14.9 C
Zürich
Mittwoch, September 16, 2026

Safet Sadiku: Halil Alidemaj – Frymëzuesi i lirisë

„Frymëzuesi i lirisë“ – një libër që ndriçon atributet e lëvizjes aktive politike të viteve nëntëdhjetë në Kosovë

Emin Azemi, publicist dhe shkrimtar

Figurat e një kombi kanë dy rrugë mbi të cilët kalon emri, veprimtaria, lavdia e tyre. Njërën rrugë e zgjedhin vetë ata, me sakrifica dhe me dilema, kurse rrugën tjetër e formësojnë të tjerët, dikush mbi baza të shëndosha e objektive, të tjerët mbi baza subjektive e meskine.
Safet Sadiku, si njohës i mirë i jetës dhe veprës së Halil Alidemës, ka zgjedhur rrugën e tij më të vështirë, por më fisnike, për ta paraqitur të plotë figurën e këtij intelektuali dhe veprimtari, pikërisht atëherë kur dikush ishte munduar që ta grisë aty këtu portretin e tij prej veprimtari aktiv e i devotshëm.

Me një fabulë të ngjeshur dokumentatre dhe me një stil të rrjedhshëm rrëfimi, ky libër „Frymëzuesi i lirisë“ mëton të pasqyrojë disa momente mjaft domethënëse të rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë. Ishin fillimet e viteve nëntëdhjetë, atëherë kur lëvizja politike e shqiptarëve të Kosovës po trumpetohej në botë, si rezistencë paqësore, por ishte edhe një oponencë e heshtur, por mjaft substanciale, ndaj kësaj filozofie paqësore. Sigurisht që emri i Halil Alidemës personifikohej me këtë oponencë, pasi që ai kishte përgatitur infrastrukturën e organizimit politik që shkonte përtej doktrinës gandiste. Këtu e ka burimin edhe fryma e rezistencës aktive që artikulohej përmes UNIKOMB-it, një strukturë politike, që po tejkalonte membranën e ideologjisë partiake dhe po shtrihej në një rrafsh më të gjerë të ndërgjegjësimit kombëtar, që si synim final kishte rezistencën e armatosur kundër Serbisë.

Merita e autorit të këtij libri konsiston pikërisht në ndriçimin e këtij dimensioni më pak të njohur të veprimtarisë së Halil Alidemës, duke ofruar fakte e dëshmi që argumentonin rolin dhe kontributin e këtij intelektuali e veprimtari në koordinimin e rezistencës politike aktive përmes një formacioni më tepër kombëtar e më pak partiak, siç ishte UNIKOMB-i. Duke e shndërruar këtë formacion në motor të lëvizjes aktive, kjo sigurisht që i kishte shqetësuar disa që parapëlqenin status-quon dhe gandizmin e zhveshur nga atributet e çfarëdo lloj militantizmi kombëtar.

Libri që po i jepet në duar lexuesit është edhe një ftesë e hapur të gjithë atyre që drejtojnë fatet e kombit që të rishqyrtojnë mundësitë e vendosjes së figurës së Halil Alidemës në hierarkinë e merituar të sistemit të vlerave. Kjo edhe për faktin se kjo liri që gëzon tani Kosova nuk pikoi nga qielli, por atë e sollën edhe intelektualët dhe veprimtarët e brezit të Halil Alidemës. Mbase edhe ky libër i bazuar mbi një faktografi dhe kronologji të (për)jetuar nga vetë autori, mund të shërbejë si pjesë e një mekanizmi për të nxitur dhe ngritur në një nivel më të lartë kulturën shtetërore të nderimit të njerëzve me kontribute të jashtëzakonshme në ngjitjen e Kosovës në të gjitha shkallët e saj të lirisë dhe shtetndërtimit. Prandaj, para se ta mbyllim kopertinën e fundit të këtij libri, do të duhej të sjellim ndërmend edhe njëherë konturat e një portreti që makineria e indiferentizmit ishte munduar ta zbehë, por kjo nuk kishte arritur të ndodhë falë përkushtimit të autorit për të risjellë në optikën publike një fytyrë të plotë të një veprimtari, i cili meriton më shumë vëmendje institucionale dhe më shumë nderim nga shoqëria, e cila kishte kaluar rrathët e ferrit për të arritur në pikën që e synonte edhe Halil Alidemaj – shteti i lirë dhe i pavarur i Kosovës.