Diçka diogjeniane
Diogjenin e lashtë sërish e imitova
E në pikë dite ndeza një fener
Siç po e shihni po e kërkoj veten
Po e kërkoj njeriun mbase diku del
Ditar i ditëve
E hënë-Oh nënë
E martë-Lumi mos na marrtë
E mërkurë-Kështu more deri kur
E enjte-Ç’pate që u kthjelle e u vrenjte
E premte-Qave e qeshe e u qaraveshe
E shtunë-Le se po shihet edhe kjo punë
E diel-S’po bën ndryshe përpos ta provosh edhe njëherë
Ditari i vitit
Data s’duhet të jetë vetëm numër
As java, as muaji, as stina
Viti s’duhet të jetë vetëm numër
Siç s’duhet të jetë as dita…
N’pragverë
Vjeshta ishte e ndritur e e mrrolltë
Dimri ish i butë me fare pak borë
Pranvera lahet me shi thuajse çdo ditë
Verë ardhsh si vera që e dëshirojmë
Mund të them se në prag të kësaj vere
Pashë ca shenja të ëmbla për të cilat u gëzova
Ca dredhëza mali në një park pishash
Dhe në lugun e gjelbër të Gërmisë një tufë me xixëllonja



























