18.6 C
Zürich
Mittwoch, September 16, 2026

Pushtetet shqiptare në Kosovë e më gjërë ende nën ndikimin e kulturës politike serbo-sllave!

Ese: Pushtetet shqiptare në Kosovë e më gjërë ende nën ndikimin e kulturës politike serbo-sllave!

Kultura serbo-sllave dhe ndikimi i saj negativ në klasën politike shqiptare në ish-Jugosllavi vazhdon të jetë e pranishme edhe në ditët e sotshme. Mungesa e vetëdijes politike te poletikanët shqiptarë është njëherit edhe vazhdimësia e këtij ndikimi në politikën institucionale të shqiptarëve jo vetëm në Kosovë, por edhe Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në Kosovën Lindore…

Nga Safet SADIKU

Historia e shqiptarëve në ish-Jugosllavi dëshmon se okupimi nuk ka qenë vetëm ushtarak dhe territorial, por edhe kulturor e ideologjik, sepse përmes sistemit arsimor, përfaqësimit institucional dhe kontrollit të aparatit shtetëror, është formuar një elitë politike shqiptare, e cila në vend që të mbrojë interesat e kombit të vet, shpeshherë u bë pengesë e tij, pasi e përvetësoi kulturën serbo-sllave si mënyrë të të menduarit dhe e të vepruarit, duke mos arritur të bëjë dallimin e qartë midis interesave kombëtare shqiptare dhe interesave të okupatorit që dominonte në gjithë administratën. 

Kultura politike serbo-sllave si mjet i dominimit!

