19.2 C
Zürich
Mittwoch, September 16, 2026

Bilanc i suksesshëm 20- vjeçar i Shkollës Shqiptare të Vallëzimit “Shota” në Zvicër

Në përmbyllje të dy dekadave të themelimit, Shkolla Shqiptare e Vallëzimit “Shota” në Zvicër, që drejtohet nga Agron Bajrami, organizoi një darkë kolektive me anëtarët e saj, ku morën pjesë edhe Salih Sefa, konsull i Republikës së Kosovës në Zvicër dhe Shukrije Ramadani udhëheqëse e Divizionit për Kulturë, Rini, dhe Sport në Ministrinë e Diasporës.

Rexhep Rifati

Ansamblet muzikore të këngëve dhe valleve shqiptare, padyshim përbëjnë pjesën më aktive në tërësinë e mozaikun tonë kulturor në shtetin helvetik.  Ndër to si për jetëgjatësi ashtu edhe për cilësi shquhet, Shkollën shqiptare të vallëzimit “Shota” në Zvicër, e cila tashmë ka shkelur në 20- vjetorin e themelimit duke e prezantuar kulturën shqiptare jo vetëm në Zvicër, por edhe në shtete tjera evropiane. Themeluesi i saj, Agron Bajrami karrierën e tij të vallëzimit e kishte filluar në Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” në Kosovë, për ta vazhduar karrierën e tij bashkë me tërë familjen  deri në ditët tona.,.

Derisa më 2 nëntor të këtij viti kjo shkollë e vallëzimit, shënoi 20 vjetorin e themelimit dhe bashkë me te edhe rritën artistike, duke qenë jo vetëm pioniere por edhe bartëse e kulturës sonë në këtë vende mik perëndimor, këto ditë dhjetori ajo bëri edhe një rezyme të punës së saj përmes një mbrëmje të përbashkët me të gjithë anëtarët e prindërit e tyre, të cilët edhe janë bartës kryesor jo vetëm të aktivitetit por edhe të vetëfinancimit.  Ishte kjo një mbrëmje përplot hare rinore dhe atmosferë më se familjare. Në këtë mbrëmje, ku familjarët kishin sjellë edhe ushqime të shumta nga kuzhina jonë, merrnin pjesë edhe miq të ftuar, ndër të cilët ishin Salih Sefa, konsull i Republikës së Kosovës në Zvicër dhe Shukrije Ramadani udhëheqëse e Divizionit për Kulturë, Rini, dhe Sport në Ministrinë e Diasporës.

Atmosferës si edhe herëve të tjera u parapriu vetë drejtuesi i “Shotës “ së Zvicrës

Agron Bajrami, i cili më shumë me mahi e valle sesa me fjalime i kontribuon krijimit të një atmosfere të këndshme e të lirë shoqërore.

Në fjalën përshëndetëse, Salih Sefa, konsull i Republikës së Kosovës në Zvicër, vlerësoi lartë punën dhe aktivitetin e që po zhvillon prej dy dekadash kjo shkollë vallëzimi, duke ua ofruar një pjesë të kulturës sonë jo vetëm mërgimtarëve, por artdashësve të shumtë vendas dhe në këtë mënyrë duke u bërë një nga ambasadoret tona më të denja në këtë vend, bashkë me shumë simotra, grupe artistike që edhe në kushtet e mërgatës i kontribuojnë krijimit të urave të ndërsjella të miqësisë, kulturës e bashkëpunimit.  Me këtë rast Konsullit të Kosovës, nga ana e organizatorit iu nda një medaljon i “Shotës”.

Një përshëndetje të pranishmëve ua drejtoi edhe gruaja e horo Agim Ramadanit, Shukrije Ramadani e cila duke përgëzuar edhe në emër të Ministrisë së Diasporës , përkujtoi se ajo prej vitesh përcjell aktivitetin që zhvillon Agroni me “Shotën” e tij dhe se për te kjo punë duhet vlerësuar lartë si në aspektin kulturor ashtu edhe kombëtar. Ndërsa që Agron Bajrami patë një dhuratë të veçantë për Shukrijen dhe nipin e saj, Agimin e Ri, duke ua dhuruar një portret të Agim Ramadanit të punuar nga ana e tij në teknikën e pirografisë.  Një përshëndetje për punën e suksesshme të Shkollës Shqiptare të Vallëzimit “Shita” e bëri edhe biografi i saj dhe autori i një monografie autentike, Ibish Neziri i cili përkujtoi se “Shota” që nga ditët e para deri më sot në saje të angazhimit të pashoq të qiftit Agron e Lirie Bajrami, grupi artistik arriti jo vetëm që të shndërrohet në një shkollë vallëzimi, por edhe në një mjedis ku kultivohet edhe ndjenja e atdhedashurisë për vendin e prejardhjes dhe traditat e të parëve.  Emri i Shkollës Shqiptare të Vallëzimit  „Shota“ i tejkaloj edhe kufijtë e Zvicrës. Shumë qytete të Evropës Perëndimore si Parisi, Manheimi, Strasburgi, Luxemburgi, Augsburgi, Lioni, Mülhauseni, Wiena, por edhe Struga shqiptare në Maqedoni u bënë qytete mikpritëse të saj.

Edhe autori i këtij teksti i dhuroi Agron Bajramit librin monografik “Shqiptarët e Zvicrës- 100 pamje”, ku një pjesë e mirë e librit iu kushtohet pikërisht ansambleve artistike që për vite të tëra ishin dhe mbeten pjesa më aktive e kulturës sonë në mërgatën tonë të madhe në Zvicër.

Krejt në fund të potencojmë edhe pohimin e një eksperti të fushës së artit muzikor, që veprimtarinë e ‘’Shotës’’ në Zvicër e cilëson si një ngjarje të rëndësishme të etno­ku­lt­u­rës sonë në mërgatë,duke e veçuar themeluesin e saj Agron Bajramin, i cili “para 20 vje­­­tësh i vuri themelet e saj duke pasur shtysë të fortë ndjenjën për atdheun, por dhe ndjenjën për artin”.

Përndryshe, mbrëmja e fundvitit në Baden kaloi në një atmosferë gëzimi e hareje, përmes një valle të përbashkët nga shumica e pjesëmarrësve.