Special në shënimin e 20 Vjetorit të themelimit dhe të veprimtarisë së Shoqatës Integruese Humanitare e Kulturore “STUBLLA” në diasporë
Shkruan: Engjëll KOLIQI, Zvicër, maj 2023
Për Stubllën e Karadakut dhe për mësimet e para në gjuhën tonë në Stubëll, mund të shkruhen libra të tërë dhe mund të flitet, jo vetëm me minuta, por edhe me orë e ditë të tëra, sepse janë të shumta faktet dhe argumentet që duhet parashtruar e trajtuar, në këtë temë. Sot, meqë jemi në një kremte jubilare të natyrës festive, do flasim pak, sipas rregullave të manifestimit, rreth dhjetë minuta çdo ligjëratë.
Stublla, që në mesjetë ishte e njohur dhe qendër kryesore, ku kryqëzoheshin shumë rrugë që lidhnin Anamoravën me Karadakun (të Shkupit, të Gjilanit, të Kumanovës dhe të Preshevës. Në vitin 1455 Stublla kishte 47 shtëpi. Në një hartë topografike të Shkupit, në vitin 1477, Stublla merrej si vendorientim për vendbanimet tjera të Karadakut, ku thuhej se Caravajka (gjithashtu vend i rëndësishëm i këtyre anëve) gjendet disa kilometra në verilindje të Stubllës.
Në shekujt e mesjetës, kur shqiptarët thuaja të gjithë ishin të krishterë, në Vatikan kishim lidhje të drejtpërdrejta, duke pasur kardinaj, sekretarë e deri edhe Papë shqiptar. Në shekullin XVI Papa Gregori XIII (1572 – 1585), i cili në Selinë e Shenjtë kishte edhe zyrtarë shqiptarë, dërgoi në Ballkan dy delegatë për një vizitë apostolike, me detyrë dhe angazhime speciale në Shqipëri, të cilët e bënë një raport të detajizuar për Selinë e Shenjtë. Delegatët e Papës, Aleksandar Komulović dhe Tomasso Raggio, në raportin e tyre për Shqipërinë, kanë theksuar se në Stubëll ishte hapur dhe punonte një kolegj, shkollë e lartë fetare, ku po përgatiteshin priftërinj për mbarë Shqipërinë, dhe të viseve të tjera në veri, që është Serbia e sotme. Kolegji ishte pranë kishës së kushtuar Shën Lukës, prandaj edhe e quajmë Kolegji i Shën Lukës, ku përveç teologjisë, studioheshin edhe lëndë të tjera. Arsyetimi pse kolegji ishte hapur në Stubëll e jo në ndoj qytet, ishte se terreni në Stubëll ishte malor, kur vështirë vijnë turqit, që bënin kërdi e shkatërronin gjithçka shqiptare, madje edhe i arrestonin e internonin profesorët edhe studentët kandidatë për priftërinjë.
Vizita apostolike në Shqipëri ishte bërë në vitin 1584, prandaj themi se kolegji i Shën Lukës në Stubëll ka funksionuar që atëherë. Libra e regjistër të studentëve nuk kemi, veç atij raporti dhe të shumë artikujve shkencorë historikë, të botuar gjithandej, nga autorë shqiptarë dhe të huaj, si: studiuesi kroat Mirslav Vanino, Anastasije Urošević, Amik Kasoruho, Akademik Jashar Rexhepagiq, Dhimitër Shuteriqi, Prof. Dr. Hajrullah Koliqi, Prof. Dr. Zef Mirdita, Prof. Dr. Engjëll Sedaj, Engjëll Koliqi, Noel Malcolm, Dedë Mirdita, Isak Ahmeti, Franë Gjergji, Sarë Gjergji, Musa Kraja, Ismail Gagica, Ndue Deda, Isak Shema, Shefik Osmani e shumë të tjerë, si dhe kumtesa në konferenca shkencore për historikun e arsimit shqip, organizuar në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoninë Veriore. Studiuesi i historisë sonë kombëtare Shefik Osmani na sjell argumente për Kolegjin e Shën Lukës, të vitit 1584, marrë nga Fjalori Enciklopedik Shqiptar, i vitit 2008. Merita për futjen e Shkollës së Stubllës në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, ka sidomos studiuesi Sarë Gjergji, me pjesëmarrjen e tij dinjitoze në konferenca speciale në Shqipëri.