Kultura serbo-sllave nuk ishte thjesht një shprehje e identiteteve të popujve sllavë të ish Jugosllavisë, por ajo ishte (dhe u bë përsëri), një mekanizëm i kontrollit dhe asimilimit. Përmes gjuhës, arsimit, historisë së manipuluar dhe aparatit shtetëror, shqiptarët u vendosën nën një sistem ku modeli politik dhe shoqëror ishte ai i Serbisë. Në vend që shqiptarët të kishin hapësirë për të zhvilluar kulturën e tyre politike kombëtare, ata shpesh detyroheshin të përshtateshin me “kornizat sllave” për të mbijetuar. Ky ndikim kulturor e shndërroi klasën politike shqiptare në ish-Jugosllavi në një shtresë të ndarë mes dy botëve: nga njëra anë, detyrimi për të qenë pjesë e sistemit politik ish-jugosllav dhe nga ana tjetër, presioni i popullit shqiptar për liri dhe përfaqësim dinjitoz. Shumë herë, ky hendek solli konflikte të brendshme, kompromis të tepërt dhe paaftësi për të krijuar një strategji të qartë kombëtare. Kjo kulturë ndikoi fuqishëm në formimin e elitës politike shqiptare në ish-Jugosllavi. Politikanët shqiptarë shpesh dilnin nga një sistem arsimor dhe institucional, i cili kultivonte nënshtrimin, kompromisin dhe imitim të modelit serbo-sllav të udhëheqjes. Këto sjellje kanë ndodhur për arsye të mungesës së një vetëdije dhe vizioni kombëtar. Shumë përfaqësues shqiptarë në institucionet (ish) jugosllave nuk guxonin të artikulonin hapur interesat kombëtare, pasi ishin të rritur dhe të formuar në një kulturë që e shihte shqiptarinë si rrezik. Politika e oportunizmit ishte gjithashtu shumë e pranishme. Me kalimin e viteve u zhvillua një klasë politike që kërkonte më shumë të ruante privilegjet personale brenda sistemit, sesa të mbronte interesat e popullit. Po ashtu u investua në asimilimin kulturor dhe gjuhësor, pasi përdorimi i gjuhës serbe si gjuhë e administratës e detyrueshme krijoi një elitë politike që shpesh e përçmonte vetë gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Kështu nëse rikthehemi në ish-Jugosllavi dhe bëjmë krahasime me politikën aktuale mundemi shumë më lehtë me i gjetur faktorët që ende janë pengesë për një zhvillim dhe funksionim normal të shtetit të Kosovës. Kjo trashëgimi është një histori, e cila dëshmon se okupimi nuk është shfaqur vetëm përmes forcës ushtarake, represionit policor dhe diskriminimit administrativ, por edhe përmes një ndikimi të thellë kulturor e ideologjik. Ky fakt synonte jo vetëm në shuarjen e identitetit të shqiptarëve, por edhe formimin e një elite të re politike që do të ishte e gatshme të përfaqësonte interesat e sistemit, e jo të popullit që pretendonte të përfaqësonte. Prandaj, kultura serbo-sllave, përmes arsimit, gjuhës zyrtare, përfaqësimit institucional dhe politikës së privilegjeve, prodhoi një klasë politike shqiptare, edhe gjatë këtij tranzicioni politik, e cila shpeshherë nuk e pa Serbinë si pushtuese, por si shtet të saj, duke mos arritur kurrë të bëjë dallimin e qartë midis interesit kombëtar shqiptar dhe interesit të okupatorit që dominonte në gjithë ish hapësirën jugosllave, (dhe mjerisht “gati” ende po dominon!).
Ky deformim i vetëdijes politike ka pasur pasoja të drejtpërdrejta te përfaqësuesit shqiptarë gjë që ata shpeshherë nuk e panë Serbinë si pushtuese, por si shtet të tyre, sepse përmes privilegjeve të vogla që u ofronte sistemi ata e lidhën fatin personal me fatin e Beogradit, duke mos arritur të rreshtohen qartësisht në anën e popullit të tyre… Madje, edhe kur sakrifica e luftës në Kosovë e bëri të pamundur mohimin e realitetit. Në këtë mënyrë, kultura serbo-sllave, me gjithë retorikën e saj “vëllazërore”, shërbeu si mjet për të prodhuar një elitë të nënshtruar dhe oportuniste, e cila më shumë u kujdes për të mbajtur privilegjet e saj sesa për të mbrojtur të drejtat dhe lirinë e shqiptarëve. Fatkeqësisht, ky ndikim nuk ka mbetur vetëm në të kaluarën, por është i pranishëm edhe sot, si në realitetin politik të Kosovës, ashtu edhe të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Kosovës Lindore, ku ende po shohim gjurmë të thella të këtij mentaliteti të trashëguar. Në Kosovë, ndonëse shteti është i pavarur, një pjesë e klasës politike vazhdon të funksionojë sipas logjikës së vjetër ish jugosllave, sepse politikanët edhe sot shpesh po e shohin pushtetin si privilegj personal e jo si përgjegjësi kombëtare, “duke bërë kompromis të tepruar me interesat e huaja” dhe duke e parë shtetin jo si instrument të popullit, por si mjet për të ruajtur pozitat e tyre. Ky mentalitet, i formuar gjatë dekadave të nënshtrimit ndaj Beogradit, e ka bërë klasën politike shqiptare të paaftë për të krijuar një vizion afatgjatë dhe të qëndrueshëm për zhvillimin e vendit. Kosova, e cila kaloi përmes një lufte çlirimtare që u pa si kulmi i sakrificës dhe i përpjekjes së shqiptarëve për liri, me të drejtë po pritej që klasa politike të shkëputej përfundimisht nga trashëgimia e kulturës serbo-sllave…! Megjithatë, realiteti ka treguar se një pjesë e rëndësishme e saj ende funksionon me logjikën e vjetër, duke e parë shtetin jo si amanet të popullit dhe të gjakut të derdhur për liri, por si mundësi për të ruajtur pozitat e veta, për të përfituar nga institucionet dhe për të bërë kompromise të vazhdueshme, qoftë me Serbinë, qoftë me faktorët ndërkombëtarë, shpesh në dëm të interesave të qytetarëve dhe të institucioneve shtetërore në veçanti. Kjo sjellje është pasojë e drejtpërdrejtë e një mentaliteti të trashëguar nga (ish) Jugosllavia, ku politikanët shqiptarë kishin mësuar se mbijetesa personale në sistem ishte më e rëndësishme se mbrojtja e të drejtave të popullit. Prandaj, edhe sot, shpesh shohim se elita politike në Kosovë heziton të artikulojë hapur një qëndrim të qartë e të pathyeshëm ndaj Serbisë, duke mbetur peng i një kulture kompromisi që nuk i shërben aspak interesave kombëtare të shqiptarëve, pasi në marrëveshjet e shumta juridike dhe administrative kanë pranuar që Serbia t‘iu futë dy këmbë në një këpucë!… 

