Pjesë nga romani në dorëshkrim: «Diplomacia e shterruar“
Nga Safet Sadiku
Kjo është arsyeja pse zhvillimet politike në Kosovë janë kaq shpesh të paralizuara. Pse Kuvendi nuk funksionon. Pse kryetari ende nuk po zgjidhet… Dhe pse?, pse? Sepse pengjet nuk kanë liri të veprimit. Dhe kur politikanët janë pengje, atëherë edhe e ardhmja e vendit mbetet në burg. Pas situatës shumë zhgënjyese në skenën politike të Kosovës zëri i qytetarëve po reagon në forma të ndyshme në shumë rrjete sociale,(me grumbullime të rastit), kryesisht për këto çështje të ndieshme të shënuara më poshtë. Ja disa pika kyçe që bien në sy, te shumica e atyre që me zërin e tyre po regojnë:
a) Analiza e së kaluarës politike shihet si domosdoshmëri për të ecur përpara dhe një reflektim kritik mbi historinë dhe mënyrës se si ajo vazhdon të ndikojë sot.
b) Akuzat për lidhjet e klasës politike me Serbinë janë të rënda, duke u konfirmuar si një varësi e thellë ekonomike dhe politike që i bënë vetë liderët tanë të kushtëzueshëm dhe të paaftë për të vepruar në mënyrë të pavarur. Ata këtë fenomen dhe akuzë të shëmtuar edhe sot ende e bëjnë ndaj njëri-tjetërit!
c) Kriza institucionale përmendet si pasojë direkte e kësaj situate, duke nxjerrë në pah edhe sabotimin dhe mungesën e bashkëpunimit mes liderëve politikë.
ç) Kritikat ndaj Albin Kurtit dhe qeverisjes së tij po tregojnë se edhe kur ka shpresa për ndryshim, ato shpesh zbehen nga kompromiset me figura të dështuara të së kaluarës.
Kur të njëjtët politikanë që bëjnë marrëveshje nën tryezë, dalin në podium për të akuzuar, dikë tjetër atëherë institucionet kthehen në një shfaqje absurde. Ato nuk janë më mjete të shërbimit publik, por skena për hakmarrje, për sabotim dhe bllokim. Për shembull, kriza e gjatë në formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të vitit 2021 ishte e pastër si xham, pasi shumica ekzistonte, por koalicioni funksional nuk arrihej, sepse partitë më shumë kërkonin hakmarrje ndaj njëra-tjetrës sesa bashkëpunim për qytetarët. Kjo çoi në vonesa të mëdha në miratimin e buxhetit, në ndaljen e projekteve dhe humbje të fondeve ndërkombëtare.
Zëri i qytetarëve: Kur politika ndërtohet për ta rrëzuar të vërtetën! Në ulurimat e tyre, ata të grumbulluarit, e përsëritën disa herë këtë fjali. Pastaj njëri nga ta, e mori fjalën duke u marrë vesh mes veti që të flasim secili me radhë për faktet e këtij realiteti politik shumë të hidhur në vendin tonë. Institucionet janë shtylla e një shteti; Aty ku lind besimi qytetar dhe ndërtohet autoriteti i ligjit. Por në Kosovë, ato shpesh nuk janë më shumë se sa skena të zbrazura ku luhen tragjeditë e një politike që vepron pa përgjegjësi dhe pa moral. Kriza institucionale nuk ka ardhur si ndonjë goditje e papritur nga jashtë! Ajo është fryt i drejtpërdrejtë i një sistemi që është ndërtuar për t’u sabotuar nga brenda. Çdo vonesë në formimin e qeverisë, çdo mosmarrëveshje për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, çdo