Hamdi Raçi, një punëtor i shquar në sferën e gastronomisë dhe sportit, me të pensionuar në Zvicër u kthye në vendlindjen e tij, në Mirash të Ferizajt dhe pasi ndërtoi shtëpi të re, mbolli një sipërfaqe të të mirë me rrush e kumbulla nga të cilat tash prodhon raki e pije tjera të një cilësie tejet të lartë. – Për te nuk vlen thënia popullore, se e bëri pasurinë “rrush e kumbulla”, por e kundërta: se e ngriti standardin dhe pasurinë edhe me rrush e kumbulla!
Teksti e fotot: Rexhep Rifati
Disa nga mërgimtarët ndonëse punojnë me dekada në shtetet perëndimore, përherë e kanë mendjen në vendlindje, që së paku pas pensionimit të kthehen atje, për të bërë sado pak investime duke e bartë përvojën e tyre profesionale apo hobin e tyre për diç të dobishme në vendin e prejardhjes. I tillë është edhe HamdiRaçi, nga fshati Mirash i Ferizajt i cili qysh si i ri erdhi në Regensdorf, jo larg Cyrihut, ku edhe filloi punën në gastronomi, më parë si kamerier e pastaj si një nga shefat më të vjetër të Rostarant- Hotelit , Moevenpickut të Regensdorfit. Ai me rastin e pensionimit ishte njëri nga punëtorët më stazh më të gjatë në këtë hotel me renome, që posedon edhe salla kongresesh.
Ai gjatë punës në mërgatë bashkë me të shoqen Zejnijen që gjithashtu punon në këtë objekt hotelier, krijuan një familje të vyeshme e të mrekullueshme, ndërsa që tri vajzat e tyre kryen shkollimet e larta dhe punojnë kryesisht në institucione-bankare financiare.
Hamdiu për vite të tëra dha një kontribut të veçantë edhe në konsolidimin dhe drejtimin e Klubit Shqiptar të futbollit “Kosova” në Cyrih, e gjithashtu ishte në krye të aksioneve sa herë duhej ndihmuar çështja e Kosovës dhe popullsia e saj nën okupim, qoftë me organizime konkrete apo edhe kontribute financiare.
Ditë më parë para se të kthehem nga Kosova, i bëra një vizitë Hamdi Raçit në vendlindjen e tij i shoqëruar me bashkëfshatarin tim Shabi Sejdiun, që po ashtu jeton në Zvicër. Vërtetë mbetëm të befasuar atë që ka bërë Hamdiu në sipërfaqet e tokave të tij në Mirash, ku ka mbjellë disa lloje rrushi e kumbulle, për të cilat kujdeset që nga agu i hershëm deri në muzgun e vonë. Ndonëse nuk e ka shkëputë banimin në Zvicër, ai gjatë sezoneve pranverë- vjeshtë, ai është më tepër në vendlindjen e tij ku merret me kultivimin e hardhive dhe kumbullave të cilat me të pjekur i kthen në raki të një cilësie të lartë, çoftë për konsum me miq e shokë apo edhe për shitje. Ai para se fitimin e ka zellin e jashtëzakonshëm për punë që nuk e len të qetë edhe kur të jetë mysafir dikën, sepse si edhe mund thuhet e ka “tërpi” punën, si për veti ashtu edhe ngjeti!
Me rastin e vizitës pos që shijuam rrushin e kumbullat, të posa pjekura, por edhe rakinë e prodhuar nga ana e Hamdiut, patëm rastin të kemi një ndej të këndshme edhe me vëllezërit dhe kushërinjtë tij, qoftë me ata që nuk kanë lëshuar fshatin apo të tjerëve të ardhur nga kurbeti, por që të gjithë janë shumë të lidhur me Mirashin e tyre që ka fituar një fizionomi plotësisht të re edhe falë dorës dhe punës së kurbetçinjve që edhe kur janë larg, përherë punojnë dhe mendojnë se si ta ngrisin edhe më tej mirëqenien dhe vendlindjen e tyre.
Sa për Hamdiun nuk vlen ajo thënia popullore, se e bëri pasurinë “rrush e kumbulla”, por e kundërta: se e ngriti kënaqësinë dhe pasurinë me rrush e kumbulla!

































