14.5 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

“Trojet” e Winterthurit, në rrugën e rritës dhe afirmimit  

Ky ansambël nga Winterthuri, me mbi 40 anëtarë, që nuk ka më shumë se 5 vjet ekzistencë, shihet se ka bërë hapa avancues ne formësimin e tij, sidomos me një grup fëmijësh shumë të talentuar, me të cilët është punuar me përkushtim të veçantë

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati

Salla e madhe e Hotelit “Töss” në Winterthur, mbrëmë  u tregua e vogël për ti plotësuar nevojat e mërgimtarëve të shumtë që përcollën programin festiv të Ansamblit “Trojet”, po nga qyteti i Winterthurit. Ansambli defiloi në skenë me një program të përgatitur veçmas për Ditën e flamurit, në koreografi të Arsim Berishës, meqë rast impresionoi grupi i më të vegjëlve, përmes një loje të bukur që u prit me shumë përzemërsi.
Me këtë rast, pos anëtareve të këtij ansambli që udhëhiqet nga Zeqë Gashi  G, merrnin pjesë edhe aktorë të Teatrit “Aktrimi” nga Cyrihu, si dhe aktori i mirënjohur nga Kosova, Ismet Krasniqi  në moderim të aktores Fitore Vata, e cila pas disa vitesh doli sërish me sukses në skenë . Pjesë e programit ishin edhe motrat Fetahu, Mentor Mushkolaj, Rrezarta Beqiri dhe Flutur Bytyqi.

Në tubim përshëndeti , zonja Shukrije Ramadani Këshilltare për Kulturë në Konsullatën e Kosovës, ndërsa në emër të familjeve të dëshmorëve përshëndeti, Agim Pajazit, vëllai i heroit Zahir Pajaziti. Me këtë rast me mikun tim të veçantë, aktorin dhe shkrimtarin Ismet Krasniqi- Lala, këmbyem librat tona të posabotuara

Ansambli i “Trojet” , tashmë kur ka hy në vitin e 5 të ekzistencës, nga ajo që pamë mbrëmë në Winterthur, shihet se ka bërë hapa avancues si në rrit ashtu edhe në cilësi. Vet fakti se sot numëron në dy grupet mbi 40 anëtarë flet mjaft për hapat që ka bërë. Edhe atë në saje të vazhdueshme të Ansamblit që udhëhiqet nga Zeqë Gashi dhe udhëheqësi artistik, koreografi Arsim Berisha, që punën prej valltari e koreografi e ka filluar te ansambli i Valleve “Vatra” dhe e ka zgjeruar me sukses edhe te grupet tjera artistike.

“Trejoet” aktualisht kanë anëtarë thuaja se nga të gjitha trojet etnike, dhe bëjnë një mozaik në veti si për nga përkatësia gjeografike ashtu edhe ajo etnike. Sa për ilustrim,  drejtuesit e “Trojeve” përmendin artisten,  Martela Ujko këngëtare dhe moderuese me prejardhje nga Shkodra.

Por ajo që pamë mbrëmë në koncertin festiv kushtuar Ditës së Flamurit ishte grupi i fëmijëve që fascinoi me lojën e bukur me mjaft shije e elegancë për moshën fëmijërore ore, një përzgjedhje kjo me masë e shije nga dora e koreografit Berisha.

Po ashtu mësuam se për suksesin e këtij ansambli merita i përket punës në ekip që bëhet nga kryesia e cila gëzon edhe mbështetjen e anëtarëve por edhe të prindërve.