19.2 C
Zürich
Mittwoch, September 16, 2026

Shpenzohen rezervat shtetërore të Kosovës

Buxheti i Kosovës ka ndarë 4.8 milionë euro për rezerva shtetërore. Ndonëse gjatë këtij viti nuk kemi pasur ndonjë fatkeqësi natyrore që ato të shpenzoheshin, është bërë e ditur që Qeveria e Kosovës për tre mujorin e parë të këtij viti, ka shpenzuar rreth 2 milionë euro. Dhe këto shpenzime nuk kanë aspak të bëjnë me qëllimin për cka janë ndarë ato dhe janë shpenzuar për krejt qëllim dhe arsye tjetër.

Nga 4.8 milionë euro rezerva shtetërore, Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro për realizimin e aktiviteteve të shënimit të 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, 300 mijë euro për delegacionin shtetëror për procesin e dialogut, 143 mijë euro mbështetje për ekipin olimpik të xhudos “Ippon” në Pejë dhe 112 mijë euro për rregullimin e këndit të fëmijëve dhe Parkut të Paqes në Preshevë.

Po ashtu, janë ndarë 115 mijë euro për punën e Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, pastaj 171 mijë euro për kompensimin e shtesave dhe stimulimin financiar për vitin 2019 prokurorëve specialë, kurse për themelimin e Qendrës Përkujtimore në Bllacë – 100 mijë euro.

Vlerat tjera më të vogla se 100 mijë euro janë ndarë për Klubin e Prodhueseve, për renovim të shkollave, për mbulimin e shpenzimeve për shërim jashtë vendit, për Epopenë e UÇK-së në Dukagjin e të tjera, thuhet në Raportin tremujor financiar të Ministrisë së Financave.

Në bazë të ligjit, shpenzimet e paparashikuara apo rezervat shtetërore mund të shpenzohen vetëm në raste urgjente dhe të paparashikuara.

Organizatat përkatëse buxhetore mund të aplikojnë në Ministri për fonde shtesë, por që në aplikacion duhet të shpjegojnë arsyen pse këto fonde nuk kanë mundur të parashikohen.

Ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se vendimet e tilla të Qeverisë për shpenzimin e mjeteve në destinim tjetër nga ajo që e përcakton ligji, është mungesë e kulturës së menaxhimit të mjeteve buxhetore.