Në një mbrëmje të ngrohtë kulturore në Cyrih, u përurua romani më i ri i autores dhe gazetares shqiptare Shqipe Sylejmani, “Stolz und Widerstand”, një vepër që i kushtohet figurës së gruas shqiptare — simbol i qëndresës, krenarisë dhe dinjitetit ndër breza.
Shefi i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, mori pjesë në këtë ngjarje letrare, ku përgëzoi autoren për kontributin e saj të çmuar në pasurimin e letërsisë shqipe në Zvicër dhe afirmimin e zërit të gruas shqiptare në mërgatë.
Romani sjell rrëfime të frymëzuara nga historia dhe kujtesa kolektive e popullit tonë, duke ndriçuar përvojat, sakrificat dhe forcën shpirtërore të grave shqiptare — nga gjyshet dhe nënat, tek motrat e bijat që kanë mbajtur gjallë lidhjen me identitetin dhe rrënjët kombëtare.
Z. Berisha theksoi rëndësinë e promovimit të krijimeve të tilla letrare që jo vetëm ruajnë kujtesën, por edhe frymëzojnë gjeneratat e reja për të vlerësuar dhe përçuar trashëgiminë kulturore shqiptare në mërgatë.
Redaksia e Transnacional.ch përgëzon për këtë botim të rëndësishëm, i cili me gjuhë të ndjerë dhe mesazh të fuqishëm i jep zë përvojës së gruas shqiptare në mërgatë dhe pasuron mozaikun e letërsisë shqipe në Zvicër.
(Fotot: Konsullata e Kosovës në Cyrih)




