Nëse në Perëndim, shqiptarët e rritur në Gjermani e Austri (dhe vende të tjera të BE-së) kanë mësuar të duan atdheun e tyre pa kufizime dhe pa frikë, duke qenë të gatshëm të kontribuojnë për të, tek elitat e rritura nën ish Jugosllavi ende shohim ndikimin e një kulture politike që i mësoi të shohin pushtetin si privilegj dhe jo si mision, duke mos arritur të bëjnë dallimin midis interesit të okupatorit dhe interesit të kombit. Kjo për faktin se gjatë gjithë procesit arsimor në ish Jugosllavi, një aspekt i rëndësishëm ishte edhe edukimi i brezave të rinj shqiptarë në kuadër të kësaj kulture me gjuhë zyrtare serbe. Kështu që  fëmijët shqiptarë në shkollat jugosllave mësonin histori të manipuluara, ku shqiptarët përshkruheshin si të parëndësishëm ose si kërcënim. Kjo edukatë i dëmtoi rëndë proceset e vetëdijes kombëtare. Nëse fëmijët rriteshin duke e parë okupatorin si “normalitet” dhe institucionet serbo-sllave si të vetmet burime legjitimiteti, atëherë edhe kur ata rriteshin dhe hynin në politikë, bartnin jo vetëm këtë pasiguri të identitetit kombëtar, por ishin dhe ende kanë mbetur me mungesë të theksuar të vetëdijes politike kombëtare! Vetë forma dhe shprehja sabotim (edhe institucional) i takon kësaj “fare” (ose sorteje) përfaqësuese mjerisht ende e pranishme në drejtimin e institucioneve të shumta shqiptare!… Fenomeni i tillë nuk mbeti vetëm i kufizuar në periudhën e (ish)Jugosllavisë, por fatkeqësisht është i pranishëm edhe sot, (pas shpërbërjes së saj gjatë kësaj periudhe mbi tridhjetëvjeçare), ndikimi i kësaj kulture vazhdon të ndihet fuqishëm në politikën shqiptare, duke u shfaqur në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Msl të Zi dhe në Kosovën Lindore, ku shumë prej atyre që udhëheqin ose kanë udhëhequr janë formuar në frymën e vjetër jugosllave. Të gjithë këta politikanë kanë trashëguar një mendësi të nënshtrimit, të kompromisit të pafund dhe të përdorimit të pushtetit si privilegj personal e jo si shërbim kombëtar. Për pasojë, përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet ish-jugosllave, që në dukje shihej si një hap drejt avancimit politik, por në fakt ky përfaqësim u shndërrua në një hendikep të drejtpërdrejtë, sepse shumë prej këtyre kuadrove nuk e panë kurrë Serbinë si okupatore. Por, ata e panë si shtetin e tyre, duke qenë se përfitonin privilegje nga pjesëmarrja në sistem dhe duke mos e përjetuar realisht shtypjen që vuante populli i thjeshtë, gjë që i bëri ata të paaftë për të ndarë me qartësi interesin kombëtar shqiptar nga interesat e pushtetit serbo-sllav, të cilat ishin gjithmonë dominante dhe përcaktuese në administratë. Madje edhe pas shpërthimit të luftës në Kosovë, kjo elitë, e cila pretendonte të përfaqësonte shqiptarët, nuk e përjetoi realitetin në mënyrën që duhej, duke mos u pozicionuar qartësisht në anën e popullit të vet, por duke ruajtur një mentalitet të vjetër të lidhur me privilegjet personale e jo me sakrificën e kombit.             

