Në qytetin Kloten të kantonit të Cyrihut, të dielën e kaluar më 27 gusht 2023 u mbajt një festival takimesh me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të 27 komunitetesh, gjegjësisht kuzhinash kombëtare, me moton: “Kështu shijon bota”, meqë rast kori i femrave shqiptare e hapi programin me këngën arbëreshe “Moj e bukura more”, për të dalë në skenë tri herë gjatë këtij manifestimi
Teksti:Rexhep Rifati & fotot: Afrim Nevzadi
Të dielën e kaluar thuaja se gjatë tërë ditës, Qendra e Famullisë Katolike në Kloten, jo larg aeroportit të Cyrihut, ishte shndërruar në një vendtakim kulturash të ndryshme, ku u sollën ushqime tradicionale nga gjithsej 27 kuzhina kombëtare, që prezantuan llojet e shumta të ushqimeve dhe jo vetëm këtë por edhe këngën e traditën e tyre nga vendi i prejardhjes. Festivali u organizua në bashkëpunim me famullinë e reformuar, famullinë katolike të Christkönig dhe shoqatën e zhvillimit Hegnerhof.
Ishte ky një organizim i mirë me një pjesëmarrje tejet masive të komuniteteve të ndryshme, thuaja se nga të gjitha kontinentet, që patën rastin jo vetëm prezantojnë ushqimet dhe kulinarin e tyre të pasur por edhe të përjetojnë mikpritjen tradicionale zvicerane që kultivon kjo komunë e vogël, e që shquhet për tolerancë ndër fetare dhe ndër-etnike e që krijon një atmosferë shumë të ngrohtë e miqësore midis emigrantëve nga vendet e ndryshme veprojnë këtu. Nuk mungoi edhe një familje ukrainase që kishte sjell pos ushqimeve të vendit të saj edhe veshjen përplot kolorit shumë mbresëlënës.
Qëllimi i organizatorëve ishte që njerëzit me prejardhje të ndryshme kombëtare, racore e fetare, të ulen së bashku dhe të bisedojnë me njëri-tjetrin, të provojnë ushqime nga kultura të ndryshme dhe të njihen më shumë me traditat e e njeri tjetrit.
Ishte ky një festival pak sa më i veçantë ku u shqua edhe prania e komunitetit shqiptarë që jeton në këtë mjedis, e që kësaj radhe solli jo vetëm këngët shqipe përmes korit të femrave shqiptare në Zvicër me emërtimin “Lyra”, por edhe llojet e ushqimeve që përgatiten në trojet shqiptare, siç janë flija, lakrori apo edhe fasulja.
Drejtuesit e kësaj komune dhe organizatorët tjerë përshëndetën të pranishmit , duke shpreh kënaqësinë për gatishmërinë e madhe për pjesëmarrje dhe për të sjellë ushqimet e vendeve të tyre në një sofër të përbashkët shumë etnike.
Organizatorët shprehën gjithashtu kënaqësinë për pjesëmarrjen e një delegacioni nga Fondacioni PIGNA në festival këtë vit. Vitin e kaluar shijuam mikpritjen e tyre dhe festuam së bashku festivalin e e organizuar atje.
Do theksuar se kori i femrave shqiptare nga Zvicra “Lyra” në fillim të shtatorit organizon një udhëtim në Sicili, meqë rast do të vizitojnë edhe Horën e arbëreshëve, ku do të njihen për së afërmi me motra dhe vëllezërit arbëresh.
Ja edhe uebi i faqes së këtij festivali: www.begegnungsfest.ch









































