20.9 C
Zürich
Dienstag, September 15, 2026

Prej aktivistit të bazës në profesionalist sindikal

Në fushatën sindikale për vazhdimin e marrëveshjes për siguri shoqërore mes Kosovës dhe Zvicrës dallohet edhe angazhimi i Sheqir Berishës, këtij sindikalisti 45 vjeçar me prejardhje nga Hajvalia afër Prishtinës. Në fillim si anëtarë dhe aktivist sindikal e më vonë si i punësuar në sindikatën Unia. Paraqitja e tij në emisionin ditorë të lajmeve të televizionit zviceran “10 vor 10” ka qenë mbresëlënëse dhe përhapet prapë nëpër media sociale. Arsye kjo për të filluar rubrikën e sindikalistëve aktiv me këtë aktivist të dalluar.

Nga Rexhep Rifati

Sheqir Berisha është modest kur është në pyetje angazhimi i tij në sindikatë. Për të si punëtorë anëtarësimi në sindikatë është diçka e domosdoshme për të siguruar kushte të mira të punës për të gjithë punëtorët. Kjo është edhe arsyeja pse, si punëtorë i ndërtimtarisë, me vetëiniciativë i është bashkëngjitur sindikatës më të madhe në Zvicër. Pas anëtarësimit në seksionin Schliern, regjioni i Cyrihut, Sheqiri informohet mbi mundësitë e kontributit në Sindikatën Unia. Shumë shpejtë i bashkëngjitet grupit të sindikalistëve shqiptar në Unia Cyrih-Shafhauzen, të organizuar në grupin gjuhësorë “Aktivistët”. Në këtë grup të kryesuar nga Xhafer Sejdiu kishte anëtarë të rinj dhe të interesuar për të punuar në mënyrë aktive për të drejtat e punëtorëve. “Gjatë një tubimi informativ për anëtarët aktiv sindikal në nivel nacional në gjuhen shqipe u inspirova nga Hilmi Gashi për angazhim më aktiv e më energjik edhe ne strukturat tjera sindikaliste” kujton me mirënjohje Sheqiri. Që nga ai moment ai ishte pjesëmarrës pothuajse i të gjitha tubimeve e aksioneve sindikaliste. Në grupin “Aktivistët” Sheqiri shpejt bëhet krahu i djathtë i kryetarit të grupit, Xhafer Sejdiu.

Viti 2007 ishte i veçantë për Sheqirin, pasi për herë të parë veproi edhe si organizator i grevave nëpër kantieret ku ai punonte. Falë aktivitetit të shtuar sindikal, ai prej kolegëve të tij të ndërtimtarisë u zgjodh si delegat për regjionin e Cyrihut në konferencën nacionale e ndërtimtarisë, që njihet edhe me emrin “Parlament i Ndërtimtarisë”. Edhe në vitin 2008, falë punës e organizimit sindikalist të Sheqirit, u mbyll për disa herë kantieri ku ai punonte. Gjatë muajit nëntor të po të njëjtit vit morri pjesë aktivisht dhe organizativisht në aksionet kundër vazhdimit të orarit të punës gjatë të shtunave në qendrën tregtare “Letzipark” në Cyrih. Po në vitin 2008 Sheqiri ishte zgjedhur delegat nga regjioni i Cyrihut në Kongresin e parë të Sindikatës Unia në Lugano të Zvicrës.

Në vitin 2009, Sheqiri angazhohet edhe në grupin e interesit të migrantëve të regjionit të Cyrihut. Nga kjo strukturë e migrantëve të regjionit të Cyrih-Schaffhausen, ai zgjidhet delegat në komisionin kombëtar të migracionit. Sheqiri është pjesëmarrës edhe në kongresin e sindikatës Unia ne Lozanë në vitin 2010.

Protagonist në lajme për marrëveshjen për pensione

Po në vitin 2010 (me 1 prill) mjerisht ndodhi edhe ndërprerja e zbatimit të Marrëveshjes ndërshtetërore për sigurimet shoqërore të Zvicrës në raport vetëm me shtetin e Kosovës. Në të gjitha aktivitet pasuese Sheqiri u angazhua aktivisht. Ai ishte protagonisti dhe i intervistuari kryesor edhe në emisionin e mirënjohur informativ “10 vor 10” në televizionin zviceran SRF, ne lidhje me ndërprerjen e marrëveshjes për sigurimet shoqërore dhe pasojat e padrejta dhe diskriminuese që binte me veti ky vendim i motivuar politikisht, jo vetëm për të gjithë qytetarët e Kosovës por edhe për të si baba i dy fëmijëve, të cilët në atë kohë jetonin në Hajvali të Prishtinës së bashku me nënën e tyre. Për Sheqirin prishja e marrëveshjes kishte edhe pasoja financiare, sepse shtesat e fëmijëve prej një prillit 2010 më nuk paguheshin. Për më shumë shih edhe emisionin në vegën vijuese: http://www.srf.ch/play/tv/10vor10/video/renten-streit-kosovaren-wehren-sich?id=ba5d8183-fbc2-46fa-a52d-a62c4a9b5685
Në ndërkohë Sheqiri, i cili në Prishtinë kishte studiuar në Fakultetin e Historisë dhe për arsye të rrethanave politike ka emigruar në Zvicër, ka realizuar bashkimin familjar dhe jeton me bashkëshorten dhe dy djemtë e tij 7 dhe 13 vjeçar në rrethinë të Cyrihut.

