Intervista me Ibrahim Kelmendin në emisionin “Debat Plus” është realizuar në një formë të veçantë: përgjigjet janë përgatitur me shkrim nga vetë ai dhe janë lexuar me ndihmën e inteligjencës artificiale, siç thuhet, për shkak të pasojave të sëmundjes së kancerit dhe pamundësisë së tij për t’u shprehur gojarisht.
Para çdo vërejtjeje për përmbajtjen e intervistës, dëshiroj të shpreh keqardhjen time të sinqertë njerëzore për gjendjen shëndetësore të Ibrahim Kelmendit dhe t’i uroj forcë në përballimin e sëmundjes. Njëkohësisht shpreh respektin dhe mirënjohjen për veprimtarinë e njohur atdhetare e çlirimtare të vëllezërve Kelmendi.
Ky respekt, megjithatë, nuk mund të nënkuptojë heshtje përballë përpjekjeve përjashtuese e përbaltëse dhe akuzave të rënda, të ngritura pa dëshmi ndaj veprimtarëve të tjerë të dëshmuar të çështjes atdhetare e çlirimtare. As gjendja shëndetësore dhe as meritat e mëhershme nuk e përjashtojnë përgjegjësinë për fjalën publike.
Kësaj radhe nuk do të ndalem te akuzat dhe cilësimet e Ibrahim Kelmendit ndaj Sabri Novoselës, Xhafer Shatrit dhe Abdullah Prapashticës, të cilët ai duket se vazhdon t’i trajtojë si rivalë politikë. Veçanërisht raportet e tij me Sabri Novoselën dhe Xhafer Shatrin, me të cilët ka bashkëpunuar ngushtë, por ndaj të cilëve më vonë ka ngritur akuza të rënda dhe është përfshirë në përplasje organizative, kërkojnë trajtim të veçantë, të mbështetur në dokumente dhe në ballafaqimin e dëshmive. Në këtë reagim do të përqendrohem vetëm te akuza e pambështetur ndaj Nuhi Sylejmanit.
Veçanërisht e papranueshme ishte akuza e Ibrahim Kelmendit ndaj Nuhi Sylejmanit, bashkëveprimtarit të afërt të Jusuf Gërvallës, të cilin e cilësoi si “njeri të UDB-së”, pa paraqitur asnjë dokument ose fakt të verifikueshëm. Një akuzë kaq e rëndë nuk mund të mbështetet në insinuata, kundërshti të mëvonshme apo kujtime të përshtatura prapaveprueshëm. Ajo kërkon prova konkrete.
Rrëfimi i Nuhi Sylejmanit në librin “Vrasje e trefishtë” paraqet një realitet krejt tjetër. Ai dëshmon se në janar 1982 udhëtoi me Jusuf Gërvallën dhe Nami Ramadanin në dasmën e Kadri Zekës në Zvicër. Jusufi kishte marrë me vete disa ekzemplarë të “Zërit të Kosovës”, të cilët ia dorëzuan Kadriut. Gjatë kthimit biseduan për veprimtarët e burgosur dhe vendosën të fillonin grumbullimin e ndihmave për familjet e tyre.
Më 13 janar 1982, Jusuf Gërvalla, i shoqëruar nga vajza e tij Donika dhe Murat Kryeziu, shkoi personalisht te Nuhi Sylejmani dhe e ftoi në tubimin e 16 janarit në banesën e Murat Kryeziut. Vetëm ky fakt dëshmon se Nuhiu nuk ishte figurë periferike, por pjesë e rrethit me të cilin Jusufi komunikonte, bashkëvepronte dhe organizonte veprimtari konkrete.
Rëndësi të veçantë ka ajo që, sipas Nuhi Sylejmanit, ndodhi më 16 janar 1982. Në prani të rreth 23 pjesëmarrësve, Jusuf Gërvalla iu drejtua me ton qortues Ibrahim Kelmendit për incizimin e demonstratës së 4 korrikut në Frankfurt. Personi që kishte filmuar demonstratën kishte qenë, sipas Jusufit, nën përgjegjësinë organizative të Ibrahim Kelmendit. Megjithëse ishte premtuar një kopje, ajo nuk u ishte dorëzuar. Jusufi tha se kishin informata që incizimi kishte përfunduar në duart e UDB-së dhe se po përdorej për identifikimin dhe arrestimin e veprimtarëve.
