19 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

Festa “Vallja 2022” në Kalabri, kulmoi me defileun e dhjetëra grupeve arbëreshe

Në manifestimin e djeshëm madhështor në ngulimet arbëreshe Çifti ( Civita ) dhe Frasnitë (Fracineto), me praninë edhe të presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta (pas dy vjetësh pauze shkaku i pandemisë), u mbajt “Festa e Valleve”, një ngjarje kjo kulturore, që kultivohet prej shekujsh në Kalabri.- Meta gjatë kësaj vizite nderoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” shkrimtarin dhe publicistin e spikatur arbëresh, profesorin Vincenzo Bruno, si dhe vizitoi Bibliotekën ndërkombëtare të ikonës së Arbërisë, Antonio Bellusci, i cili e njftoi me këtë fond të rrallë të kulturës arbëreshe dhe shqiptare në përgjithësi .- Në këto manifestime pati edhe mjaft mërgimtarë tanë nga shtetet perendimore, ndërsa që krahas flamurit kombëtar ishte edhe ai i shtetit të Koosvës

Foto dhe teksti: Rexhep Rifati

Dje e tërë dita ishte e përmbushur me ngjarje të shumta kulturore në dy ngulimet më të veçanta arbëreshe Çifti dhe Frasnitë ku edhe u zhvillua manifestim tradicional 5- shekullor “Vallja”, që kësaj radhe mysafir të veçantë pati presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, i cili brenda pak vitesh ka vizituar një numër të mirë të ngulimeve arbëreshe. Festa u shoqërua edhe me vizita në dy bashkësitë arbëreshe, ku bashkiakët e këtyre lokaliteteve i shprehën mirënjohje presidentit Meta, ndërsa që vet Meta shprehi admirimin për komunitetin arbëresh i cili arriti që për më se pesë shekuj të ruaj gjuhën, traditën dhe ritet e të parëve, pa pasur mundësi të ndjek shkollimin amtar.

Gjatë kësaj vizite Meta në takimet e organizuara nga dy bashkiakët  arbëresh, vuri në dukje se duhen ndërmarrë sa më shumë nisma konkrete për mbrojtjen e minoritetit arbëresh, duke shtuar kontributin tonë në regjistrimin e trashëgimisë arbëreshe, Moti i Madh, në UNESCO, dhe duke ngritur një Instituti të Kulturës Shqiptare në Romë. Shtoi gjithashtu se: “Arbëreshëve ju jemi përherë shumë mirënjohës për faktin se e ruajtën me shumë dashuri figurën .Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Më tej tha se: “Ju jemi falënderues figurave të shquara të letërsisë sonë: Jeronim De Rada, Gavril Dara dhe Zef Serembe, personaliteteve historike si Antonio Gramshi, Kryeministri Crispi e shumë figurave të tjera të shquara arbëreshe dhe vlerësojmë kontributin e arbëreshëve, jo vetëm për pavarësinë e Shqipërisë, por edhe për atë të Italisë, duke shërbyer si urë lidhëse midis dy vendeve mike.” – nënvizoi më tej Presidenti i Republikës së Shqipërisë i cili me këtë rast nderoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” shkrimtarin dhe publicistin arbëresh, profesorin Vincenzo Bruno: “ për kontributin e çmuar në fushën e gjuhësisë e letërsisë, nëpërmjet krijimtarisë së vyer me publikime të pasura në gjinitë e teatrit, poezisë, romaneve e gazetarisë, si dhe në edukimin dhe formimin e brezave të rinj. …”

Më pastaj Meta vizitoi Bibliotekën ndërkombëtare të Bibliotekën ndërkombëtare të ikonës së Arbërisë, Antonio Bellusci, e cili e njoftoi presidentin Meta  me dhe suitën e tij, në mesin e të cilëve edhe Neritan Ceka,  me historikun e themelimit të kësaj biblioteke që ruan mbi 6 mijë ekzemplarë librash me një vlerë  të jashtëzakonshme e ku me qindra studiues kanë nxjerrë materiale për punimet e tyre shkencore.

Më pastaj rrugëve e shesheve të këtyre dy lokaliteteve, grupe të shumta artistike me kostume kombëtare krijuan një atmosferë spektakli me këngë e valle arbëreshe, një dëshmi e gjallë kjo se gjuha, tradita dhe kultura arbëreshe, përkundër sfidave dhe globalizmit në rritje, do të mbijetojë si edhe kaq shekuj me radhë.

Karakteristike ishte se në disa nga objektet e kulturës arbëreshe, siç ishte biblioteka e Antonio Belluscit krahas flamurit kombëtar, valnte edhe flamuri i Republikës së Kosovës, e po në këtë ambient libri përcjellja e mysafirve u bë me këngë arbëreshe nga motra Rina Bellusci 85 vjeçare e cila bashkë me Antonion kënduan këngë për kryetrimin tonë dhe «Jepma dorën e vëllezër».