seancë që mblidhet dhe shpërndahet pa produkt është pasqyrë e nivelit të një klase politike që nuk punon për konsensus, por për kaos. Nuk ka më vullnet për shtetndërtim, por vetëm vullnet për dominim. Secili lider është i përqendruar jo në ndërtimin e përbashkët të institucioneve, por në rrënimin e kundërshtarit, edhe nëse me këtë rrënohet edhe vetë institucioni. Në këtë teatër të përçarjes, sabotohet gjithçka që ka vlerë. Sabotimi është bërë strategji. Marrëveshjet prishen jo pse janë të këqija, por sepse janë bërë nga “tjetri”. Propozimet rrëzohen jo pse janë të dëmshme, por sepse duhen ndëshkuar ata që i propozuan. Ky mentalitet me norma hakmarrjeje e ka kthyer Kuvendin e Kosovës në një vend ku fjalët nuk peshojnë dhe vendimet nuk mbajnë. Politika është shndërruar në një lojë fëmijësh me gurë, ku secili tenton të ndërtojë vetëm për ta shembur të nesërmen. Por, kjo krizë nuk është vetëm teknike? Ajo është morale dhe përfaqësuese, e cila po dëshmon se nuk ka etikë. Kur institucionet nuk funksionojnë, populli nuk ndjehet më i përfaqësuar. Kur vendimet nuk merren, shpresa nuk ushqehet. Kur liderët nuk bashkëpunojnë, atëherë edhe më i thjeshti nga qytetarët kupton se kjo lojë nuk bëhet për të, por mbi të. Në një shtet të brishtë si Kosova, çdo krizë institucionale është më shumë se një mosmarrëveshje politike, është një kërcënim për vetë ekzistencën e shtetit. Sepse në mungesë të institucioneve funksionale, vendi mbetet si një trup pa shtyllë kurrizore, i paaftë për t’u ngritur, i dënuar të zvarritet në baltën e mosmarrëveshjeve pa fund…
Zëri i qytetarit (7): Fytyra që flasin keq për veten, bëjnë që edhe imazhi i Kosovës vazhdon të mbetët si peng i grindjes politike! Nuk ka ambasador më të keq për një shtet se sa një politikan që për çdo problem fajëson vendin e vet. Liderët tanë në vend që të mbrojnë reputacionin e Kosovës, e rrëzojnë atë për të ngritur veten. Kjo është diplomacia e shterruar, kur lufta e brendshme gërryen përfaqësimin e jashtëm. Në vitin 2022, gjatë një debati ndërkombëtar për njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së, njëri prej liderëve tanë e cilësoi qeverinë aktuale si “të paaftë dhe të papërgjegjshme” në një intervistë për një gazetë gjermane. Në vend që të lobonte për vendin, ai përdori platformën për të diskredituar rivalët e vet. „Por në sytë e botës, ishte vetë Kosova që u diskreditua“. Në diplomaci, përfaqësimi është gjithçka. Dhe kur përfaqësuesit e një vendi flasin keq për njëri-tjetrin para botës, ata nuk nënçmojnë vetëm kundërshtarin, por ata njollosin imazhin e shtetit. Liderët tanë janë bërë të zellshëm në këtë vetë-shkatërrim, duke ndihmuar, shpesh pa vetëdije, narrativën e kundërshtarëve ndërkombëtarë. Ai politikani, nuk fliste si një opozitar në luftë politike, por si një zë që i shtonte zjarrit ndërkombëtar mbi legjitimitetin e shtetit. Kur flasim keq për vendin, askush nuk na beson më; as miqtë, as armiqtë.
