13.7 C
Zürich
Freitag, September 18, 2026

Sahit Kastrati në luftë për çlirim e bashkim kombëtar – Monografi

Më 15 shkurt në sallën e kinemasë «Jusuf Gërvalla» në Pejë, në praninë e një numri të pjesëmarrëve u bë promovimi i librit të autorit Ibish Neziri «Sahit Kastrati në luftë për çlirim e bashkim kombëtar» – Monografi, botuar nga Instituti i Historisë «Ali Hadri» në Prishtinë.

Mes pjesëmarrësve ishin Gjenerali në pension Prof. dr. Kudusi Lama, Gjenerali Hysen Dreshaj, Gjeneral Nasim Haradinaj, Zëvendësministri i mbrojtjes i Republikës së Kosovës Shemsi Syla, ish- deputetët, Gani Krasniqi dhe Enver Dugolli, kryetari i Shoqërisë «Lëvizja» Xhevat Bislimi, Prof. dr. Zymer Neziri, Dr. Skender Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore në Shkup, Dr. Besnik Rameti, Mr. Muhamet Rugova, Mr. Bedri Zyberaj, ish drejtor i Agjensisë së Arkivave të Kosovës, Pashk Alia ish punëtor i Arkivit të Shtetit të Republikës së Shqipërisë nga Lezha, Tahir Gjonbalaj nga Vuthaj, Dr. Salih Bytyqi, punëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Fatmir Arifi studjues në Institutin e Historisë «Ali Hadri» në Prishtinë, njëkohësisht recenzent i librit dhe shumë emra tjerë të nderuar nga fusha e artit, kulturës dhe veprimtarisë atdhetare, miq të autorit dhe të të familjes Kastrati.

Dita e promovimit të këtij libri rastisi të bëhët në ditën kur u bënë plotë 80 vjetë nga ngritja e aktakuzës kundër kryepersonazhit të këtij libri, Sahit Kastratit, i cili në bazë të asaj aktakuze u dënua me pushkatim dhe u pushkatua në Bjellopole të Malit të Zi.

Në pamundësi për të marrë pjesë, për arësye objektive, drejtoresha e Institutit të Historisë, Prof. dr. Teuta Shala Peli kishte dërguar fjalën e saj, e cila u lexue para pjesëmarrëve. Për librin folën Gjenerali Kudusi Lama, Prof. dr. Zymer Neziri, Mr.  Muhamet Rugova dhe recenzenti i librit Mr. Fatmir Arifi.

Me këtë rast për lexuesit e Transnacionals po e ofrojmë fjalën e Gjeneralit Kudusi Lama.

Çdo shqiptar një histori

 Fjalë rast në promovimin e librit të Ibish Nezirit,
”Sahit Kastrati – në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar”,
Monografi,
në Pejë, më, 15 shkurt në orën 12.00
në kinemanë ”Jusuf Gërvalla”

         Të nderuar të pranishëm!

         Edhe njëherë Ibish Neziri – veprimtari i çështjes kombëtare, njeriu që nuk u ndal gjithë jetën e tij për të bërë më të mirën për kombin, për atdheun dhe për popullin e tij, për ta pasuruar historinë dhe madhëruar shqiptarët, – vjen të na japë mundësinë të njihemi edhe me një figurë të luftëtarëve shqiptarë nëpër kohë, atë të Sahit Kastratit, nëpërmjet monografisë të titulluar: ”SAHIT KASTRATI – NË LUFTË PËR ÇLIRIM DHE BASHKIM KOMBËTAR”. Të cilën më vjen shumë mirë që e ka botuar INSTITUTI I HISTORISË ”ALI HADRI”, sepse kur institucionet dhe në veçanti ato shkencore e arsimore marrin përgjegjësi të botojnë vepra të tilla, është një tregues se atdhetarët kanë ku drejtohen për ndihmë për të bërë publike idetë e tyre, historitë e tyre dhe veprat e tyre. E kjo është mirë.

Është ky një libër që e ka zanafillën e tij, siç tregon autori, në një fjali në gjuhën sllave, ku thuhet se: ”Sahit Hoxha, krimineli më i madh, i zënë, i gjykuar dhe i pushkatuar pas luftës”.[1]

E prej këtej kanë nisur kërkimet e është arritur në jetësimin e kësaj monografie. Sepse kështu ka ardhur gjithnjë historia jonë. Nëpërmjet një kënge është jetësuar historia e një periudhe. Çka tregon forcën intelektuale të atyre që merren me studime të këtij niveli. Prandaj edhe përfitoj nga rasti ta përgëzoi autorin për këtë arritje.

