Më 24.10.2022 në objektin e Kino Le Paris në Zürich të Zvicrës u bë promovimi i filmit “Nëna Terezë dhe Unë”, një produkcion zvicerian- indian me regji të dhe skenar të Kemal Musales.
Filmi paraqet një një histori me dy breza paralelesh, atë të Nënë Terezës, me mjeshtërin e madhe të luajtur nga aktorja Jacqueline Fritschi-Cornaz, dhe të Kavitës (Banita Sandhu), dy grave të cilat përfundimisht i binden thirrjes së tyre, pavarësisht dyshimeve të mëdha personale me të cilat ballafaqohen në jetë.
Këto dy histori të lidhura fort me jetën e Nënë Terezës na tregojnë gruan mbrapa mitit, në një dimension krejtësisht të ri.
Përkatësia shqiptare e Nënës Terezë dhe prejardhja e saj nga Shkupi, përbëjnë elemente të rëndësishme në këtë film, e aq më shumë që shfaqja e tij e parë në Zvicër u nderua me fjalë rasti nga Përfaqësuesja permanente e Republikës së Maqedonisë së Veriut në OKB në Gjenevë, znj. Teuta Agai-Demjaha dhe nga ana e Drejtorit të Shtëpisë Përkujtimore të Nënës Terezë në Shkup, z.Naser Curri.
Me këtë rast, z.Curri, si shenjë respekti dhe mirënjohje, aktores Jacqueline Fritschi-Cornaz i dhuroi një medaljon me portretin e Nënë Terezës.
Ky film do të fillojë të shfaqet për publikun zvicerian (pjesën gjermano-folëse) prej 27.10.2022, ndërsa në atë françeze, prej datës 07.12.2022.

























