11.5 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

Luftëtar lirie në gojë të lubisë shoviniste

Fjala e veprimtarit të mirënjohur të çështjes kombëtare Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës të Burgosurve Politik Shqiptar të Kosovës, mbajtur në përvjetorin e parë të vdekjes së Skënder Ibishit me 6.7.2018 në Prishtinë, në sallën e Intitutit Historik të Kosovës. 

Zonja e zotërinj,  motra e vëllezër,

Na ka bashkuar, sot, Skënder Ibishi, në këtë orë përkujtimi, përmallimi, nderimi e reflektimi; na ka bashkuar emri, vepra, kujtimi, dhembja dhe respekti për Skenderin, në njëvjetorin e parë të ndarjes së hershme nga jeta.

Më lejoni, prandaj  që, në emër të Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë të Kosovës , të ju drejtohem, kështu bashkërisht si shokë të idealit, bashkëfamiliarë, bashkëveprimtarë, bashkëluftëtare, bashkëvuajtës dhe dashamirë të emrit të respektuar dhe veprës së pavdekshme të atdhetarit  Skënder Ibishi.

Përvjetori i sivjetmë jubilar i Skënderbeut, ka brenda nje varg të pandërprerë përvjetorësh të personaliteteve të shumta, brezash e profilesh  nga më të ndryshmet  por me një  frymë dhe synergji të përbashkët vazhduese e substanciale skenderbegiane.

Merr një kuptim domethënës edhe fakti jo i rastësishëm, që edhe  62 vjet më parë, në kulmimin e harangës  brutale e gjenocidale rankoviçiste, familja  bujare e atdhetare Ibishi, po e mishëronte pagëzimin e radhës me emrin atëherë ende inkriminues Skënder, që, në mënyrën vet duket si një paracaktim i fatit, rrugës  dhe frymës jetësore atdhetare të Skënderit të sapoardhur në jetë.

I frymëzuar nga  idealet e Rilindjes sonë kombëtare dhe vepra e korifejve të lëvizjes sonë atdhetare e çlirimtare si Gjon Serreçi e Rifat Berisha, Adem Demaçi, Metush Krasniqi e Kadri Halimi me shokë dhe e përcëlluar në flakën llamburitëse të  Nëntorit pranveror ’68; i pakënaqur me zgjidhjen e ri imponuar, sërish hibride e gjysmake  dhe i revoltuar me pamundësimin e  së drejtës së premtuar e të  ri premtuar për vetëvendosje dhe barazi, i pakënaqur, po ashtu, edhe me gjendjen jo vetëm të pabarabartë, diskriminuese politike, kombëtare e sociale por edhe në keqësim të mëtejshëm dhe madje edhe të mbarsur me rrezikun e rimarrjes  edhe të atyre pak lirive dhe të drejtave të fituara me gjak e sakrifica  dhe rikthimit të sundimit serbomadh sipas modelit rankoviqist, të dizajnuar në famëkeqin ‚Libri i kaltër»,  brezi i ri rinor i kohës po sfidonte  stafetën e imponuar pompoze titoiste dhe po merrte në dorë stafetën e përpjekjeve zingjirore atdhetare e çlirimtare…

Ishte brezi i njëzetvjeçarëve të atëhershëm  të brezit ’81, me shpirtin dhe gjuhën e të  cilëve, poeti i mirënjohur Agim Vinca shkruante:

NE, NJËZETVJEÇARËT

Brezit të ’81-shit

Ne ishim bij të kësaj toke
Me plagë e halle shumë
Lindëm në ditë të stuhishme
U rritëm në net pa gjumë.

Ne ishim bij të këtij trualli
Të rrahur nga breshri e shiu
Era e tij në udhë na ndolli
Emri i tij në buzë na mbiu.

Ne jetën e donim shumë, s’ka dyshim
Dhe për të luftonim
Po jeta jonë kish një qëllim:
Botën ta ndryshonim.

Dhe mos kujtoni se i donim më pak
Vashat tona të bukura si flutura të kuqe
Po ne këmbyem puthjet me plagë
Dhe parqet i këmbyem me burgje.

Se dashuria për këtë tokë
Më e madhe se gjithçka ish.
Ajo na bëri të hidhemi në flakë
Dhe të mbyllemi në mure qelish.

Ne ishim bij të kësaj kohe
Ne ishim djem pa djalëri.
Na dehu afshi i kësaj toke
Na magjepsi fjala Liri.