Aktiv në greva dhe aksione sindikaliste

Viti 2011 njihet si viti i krizës në ndërtimtari! Prapë protesta e organizime, në të cilat Sheqiri ishte përsëri aktiv bashkë me kolegë e aktivistë tjerë. Për demonstratën e ndërtimtarisë Sheqiri arriti të mobilizoj pjesën më të madhe të punëtorëve në firmën ku ai punonte. Për angazhimin e tij gjatë fushatës së LMV (Kontratës Kombëtare të Punës në Ndërtimtari), në festën e regjionit Sheqiri morri edhe një mirënjohje sindikaliste.

Avancimi nga aktivisti në profesionist sindikal

Me 2 prill 2013 Sheqiri fillon punën si sekretar sindikal ne regjionin e Aargaut. Në qershor të të njëjtit vit ai është bashkë-organizator i grevës se punëtorëve në shitoren me pakicë SPAR, në Baden-Dättwil. Ndër të tjera ai u angazhua edhe anëtarësime të reja në Unia, ku qëllimin e caktuar ne numër të përcaktuar ai e arriti para përfundimit të afatit, pra qysh ne fund te tetorit 2013.

Kurset profesionale e specializuese në shkollën sindikale “Movendo” Sheqiri i filloi në vitin 2014. Pas shumë kontakteve dhe bisedave me anëtarë shqiptare, me 20 shtator 2014 falë punës përkushtuese të Sheqirit formohet grupi aktiv sindikalist shqiptar i regjionit Aargau. Me kohë dhe shumë angazhim, grupi sindikalist shqiptar bëhet një ndër grupet më aktive në regjion. Nëntor, dhjetor 2014: Ne kantierin më të madh në Zvicër, ne Schafisheim përmes anëtarëve të besueshëm të aktivizuar nga Sheqiri, zbulohet dumpingu ne paga i 11 punëtorë të ndërtimtarisë.

Grupi aktiv shqiptare në vitin vijues 2015 rritet me anëtarë te rinj dhe zgjeron aktivitetin më tej. Mbahet 3 tubime informative me anëtarë shqiptare. Zhvillohet edhe fushata e Kontratës Kombëtare të Punës në Ndërtimtari në Aargau me shumë angazhim dhe arrin sukses të plotë. Arrihet qëllimet e parapara për çka Sheqiri ne informacionin e rregullt mujor merr falënderim edhe nga drejtoria regjionale e sindikatës.

Riaktivizimi i komitetit të ndërtimtarisë dhe grupit të migrantëve

Grupi i ndërtimtarisë (Baukomitee), në regjionin Aargau pothuajse kishte shuar aktivitetin. Nga janari 2016 Sheqiri fillon angazhimin për ripërtëritjen e komitetit të ndërtimtarisë. Brenda vitit grupi forcohet prapë dhe freskohet me anëtarë aktiv të rinj. Me kohe behet një prej grupeve me aktive në regjionin e sindikatës Unia në Aargau. Bashkë me delegatet e ndërtimtarisë Sheqiri merr pjesë në konferencat e rregullta te ndërtimtarisë në Bernë. Ai nuk mungon edhe në seminaret tradicional sindikal të njohur „Oltener Tagung“.

