20.9 C
Zürich
Dienstag, September 15, 2026

Çmimi Nobel 2025 për letërsi

Nga errësira e Handkes te kthjelltësia e Krasznahorkait

Nga Shqipe Bytyqi

Çmimi Nobel për Letërsi ka qenë gjithmonë më shumë se një vlerësim letrar. Ai është një akt moral, një gjykim mbi ndërgjegjen njerëzore. Por më 2019, kur Peter Handke u shpall fitues, kjo ndërgjegje u trondit. Në vend të nje zëri që ndriçon njeriun përmes fjalës, Akademia Suedeze zgjodhi një shkrimtar që kishte mohuar krimet te cilat kërkonin drejtësi. Qëndrimi i Handkes ndaj gjenocidit në Srebrenicë ishte një dështim moral që e vuri në pikëpyetje vetë idenë e humanizmit letrar. Ai relativizoi të keqen dhe ne emër të artit kërkoi të shpëtonte farsën e një krimi. Në atë çast, Nobeli e humbi përkohësisht kuptimin e tij si simbol i ndërgjegjes universale.

Vitet pasuese nuk arritën për ta rikthyer balancën. Fituesit si Annie Ernaux dhe Jon Fosse me prirje të veta ideologjike apo shpirtërore nuk i kthyen nderin moral këtij çmimi, ndonëse ata nuk e çuan çmimin drejt një tronditjeje etike, sikur Handke.

Pas vitesh tensioni mes artit dhe moralit, çmimi i vitit 2024 me Han Kang shënoi kthimin e Nobelit te misioni i tij, të shpërblejë mjeshtërinë e fjalës por edhe ndërgjegjen që ajo fjale perfaqëson.” Qëndrimi i Han Kang eshte diametralisht i kundërt me atë të Handkes. Ajo i jep zë viktimave, trupave të lënduar, kujtesës dhe kërkon drejtësi.

Këtë kthesë e vulosi László Krasznahorkai para pak ditësh. Me vizionin e tij apokaliptik dhe gjuhën e dendur, ai solli përsëri në qendër artin si dëshmi e shpirtit, jo si justifikim/krijim i historisë. Krasznahorkai është ndoshta pikërisht ai lloj autori që i jep letërsisë një frymëmarrje të lirë pa asnjë kompromis moral apo ideologjik. Ai është njerëzor në përmasën më të thellë dhe pikërisht kjo i jep atë vulën e kthimit të Nobelit te thelbi i tij i pastër.

Vepra e tij më e njohur është romani Sátántangó (1985), një pasqyre e errët e një fshati që përjeton një rënie shpirtërore dhe shoqërore. Ky roman u adaptua në një film të gjatë nga regjisori hungarez Bela Tarr. Veprat e tjera të njohura të tij përfshijnë “Melankolia e rezistencës” (1989), “Luftë dhe luftë” (1999) dhe “Seiobo poshtë nesh” (2008).

Stili i tij njihet për përdorimin e fjalive të gjata dhe për një theks të fuqishëm në atmosferë më shumë sesa në ngjarje.

Çmimi Nobel për Laszlo Krasznahorkai në 2025 konfirmon fuqinë e artit për te eksploruar  shpirtin dhe krizën e shoqërisë, pa kurtha etike. Në këtë kuptim, 2025 shënon një moment reflektimi për Nobelin. Çmimi duhet të nderojë jo vetëm mjeshtërinë letrare, por edhe përgjegjësinë etike të autorit.

Pas errësirës së Handke-s, Nobeli më në fund u kthye në dritë.