19 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

Për mjeshtrin e fjalës së shkruar, Mitrush Kutelin

Shkruan: Shemsi Syla, ish-deputet i legjislaturës së gjashtë në Kuvendin e Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje!

 

Në letrën e lamtumirës që “mjeshtri i fjalës së shkruar” Mitrush Kuteli kishte lënë para vdekjes, më së pari këshillonte fëmijët e tij që të “mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë, as kur do të vuajnë pa faj.”
Kjo këshillë e Mitrush Kutelit, fatkeqësisht, edhe në ditët e sotme duhet të jetë një thirrje për të rinjtë shqiptarë në të dy anët e kufirit.

Rini e dashur, atdheu ynë Kosova, duke u qeverisur keq gjatë gjithë këtyre viteve ku korrupsioni, krimi i organizuar e nepotizmi e kanë bërë atdheun tonë të vështirë për të jetuar dhe shpesh mllefin tonë kundër qeverisjes së keqe e kriminale e zbrazim edhe kundër Kosovës, duke thënë se; “ky vend nuk bëhet, këtu nuk jetohet, ky është vend i hajnave” etj.

Atdheu është po ai që ka qenë ndër shekuj, me të gjitha të mirat, me shumë burime e tokë të begatshme që janë të mjaftueshme për t’i ndërtuar një jetë të dinjitetshme çdo qytetari të Kosovës. Fajet nuk i ka atdheu. Fajet i kanë ata që në vend të një qeverisjeje të mirë, të përkushtuar për zhvillim ekonomik e mirëqenie qytetare, e shndërruan në një vend ku jetohet me shumë vështirësi dhe për të mbijetuar duhet të korruptosh e të korruptohesh. Një vend pune duhet ta blesh me para ose përmes lidhjeve.

Prandaj, më 6 Tetor, duhet të votojmë për Atdheun tonë, ndaj të cilit udhëheqja kriminale na e ka zbehur dashurinë; për liri e barazi, për dinjitet e mirëqenie, për sundim të ligjit e drejtësi për të gjithë pa dallim, për arsim e shëndetësi cilësore, për zhvillim ekonomik e për një shoqëri pa haraç e fajde.

Atdheu nuk na ka faj. Faj ka pushteti i kriminalizuar, prandaj, mllefin e zhgënjimin tuaj, më 6 Tetor kthejeni në votë për Lëvizjen Vetëvendosje. Për hir të Atdheut. Për hir të mirëqenies tonë kombëtare!!!