Në këtë vepër autori na tregon se si sllavët kanë aftësinë nga asgjëja të ngrenë një histori. Dhe unë them se kjo është vlerë kombëtare e sllavëve, pavarësisht se ata e kërkojnë armikun te shqiptarët për interesa politike e të zhdukjes së shqiptarëve. Por mua më tërheq vëmendjen fakti që ne, bëjmë gabime, kur përpiqemi të zhbëjmë atë që e kemi bërë mirë. Kur ne edhe Luftën e UÇK-së përpiqemi ta zvogëlojmë, përpiqemi ta shkatërrojmë e përpiqemi që luftëtarët t’i konsiderojmë të pa vlerë, duke arritur deri aty sa të quajmë dëshmorët çlirimtarë, vetëm që të mos pranojmë çlirimtarët, të cilët pa tjetër që janë të gjallët. Por që më duket se ajo shprehja e filozofisë sllave se: ”Shqiptar i mirë është vetëm shqiptari i vdekur”, ka hyrë aq thellë në mbamenjen tonë sa të përbuzim të gjallët që na kanë sjellë lirinë.

Ibish Neziri duke u mbështetur në faktet historike të kohës së luftëtarit Sahit Kastrati, na sjellë të vërtetën se me gjithë dhunën e masakrimin e sllavëve ”…, shqiptarët nuk u ndalën me sy të drejtuar nga qielli, por e vazhduan rezistencën e vet ashtu si ditën e si mundën, pa ndihmën e domosdoshme të Mbretit Zog, i cili ia kishte vështirësuar punën Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, ndërkaq me të arratisurit përpiqej t’i disiplinonte rebelët dhe kur nuk e arrinte qëllimin, i degdiste nëpër fushat malarike të Myzeqesë”.[2] Një tregues sa optimist, aq edhe trishtues, kur mëson se përveç pushtuesit, shqiptarët duhet të masakroheshin edhe nga mbreti i shqiptarëve. E megjithatë lufta për shqiptarizmin nuk ndalej, duke ardhur deri në ditët tona, e duke i mundur edhe sllavët edhe mbretin e shqiptarëve. Sepse shqiptari për komb e atdhe është mbret vetë. Këtë e ka vërtetuar koha dhe do ta vërtetojë edhe në të ardhmen, megjithëse uroj mos të vihet në provë se mjaft prova të rënda ka kaluar e ka fituar.

Figura e heroit të kësaj monografie, vjen në këtë libër, si një dokument, që tregon se si janë vlerësuar shqiptarët dhe si janë dënuar e masakruar ata dhe në fund edhe janë akuzuar si fajtorë. Pikërisht se vlerësimin e tyre e kanë bërë ata që as nuk i kanë njohur shqiptarët, por i kanë vlerësuar pa e ditur se kush janë e çfarë janë ata. Prandaj edhe autori sjellë shembullin e atij shkrimtarit gjerman, i cili ka shkruar: ”një libër me titull Nëpër tokën e shqiptarëve, në të cilin ka paraqitur një pasqyrë të një Shqipërie të paeksploruar dhe shpesh të paqëndrueshme, megjithëse ai nuk kishte qenë asnjëherë në Shqipëri”.[3] Ashtu siç më ka ndodhur mua, me një profesor, qe filste zi e më zi për një profesor shumë të nderuar, e kur unë e pyeta çfarë libri i tij nuk ju ka pëlqyer ai më tha se nuk do të humbiste asnjë minutë për të lexuar një fjali prej tij. Pra as nuk e dinte çfarë kishte shkruar dhe e përçmonte. Kjo është metoda sllave e vlerësimit të tjetrit e edhe të shqiptarëve. Ndaj do të bëja apel me këtë rast që të jemi seriozë, se po duket se paraqitemi mirë e në fakt përçmojmë vetveten. Por kam kuptuar se autori i kësaj monografie, ka qenë i drejtpërdrejtë në vlerësimin e çdo dokumenti dhe çdo figure që i është paraqitur në periudhën kur ka vepruar edhe heroi i tij Sahit Kastrati, i cili me jetën e tij ka bërë historinë e tij, duke na sjellë mesazhin se çdo shqiptar është një histori e cila duhet nxjerrë në dritë për ta bërë të plotë historinë kombëtare.

