Letra e zonjës Christel Brunk
(nje mikeshe gjermane e Ademit, me banim ne Muenchen)
8.2.2001 Perth Australia
Përshëndetje të dashurit e mij!
Së pari, ju kërkoj ndjesë për heshtjen time të gjatë. Sapo i kërkova ndjesë Helgës (bashkëshorte e Selimit, kushëri i Ademit, në Muenchen) me të cilën fola 5 minuta, më parë, nga spitali, që e njihni të gjithë. Por duhet ta nis nga fillimi, tre javë më herët.
Ademi u bë më mirë, shëtiste në ballkon, hante dhe pinte mirë. Por mendimi se duhet të futej në azil e torturonte. E bija dhe i biri nuk mund ta merrnin në shtëpitë e veta, dhe azilet atje (në Shqipëri) ishin plot e përplot në atë kohë; prandaj ai duhej të futej në azil në Perth, kuptohet vetëm pasi unë të kthehesha në Gjermani më 3 mars, kur më skadonte edhe viza. Atëherë Ademi më tha, bëju një telefon në Tiranë dhe pyete djalin tim, (Bardhylin) në se mund të rri te ai përgjithmonë bashkë me familjen e vet. Unë e bëra këtë dhe s’do ta harroj kurrë përgjigjen e menjëhershme, kuptohet, » ma sillni mua, se unë e dua babën tim dhe do bëj gjithçka që mundem për të, po ashtu edhe shoqja ime.»
Ai është mësues, e shoqja është mjeke, por edhe punon ende.

Ky ndryshim kaq shumë i madh, fëmijët këtu kanë shtëpi dhe pronë, ndërsa tjetri banon në një vend më të varfër të Evropës, sikurse dëgjojmë nga lajmet. Por s’dua t’i gjykoj fëmijët këtu, edhe ata kanë arsyet e tyre, që m’i kanë bërë të qarta mua. Mua më trajtojnë plot dashuri dhe mirësjellje.
Por djali në Tiranë duhet të kërkonte vizë; për këtë duhet të shkonte në Romë dhe këto udhëtime zgjasnin shumë. Prandaj i biri i tij, Genti, që studjon në Milano, Itali, nisi të kërkojë vizë. Zyra e konsullatës australiane, nga ana e saj, i nxirrte atij shumë vështirësi, kërkonin një dëshmi nga mjeku, një letër nga Ademi vetë dhe një fotografi. Unë ia dërgova të gjitha këto me faks, ndërkohë, djali dhe nipi telefonojnë herë pas herë dhe presin që Genti ta marrë vizën, por unë s’kam shumë kohë për të pritur këtu.

Rrustemi, (Rrustem Qerimi, drenicar qe banonte prane Ademit ne Perth), që ka qënë te unë për vizitë në Munih, ishte gati të shkonte ai ta merrte Ademin, por kur Ademi mori vesh për nipin, u gëzua pa masë dhe donte të fluturonte vetëm me të.

Unë i pata premtuar atij se, po të mos vinte dot asnjëri ta merrte, unë do ta shoqëroja vetë. Dhe sikurse më njihni, unë do ta bëja këtë.
Shpesh Ademi më ka thënë që të shkoja bashkë me të. Edhe të bijës ai i ka thënë se nuk mund të jetojë dot pa zonjën Brunk. Unë e qortoja atë për këtë, duke thënë se ishte një budallallëk, sepse edhe unë duhet dhe dua të kthehem në shtëpi. Por ai mendonte, se kur të jetë në Tiranë, do të shihesh shumë shpejt sërish me mua, edhe unë mendoja kështu.
Pra, të hënën ai s’donte të hante dhe të pinte; mjeku vjen çdo të hënë, e viziton dhe më tha që ta lajmëroja menjëherë në se vazhdon kështu; infermierja e bëri këtë gjë të mërkurën dhe ata erdhën dhe e morën në spital. I biri (Hansi) erdhi të premten në mëngjes ( s’dinte gjë për spitalin..) dhe u kthye në shtëpi të dielën në mëngjes.