Në fillim të vitit 2016 Sheqiri inicion dhe formon grupit e interesit të migrantëve për regjionin e Aargaut. Me këtë rast ai angazhon edhe qytetarin aktiv dhe politikanin socialdemokrat shqiptaro-zviceran nga Badeni, Florim Kadriun, me prejardhje nga Kërçova shqiptare e Maqedonisë. Komiteti i migrantëve përbëhet nga delegatët e grupeve gjuhësore sindikaliste të regjionit dhe mund të shërbejë si model i organizimit të grupeve të interesit edhe në regjionet tjera të sindikatës Unia dhe më gjerë. Sheqiri si përgjegjës i këtij komiteti, shoqëron edhe delegatët bashke me migrantët tjerë aktiv regjional në mbledhjet e komisionit nacional për migracion. Në tetor të vitit 2016 ai merr pjese edhe në kongresin e sindikatës Unia, kësaj radhe në Gjenevë. Krahas angazhimit aktiv sindikalist, Sheqiri ndër të tjera angazhohet edhe në jetën shoqërore. Ai është bashkëthemelues i “forumit të etërve” në vitin 2010 në kuadër të qytetit të Cyrihut ku ka vepruar si moderator për tri vite të tëra.
Për Sheqir Berishën “Organizimi sindikal është e vetmja shans për punëtorët, për të arritur përmirësime të kushteve të punës, ngritje të pagave dhe siguri dhe drejtësi sociale. Vetëm si kolektiv ne jemi të fortë”, thotë plotë bindje ai. Sukseset e arritura të sindikatës Unia, e cila përfiton nga njerëz me vizion dhe angazhim si ky i Sheqir Berishës, i jep të drejtë këtij aktivisti të dalluar.

Sindikata Unia dhe shqiptarët e Zvicrës

Në sindikatën Unia, nga gjithsej 200’000 anëtarë, mbi 50 përqind janë bashkëqytetarë me prejardhje jashtë Zvicrës, nga të cilët rreth 15’000 janë shqiptarë. Për të komunikuar më mirë, për të mobilizuar dhe organizuar edhe punëmarrësit me prejardhje shqiptare në sindikatën Unia, përpos aktivistëve sindikalistë shqiptar janë të punësuar edhe sekretarë shqiptarë në stafin profesional të saj. Unia publikon edhe fletëpalosje, broshura e materiale të ndryshme informuese nga sektorë të ndryshëm të botës së punës dhe jetës shoqërore në Zvicër si dhe nxjerrë edhe shtojcën e gazetës sindikaliste “Horizonte” edhe në gjuhën shqipe.

Në fuqizimin e sindikatës Unia në rrafshin sektorial, regjional, kombëtar bile edhe ndërkombëtar kanë kontribuar edhe shqiptarët, të cilët janë anëtarësuar me shumicë në organizatat paraprijëse të Sindikatës Unia. Punëmarrësit shqiptarë në Zvicër sikur edhe të gjithë të tjerët këtu me mbështetjen aktive të sindikatës së tyre kanë shënuar të arritura dhe përfitimeve të gjithanshme. Përmes Kontratave të përgjithshme Kolektive të Punës, janë siguruar të drejtat dhe mbrojtja e kushteve të punës dhe shëndetit në punë. Këtu do të veçonim angazhimin e Unia-s për qarkullimin e lirë dhe pa viza të migrantëve nga shtetet e treta, për edhe të shqiptarëve të punësuar në Zvicër në hapësirën Shenjen. Veçohet edhe angazhimi në luftimin e diskriminimit të migrantëve në rastin e premive të shtrenjta dhe diskriminuese të automjeteve për migrantë, lufta me referendum kundër përkeqësimit të ligjit mbi të huajt dhe azilin, lehtësimi i natyralizimit etj. Për shtetasit e Kosovës vlen të përmendet veçanërisht angazhimin i gjithanshëm i Sindikatës Unia dhe partnerëve tjerë për vazhdimin e Marrëveshjes së anuluar ndërshtetërore mbi Sigurimet Shoqërore mes Zvicrës e Kosovës. Prishja e njëanshme e marrëveshjes shumë punëmarrës nga Kosova, si kontribuuesit kryesorë në të dy vendet dhe shoqëritë, përjetojnë diskriminim selektiv nga lëmi i sigurimeve shoqërore, për shkak të mosmarrëveshjeve dhe mungesës së vullnetit të mirë në mes të zyrtarëve të dy vendeve. Ky angazhim shpresohet të kurorëzohet me një zgjidhje e rregullim kalimtar deri tek negocimi dhe jetësimi i një Marrëveshjeje të re në fjalë. Nuk mungon edhe angazhimi sindikal në bashkërenditje me forcat progresive të vendit kundër politikave të djathta ksenofobe si dhe për të drejta të njëjta edhe për migrantët dhe për një siguri të qëndrueshme sociale për të gjithë njerëzit në Zvicër.

Edhe përkundër rezultateve të arritura, sindikata Unia zotohet se do të angazhohet edhe më tej fuqishëm për të avancuar të drejtat e të gjithë punëmarrësve dhe për ti bëre ballë sulmeve për dobësimin e sindikatave dhe lëvizjeve punëtore gjithandej si dhe sulmeve karshi të arriturave të deritashme në botën e punës. Dhe edhe në të ardhmen me moton: Bashkë jemi më të fortë! Për më shumë informacione: www.unia.ch