Ato janë dy vajza. Dy motra, prindërit e të cilave migruan në Zvicër, njejtë sic bënë edhe shumë shqiptarë të tjerë. Ato janë Erza dhe Djellza Shurdhani, me prejardhje nga Kosova, por që kanë lindur të dyjat në Uznach të kantonit St.Gallen në Zvicer.
Ato rrëfejnë se si kanë nisur rrugën profesionale të futbollit. Të dyja thonë ta kenë pasur pasion qysh të vogla. Për dallim nga vajzat tjera, atyre i ka mjaftuar një top dhe loja për ato ka marrë kuptimin e duhur. Futbollin mesa duket e kanë pasion qysh në vegjëli, e këtë pasion dhe ëndërr e mundësoi të bëhej realitet edhe babai i tyre Arifi, përkrahja e të cilat nuk ka munguar asnjëherë.
Djellza thotë se përkrahja e babait ka qenë arsyeja pse ato sot janë këtu. “Babi cdo herë na ka përkrahë dhe ka qenë afër nesh. Edhe nëse kemi pasur 3 orë rrugë për të bërë, në kohën kur kishim lojë, ai gjithmonë ka qenë me ne, shtytës dhe inkurajues”, thotë Djellza.
Ndërsa, Erza thotë se për gjithcka falenderon babin, sidomos për mbështetjen e pafund që e marrin gjithmonë nga ai.
Djellza ka lindur më 16 qershor 1997 në Uznach të St.Gallen, qyteti Rapperswill-Jona. Jeton bashkë me prindërit, motrën dhe vëllaun, ndërsa tani është në vitin e fundit të praktikës. Ndjekë shkollën 20%, ndërsa punon në kopsht me fëmijët 80%.
Diellza, kur dhe si keni filluar të luani futboll?
Djellza: Futboll kam filluar të luaj kur kam qenë 7 vjecare. Fillimisht kam filluar të luaj për ekipin e qytetit ku jetoj Rapperswill-Jona. Si e vogël kam luajtur gjithmonë me babin dhe vëllaun. Në atë kohë, vëllau ka luajtur për ekipin e qytetit dhe ne i kemi përcjellë të gjitha ndeshjet e tij. Sa herë që ka pasur lojë dhe ne kemi shkuar ta shohim, unë bashkë me motrën kemi luajtur në mes vete. Kur ishim në klasën e parë, u organizuan disa turnire, në të cilat ne morrëm pjesë. Aty erdhi një zotëri dhe na pa mua dhe motrën duke luajtur futboll. Pasi kishte foluar me babin, na ftoi të ushtronim me të dhe të shihte nëse kemi perspektivë apo jo. Ai na pranoi në ekipin e vet. Kështu filluam me futbollin dhe nuk ndaluam asnjëherë. Tash janë bërë 17 vjetë që luaj futboll.
A keni qenë pjesë edhe e ekipeve tjera, pos të atij të qytetit Rapperswill -Jona?
Djellza: Po. Një vit e gjysmë kam luajtur për FC Zurich, ku pastaj u lëndova dhe për një kohë nuk kam pasur mundësi të luaj. Diku rreth një vit kam pushuar për shkak të lëndimit që më ndodhi sa isha pjesë e FC Zurich. Pas shërimit të plotë nga lëndimi që mora aty, u ktheva përsëri në FC Raperswill-Jona. Tani e kam marrë veten plotësisht nga lëndimi që kam marrë dhe jam në formën më të mirë për lojën. Gjithashtu kam luajtur edhe për ekipe turke të vajzave, ndërsa së fundi më kanë bërë ftesë të luajë për kombëtaren e vajzave të Kosovës në futboll.
A keni fituar cmime, tituj apo kupa?
Djellza: Kur kam luajtur për ekipet turke të vajzave në Zvicër, e kam marrë vendin e parë. Kam marrë pjesë edhe në shumë turnire në kantone të ndryshëm të Zvicrës, cdo herë kemi marrë vendin e parë dhe jam zgjedhur lojtarja më e mirë dhe me më së shumti gola të shënuar. Bashkë me motrën Erzën, kemi lujtur për disa vite bashkë në një ekip. Gjithmonë aty jemi zgjedhur si lojëtaret më të mira dhe kemi luajtur në fushë 90 minuta, aq sa edhe zgjatë loja, sepse trajnerët kanë qenë gjithmonë të kënaqur me lojën dhe taktikat tona. Edhe dimrit kur lojët janë zhvilluar në ambiente të mbyllura, shumë herë kemi marrë vendin e parë, e disa herë edhe të dytin.
Përse e keni zgjedhur pikërisht futbollin?
Djellza: Është fare e lehtë të përgjigjem në këtë pyetje. E kam zgjedhur futbollin, sepse futbollin e kam dashur qysh e vogël dhe që prej atëherë e kam edhe pasion. Gjithmonë kur i shihja të tjerët në fushë duke luajtur, thoja me vete se një ditë unë do të bëhem më e mira. Futbolli ma largon gjithë stresin, lodhjen. Kur shënojë një gol e nxjerrë jashtë gjithë negativitetin . Kur e gjuajë topin është ndjenja më e mirë që nuk mund ta përshkruaj. Futbolli është gjithcka për mua, pa të nuk kam jetë.