Ne ishim atje para dhe pasdite, bëmë muhabet plot gjallëri me të, ai dinte çdo gjë (ishte I vetedijshem) dhe qeshte. I biri iku nga ora 8, atëhere është 12 në Melburn ku banon ai ( anash letrës: Kur i biri ishte në shtëpi vonë në mbrëmje, ra telefoni dhe ai u lajmërua nga spitali për sa ndodhi; ai as nuk mund ta kuptonte dot këtë, u kthye në Perth të mërkurën).
Unë shkova në spital rreth orës 11 për të parë a ka ngrënë mirë. Dora e tij e djathtë i dridhej, prandaj e ushqeva ashtu siç bëja ditë më parë. E hëngri gjithë ushqimin, i shijoi dhe dukesh shumë mirë. U gëzua pa masë për ardhjen e Hansit te merkuren, që donte të vinte më herët por kishte pasë punë. Unë isha me Ademin tre orë, bëmë pak muhabet, pastaj thirra infermieren, ai rrinte ulur mbi një karrike të madhe, pastaj e shtrimë në krevat, donte të shkonte në banjo për të urinuar, por unë mora një shishe, e zbraza atë dhe i thashë infermieres, se po marr pak pomadë kremi për t’ja lyer këmbët dhe krahët sepse lëkura i qe tharë tepër. Këtë e bëja edhe në shtëpi. Ai s’kishte më plagë në këmbë, i qenë shëruar të gjitha. Ne gëzoheshim për këtë, sepse e kishim pasë problem një vit. I dhashë të pijë duke i thënë që të mos lëvizte, sepse shishen e kishte aty mbi tavolinë. E mbulova duke i thënë, flej tani, ke ngrënë mirë dhe je i lodhur. Më tha , ku e kam gazetën time, por ajo qe lagur dhe infermierja e kishte flakur tutje. Më tha, shko në koridor se gjen gjithnjë ndonjë gazetë. I thashë se nesër do ta sjell gazetën tënde kroate, do vij herët, flej tani; shkova te dera, ai me përshëndeti me dorë, më dha një të puthur nga larg. U ktheva duke i thënë, mbylli sytë dhe flej. Ai ma dëgjoi fjalën dhe s’i hapi më sytë në orën 4:20 te dates 4-2 (4 shkurt 2001)
Menjëherë pasi mora thirrjen nga spitali, fola me një mikeshë. Ajo bisedoi me spitalin në se mund të shkonim atje dhe ta shihnim atë, por jo! Ajo na ngushëlloi..

4-2 (4 shkurt) E bija (Nina) më thirri në telefon duke më thënë se ajo do ta rregullojë gjithçka dhe më pyeti në se kisha ndonjë dëshirë, dhe kështu çdo gjë u bë sipas dëshirës sime.
Ajo njoftoi ndërmarrjen funerale. Kështu ne u pamë sërish midis orës 9:30 dhe 10:30 në një kishë të vogël pranë shtëpisë, siç doja unë, më 6 .2.(6 shkurt). Isha shumë e kënaqur.
7.2 (8 shkurt) Ishte një kishë e vogël, por tepër tërheqëse. Muzika luante më zë të ulët dhe të këndshëm. Burrat e sollën arkivolin nga dhoma pranë gjer te altari. U befasuam kur e pamë se sa bukur dukej Ademi, shumë më i ri se më parë. Dukej sikur po flinte. Kështu e pata lënë atë të dielën në orën 2. Edhe arkivoli ishte shumë i bukur. Ademit i kishin veshur një kostum të bardhë të mbuluar me një mbulesë të tejdukshme. E kishin rruar dhe krehur.

U gëzova shumë që e shikoja kështu. Sepse e përfytyroja në kushte të mjera, nuk mbylla sy gjithë natën dhe me siguri e kam nervozuar Hansin me opinionin tim teveqel. Trëndafilat e mij të kuq unë i mbështolla në një gazetë kroate dhe i vura mbi mbulesën e tejdukshme të arkivolit. Që të dy qamë, e përkëdhelëm dhe e puthëm atë. I biri e përqafoi dhe e shtrëngoi atë. Më pëlqeu ky qëndrim i të birit. U tregua djalë i mbarë.
Fytyra e Ademit ishte kaq e këndshme, sa nuk të besohej se ai kishte vdekur. Ne ndenjëm me të një orë të tërë, pastaj erdhën dhe e morën. Sa keq që vetëm ne ishim aty, por i biri nuk kishte dijeni se çfarë do të ndodhte më pas. Duhet të them se ne e lamë kishën pak të shkarkuar, që të dy të lumtur se mund ta shihnim atë sërish.
Gjithë të mirat, Christeli (Christel Brunk)
(E dashur Vjollca dhe Bardhyl, këtë letër ua kam dërguar njerzeve të mij. Gjithë të mirat! )
Shenim: Trupi i Ademi u kremua dhe hirin e mbajti zonja Brunk. Me vone ajo e futi atë ne një varreze familiar ne Muenchen, te cilen Bardhyli dhe Genti e vizituan gjate veres 2002.

