Zëri i qytetarit (12): Në epokën tonë, ku bota është një pasqyrë digjitale dhe imazhi vlen më shumë se fjala, mënyra se si përfaqësohet një shtet në sytë e botës përcakton fatin e tij diplomatik. Dhe fatkeqësisht, Kosova shpesh del në këtë pasqyrë si një vend që nuk di të qeverisë veten, që grindet në vend që të qeverisë, që ulëret në vend që të dëgjojë. Liderët tanë politikë janë bërë mjeshtër të diskreditimit publik. Në vend që të ndërtojnë ura bashkëpunimi, ata hapin gropa për njëri-tjetrin. Në vend që të krijojnë besim në institucione, ata përhapin mosbesim me çdo deklaratë publike, çdo konferencë, çdo postim. Fushatat elektorale janë kthyer në gjyqe publike ku çdo kandidat dënon kundërshtarin e tij si të korruptuar, të paaftë, të kapur dhe pastaj çudia e madhe shpesh ka ndodhur: të njëjtit bëjnë aleanca të përkohshme për të ndarë pushtetin si një tortë të mbetur! Ky komunikim ka vlerën zero. Por kjo sjellje nuk mbetet brenda mureve të Kuvendit apo kafeneve të Prishtinës. Ajo përkthehet në perceptim ndërkombëtar. Diplomacia e huaj nuk është spektator i padukshëm. Ajo dëgjon, sheh dhe gjykon. Kur përfaqësuesit tanë flasin për njëri-tjetrin me përçmim, çfarë mesazhi i dërgojnë aleatëve? Kur ne e shajmë vetveten para botës, pse duhet bota të na respektojë? Për më tepër, vendet e huaja që kanë qenë për shumë vite dhe ende mund të jenë në vazhdimësi donatorë, investitorë, partnerë strategjikë. Unë kam frikë, se këto shtete, këta donatorë, në një moment, (por edhe tani) nuk i afrohen në këto rrethana, një terreni ku tensioni është normë dhe stabiliteti është përjashtim. Nuk mund të investosh në një shtëpi ku banorët rrahin njëri-tjetrin çdo mëngjes. Nuk ka interes të qëndrueshëm në një vend ku çdo qeveri është në krizë, çdo ministër është nën dyshim, dhe çdo projekt zvarritet nga grindjet politike. Në vend që ta paraqesin Kosovën si një demokraci të re, por ambicioze, liderët tanë shpesh e shfaqin atë si një dramë të lodhur, që rrotullohet pa zgjidhje në rrathë të njëjtë konflikti. Kjo ka krijuar një imazh të rrezikshëm, jo si viktimë e padrejtësisë ndërkombëtare, por si viktimë e vetvetes! Hallo Lulja! Vetëm kur politika të ndalojë së foluri keq për vendin, Kosova do të fillojë të dëgjohet ndryshe në botë. Ndryshe i bie që për t’u bërë ky ndalim duhet të ndalen sponzorisuesit e këtij marketingu me kaq negativitet, që interpretohet nga goja e klasës politike!
Zëri i qytetarit (15): Kur ndryshimi vjen me fytyra të vjetra, idealizmi praktikisht po shuhet në praktikë! Në vitet e fundit, një shpresë e madhe u ngrit mbi emrin e Albin Kurtit, një figurë që për shumë qytetarë përfaqësonte zërin e ndershmërisë, rebelin e politikës së lodhur, simbolin e luftës kundër korrupsionit dhe padrejtësisë. Ai nuk u pa thjesht si një politikan, por si një përmbysës i sistemit, si dikush që do të vinte në pushtet për ta rrëzuar atë që pushteti kishte degraduar për vite me radhë. Por koha tregoi se idealet, sado të forta të jenë, ato do të zbehen kur përplasen me realitetin e egër të pushtetit. Në përbërjen e qeverisë së tij, shumë qytetarë panë jo një thyerje të së vjetrës, por një rikthim të saj. Figura të ricikluara, njerëz që më parë ishin parë si produkt i dështuar i politikës, tani morën poste të reja me premtime të vjetra. Në vend që të ndërtohej një kabinet i pastër, u krijua një përzierje në mes të resë dhe të konsumuarës, që i bie në gjuhën popullore, si një “hangar me dy lugë”, ku „ndryshimi“ u ngatërrua me „përsëritjen“.