Erza ka lindur më 12 korrik 1998. Jeton me prindërit, vëllaun dhe motrën në Rapperswill-Jona të St.Gallen. Erza punon si specialiste e sportit për shitje në Uznach dhe njëkohësisht punon edhe në zyren e shefit. Dy ditë të javës ndjekë shkollën në Berufs-und Weiterbildungszentrum, ndërsa tri ditë të tjera punon. Këtë verë do të diplomojë në profesionin e saj dhe do të marrë diplomën e specialistes shitëse sportive.
Erza, kur dhe si e keni filluar futbollin?
Erza: Unë kam filluar të luaj futboll qysh kur kam qenë 7 vjecare. Vëllau im luante për ekipin e qytetit dhe ne kemi qenë tifozet e rregullta të tij, bashkë me babin. E kemi përcjellë cdo ndeshje që ai ka luajtur dhe cdo ndeshje më shtohej edhe më shumë dëshira që edhe unë të bëhesha një ditë një lojëtare aq e mirë sa vëllau. Bashkë me motrën, gjatë kohës kur shikonim ndeshjen, gjithmonë gjenim një top dhe pak vend për të lujtur bashkë. Aty mendojë që e kemi shfaqë së pari talentin tonë, sepse kanë pasur rast të na shohin edhe profesionistët e futbollit. Por, ne kemi pasur fatin që babi jonë e ka dashur futbollin dhe ka pasur shumë dëshirë që ne të luajmë. Në të njejtën kohë kemi pasur poashtu fat që vëllau ynë ka qenë futbollisht, njëri nga më të mirët, dhe ne në shtëpi kemi pasur dy mësues dhe dy trajnerë shumë të mirë për ti marrë hapat e parë të futbollit.
Kur filluam klasën e parë, u organizua një turnir, ku prisja me padurim të merrja pjesë. Turniri zgjati dy ditë dhe kishte 10 ndeshje cdo 15 minuta. Unë i vura vetes një kusht, të fitoja cdo ndeshje dhe të dilja e para dhe në fakt pata gjithmonë sukses. Gjithmonë shënova mbi 10 gola në ndeshje.
Pas kësaj, një trajner foli me mua dhe babin, dhe më tha se që nga java e ardhshme do të fillojë të stërvitem me ekipin e tij. Ai pati shumë fjalë premtuese, duke thënë se jam një futbolliste shumë e talentuar dhe me potencial. Dhe kështu folliu gjithcka. Tash bëhen 15 vjetë që unë luaj futboll.
A keni qenë pjesë edhe e ekipeve tjera, pos të atij të qytetit Rapperswillr -Jona?
Erza: Realisht kam marrë shumë oferta, por gjithnjë i refuzova. Kam pasur gjithmonë dëshirë të luaj për FC Rapperswill-Jona. Disa herë pata ftesë nga FC Basel, FC Zurich dhe skuadra të tjera, por i kam refuzuar.
Unë jam trajnuar tri herë me ekipin tim dhe dy herë me ekipin e djemve U15, kur isha 12 vjecare. Një vit kam luajtur për FC St.Gallen, por pastaj e ndërprejta, sepse nuk mundesha të luaja në dy ekipe.
A keni fituar cmime, tituj apo kupa?
Erza: Po, kam fituar disa herë cmime të ndryshme. Shumë herë jam zgjedhur lojëtarja më e mirë, shumë herë kemi marrë kupën e vendit të parë si skuadër dhe disa herë bashkë me motrën time jemi zgjedhur si lojëtaret më të mira, që nuk e kemi lëshuar fushën për 90 minuta, sepse trajneri e ka parë të domosdoshme pjesëmarrjen tonë në fushë gjatë lojës.
Përse e keni zgjedhur pikërisht futbollin?
Erza: Kam zgjedhur futbollin, sepse mendojë që kam lindur me këtë pasion. Qysh e vogël, pak nëse kam pasur kohë të lirë kam luajtur me top. Në dhomë, në oborr, në garazh cdo kund. Si të vogla neve na ka mjaftuar ta kemi një top dhe një bicikletë dhe kemi qenë fëmijët më të lumtur. Po aq e lumtur jam edhe sot, për mua futbolli është gjithcka. Më plotëson, më bënë të jem vetvetja dhe të jem e lumtur që po luaj.
Kjo ishte intervista me dy motrat, Djellzën dhe Erzën, të cilat kanë korrur shumë suksese në futboll në Zvicër. Urojmë që ti shohim gjithmonë lartë e më lartë, sepse suksesi i tyre, nuk do të thotë sukses vetëm për ato. Suksesi i tyre, është krenari për të gjithë shqiptarët kudo që janë.
Vajzat shqiptare kudo nëpër botë po tregojnë se sa të suksesshme dhe të afta janë. Në Zvicër, këtë po e bënë Djellza me Erzën.


