Kur ky realitet krahasohet me përvojën e Kroacisë dhe Sllovenisë, dallimi bëhet i qartë dhe i dhimbshëm, sepse në Kroaci, ndonëse klasa politike ishte formuar brenda sistemit jugosllav, vetëdija kombëtare mbeti gjithmonë e gjallë, aq sa gjatë viteve ’70 me lëvizjen e njohur si Pranvera Kroate intelektualët dhe politikanët guxuan të kërkonin hapur më shumë të drejta kombëtare, duke treguar se Serbia për ta ishte pushtuese e jo shtet amë, dhe kur erdhi momenti i shpërbërjes së Jugosllavisë, udhëheqës si (ish Presidenti) Franjo Tuđman kishin qartësisht të artikuluar dallimin midis interesave kroate dhe atyre të Beogradit, gjë që e bëri të mundur organizimin e një lufte të vendosur e të suksesshme për pavarësi. Edhe më i theksuar është shembulli i Sllovenisë, ku elita politike nuk e përvetësoi kurrë kulturën serbe si të vetën, por gjithmonë e konsideroi veten pjesë të Europës Qendrore, duke e parë Jugosllavinë si një strukturë të përkohshme dhe Serbinë si një qendër imponuese, por e papranueshme për ta…  Prandaj, në vitin 1991, shpallja e pavarësisë u shoqërua me një konsensus të gjerë shoqëror dhe politik, dhe lufta zgjati më pak se dhjetë ditë, sepse shteti slloven ishte i bashkuar në vetëdijen se çfarë përfaqësonte interesi i tij kombëtar, (përfshirë ish elitën politike) duke mos lënë asnjë hapësirë për dyshime ose për shkrirje të interesave të okupatorit me ato të popullit të vet. 

 

Ndërkaq, në Kosovë edhe sot, shpesh shohim se elita politike ende po heziton të artikulojë hapur një qëndrim të qartë e të pathyeshëm ndaj Serbisë, duke mbetur peng e një kulture kompromisi që nuk i shërbeu dhe nuk po i shërben aspak interesave kombëtare të shqiptarëve, pasi në marrëveshjet e shumta juridike dhe administrative të dekadave të pas luftës, kanë pranuar që Serbia t‘iu futë dy këmbë në një këpucë!… 

Po ashtu, edhe në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të popullsisë, por ende nuk janë të njohur si shtetformues. Përfaqësimi i tyre politik shpesh mbart frymën e vjetër jugosllave, sepse shumë liderë nuk e kanë parë misionin politik si detyrë kombëtare, por si instrument për të hyrë në pushtetin shtetëror maqedonas dhe për të përfituar privilegje personale, duke harruar interesin e popullit që i ka zgjedhur. Kjo tregon se ndikimi serbo-sllav, i cili dikur i mësoi shqiptarët të pajtohen me çdo kompromis për të ruajtur vendin e tyre në sistem, vazhdon të funksionojë si pengesë për emancipimin shtetformues politik. Edhe pse shqiptarët kanë sakrifikuar shumë, përfaqësuesit e tyre shpesh kanë pranuar kompromise të mëdha, duke mos e ngritur zërin aq sa duhet dhe duke ndjekur logjikën jugosllave të “pjesëmarrjes në sistem” e jo të përfaqësimit të vërtetë kombëtar. Kjo ka bërë që edhe sot politikanët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut të jenë më të gatshëm të ruajnë pushtetin sesa të mbrojnë interesin e komunitetit të tyre, duke e dëmtuar procesin e emancipimit shtetformues dhe duke prodhuar përçarje të vazhdueshme. 

