19 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

Takim frymëzues në Konsullatën e Kosovës në Cyrih

Takim frymëzues në Konsullatën e Kosovës në Cyrih me znj. Hana Syla, përfaqësuese e brezit të ri akademik shqiptar në Zvicër

Shefi i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, priti në një takim miqësor znj. Hana Syla, Presidente e Unionit të Studentëve për Shkenca Humane, Shoqërore dhe Politike në ETH Cyrih, një ndër universitetet më të njohura teknike dhe kërkimore në botë.

Znj. Syla është një ndër zërat e rinj më aktivë të diasporës studentore shqiptare në Zvicër. Ajo po ndjek studimet master në Politika Krahasuese dhe Ndërkombëtare dhe punon njëkohësisht si asistente kërkimore në këtë institucion prestigjioz. Studimet bachelor i ka përfunduar në Universitetin Eötvös Loránd në Budapest, duke ndërtuar një profil akademik të spikatur në fushën e shkencave shoqërore.

Me përkushtimin dhe angazhimin e saj, znj. Syla përfaqëson me dinjitet brezin e ri të të rinjve shqiptarë në Zvicër, që po arrijnë suksese të dukshme në jetën akademike e shoqërore. Ajo kontribuon aktivisht edhe në kuadër të Shoqatës së Studentëve Shqiptar “Studenti”, duke promovuar bashkëpunimin, solidaritetin dhe përfshirjen e studentëve shqiptarë në jetën universitare zvicerane.

Ky takim u vlerësua si një shembull frymëzues i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve diplomatike të Kosovës dhe përfaqësuesve të rinj të diasporës, që po dëshmojnë vlerat dhe potencialin e brezit të ri shqiptar në Zvicër.