Ne nuk lindëm trima me fletë
Po luftën tonë s’e ndalëm.
Trima na bëri kjo tokë e sertë;
Rininë asaj ia falëm.

 

Në arenën e luftës politike e çlirimtare  po vinte brezi i ri, i rritur midis 500 Vjetorit frymëzues të Skënderbeut dhe 100 Vjetorit rilindës të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një brez idealist i gatshëm të çante përpara edhe në flakë  e prush, përmes plumbash e barrikadash, në synimin  për ta bërë të mundshme  edhe atë që dukej e pamundshme.

Skënder Ibishi ishte njëri nga  veprimtarët e hershëm të Lëvizjes sonë kombëtare e çlirimtare. Për këtë veprimtari do të flasin folës të tjerë që e kanë njohur më mirë e më nga afër Skënderin. Unë do të ndalem vetëm në ndonjë aspekt të kësaj veprimtarie impresive, për fat të keq ende të pasqaruar dhe të pa afirmuar sa e si duhet dhe për fat të keq jo pak edhe të shpërfytyruar e të mjegulluar nga lufta speciale që, edhe sot e gjithë ditën, vazhdon të bëhet kundër saj me aq djallëzi, ligësi e destruktivitet…

Skënder Ibishi ishte një nga militantët e hershëm atdhetarë që po nxirrte koha në skenën e luftës çlirimtare kundër kuçedrës shoviniste jugosllave, vetëm disa decenie pas terrorit të paparë e të pakrahasueshëm gjenocidal të ushtruar nga kreu i saj gjakatar dhe aparati i saj vrastar. Aleksandër Rankoviç, nënkryetar i Jugosllavisë dhe shef i policisë së fshehtë dhe asaj ushtarake, me 1 shkurt 1951, në Kuvendin e Beogradit, paraqet raportin, në të cilin pos tjerash raporton: «Nëpër burgjet tona , midis viteve 1945-1951, kanë kaluar 3,777,776 të burgosur, kurse kemi likuiduar 586,000 armiq të popullit.”

«Pushteti komunist jugosllav, i udhëhequr nga  dyshi Tito Rankoviç, , aktualizoi perseri projketet e Vasa Çubriloviqit ( nga marsi 1937 dhe fillim nëntori 1944) për eliminimin , asimilimin dhe shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve nga trojet e tyre,  citon  librin e Zharko Jokanoviçit  Dino Bajramoviç në «Slobodna Bosna», duke nënvizuar konstatimin se » kjo politikë  shtetërore antishqiptare e cila ishte e filluar qysh para mbarimit të Luftës së dytë botërore ( 1944), në këtë periudhë mori përmasa gjenocidi… «

Sipas të dhënave historiografike, pjesë këtij gjenocidi ishin edhe rreth 70 000 shqiptarët kryesisht civile, pleq,  gra e fëmijë…

Lëvizja kombëtare shqiptare po mbinte si feniksi nga shkrumbi i një terrori të tillë gjenocidal

Për më tepër, Skënderi me shokë nën uniformen e urryer pushtuese jugosllave, po ngrinin grushtin e qëndresës dhe atdhetarisë, mu në gojë të kuçedrës përbindshe shoviniste, brenda  armatës  Jugosllave, njërës nga armatat  më  të  fuqishme e më gjakatare  të kohës, për të cilën Skënderi shkruante:

«Është dëshmuar sa e sa herë deri tani se Armata jugosllave, e ashtuquajtura “Armatë Popullore e Jugosllavisë”, në fakt nuk ishte asnjëherë popullore. Ajo armatë, që nga themelimi i saj e deri në ditët e shpartallimit, të paktën si një armatë e rregullt, ishte e dominuar dhe shumë e dominuar nga elementi serb, që udhëhiqej nga qarqet shoviniste serbomëdha, madje që nga koha e të ashtuquajturës Luftë Nacional Çlirimtare».