Edhe Mali i Zi përbën një shembull të qartë të këtij fenomeni. Aty, trashëgimia e kulturës serbo-sllave ka depërtuar thellë në mendësinë e elitës shqiptare, duke formuar një klasë politike që shpesh e sheh pushtetin si mjet për të ruajtur pozitën e vet dhe jo si përgjegjësi ndaj komunitetit. Kjo ka sjellë pasoja në pjesëmarrjen publike të shqiptarëve, në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës, si dhe në aftësinë për të artikuluar me forcë të drejtat e tyre kombëtare. Në një vend ku shqiptarët janë pakicë e shpërndarë, ndikimi i këtij modeli është manifestuar në forma më të sofistikuara, por jo më pak të dëmshme. Elitat shqiptare, të formuara brenda një sistemi të kontrolluar nga Serbia dhe ish-administrata jugosllave, shpesh kanë pranuar privilegje të kufizuara në këmbim të një qëndrimi të heshtur ndaj pushtetit, duke sakrifikuar interesat e komunitetit. Kështu ata kanë krijuar një kulturë të kompromisit të pafund, që bie ndesh me aspiratat e shqiptarëve për barazi politike, zhvillim ekonomik dhe ruajtje të identitetit kombëtar. Në të njëjtën kohë, trashëgimia serbo-sllave ka ushqyer një mentalitet frike ndaj konfliktit, ku përfaqësuesit shqiptarë shmangin përplasjen e drejtpërdrejtë me autoritetet malazeze ose serbe dhe zgjedhin marrëveshje të përkohshme, të cilat rrallë arrijnë të përmbushin nevojat e komunitetit. Një situatë e ngjashme shihet edhe në Kosovën Lindore (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë), ku shqiptarët jetojnë ende brenda shtetit serb dhe përfaqësuesit e tyre politikë shpesh detyrohen të lundrojnë mes interesave të komunitetit dhe presionit të Beogradit. Kjo i ka shtyrë ata të përsërisin të njëjtin model të elitës së vjetër jugosllave: kompromis i pafund, mungesë guximi dhe paaftësi për të artikuluar hapur interesat e shqiptarëve, nga frika se mos humbin privilegjet e tyre personale. Ky realitet tregon qartë se ndikimi i kulturës politike serbo-sllave nuk është zhdukur me shpërbërjen e Jugosllavisë, por ka mbetur i ngulitur në mendësinë e një pjese të klasës politike shqiptare, e cila ende mendon me logjikën e pushtuesit dhe jo me logjikën e çlirimit dhe të përgjegjësisë kombëtare.

Në rastin shqiptar, ky krahasim tregon se mungesa e një vetëdije të plotë kombëtare te elita politike ishte një nga pengesat më të mëdha për avancimin e çështjes shqiptare, sepse ndryshe nga kroatët e sllovenët që e shihnin Beogradin si kërcënim, shumë kuadro shqiptare e shihnin atë si burim të karrierës dhe privilegjeve të tyre, duke mos e perceptuar Serbinë si okupatore, por si shtet të tyre. Për këtë arsye, edhe në momente historike vendimtare, ata nuk arritën të jenë në një mendje me popullin e vet, duke u treguar më të prirur të ruajnë marrëdhënie me pushtetin sesa të sakrifikojnë për lirinë e kombit.

Krahasimi me Gjermaninë dhe Austrinë

Ndryshe nga përvoja e hidhur e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, ku elitat politike u formuan nën ndikimin e kulturës serbo-sllave dhe nuk arritën të zhvillojnë vetëdije të shëndoshë kombëtare, brezat shqiptarë të rritur në Gjermani, Austri dhe Zvicër kanë kaluar në një realitet krejtësisht tjetër. Ata janë rritur në shoqëri demokratike e pluraliste, ku identiteti kombëtar nuk shtypet, por respektohet, dhe ku kultura shqiptare nuk shihet si kërcënim, por si pasuri që mund të bashkëjetojë me kulturën vendase. Në Gjermani dhe Austri, Zvicër etj., fëmijët shqiptarë kanë pasur mundësi të marrin arsim cilësor, të mësojnë vlerat e barazisë, të drejtësisë dhe meritokracisë, duke mos u rritur me frikë e nënshtrim, por me vetëbesim dhe me bindjen se mund të kontribuojnë për veten dhe për komunitetin e tyre. Ata e kanë mësuar gjuhën dhe kulturën e vendit ku jetojnë, por pa e braktisur gjuhën shqipe, e cila shpesh është kultivuar në familje dhe përmes organizimit të mërgatës, duke krijuar një identitet të dyfishtë që nuk është kontradiktor, por përplotësues. Këta qytetarë janë shqiptarë në origjinë dhe europian në përditshmëri. Ndërsa kuadrot e rritur në (ish) Jugosllavi shpesh nuk bënin dallim mes interesit të shqiptarëve dhe atij të okupatorit! Pra, brezat shqiptarë të rritur në Gjermani e Austri, Zvicër etj., e kanë të qartë se kush janë, nga vijnë dhe çfarë i lidh me atdheun e tyre, duke e dashur Shqipërinë e Kosovën dhe kudo vendbanimin e atdheut të tyre pa kufizime e pa komplekse, dhe duke qenë të gatshëm të kontribuojnë për vendlindjet e tyre, qoftë përmes investimeve, qoftë përmes dijeve dhe përvojave që kanë fituar në Perëndim. Për këtë konstatim edhe sot kemi mijëra shembuj dhe argumente pozitive që mërgimtarët tanë (edhe gjenerata e dytë) e dëshmojnë në vazhdimësi.