Për këtë kolegj kemi plot dëshmi edhe nga pleqtë tanë, që nuk jetojnë më, si: Mrikë Martin Gjergji, Dile Demaj Ramaj (Nana Dile), David Palë Gjergji, Zef Tade Pal Ramaj, Tade Kolë Ballabani, Jakë Gjon Gjergji, Lush Gjon Gjergji, Zef Ton Bekaj, Engjëll Kolë Ramaj, etj. Të gjithë këta dëshmojnë për atë kolegj, i cili ka funksionuar në pjesën verilindore të varrezave të sotme të Stubllës. Të intervistuar nga Gjon Fatmir Gjergji, nga Engjëll Koliqi dhe nga Sarë Gjergji, ata dëshmojnë se me sytë e tyre i kanë parë muret e atij kolegji, siç thonë “të nalta nji boj’njeri”. Lëndina që është në jug të varrezave të Stubllës, edhe sot quhet Ara e Kishës, që pushtuesit serbosllavë e detyronin popullin të shprehen serbisht – Crkvena Njiva. Populli e quante Cërkunjiva. Po e sheshoj edhe një dëshmi që e kam marrë nga nxënësi i Dom Mikelit, Tade Ballabani, ku ndër të tjera thotë: “kur s’kemi msue, nuk i kemi krye detyrat e shpis’, edhe kur jemi halit’, Dom Mikeli na ka bâ me u ulë me gjuj mbi kokrra kallamoqi, tue na bërtit’ – si s’ju vjen turp, t’parët e juej para ma shum’ se 300 vjet, k’tu kan’ msue shqip dhe jan’ bâ t’vlefshëm për mbar’ kombin, e ju mos me i krye detyrat, mos me msue e bile edhe me u halit’?!…”
Edhe në shekullin XIX, sidomos pas reformave të Tanzimatit, nuk prajnë përpjekjet e atdhetarëve tanë, për të ecur përpara drejt lirisë së plotë dhe pavarësisë, drejt civilizimit të gjithëmbarshëm të modelit europian, pikërisht për hapjen dhe funksionimin e shkollës shqipe në Stubëll. Janë disa fakte që na bëjnë të mendojmë dhe të besojmë se shkolla në Stubëll mund të jetë hapur në vitin 1837, mbase edhe më herët. Për këtë na bën të besojmë, fakti nga se dy nga të rinjtë e shpërngulur dhe të martirizuar me dhunë nga Stublla në Muhaliq (Brus), në Anadollin e Turqisë, kishin ditur shkrim-lexim shqip dhe i kishin mësuar edhe të tjerët, gjatë afër tre viteve mërgimi me martirizim atje. Kjo mund të besohet edhe duke u nisur nga fakti, se Selia e Shenjtë, më 1837 ia njeh Monarkisë Austriake të drejtën e protektoratit mbi shqiptarët katolikë në Ballkan, protektorat nën Perandorinë Osmane. Po në atë vit është bërë përsekutimi i parë o banorëve të Stubllës nga osmanët, i përsëritur pastaj edhe në vitet 1845 e 1846. Është e besueshme se përsekutimet mund të kenë pasur si shkas kryesisht shkollën shqipe, që në Stubëll do të ketë funksionuar në vitin 1837 e edhe në vitin 1843 e më 1846, siç shkruan në librin e tij mbi arsimin shqip, Prof. Dr. Hajrullah Koliqi.
Një kontribut të madh, bile them të pazëvendësueshëm për historikun e shkollës shqipe në Stubëll dhe të martirizimit të banorëve të Karadakut, e ka dhënë historiani ynë i ndjerë, Dom Dr. Gjergj Gjergji – Gashi. Ai në librin e tij “Martirët Shqiptarë gjatë viteve 1846-1848” botuar nga Shtëpia Botuese “Drita” në Ferizaj, më 1994, shkruan se shkas i martirizimit ka mundur të jetë edhe funksionimi i shkollës shqipe në Stubëll, mes viteve 1837 e 1844. Ai na dokumenton se martirizimi i banorëve të Stubllës dhe të fshatërave të tjerë të Karadakut kishte filluar më 1 shkurt 1846, nga Gjinoll Begu në Gjilan e Selim Pasha në Shkup, dhe kishte mbaruar më 20 nëntor 1848, me kthimin e të mbijetuarve, pas ndërhyrjes së fuqive të mëdha të kohës, te Porta e Lartë në Stamboll. I kishin deportuar 207 persona e kishin mbijetuar dhe ishin kthyer vetëm 102. Të tjerët kishin vdekur dhe, ose ishin hudhur në det gjatë rrugës andej, ose ishin varrosur në Muhaliq. Para se të ktheheshin, Prifti dalmatin, që i kishte shoqëruar e nuk i kishte lënë vetëm të martirizuarit, At Anton Maroeviq, ish nxënësit e shkollës në Stubëll (Palin e Gjonin nga Stublla dhe Zefin e Markun nga Binqa), i kishte regjistruar në Kolegjin e Etërve Lazaristë “Shën Benedikti”, në Stamboll. Udhëpërshkruesi nëpër trevat shqiptare, Nolel Marcolm, shkruan se në Stubëll duhet të ketë vazhduar shkolla shqipe menjëherë pas kthimit të të martirizuarve, pra pas vitit 1848. Historianë e udhëpërshkrues shkruajnë edhe për mundësinë e funksionimit të shkollës shqipe në Stubëll, në vitet 1872, 1888 e 1891.