Të ngriheshe kundër Armatës jugosllave  duke qenë kadet dhe më vonë epror i saj dhe brenda dhëmbëve  të saj represiv dhe syrit zhbirues e kërcënues te Kos-it  dhe aparatit represiv policoro-ushtarak, duhej vërtetë atdhedashuri e pakufishme dhe  guxim i jashtëzakonshëm. Do të thoshte te sulmoje qiejt, do të thoshte të shpërfillje dhe  ta demistifikoje mitin e gjithëfuqishmërisë  së kreaturës neoimperialiste jugosllave, ta thyeje mitin  pathyeshmërisë së ushtrisë së saj vrastare,  mitin e  tankeve,  topave «haubica»  , raketave dhe avionëve  të shumtë luftarakë;  do të thoshte të përballeshe me vetëdije me  ndëshkimin e tmerrshëm shovinist a la goli otok, që kishte lakuar e thyer edhe sa e sa luftëtarë, gjeneralë e komandantë  me famë të luftës së  Spanjës e të Luftës së dytë botërore…

Kjo harangë e egër antishqiptare, në kazermat  e APJ-së, siç shkruante Sknder Ibishi, më së miri ilustrohet nga fjalimi dhe vlerësimi i admiralit jugosllav, Branko Mamulla, asokohe sekretar Federativ i Mbrojtjes të APJ-së, i cili,  duke u lavdëruar për punën në ndjekjen e ushtarëve dhe eprorëve shqiptarë kishte deklaruar: “Në periudhën e viteve 1981-1987 në APJ janë zbuluar 216 grupe të organizuara ilegale në të cilat ishin kyçur 1435 pjesëtarë të APJ-së të kombësisë shqiptare. Është vërtetuar se disa grupe, përveç indoktrinimit, të forcimit dhe të masovizimit të radhëve të tyre, kanë planifikuar, kanë shprehur gatishmëri, kanë propaganduar, kurse disa edhe kanë përgatitur aksione më ekstreme në njësi, vrasje të eprorëve ushtarakë, helmimin e ushqimit dhe të ujit, diversione, sabotime, thyerje të depove dhe vjedhjen e armëve, eksese grupore nacionaliste nëpër njësi, kurse grupet më ekstreme kanë shqyrtuar variantet e rebelimit të armatosur dhe shkuarjen në Kosovë me gatishmëri luftarake për t’iu bashkuar fazës së armatosur të kundërrevolucionit, me të cilën llogaritet.

«Si pasojë e një politike shoviniste ushtarake, si dhe trajtimi i egër antishqiptar që ndërmerrej në shërbimin ushtarak kundër shqiptarëve, shkruante Skënderi,  është fakt i pakontestueshëm që flet se gjatë viteve 1981-1991 nga shërbimi ushtarak u kthyen në arkivole 73 ushtarë shqiptarë të martirizuar në kushte dhe rrethana të ndryshme. Prej tyre 35 kufoma të ushtarëve të vrarë ishin të mbuluara në arkivole speciale dhe familjeve të tyre nuk iu lejua t`i shohin».

«Të gjitha këto raste janë trajtuar kryesisht, gjoja si vetëvrasje…», konstatonte ai dhe theksonte: «Asokohe por edhe tani shtrohet pyetja se, a është e mundur që ushtarët e tillë t’ ia marrin vetes jetën, kur është vërtetuar në mënyrë të saktë se janë të aftë psiqikisht dhe fizikisht për shërbimin ushtarak. Në anën tjetër statistika e ka vërtetuar se ndër shqiptarë fenomeni i vetëvrasjeve asokohe ishte tepër i rrallë, dhe krejt pak i shprehur në raport me popujt e tjerë.

A është e mundur kur kemi parasysh faktet se gjatë asaj periudhe me mija shqiptarë të rinj janë dënuar me burgim afatgjatë, madje deri 20 vjet, duke ushtruar forma dhe metoda më barbare, e nuk kemi asnjë rast të përpjekjeve për vetëvrasje. Këtë dyshim e kanë shprehur edhe familjarët e ushtarëve të viktimizuar mizorisht në APJ.

Nga të dhënat që posedojmë, del se numri më i madh i të viktimizuarëve ( më shumë se gjysma ) ka ndodhur në ish-Republikën e Kroacisë dhe të Sllovenisë, derisa në Serbi kanë ndodhur vetëm 8 raste …Kjo tregon se Serbia ka qenë e kujdesshme që në territorin e vet të ketë sa më pak raste të tilla.» konkludonte Skënder Ibishi

Burgosja, hetimet e tmerrshme njëvjeçare dhe mundimet e torturat e egra gjatë hetimeve dhe burgut te gjatë e të rëndë e dëmtuan seriozisht shëndetin e Skenderit te ri, por nuk e thyen shpirtin dhe idealin e tij…

Jo, titullohet një poezi e Skënderit që pasqyron Jo– në e tij burgut dhe persekutimit  shovinist:

Jo, mos mendo

se dyert e hekurta

forcën nga trupi im

do të ma marrin;

jo, mos mendo

se grilat, në dritare

shkëlqimin nga sytë  e mijë

do të ma marrin;

jo, mos mendo

se vetmia

moralin do të ma thyejnë;

jo, mos mendo…

jam shqiptar

dhe s’dorëzohem.

