Gjykata që po e gjykon UÇK-në ka filluar t’i «edukoj» fëmijët përmes propagandës së kamufluar
Nga Ibish Neziri
Në Kosovë tashmë është konfirmuar zyrtarisht se përfaqësues të Dhomave të Specializuara të Kosovës kanë mbajtur ligjërata me nxënës dhe studentë, përfshirë edhe një shkollë të mesme. Ato janë paraqitur si aktivitete “informuese” mbi mandatin dhe procedurat e gjykatës.
Por mënyra, koha dhe rrethanat në të cilat janë zhvilluar këto ligjërata ngrenë shqetësime serioze politike, juridike dhe morale. Pyetja nuk është më nëse kanë ndodhur, por pse janë mbajtur pa transparencë, në një moment tejet të ndjeshëm politik dhe pikërisht para nxënësve, pothuajse fëmijë.
Vetë Gjykata Speciale ka pranuar se po mban ligjërata me nxënës dhe studentë në Kosovë. Ndërkohë, institucionet arsimore vendore kanë dhënë deklarata kontradiktore: nga mohimi fillestar, te arsyetimi se aktiviteti është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), e deri te reagimi i Drejtorisë së Arsimit të Prishtinës, e cila ka bërë të ditur se ligjërata është mbajtur pa autorizimin e saj dhe ka paralajmëruar masa.
Ky konfuzion institucional nuk është teknik. Ai dëshmon mungesë transparence dhe shmangie përgjegjësie për një aktivitet që përfshin nxënës, ndoshta ende të mitur, të rinjë dhe një organ gjyqësor aktiv.
Ligjëratat janë mbajtur në prag të fazës përfundimtare të gjykimeve në Hagë, në kohën kur priten fjalët përfundimtare të të akuzuarve dhe kur procesi po hyn në fazën vendimmarrëse. Në praktikën e drejtësisë penale ndërkombëtare, një gjykatë nuk zhvillon fushata “edukuese” gjatë një procesi aktiv, e aq më pak në shkolla të mesme. Kjo nuk është edukim juridik, por është menaxhim i perceptimit publik.
Pretendimi se këto ligjërata janë neutrale bie vetvetiu, kur merret parasysh se ato mbahen nga një gjykatë që po zhvillon procese aktive, për një audiencë pa kapacitet kritik juridik dhe pa debat të hapur e pa ballafaqim argumentesh. Nxënësit e shkollave të mesme nuk janë publik akademik, por objekt i formësimit narrativ.
Nga salla e gjyqit në klasë, rol që nuk i takon drejtësisë
Ushtria Çlirimtare e Kosovës po trajtohet gjithnjë e më shumë jo vetëm përmes përgjegjësive individuale, por si problem juridik dhe historik kolektiv. Përmes diskursit gjyqësor dhe tashmë edhe përmes këtyre ligjëratave, po promovohet logjika e rrezikshme e ashtuquajtur “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
Ky koncept bie ndesh me parimin themelor të së drejtës penale, përgjegjësinë individuale dhe synon zhvendosjen e fajit nga agresioni shtetëror serb te një faj i supozuar kolektiv shqiptar.
Edhe sot, publiku nuk e di saktësisht çfarë u është thënë nxënësve. Nuk ka materiale të publikuara, nuk ka regjistrime, nuk ka debat publik. Kjo mungesë transparence nuk është mangësi e kritikëve, por mangësi serioze e ideatorëve dhe organizatorëve. Në një shoqëri demokratike, drejtësia nuk ligjëron fshehurazi dhe shkolla nuk përdoret për qejfe të askujt, qofshin ato edhe të Gjykatës Speciale.
Sjellja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, e shfaqur përmes mbajtjes së ligjëratave në shkolla dhe institucione arsimore, ka prodhuar shqetësim të dukshëm dhe reagime publike. Kjo është dëshmuar edhe nga qëndrimi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila e ka cilësuar këtë qasje si veprim që “nuk i shërben drejtësisë” dhe që ka dëmtuar besueshmërinë e proceseve, por edhe nga reagime të autoriteteve arsimore të Prishtinës dhe të opinionit publik. Kur një veprim ngjall reagime të tilla të gjera dhe të ndryshme, problemi nuk është perceptimi i publikut, por vetë veprimi që i ka shkaktuar ato. Një përgjegjësi e drejtpërdrejtë bie mbi drejtorët e shkollave që kanë lejuar keqpërdorimin e shkollës si institucion publik për zhvillimin e këtyre ligjëratave pa autorizim institucional dhe pa transparencë. Në këtë rast, nëse vije deri te dorëheqja, ajo nuk duhet pranuar, sepse ajo është formë shmangieje, jo përgjegjësie. Këta drejtues duhet të shkarkohen me procedurë të përshpejtuar, pasi kanë shkelur besimin publik dhe kanë lejuar që institucioni shkollor të përdoret për qëllime politike, me një fjalë të keqpërdoret. Shkollat nuk janë pronë personale e askujt dhe as hapësirë eksperimentimi për narrativa të importuara.
Ky shkrim nuk është kundër arsimit dhe as kundër debatit juridik. Është kundër përdorimit të shkollave për qëllime politike, kundër fshehtësisë si metodë dhe kundër manipulimit të qëllimshëm të kujtesës kolektive.
Drejtësia nuk ka nevojë të fshihet dhe e vërteta nuk imponohet nëpër klasa.
Kur gjykatat fillojnë të “edukojnë” nxënës gjatë gjykimeve që vetë po i zhvillojnë, sikur se kjo e «madhërishmja» jonë Speciale, nuk kemi më drejtësi – kemi politikë të veshur me togë.

