Ajo që dihet saktësisht dhe vërtetohet me shumë argumente, është se prifti i ri prizrenas, Dom Mikel Tarabulluzi, ishte dërguar në shërbim në Famullinë e Karadakut të Shkupit (Montenegro di Scopia), me seli në Letnicë e ku gravitonte edhe Stublla, me qëllim të rihapjes së shkollës shqipe.
Për këtë qëllim ishte blerë shtëpia dykatëshe e familjes Sedaj, në vitin 1896. Ishte dërguar prifti i ri Dom Mikeli, që në katin përdhes celebronte ceremonitë fetare e meshën, kurse dhomat lartë i kishte bërë dhoma mësimi. Pra, Shkolla e Dom Mikelit ishte hapur që në vitin 1896. Kur flitet për këtë shkollë, përmendet viti 1905, sepse kur më 1 shkurt të këtij viti, Ipeshkëvi i Shkupit Imzot Pashk Trokshi, e kishte pavarësuar famullinë e Stubllës nga ajo e Letnicës dhe e kishte emëruar famullitar Dom Mikelin. Austro-Hungaria, që e ndihmonte shumë materialisht, me libra dhe financiarisht shkollën e Dom Mikelit, e kishte detyruar Portën e Lartë që Shkollën Shqipe në Stubëll ta njohë si shkollë legale, edhepse përsekutimet ndaj saj dhe Dom Mikel Mësues Tarabulluzit, nuk pushonin.
Në Shkollën e Dom Mikelit nuk mësohej vetëm mësimi i fesë, por të gjitha lëndët – gjuha amtare, bukurshkrimi, matematika, historia e botës, historia kombëtare, gjeografia, astronomia, shkencat e natyrës dhe artet e këndimit dhe vizatimit e fizkultura me sport. Këtë e dëshmojnë edhe librat e përdorura që janë në muze – gjuha shqipe, numratore, e këndimit çunavet, e të tjerë. Kur jemi te librat, duhet cekur se në muzeun tonë në Stubëll kemi libra që nga viti 1638, 1664 e këndej. Shkolla kishte mbi dyzet nxënës, siç dëshmohet në regjistrin e Mësuesit Mikel të vitit 1905. Nxënësi më i mirë ishte Lush Gjon Gjergji – Koliqi. Sipas regjistrit të bërë nga Mësuesi Dom Mikel, në vitin shkollor 1904/1905 kjo shkollë kishte 40 nxënës, në vitin tjetër 1905/1906 kishtze 42 nxënës e kështu me radhë, gjithnjë e më shumë. Shpesh vinin e vizitonin dhe e inspektonin shkollën zyrtarë nga Dioçezi i Shkupit dhe nga Konsullati i Austro-Hungharisë në Shkup. Kjo shkollë ka vazhduar punën deri pas vitit 1930, edhepse Mësuesi Dom Mikel ishte përsekutuar dhe arrestuar disa herë, si nga turqit ashtu edhe nga serbët. Përveç Dom Mikelit, në atë shkollë mësues ishin edhe Bartolome Fantela, Mikel Leka, vëllai i Dom Mikelit, Jak Tarabulluzi, Mikel Shala, patrioti ynë ballist, Engjëll Zefi (nxënës edhe mësues i kësaj shkolle) dhe disa të tjerë. Librat, që i financonte Austro-Hungaria, kryesisht vinin nga Shqipëria, pikërisht nga Shkodra.
