Më 18 Maj 2019, në restorant «Fitorja» në një ambient që nuk është parë kurrë në të tilla raste, para një auditori mbi 500 vetash, intelektualë nga e gjithë Kosova, qytetarë të shumtë nga Ferizaj e rrethina, dhe pushtetarë rangjesh të ndryshme, u bë promovimi i librit voluminoz prej 817 faqesh «Shëndetësia e Ferizajt me rrethinë në shekullin XX», të autorëve, Ramadan Ramadani, profesor dhe Dr. Agim Bytyçi, mjek.
Nga Enver Zhinipotoku, Ferizaj

Vështirë një libër mund të ngjallë kaq interesim tek qytetarët dhe opinioni sa ky dedikuar mjekësisë ferizajase, kur në një ambient mbresëlënës u prezantua zhvillimi i shëndetësisë së kësaj ane gjatë shekullit XX me shifra, fakte dhe me një dokumentar të shfaqur për shëndetësinë nga periudhat më të hershme e deri në ditët e sotme, e ku janë shënuar rezultate impozante të mjekëve ferizajas edhe në përmasat botërore.
Në 27 kapituj të këtij libri voluminoz jepet zhvillimi i mjekësisë ferizajase dhe i komunave përreth, që dikur ishin pjesë e Ferizajt. Siç u tha, ky promovim po bëhej për të shënuar 3 përvjetorë të rëndësishëm: 2o vjetorin e çlirimit, 65 vjetorin e mjekut të parë ferizajas shqiptar Dr. Shaban Sylejmanit dhe 40 vjetorit të diplomimit të gjeneratës së parë të mjekëve ferizajas në Universitetin e Prishtinës
Duke përshëndetur tubimin dhe të pranishmit, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Zotëri Agim Aliu, theksoi se Ferizaj nxori emra mjekësh të mëdhenj, që e nderuan mjekësinë kosovare në rang botëror, duke rradhitur Ferizajn, falë mjekëve të shumtë që ka, njërën ndër qendrat më të forta për nga numri i mjekëve në nivel të Kosovës.
Pastaj të pranishmit i përshëndeti në emër të ministrit të shëndetësisë, zv. Ministri Dr.Granit Abdullahu, djali i mjekut të parë shqiptar ferizajas të diplomuar në UP, Dr. Ismet Abdullahut, tanimë i ndjerë.
U shfaq një dokumentar 15-20 minutësh në të cilin spikateshin kryesisht me foto e të dhëna zhvillimi i shëndetësisë ferizajase, në të gjitha periudhat e saj me sfidat dhe vështirësitë, sidomos në vitet 1989-99, kur u sprovua dhe dha provimin mjekësia ferizajase dhe ajo e Kosovës për qytetarë dhe para qytetarëve, të privuar nga e drejta për tu shëruar dhe kërkuar ndihmë nëpër spitale e ambulanca.
Më i gjati në eksplorimet e tij ishte mjeku Dr. Safet Beqiri, recensent i librit, kirurg në Heidelberg të Gjermanisë, i cili bashkë me dy kolegët tjerë, Dr. Fatmir Dalladakun, kardiokirurg në Klinikën Schvarcvald të Gjermanisë, emër botëror i mjekësisë dhe Dr. Ramadan Jasharin, kardiokirurg në Spitalin ushtarak të Universitetit të Luvenit në Belgjikë, janë emra të njohur në mjekësinë botërore.
Dr. Beqiri u shpreh se historinë nuk mund ta ndryshojmë, por nga ajo duhet të mësojmë që të mos pësojmë. Bazat e mjekësisë ferizajase u vunë kur në vitin 1967 u hap për herë të parë në Ferizaj Gjimnazi, nga i cili dolën mjekët e parë shqiptarë ferizajas dhe nga një popull analfabet plotësisht, arritëm që për 30 vite të arrijmë kulmet e mjekësisë botërore, që gjithsesi nuk është pak.
Madje, duke kujtuar pengesat që i dolën shoqërisë kosovare, e bashkë me këtë edhe mjekësisë pas vitit 1981 dhe periudhës së aparteidit, këto suksese janë të jashtëzakonshme, të cilat janë paraqitur nga autorët në libër me fakte e dëshmi, për çka duhen falënderuar publikisht.
Mjekët ferizajas siç tha Dr. Beqiri kanë dhënë kontribut të çmueshëm edhe në luftën e UÇK-së, duke u bërë pjesë aktive e kësaj lufte.
Njëri ndër autorët e librit, Dr. Agim Bytyçi tha se e ndien vetën të lumtur që ndodhet para një auditori të këtillë, dhe për këtë libër që tani opinioni e ka në dorë ka mbledhur material të shumtë nëpër qendra të ndryshme edhe jashtë Kosovës në Turqi, Beograd e Zagreb.
Në fund të këtij evenimenti të paparë kulturor për nga masiviteti jo vetëm në Ferizaj, por edhe në Kosovë, u ndanë mirënjohje të shumta për mjekë të shumtë që i ndau Kryetari i Komunës Zotëri Agim Aliu.
( Fotot nga faqja e kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliut dhe nga arkivi im )













































