21.5 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

Fitore e historike e Lëvizjes Vetëvendosje

Fitore e thellë e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 28 Dhjetorit në Republikën e Kosovës!

 

Urime Lëvizjes Vetëvendosje për fitoren dhe urime Kryeministrit Albin Kurti dhe gjithë stafit të tij! 

Nga Safet SADIKU 

Kjo fitore është konfirmim i besimit qytetar në qeverisje me integritet, përgjegjësi dhe në funksion të shtetit. Urojmë punë të mbarë dhe suksese në përmbushjen e pritjeve të qytetarëve dhe forcimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Rezultati zgjedhor dëshmoi qartë se propaganda e mediave joobjektive nuk arriti ta deformojë vullnetin qytetar. Votuesit e refuzuan manipulimin dhe narrativat e fabrikuara, duke i dhënë përparësi funksionalitetit të shtetit, stabilitetit institucional dhe qeverisjes me integritet. Kjo fitore nuk është thjesht numerike, por politike dhe qytetare. Njëkohësisht është edhe një mesazh i fortë se shoqëria jonë po pjeket dhe po kërkon shtet që funksionon, drejtësi, sovranitet dhe përgjegjësi publike. Qytetarët treguan se besimi fitohet me punë dhe rezultate, jo me frikë, sensacionalizëm apo interesa të ngushta mediatike. 

Liderët e opozitës morën leksionin më të qartë nga votuesit, pasi dështuan të tregojnë gatishmëri për kompromis politik apo përgjegjësi minimale në funksion të interesit shtetëror. Në vend të bashkëpunimit institucional, ata praktikuan vazhdimisht sabotimin si logjikë të trashëguar politike, duke e mbajtur vendin peng dhe në gjendje ngecjeje. Demokracia dhe institucionet u trajtuan si pronë personale, e jo si amanet i dhënë nga qytetarët që u kishin besuar votën. Ky kalkulim i gabuar politik nga partitë e opozitës u demaskua nga vetë elektorati. Këto sjellje dëshmuan se besimi i qytetarëve ndaj tyre kishte rënë shumë më herët dhe shumë më thellë sesa ata përpiqeshin të justifikonin përmes propagandës, duke ia faturuar fajin Lëvizjes Vetëvendosje. Ata që vepruan në dëm të burimeve financiare të Kosovës, në këto zgjedhje morën mesazhin e merituar. Që nga koha e pandemisë, kjo opozitë dhe kjo kastë politike e opozitës i kanë shkaktuar Kosovës humbje të mëdha financiare, dëme institucionale dhe dëm serioz moral, duke prodhuar imazh të keq dhe mosbesim ndaj shtetit. 

Qytetarët reaguan qartë ndaj këtyre praktikave, duke refuzuar politikat që sollën bllokim, keqpërdorim dhe dështim, dhe duke zgjedhur përgjegjësinë, transparencën dhe interesin publik mbi kalkulimet personale dhe partiake. Opozita dëshmoi edhe një herë se asnjë nga liderët nuk i besonte njëri-tjetrit, duke mos arritur asnjë marrëveshje paraprake, sepse secili kërkonte poste dhe po rritej pazari politik edhe mes vetes. Interesi personal u vendos mbi interesin shtetëror. Ky realitet u lexua shumë qartë nga votuesit, të cilët e kuptuan se mungesa e unitetit, vizionit dhe përgjegjësisë nuk mund të prodhojë alternativë serioze për qeverisje. Por, Albin Kurti nuk u ndal. Ai pa përpara dhe u angazhua vazhdimisht për ta bërë më të mirën për vendin. Kjo qasje konsekuente u shndërrua në bindje te qytetarët, bindja në besim, e besimi në votë. Sot, ky besim qytetar i jep mundësinë të formojë qeverinë pa pasur nevojë t’u lutej partive të vogla, përsëri të opozitës, të cilat bënë injorimin dhe bllokimin e themelimit të institucioneve të shtetit. Kjo është fitore e punës, këmbënguljes dhe përgjegjësisë politike. Punë të mbarë, Kryeministër Albin Kurti!