Në vitet ’70 të shekullit XX, banorët e Stubllës të prirë nga famullitari i atëhershëm, prifti ferizajas Dom Jak Prenku, e kanë restauruar Kishën e Vjetër, siç e quan tani populli, pra godinën ku ka funksioniuar Shkolla e Dom Mikelit që ishte edhe seli e parë e Famullisë së Stubllës. Në përkujdesjen e priftit të ri atëherë, historianit të dëshmuar (sot i ndjerë), Dom Dr. Gjergj Gjergji – Gashi, në atë godinë të restauruar ishte themeluar një muze – Muzeu i Shkollës së Parë Shqipe dhe i Martirëve të Karadakut. Enti i atëhershëm Krahinor për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, i KSAK në Prishtinë, me aktvendimin nr. 02-258, të datës 13 qershor 1978, e ka shpallur Monument Kulturo-Historik, nën mbrojtje të ligjit, me arsyetimin se aty u mbajtën mësimet e para në gjuhën shqipe. Më 25 shtator 2010, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, atë monument historik, çfarë ishte deri atëherë, e shpalli, Muze i Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë, prej Kolegjit të Shën Lukës (1584) deri te Shkolla e Dom Mikelit (1905) dhe ministri i atëhershëm, Z. Lutfi Haziti e vuri në mur pllakatën me mbishkrimin si më sipër – MUZE I SHKOLLËS SË PARË SHQIPE…
Përveç investimeve nga popullata dhe famullia e Stubllës, në Muze kanë investuar edhe enti Rajonal i Trashëgimisë Kulturore të Gjilanit, bashkë me një fondacion suedez, Komuna e Vitisë dhe Ministria jonë e Kulturës.
Në janar të vitit 1990, kur në KQ të LKJ në Beograd plasi bomba vdekjeprurëse e Jugosllavisë, për festën e Sh’Masjanit isha te dajtë. Duke biseduar natën me Sarë Gjergjin, atëherë shumë i ri, e dhashë idenë për organizimin e një manifestimi në përkujtim të shkoll[ës së parë shqipe në Kosovë. Ai, me shumë gëzim tha se do jap gjithçka nga vetja ime po u bë kjo. I vëllai i tij, Frana, na kundërshtonte, me arsyetimin se nuk na lejon pushteti pushtues, madje vijnë e na shkatërrojnë. Ia mbushëm mendjen edhe atij dhe bashkë me Franën shkuam te famullitari i atëhershëm, sot Arqipeshkëv i Tivarit e Ipeshkëv i Kotorit, Imzot Rrok Gjonlleshaj. Dom Rroku e priti me shumë gëzim dhe me entuziazëm propozimin tonë dhe më kërkoi që të shkruaj përmes shtypit.
E përgatita shkrimin me titull “Një manifestim për shumë jubile dhe Dom Dr Lush Gjergji, megjithë rreziqet që kishim nga Beogradi, e botoi në revistën fetare e kulturore “Drita”, që në prill ma dërgoi në Romë, sepse atëherë veç punoja në Radio Vatikan. Franë Gjergji botoi shkrime rreth kësaj ideje, në gazetën “Flaka e Vëllaznimit” në Shkup dhe në revistat “Shkëndija” në Prishtinë dhe “Drita” në Prizren.
Pra, që nga viti 1990, në çdo të shtunë të tretë të shtatorit, edhepse para lufte nën rreziqe të mëdha mbahet manifestimi tradicional në përkujtim të shkollës së parë shqipe në Kosovë, që me propozimin e Këshillit të parë Organizativ, u vendos të quhet “TAKIMET E DOM MIKELIT”, që sivjet mbahet për të 34-tën herë me radhë. Duhet cekur se Takimet e para të Dom Mikelit. Më 1990 janë mbajtur nën rrethim të hekurt policor, me autoblinda rreth truallit ku zhvilloheshin (në oborr të Muzeut. Bile kishte edhe disa të arrestuar, që më pas u liruan. Në këtë manifestim, që tani është bërë, mbarëkombëtar edhe ndërkombëtar, marrin pjesë shkencëtarë, letrarë, shkrimtarë, poetë e artistë nga mbarë hapsirat arbërore, deri edhe arbëreshët e Italisë.
Vë vitet e fundit, veç individëve e grupeve të vogla vizitorësh në këtë muze vijnë edhe shkolla nga Kosova e nga Shqipëria, në mënyrë të organizuar. Edhepse ende jo i emëruar zyrtarisht, as i paguar, vizitorët në grupe, kryesisht i shoqëron studiuesi ynë Sarë Gjergji, i cili u jep informacione dhe shpiegime, si një profesionist i mirëfilltë, mjaft saktë dhe qartë.
Që nga viti 1992, falë guximit dhe propozimit të drejtorit të atëhershëm Marjan Ukaj, shkolla e Stubllës mban emrin SHFMU “Dom Mikel Tarabulluzi, shkollë që vazhdon të jetë ndër shkollat më të mira në Kosovë.

