Kjo dëshmi nuk provon vetvetiu se Ibrahim Kelmendi ia kishte dorëzuar incizimin UDB-së dhe as se mbante përgjegjësi përfundimtare për fatin e tij. Por ajo provon diçka tjetër shumë të rëndësishme: pyetjen për incizimin dhe rrezikun e dekonspirimit nuk e ngriti Nuhi Sylejmani kundër Ibrahim Kelmendit. Sipas dëshmisë së tij, atë e ngriti vetë Jusuf Gërvalla, drejtpërdrejt dhe në prani të shumë pjesëmarrësve.
Prandaj përpjekja e sotme për ta paraqitur Nuhi Sylejmanin si “njeri të UDB-së” i përmbys rolet e paraqitura në këtë dëshmi. Në vend që t’i jepet përgjigje pyetjes së ngritur nga Jusufi për incizimin dhe përgjegjësinë organizative rreth tij, dyshimi zhvendoset te dëshmitari që e ka ruajtur dhe publikuar këtë ngjarje.
Mund të shtrohet si hipotezë se pikërisht kjo dëshmi e bën Nuhi Sylejmanin të papërshtatshëm për rrëfimin e sotëm të Ibrahim Kelmendit. Por nuk mund të pohohet pa prova se ky është motivi i drejtpërdrejtë i akuzës. Ajo që mund të thuhet është se po zhvlerësohet një dëshmitar, rrëfimi i të cilit ia atribuon vetë Jusuf Gërvallës pyetjen kritike drejtuar Ibrahim Kelmendit.
Pozita e mëvonshme organizative e Nuhi Sylejmanit e bën çështjen edhe më domethënëse. Nga fundi i verës së vitit 1982, si anëtari i tretë i ish LNÇKVSHJ-së në udhëheqjen qendrore të paraparë të LRSSHJ-së, ai bashkëveproi me ish pjesëtarët e PKMLSHJ-së dhe ishte ndër drejtuesit e themelimit të Bashkimit të Punëtorëve të Kosovës – BPK, si organizatë e brendshme e Lëvizjes.
Nuhi Sylejmani, rrjedhimisht, përfaqëson një dëshmi të dyfishtë: ishte bashkëveprimtar i afërt i Jusuf Gërvallës dhe dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjeve të janarit 1982; më vonë bashkëpunoi me rrymën e ish PKMLSHJ-së dhe mori pjesë në themelimin e BPK-së brenda LRSSHJ-së. Dëshmia e tij lidh dy pjesë të historisë që disa rrëfime të mëvonshme përpiqen t’i ndajnë.
Po aq shqetësuese në këtë seri intervistash është mosparaqitja ose anashkalimi i dëshmive dokumentare, vështirë të kontestueshme, për bashkimin në LRSSHJ më 17 shkurt dhe 15 maj 1982. Historia nuk mund të trajtohet duke përzgjedhur vetëm rrëfimet që u përshtaten biografive politike të protagonistëve të caktuar, ndërsa dokumentet, personalitetet dhe dëshmitë kundërshtuese të lihen jashtë.
Ibrahim Kelmendi ka të drejtë ta paraqesë versionin e vet. Por deklaratat, insinuatat dhe cilësimet personale nuk mund t’i zëvendësojnë dokumentet, datat, vendimet organizative dhe dëshmitë e protagonistëve të tjerë.
Nga drejtuesi i emisionit, Ermal Panduri, priten edhe pyetje kritike: Mbi cilat dëshmi mbështetet akuza ndaj Nuhi Sylejmanit? A e mohon Ibrahim Kelmendi se më 16 janar 1982 Jusuf Gërvalla e pyeti për incizimin e demonstratës së Frankfurtit dhe për informatën se ai kishte përfunduar në duart e UDB-së? A do të ballafaqohet rrëfimi i Nuhiut me dëshmitë e pjesëmarrësve të tjerë të identifikuar në atë takim?
Nëse Ibrahim Kelmendi zotëron dokumente që e provojnë akuzën ndaj Nuhi Sylejmanit, duhet t’i bëjë publike. Nëse nuk i ka, akuza përbën përbaltje të rëndë të një veprimtari dhe dëshmitari historik.
Historia e Lëvizjes nuk është pronë personale dhe as material për rehabilitime biografike. Ajo duhet trajtuar me dokumente, me pluralitet dëshmish dhe me të drejtën e personave të përfolur për t’u përgjigjur. Përndryshe, në vend të ndriçimit të historisë, prodhojmë vetëm një shtresë të re shtrembërimesh.
























