohet në vitin 2002 dhe magjistron në vitin 2007, në ekonominë e ndërmarrjeve. Në dy vitet e para studion drejtimet e përgjithshme. Ndërsa në dy vitet e fundit përqendrohet në ekonominë e ndërmarrjeve, respektivisht në kontabilitet dhe auditim.
Doktoratura para një komisioni prestigjioz
Deri në gjetjen e temës së doktoraturës, Shqiponja kryen 6 seminare, në mënyrë që në afat rekord: vetëm brenda një viti e gjysmë të përgatis dhe mbron tezën e doktoraturës: “Analiza e ndërtimit të ndërmarrjeve të vogla nga këndvështrimi i auditorëve” në Universitetin e Cyrihut. Ajo më 13 shtator të këtij viti, me sukses të shkëlqyeshëm ( summa cum laude me notë 5.75) para komisionit në përbërje të Prof. Fleming Ruud, PhD dhe Prof.Dr. Dieter Pfaff , mbron doktoraturën, që ndërlidhet me një temë tipike zvicerane, ndërsa që shqyrtimi bazohet në një analizë për Angli. Shqiponja, aktualisht punon si asistente shkencore në Universitetin në St. Gallen, ndërsa që një pjesë të orarit të punës e mbanë edhe si hulumtuese shkencore në Universitetin e Cyrihut.
Ajo që e shquan këtë eksperte të re shqiptare është pasioni i saj për dije e shkencë, por mbi të gjitha afërsia njerëzore, veti kjo e kultivuar kaherë në familjen Isufi. Shqiponja këtë sukses të saj ia dedikon prindërve të saj.
Do theksuar se vetëm brenda gjashtë muajsh në Zvicër, (mars–shtator 2010) doktoraturën e kanë mbrojtur edhe Dr. Igli Tashi (në Lozanë), Dr. Luljeta Shaqiri-Emini (Cyrih) dhe Dr. Alban Y. Neziri, dy doktoratura (në Bernë dhe në Grac të Austrisë), gjë që kjo edhe shënon të arriturën kulmore të shqiptarëve në Zvicër, ndonëse në raport me mbi 200 mijë shqiptarë në Zvicër, ky numër është simbolik.
(Krahas fotove që kam shkrep në takimet studentore dhe bisedës në universitet, Shqiponja më pat dërguar edhe një foto nga momenti më të lumtur, me rastin e mbrojtjes së doktoraturës: me prindërit Kadrijen e Qamilin, motrën Dafinën dhe të vëllanë, Kushtrimin)
(Artikullin me pak ndryshime që kishte këtë titull me rastin e botim: “ Gjilanasja që mbrojti doktoraturën në afat rekord në Universitetin e Cyrihut po e jap me pak shkurtime.)

































