22.5 C
Zürich
Mittwoch, September 16, 2026

Normalja e Ferizajt, një ylber që rrezatoi me 1474 mësues në viset shqiptare 

 

Kthimi në kujtesë 62 vjeçare për 13 gjenerata të shkollës Normale “Zenel Hajdini”, ishte një kapitull historie e lavdie për të gjithë ata nxënës që kaluan përmes kësaj shkolle me renome, që e filloi punën pa asnjë mësimdhënës shqiptarë me diplomë fakulteti e që përmbylli kaptinën (vetëm nga radhët e nxënësve që rekrutoi) me 359 diploma fakulteti e me dhjetëra magjistratura e doktorata.- Programi u përshkua me fjalimeve dhe evokimeve të  ish-nxënësve , shoqëruar edhe me një program, ku u ekzekutua në disa nga instrumentet e para të kësaj shkolle.- U propozua që shkolla Bujqësore e Ferizajt të emërtohet me emrin e drejtorit të parë të Normales, Profesor Fejzullah Çerkini

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati

Dje Ferizaj, pati një festë të vërtetë, një manifestim që solli shumë mall, mbresa e nostalgji, po edhe dhembje e kujtime për shumë profesor e ish- nxënës të normales që tash prehen në amshim, por që lanë vulë të pashlyeshme jo vetëm në mesin e shokëve e kolegëve, por edhe të brezave që i arsimuan në viset e ndryshme shqiptare, ku me shekuj e dekada pat mbretëruar errësira e padituria.

Ndaj edhe takimi ynë i djeshëm i gjeneratës së parë që e filloi mësimin në këtë shkollë, këtu e 62 vjet më parë u përshkrua me shumë befasi e të papritura, por edhe humbje të dukshme harrese për shokët e gjeneratave që nuk i kishim pa për më se 6 dekada. Ndaj edhe ideja dhe veprimi konkret për këtë organizim, në kuadër të 150 vjetorit të themelimit të qytetit të Ferizajt, do përshëndetur, filluar nga organizatori, Shoqata e Intelektualëve të Ferizajt që bëri gjitha punët përgatitore dhe hasi në një mbështetje pa rezervë nga Drejtoria Komunale për Kulturë, Rini e Sport. I tërë aktiviteti u realizua në formë të një tribune, shoqëruar edhe me pika muzikore

Manifestimi kushtuar 6 vjetorit të normales së këtushme u mbajt në lokalet e Shkollës së Mesme Bujqësore, që ka trashëguar emrin «Zenel Hajdini» u mbajt një eveniment i rëndësishëm kulturor, ku u festua 62 vjetori i themelimit të ish Shkollës Normale me të njëjtin emër, e cila punoi për 16 vite( 1961-1977).

Ky përvjetor ishte i rëndësishëm edhe nga fakti se aty pas disa dekadash takoheshin ish-normalist të disa gjeneratave, që për vite të tëra dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në arsimimin e popullatës jo vetëm në komunën e Ferizajt dhe komunat fqinje, por edhe më gjerë në Kosovë dhe jashtë saj.

Një vlerësim të lartë për shkollën normale dhe gjeneratat e mësueseve që rekrutoi e pati edhe Drejtori i Drejtorisë komunale të Arsimit, Afrim Llabjani, i cili nënvizoi se kjo shkollë ”u bë fanar ndriçues i arsimit dhe edukimit në disa komuna përreth, madje edhe në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës”…

Më pastaj me disa fjalë e evokime dolën edhe ish- nxënësit e kësaj shkolle, Jusuf Musa profesor dhe historian, Hanumshahe Ilazi, profesoreshë dhe krijuese si dhe Prof.. doktor Ismail Hasani, ndërsa nga ana e profesorëve përshëndeti ish- profesori i gjuhës shqipe Prof. Dr. Isak Shema.   Me disa rrëfime të asaj periudha u paraqita edhe unë, duke hap edhe një ekspozitë me foto të gjeneratës sime.

Përndryshe Shkolla Normale ishte themeluar me vendimin e Kuvendit Komunal të Ferizajt nr.04-11073-1-61 më datën 13 korrik të vitit 1961 dhe punoi nga viti 1961-1977 duke dhënë 13 gjenerata me 1145 kandidatë të rregullt dhe 329 me korrespondencë, kryesisht pa shkëputje nga puna. Pra shkolla Normale nxori 1474 mësues të cilët pastaj punuan anë e kënd viseve shqiptare. Prej të gjithëve 250 ishin femra dhe 895 meshkuj. Në vitin e parë 1961/62 u regjistruan 126 nxënës dhe disa lëndë mbaheshin në gjuhën serbokroate për mungesë kuadri në gjuhën shqipe. Ishin këtë vit 12 mësimdhënës, 7 shqiptarë e 5 serbë. Drejtori i parë ishte profesor Fejzullah Çerkini, ndërsa që në manifestim mori pjesë drejtori i dytë Dr. Njazi Zylfiu ndonëse me shëndet të rënduar dhe që u soll në karrocë, Nuk mungoi as ish profesori i gjeografisë Xhevat Koshi, që tashmë ka shkel të 90- tatë. Në vitin e dytë u rrit numri i mësimdhënësve nga 12 në 19 sish, tre prej tyre me fakultet të kryer. Mësueset e para që diplomuan ishin 11, të cilat siç tha Hanëmshahe Ilazi-Sopa njëra ndër të diplomuarat, profesori i pedagogjisë, Dr. NJAZI ZYLFIU, që sot erdhi në karrocë në këtë manifestim, kishte ardhur për të takuar nxënësit dhe kolegët e kësaj shkolle, nxënëset femra para diplomimit i dërgonte nëpër fshatra që ta mbaronin praktikën, që të shembëllenin me Afërditën e Sterjo Spasses, t’i shihnin fshatarët, që hezitonin t’i dërgonin vajzat në shkollë.

Shkoqitëm këtë fragment nga fjala e Isuf Musës , që bashkë me Haki Shaqirin ishin bartësit kryesor të këtij aktiviteti bashkë me drejtorinë e sporteve në nivel komunal: Se si deri në përfundim, pas 16 vjetësh veprimtarie në këtë shkollë kanë përfunduar 122 arsimtarë e profesorë shqiptarë që ishin nga të gjitha viset shqiptare të ish- RSFJ-së, ashtu siç ishin edhe nxënësit nga këto vise. Ndërsa që nga nacionaliteti serbë punuan 23 mësimdhënës.

Evenimenti pos që u përshkua me një program artistik nga vet ishe nxënësit e normales, disa nga të cilët i kishin ruajt instrumentet me të cilat janë shërbyer edhe derisa ishin normalist. Organizatori ishte përkujdes që ti shpërblejë me mirënjohje të gjithë ish- profesorët e kësaj shkolle.

Do theksuar se kjo ngjarje me peshë të veçantë jo vetëm për këtë komunë, por edhe për Kosovën e më gjerë e që kaloi në një atmosferë shumë të këndshme shoqërore, ishte edhe një mirënjohje për gjithë këto gjenerata që më këmbën arsimin shqiptarë, ndaj edhe u shpreh keqardhje për mbylljen e të gjitha shkollave normale në regjion. Po ashtu u përkrah propozimi i profesorit Isuf Musa që shkolla bujqësore të emërtohet me emrin e drejtorit të parë të Normales Profesor Fejzullah Çerkini, procedurë kjo që do të përcillet në organet përkatëse.