Për më tepër, kultura perëndimore në Gjermani e Austri etj., nuk është në konflikt me kulturën shqiptare, përkundrazi, vlerat themelore si respekti për familjen, puna e ndershme, shkollimi dhe solidariteti përkojnë shumë mirë me traditën shqiptare. Kjo përputhje e bën integrimin e shqiptarëve në këto vende më të lehtë dhe, njëkohësisht, ruajtjen e identitetit kombëtar më të natyrshme. Për rrjedhojë, fëmijët shqiptarë që janë rritur atje nuk e ndjejnë veten të huaj në kulturën vendase dhe, njëkohësisht, nuk e shohin veten si të huaj në vendin e origjinës, por si ura lidhëse midis Perëndimit dhe atdheut të tyre. Ky realitet tregon se, ndryshe nga ndikimi negativ i kulturës serbo-sllave, e cila shkatërroi vetëdijen e elitës politike shqiptare në (ish) Jugosllavi, (si shembull) kultura gjermane dhe ajo austriake ka pasur ndikim pozitiv në formimin e brezave shqiptarë, duke i nxitur ata të jenë të lirë, të vetëdijshëm dhe të gatshëm për të kontribuar në çdo fushëveprimtari. Pra, duke i bërë shpesh më të lidhur me atdheun se sa ata që kanë jetuar nën shtypjen e pushtuesit, sepse dashuria e tyre për vendlindjen nuk është e deformuar nga frika, nënshtrimi apo kompromiset, por e ushqyer nga liria dhe krenaria që u ofron shoqëria perëndimore. Kultura serbo-sllave dhe sistemi politik i regjimeve nuk ndikoi vetëm në raportet ndëretnike, por edhe në vetë strukturën e klasës politike shqiptare në ish-Jugosllavi. Përmes sistemit arsimor, institucioneve shtetërore dhe praktikave të përditshme, ajo prodhoi një elitë politike shpesh të nënshtruar, oportuniste dhe të ndarë nga baza e vet kombëtare. Ky realitet historik na mëson se pushtimi kulturor është po aq i rrezikshëm sa ai ushtarak, sepse prek mendjen, ndërgjegjen dhe orientimin e brezave të tërë. Prandaj, ndërtimi i një klase politike shqiptare autentike kërkon jo vetëm rezistencë politike, por edhe çlirim kulturor dhe arsimor nga trashëgimia e huaj shtypëse. Përfundimisht, trashëgimia e kulturës serbo-sllave në politikën shqiptare është një nga pengesat më serioze për zhvillimin e shëndoshë të shoqërisë dhe shtetit shqiptar në rajon, sepse ajo vazhdon të riprodhojë elita të varura nga privilegjet dhe kompromiset, ndërkohë që populli ka nevojë për një klasë politike të re, e cila mendon me logjikën e lirisë, të barazisë dhe të vetëdijes kombëtare, duke u çliruar përfundimisht nga hija e okupatorit dhe duke e vendosur interesin e kombit mbi gjithçka tjetër.

(Kjo analizë vjen pas bllokimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, (pas disa muajve të përfundimit të zgjedhjeve), deri në mesin e gushtit 2025, që lidhet direkt me ndikimin e kulturës kushtëzuese serbe mbi klasën politike të Kosovës, e cila mjerisht ende nuk i përfaqëson qytetarët tanë, por është e nënshtruar nga diktati i Serbisë!…).