Kur dikush vjen në pushtet me premtimin për të shëruar plagët, por përdor perventivat dhe mjetet e vjetra të kërkimit të shërimit të sëmundjes, atëherë edhe shpresa më e ndritur fillon të zbehet. Dhe kështu ndodhi. Qeverisja nuk mundi të krijojë stabilitet, nuk arriti të formojë institucione të qëndrueshme, dhe në vend që të udhëhiqte dhe të ishte si shembull, nisi të përfshihej në po ato lloj përplasjesh që dikur i kishte dënuar me forcë. Dështimi nuk qëndron vetëm te emrat e përzgjedhur, por te parimi i lëshuar. Sepse kur ndryshimi fillon të bëhet kompromis, ai pushon së qeni ndryshim. Dhe kur ndërtimi i një të ardhmeje të ndershme mbështetet mbi gurët e kalbur të së kaluarës, atëherë edhe godina më e bukur rrënohet që nga themelet e saj. Ky kthim prapa nuk ndodhi rastësisht. Përkundrazi, ishte një proces i paralajmëruar nga vetë mënyra se si funksionon politika në rajon, e sidomos në vendin tonë. Një sistem që „nuk lejon ndërtim të ri pa lejen e të vjetrit“. Një realitet ku edhe më të sinqertët, nëse nuk i qëndrojnë fort parimeve, thithen nga graviteti i një bote që di të thyejë çdo ideal. Në fund, Kosova nuk ka nevojë për udhëheqës që dinë të flasin për drejtësi, por për udhëheqës që dinë ta bëjnë atë realitet, qoftë edhe duke sakrifikuar mbështetjen, aleancat apo komoditetin personal. Sepse ndryshimi i vërtetë nuk ndodh kur e merr pushtetin, por kur refuzon ta përdorësh siç e kanë përdorur të tjerët para teje. Ky krahasim është ekskluziv për Kryeministrin Kurti!
Zëri i qytetarit, (18): Qeveria e Albin Kurtit erdhi me valën më të madhe të mbështetjes popullore në historinë e Kosovës. Por ajo valë u përplas menjëherë me bregun e realitetit të vjetër. Premtimi për qeverisje të re u zbeh kur emrat e vjetër u kthyen në kolltuqet e rinj. Një shembull i fortë ishte përfshirja në poste kyçe e figurave që dikur kishin qenë pjesë e qeverive të kritikuara nga Vetëvendosje. Njëri prej tyre, i njohur për dështimet në sistemin arsimor, u emërua sërish në pozitë drejtuese. Reagimi qytetar ishte: “Ky është ndryshimi që na premtuat?” Kur e njëjta dorë që dikur kishte dështuar, shtrihet sërish për të ndërtuar, ndërsa rezultati mbetët shumë i hidhur, është rrëzim i njëjtë. Pra gati shumëzim me zero! Për arsyen se, u futën këmbtë e reja në këpucë të vjetra.
Shteti mbetët i ngrirë!