 

Nënë

do të vij moj nënë

në një ditë maji

si plak me fytyrë të riut

dhe atëherë merrëm në prehër

si dikur kur isha foshnjë

dhe mos më pyet

ku kam qenë

me kënd kohën e kam kaluar

por me ato duar të ledhatuese

plagët mi shëro!

Plagët i burgut shovinist ishin të rënda dhe zor të shërueshme, por edhe më të rënda ishin plagët e burgosjes dhe persekutimit të popullit të tij të shtypur dhe Atdheut të tij të copëzuar,  plagët e pashëruara të Kosovës dhe gjithë Kombit, prandaj në çdo takim me të e takoje shqetësimin dhe brengosjen parësore për fatin e  Kosovës dhe Kombit, për kauzën e tij dhe jo për problemet dhe hallet e tij serioze shëndetësore…

Nuk mund të mos e preokuponte dhe lëndonte, në mënyrë të veçantë, vazhdimësia e një linje të paprere të luftës speciale, shpifarake, diskredituese e demonizuese nga ish eksponentë kolaboracionistë të politike pushtuese antishqiptare dhe veglave e altoparlantëve të tyre kundër Lëvizjes sonë çlirimtare dhe veçmas kundër Paraverës rinore ’81 dhe luftës fitimtare çlirimtare.  Nuk mund të mos ishte plage e Skenderit dhe secilit atdhetar të njëmendtë edhe fenomeni i degradimit politik, shoqëror dhe moral  të një pjese të luftëtarëve të lirisë që me dashje a pa dashje i thellojnë edhe më shumë plagët e Kosovës dhe gjithë kombit dhe e lehtësojnë pa masë obstruksionin dhe destruksionin e armiqve dhe veglave të tyre.

Shëndeti i rrënuar, si pasojë e burgut dhe torturave e kufizuan dukshëm, por nuk e ndalën Skenderin në angazhimin e tij të shumanshëm për Çlirim, bashkim, demokratizim, institucionalizim, emancipim dhe përparim të gjithanshëm të Republikës së  Kosovës dhe gjithë kombit.

Skënderi ishte njeri i bashkimit dhe angazhohej për bashkim të gjerë, veprues e paravajtës dhe angazhohej për forcimin dhe lartësimin e tij. «Bashkimi i arritur në mes forcave të atëhershme atdhetare e revolucionare, theksonte ai me keqardhje, përpos bashkimit – për shkak të rrethanave – të detyrueshëm ideor nuk rezultoi edhe me bashkim të mirëfilltë fizik në një strukturë të vetme organizative e vepruese. Mjerisht kjo nuk ndodhi as në kohën e pluralizmit politik te viteve te 90-ta në hapësirat shqiptare, përkundrazi ky bashkim dhe Lëvizja jonë, përpos goditjeve nga ana e armikut dhe pengesat tjera të natyrës objektive, ajo u përballë pareshtur edhe me situata të luftës së brendshëm imponuese e dominuese…»

Bashkimi natyrisht na duhet për të  shtyrë qerren përpara e përpjetë se sa për prapakthim e  tatëpjetë, ka kush e shtynë, shkon edhe vetë…

Skender Ibishi e mbylli herët kapitullin e jetës së tij fizike, por  e mbylli si kapak floriri, veproi gjatë, me përkushtim dhe me nder, si atdhetar dhe luftëtar i devotshëm lirie, si profesionist i dalluar e zyrtar i rregullt e i suksesshëm dhe si bashkëfamiliar, shok, bashkëluftëtarë, bashkëvuajtës , kolege dhe mbi te gjitha  si njeri i mirë  dhe i ndershëm…

Të tillë do ta kujtojnë brezat Skënder Ibishin.

Emri dhe  vepra e tij e na obligon të gjithëve që të vazhdojmë rrugëtimin e përbashkët atdhetar, përbashkues dhe paravajtës.

Lavdi e përjetshme Skënder Ibishit dhe atdhetarëve si ai!