21.5 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

Shqipe Bytyqi: Në Shtëpinë-bibliotekë të At Bellushit, ku mikpritja e libri përherë frymon

 

-Shtëpia e lindjes (pjesa e dytë)

Në ditën e dytë të qëndrimit tonë në Frasnitë, shtegu na çoi drejt shtëpisë ku lindi At Antonio Belushi. Një shtëpi arbëreshe, dykatëshe, me mure guri që mbajnë ende aromën e kohërave të kaluara, me shkallë që zbrisnin ngadalë drejt rrugicës se ngushtë. Në përdhes: kuzhina e vogël, dhoma e gjumit dhe dhoma e ditës ruanin heshtjen e përditshme të një njeriu me shpirt të madh. Librat, mobilet e vjetra, çdo gjë dëftonte një histori, një kujtim. Në katin e epërm , ku shpinin shkallët e ngushta spirale, sigurisht te ndërtuara më vonë ishte një dhomë e vogël, e shenjtë, ishte vend pune dhe meditimi. Librat, fotografitë e vjetra, diplomat, artefaktet dhe çdo objekt rrëfente për një jetë të kushtuar dijes dhe kulturës. Mendova me vete: kjo shtëpi nuk guxon të humbasë, duhet të kthehet në muze, që fryma e saj te jetojë përjetë.

– Pritja te Motra Rina

Më pas, në bibliotekë, na priti motra e tij, zonja Rina. Na çoi në një dhomë të përdhesës private, me mobilje druri që mbajnë aromën e kujtimeve, një tryezė të madhe dhe një derë që hapej në oborr. Vajza që pėrkujdesej për te na shërbeu kafe në filxhanë të kuq, me shqiponjën e zezë, një rit i thjeshtë, por me peshë shpirtërore. Aty pranë ishte dhoma ku Ati kishte dhënë shpirt, dhe heshtja e saj ishte e rëndë, por e ngrohtë, sikur të thoshte: “Këtu gjithçka është e kujtesës.” Së bashku me Motër Rinën, kënduam këngë arbëreshe. Dhimbja dhe gëzimi u përzien në ajër, kujtesa mori zë, dhe zemrat tona u lidhën me jetën e tij. Sokoli, mjeshtri nga Parisi i dhuroi Rinës një kryq ikone filigrani, punuar me dorën e tij, një shenjë respekti dhe ngushëllimi që flet më shumë se gjitha fjalët.

-Biblioteka

Shkallët e gurta na çuan lart, ne bibliotekën që ndihej si një tempull i dijes. Çdo mur ishte mbuluar me libra deri në tavan, çdo hapësirë mbushej me frymë dhe kujtesë. Një kthinë pishtė bibliotekës ruante incizime audio e video, dëshmi që fjala e Atit nuk ishte vetëm e shkruar, por e gjallë, njė punë që priste duart e arta të Dr. Orneles për ruajtje dhe arkivim.

Shoh që Biblioteka “A. Belushi” nuk është vetëm një hapësirë leximi, por një hapësirë sakrale e kujtesës, ku arkitektura e thjeshtë tradicionale bëhet sfond për identitetin dhe trashëgiminë arbëreshe.

Arkitektura jashtë ruante tiparet e një shtëpie arbëreshe: dritare të vogla, ballkon hekuri me flamujt e Shqipërisë, Italisë, Kosovës e arbëreshëve që valonin në erë. Çdo dhomë, poshtė por edhe Biblioteka përmes një rampe hekuri kishte dalje në oborrin e brendshëm, që lidhej me një kopsht të gjatë, shumë tė gjatë. Kopsht ku At Belushi meditonte ose telefononte me orë tė tëra me Ornelen, gjersa propozonte ose zgjidhte probleme nga më tė ndryshmet lidhur me botėn arbëreshe.

Shtegu kalonte buzë kreshtores që të kujtonte malet e Krujës dhe çonte te parku i shtatores së At Belushit. Ajo, e mbështjellë me pëlhurë të kuqe, dukej si në gjumë, duke pritur ditën e nesërme kur do tė. Skulptori duarartë Gëzimi kishte bërë një vepër madhështore.

-Trashëgimia e gjallë

Atje ku libri takohet me shpirtin, kuptuam se At Belushi nuk la pas vetëm libra. Ai la njerëz qe mbanin gjallë rrugën e tij. Vëllai Tomasi, me heshtjen e qetë dhe qëndresën e butë, ruante çdo kujtim. Dhe krahun e djathtë të Atit, Dr. Ornela Radovicka, qe punonte pa u lodhur qe trashëgimia të mos shuhej, duke lidhur të kaluarën me të ardhmen. Ata ishin ura mes kohërave, mbajtës te zërit të Atit dhe të dritës së tij që do të ndriçojë brezat e rinj. Në krahët e tyre ndihesin ende gjurmët e dorës së At Belushit, një trashëgimi që gjallëron.

-Miqtë

Kur u kthyem, mbërritën edhe miqtë. Baci Rexhe me familjen, skulptori Gëzimi, Ibrahimi dhe Eminja nga Danimarka, dhe Michele, arbëreshi nga Gjeneva. Një vendim i tij më ka ngrohur zemrën prej kur e njoha. Ai kishte lidhur kurorë me një mjeke nga Kosova. A nuk është kjo mrekullia më e madhe? Gjak arbëreshi dhe shqiptar bashkë, ne një përqafim të heshtur por te fuqishëm.

Biblioteka atë ditë nuk ishte më thjesht nje shtëpi librash. Ishte nje shtëpi e gjallë, e mbushur me miqësi, dashuri dhe histori. Dhe unë kujtoj, me një dridhje në shpirt, se vetëm pak javë para ikjes së tij, ai na kishte thënë: “S’do ik para se të vini ju, poetët dhe krijuesit nga Lidhja Krijuesve Shqiptar të Mërgatës. Kam folur me atë lart, do t’ju pres.” Dhe na priti me zemër të hapur: na foli, na këshilloi, ndau mirënjohje për shumë prej nesh dhe madje drekoj me ne, edhe pse kishin kaluar muaj e muaj që nuk ngrihej nga shtrati. Javë më pas, u ngrit në qiell.

At Belushi ishte ende aty, jo vetëm si kujtesë, por si frymë dhe premtim i pavdekshëm.

Shqipe Bytyqi, shtator 2025