Turma: Diplomacia është vetëm një emër në letër…
Zëri i qytetarit (26): E kaluara që nuk po kalon. Nevoja për përballje politike me historinë, sepse historia jonë politike është si një shtëpi që ka pësuar tërmet pas tërmeti, por asnjëherë nuk është rindërtuar nga themelet. Në vend që të analizojmë gabimet, ne i kemi mbuluar me batanije të harresës. Dhe në këtë mënyrë, gabimet janë bërë trashëgimi. Për shembull, marrëveshja e vitit 2007 për decentralizimin, që nisi si pjesë e planit Ahtisaari, mbeti një plagë e pambyllur. Ajo nuk u debatua mjaftueshëm në publik, nuk u analizua thellë, dhe u kthye në mjet rreziku që Serbia më vonë e përdori për të kërkuar “Zajednicën”. Të mos mësosh nga një marrëveshje e gabuar do të thotë ta ripërtërish gabimin e saj në forma të reja. Pra, ajo që po na dëmton, qysh nga e kaluara është nënshtrimi politik ndaj Serbisë. Shembull i kësaj logjike është marrëveshja për decentralizimin në vitin 2007. E miratuar pa debat të thelluar publik dhe me mungesë transparence, ajo u përdor më pas nga Serbia si themel për kërkesën e famshme për “Zajednicën”, si një strukturë e ngritur që kishte dhe ende ka për qëllim ta rrafshon vetë sovranitetin e Kosovës. Mungesa e përballjes me atë gabim, prodhoi kriza të reja, që sot i ndjejmë si plagë të hapura. Për vite me radhë, pjesa veriore e Kosovës u la në një status të paqartë, jo për shkak të mungesës së kapacitetit institucional, por për shkak të lidhjeve ekonomike e politike, që fatkeqësisht shumë liderë, siç e akuzojnë ata njëri-tjetrin, thonë „se kanë gjetur rehati“ me rrjetet kriminale të koordinuara nga Beogradi. Heshtja ndaj veprimtarisë ilegale në Veri ishte prova më e qartë se dikush, diku, po përfitonte nga ky “mosveprim”. Shumë nga politikanët që sot flasin për shtet, në të kaluarën kanë ndërtuar pasurinë dhe ndikimin e tyre duke bashkëpunuar me sistemin e pushtuesit. Janë lidhje të ndërlikuara, që nuk duken në fjalime, por shfaqen në vendime të heshtura, në hezitime të qëllimshme, në kompromis pa kthim.
Pra, krizat institucionale në Kosovë nuk janë më rastësi, ato janë bërë sistem. Kuvendi funksionon vetëm kur palët kanë interes të përbashkët për pushtet, jo për qytetarë. Deputetët mblidhen jo për të ndërtuar, por për të bllokuar. Dhe kjo bllokadë nuk vjen nga jashtë, por është sabotim i brendshëm, i orkestruar me qëllim të qartë për mbajtjen e sistemit në krizë që mund të kontrollohet më lehtë. Kriza pas zgjedhjeve të vitit 2021 e dëshmoi këtë gjë në gjithë procesin demokratik. Tani edhe në vitin 2025 e njëjta sjellje po përsëritet me vetëdije nga shumë liderë politikë. Kjo histori është e njohur për qytetarët, pavarësisht se edhe atëherë ekzistonte shumica e qartë parlamentare, formimi i institucioneve u zvarrit pa nevojë me muaj të tërë, sepse partitë politike nuk ishin të interesuara për stabilitet, por për hakmarrje. Pasojat ishin të dukshme? Vonesë në miratimin e buxhetit, ndalje të investimeve dhe humbje të besimit qytetar etj.
Zëri i qytetarit (32): Lidhje të padukshme, pengje të dukshme. Politikanët tanë vetë deklarojnë se janë të varur nga Serbia! Nuk është rastësi që shumë figura politike të Kosovës janë gjithmonë të kujdesshëm ndaj Serbisë, më të zellshëm në heshtje se sa në qëndrim. Kjo nuk është diplomaci. Është frikë e strukturuar. Është pazari i bërë pas dyerve të mbyllura që tani po jep frytet e saja helmuese në dëm të Kosovës. Shembulli më i dukshëm ishte për shumë vite rasti i frikës nga shtrirja e kontrollit në Veri të Kosovës. Politika shqiptare në Kosovë shpesh ka vepruar me hezitim në atë zonë, jo për mungesë të ushtrisë apo policisë, por për shkak të interesave ekonomike të përbashkëta me strukturat e nëndheshme që kontrolloheshin dhe „ende kontrollohen“ nga Beogradi. Kjo është arsyeja pse Veriu mbeti “zonë gri”, për shumë vite edhe pas shpalljes së pavarësisë. Edhe qeverisja e fundit pavarësisht suksesit të shënuar në Veriun e Kosovës, e gjithë kjo logjikë e punës i takon kompleksitetit të marrveshjeve dhe kompromiseve, të cilat për publikun ende mbetën të padukeshme sepse pjesa administrative e funksionimit të shtetit me kushtëzime në atë zonë, ende është e pranishme si „politikë gri“ si e ngrirë, sidomos në faktorizimin e zonave ekonomike, siç është rasti te Miniera „Trepça“, e cila ka mbetur nën hijen e marrveshjeve politike të pdukshme!