Ashtu edhe në vijim shihet se ”komandanti i Divizionit “Skanderbeg”, gjenerali Schmidthuber, shkruante: “Kush dëshiron të krijojë miqësi në Shqipëri, pyetet fillimisht: “Sa flori do të më japësh?”.[4] Çka është një denigrim i figurës së shqiptarit, duke krijuar një mundësi plus për ta përbuzur e për ta urryer atë. Kurse në fakt asnjëherë pushtuesit nuk kanë sjellë diçka te ne. Jo flori, por as gurë. Duhet të mësohemi t’i dalim zot vetes, mendoj se këtë donë të na japë si mesazh edhe autori i kësaj monografie.

Jam i bindur se Sahit Kastrati dhe bashkëkohësit e bashkëluftëtarët e të rënët bashkë me të, jo flori nuk i kanë kërkuar pushtuesit, por as edhe një gotë ujë për ta pirë në ethet më të rrepta të torturave që janë ushtruar mbi ta. Por të kuptojmë se pushtuesit me këtë gjuhë flasin edhe për ata shqiptarë që bëhen bashkëpunëtorë të tyre. Sepse edhe bashkëpunëtorin e duan të nëpërkëmbur pushtuesit. Ata nuk e duan dinjitetin njerëzor. Prandaj edhe nuk duhet kërkuar as ndihmë e as mëshirë prej tyre. Këtë mesazh jep edhe qëndresa dhe rënia e Sahit Kastratit.

         Ndërsa për sllavët autori na sjellë faktin që ata emërtojnë masakra të shqiptarëve kundër sllavëve, ani pse nuk ka emra, ani pse nuk ka varre. Ata thonë është bërë dhe kaq, quhet e vërtetë. Njëlloj si në Luftën Çlirimtare të Kosovës, periudhë në të cilën sllavët kanë masakruar 14 mijë shqiptarë të rritur e fëmijë, gra e burra, pleq e të sëmurë, me emër e mbiemër, me familje e vendbanim, dhe kërkojnë e akuzojnë sa shqiptarët kanë bërë masakra ndaj sllavëve, ani pse nuk kanë emër, nuk kanë familje, nuk kanë varre, por luftëtarët shqiptarë i kanë vrarë.

         Ashtu edhe një pamje tjetër na sjellë autori me këtë monografi, siç është përpjekja për të montuar ngjarje, që të futet konflikti e vëllavrasja midis familjeve shqiptare. Një fakt ky që Ibish Neziri e ka trajtuar në mënyrën më të qartë e të kuptimtë, për ta marrë vesh mirë shqiptarët se sllavët vetëm montime të tilla do të venë para shqiptarëve historikisht.

Siç na tregon se ka arritur të gjejë edhe vendet e ekzekutuarve, ashtu si edhe të ekzekutimit të Sahit Kastratit, por që nga verifikimet, shihet se mbi ato vende janë ndërtuar qendra sportive, shkolla e fabrika të ndryshme, thjeshtë për të pamundësuar gjetjen e të ekzekutuarve.

         Duke e parë në dritën e të dhënave që sjellë kjo monografi, unë mendoj, se ai libër nuk është thjeshtë një ndriçim për figurën e një luftëtari, një heroi që për atdhe ka dhenë jetën e tij. Por është një pasuri për historinë, është një mënyrë për ta parë e analizuar atë dhe sjellë arsyetime e dokumente që e zgjerojnë hapësirën e kërkimit të studiuesve për ta bërë sa më të plotë e të qartë historinë tonë për ta kuptuar ne, por edhe miqtë e armiqtë tanë.

         I uroj autorit jetë, shëndet e mbarësi, për të bërë punë sa më të shumta për historinë kombëtare e për figurat që kanë ardhur nëpër histori duke bërë luftë e sakrifica, siç është edhe heroi i monografisë që promovojmë sot.

Faleminderit të gjithëve që më dëgjuat.

Dr. Prof. Kudusi Lama, gjeneral në pension

 

[1] Ibish Neziri, Sahit Kastrati – Në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar, Monografi, Botim i Institutit të Historisë ”Ali Hadri”, Prishtinë 2024, faqe 9

[2] Ibish Neziri, Sahit Kastrati – Në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar, Monografi, Botim i Institutit të Historisë ”Ali Hadri”, Prishtinë 2024, faqe 64

[3] Po Aty, faqe 90

[4] Ibish Neziri, Sahit Kastrati – Në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar, Monografi, Botim i Institutit të Historisë ”Ali Hadri”, Prishtinë 2024, faqe 98