Zëri i qytetarëve (46): Kur institucionet ndërtohen nga politika me pengmbajtje, krizat institucionale në Kosovë nuk janë më rastësi, ato janë bërë sistem. Kuvendi funksionon vetëm kur palët kanë interes të përbashkët për pushtet, jo për qytetarë. Deputetët mblidhen jo për të ndërtuar, por për të bllokuar. Dhe kjo bllokadë nuk vjen nga jashtë, por është sabotim i brendshëm, i orkestruar me qëllim të qartë, mbajtjen e sistemit në krizë me qëllim që të mund të kontrollohet më lehtë. Prandaj, ka rëndësi se cili deputet do të zgjidheh në krye të Kuvendit. Ka të tillë që konfirmimin e betimit e kanë bërë me kohë!
Zëri i qytetarit(70): Diplomacia si pasqyrë e vetvetes, në një botë ku shtetet ndërtojnë marrëdhënie mbi besim, seriozitet dhe përfaqësim të denjë, Kosova nuk mund të lejojë që zëri i saj të shterojë nga brenda. Një diplomaci e shterruar është pasojë e një politike të lodhur, të konsumuar nga vetvetja. Për t’u dëgjuar në botë, duhet së pari të dimë të flasim me njëri-tjetrin. Për të ndërtuar miqësi ndërkombëtare, duhet të kemi besim në veten tonë. Dhe për të qenë të lirë, duhet të jemi të çliruar nga e kaluara jonë e pashëruar. Shteti është si një pasqyrë, i cili në çdo moment reflekton atë që jemi, jo atë që pretendojmë të jemi. Derisa të mos jemi të gatshëm ta shohim veten në këtë pasqyrë me ndershmëri, nuk do të ketë as diplomaci të fortë, as të ardhme të qëndrueshme. “Diplomacia e shterruar” nuk është vetëm një titull, por është një gjendje e shpirtit politik të Kosovës. Është një reflektim i thellë mbi dështimet, frikërat dhe kompromiset që e kanë mbajtur vendin në vendnumërim. Kur e kaluara nuk analizohet, e tashmja po humbet me tërë busullën. Kur politika lidhet me të huajt, institucionet bëhen peng. Kur liderët grinden në vend që të qeverisin, dhe kur premtimet thyhen nga peshat e vjetra, atëherë shteti mbetet në një gjendje të përhershme pezullimi. Zgjimi nuk vjen nga jashtë. Ai fillon kur ne shohim veten në pasqyrë dhe pranojmë të vërtetën sa do e dhimbshme të jetë. Vetëm atëherë mund të fillojë diplomacia e re, e cila diplomaci do të përfaqëson jo interesat personale, por dinjitetin e një kombi të tërë.
Zëri i qytetarit (111): Në diplomaci, përfaqësimi është gjithçka. Dhe kur përfaqësuesit e një vendi flasin keq për njëri-tjetrin para botës, ata nuk nënçmojnë vetëm kundërshtarin, por ata njollosin edhe imazhin e shtetit. Po e përsëris: „Një diplomaci e shterruar është pasojë e një politike të lodhur, të konsumuar nga vetvetja. Për t’u dëgjuar në botë, duhet së pari të dimë të flasim me njëri-tjetrin. Për të ndërtuar miqësi ndërkombëtare, duhet të kemi besim në veten tonë. Dhe për të qenë të lirë, duhet të jemi të çliruar nga e kaluara jonë e pashëruar“.

























