18.6 C
Zürich
Mittwoch, September 16, 2026

 Poeti ynë nga Austria i dhuroi bibliotekës “Latif Berisha” në Mitrovicë botimet e tija

Njëri nga krijuesit më të spikatur shqiptar në Vjenë të Austrisë, profesor Hazir Mehmeti, gjatë qëndrimit të tij në vendlindje i dhuroi Bibliotekës së qytetit të Mitrovicës “Latif Berisha”,  gjashtë titujt librave të tij, të botuara ndër vite.- Me këtë rast i shoqëruar me shkrimtarin dhe njërin ndër redaktorët e librave të tij, profesor Bedri Tahirin, bashkë me stafin vizituan ambientet e kësaj biblioteke.

Nga Rexhep Rifati

Pa dyshim se prej vitesh në Vjenë të Austrisë me punën e tij prej një publicisti e shkrimtari, shquhet profesor Hazir Mehmeti, i cili është edhe njëri ndër kontribuuesit e dalluar të mësimit shqip në këtë shtet duke qenë edhe autor i një abetareje. Por për dallim nga shumë autorë, Hazir Mehmeti e ka si parim jetësor që librat e tij tua dhuroj edhe bibliotekave në Kosovë por edhe të gjithë atyre nga të cëlët i ka grumbulluar shënimet për librat e tij, sidomos ato monografike. Kështu ka ndodhë edhe me shpërndarjen e librit të tij ekzemplar: “Pranverë e helmuar”, të cilin në dorë ua dhuroi disave nga ata që ishin protagonist, siç janë motrat e nderit që u ndihmuan fëmijëve të helmuar nga pushtuesi fashizoid serb, madje njërës nga murgeshave ia dhuroi këtë libër duke shkuar edhe në Shkodër, si dhe shkrimtarit mërgimtar në Gjermani, Sylejman Salihut i cili kishte shkruar vite më parë një libër për helmimin e nxënësve në komunën e Ferizaj, e i cili libër ishte përdorë si një nga burimet. Ngjashëm veproi edhe me dhurimin e librit profesor Ramadan D. Ramadanit që po ashtu që kishte shkruar në ëtë temë apo edhe me Doktor Sylejman Toplali , që të dy nga Ferizaj, që kishte dhënë kontribut të çmueshëm për shorimin e këtyre fëmijve të helmuar. Porse dëshira e Hazir Mehmetit sa i përketë kësaj teme mbetet përherë aktuale, sepse ai dëshiron që në mbarë Kosovën të hulumtohen, ndriçohen dhe grumbullohen shënimet të kësaj natyre nga periudhat më dramatike të shqiptarëve të Kosovës në periudhën e okupimit serb, i cili madje duke treguar fëtyrën më antinjerëzore  nuk la pa helmuar edhe fëmijët tanë, si pjesën qenësore të ardhmërisë dhe të trashëgimisë tonë.

E tash ditë më parë , lidhur me dhurimin e gjatë botimeve të tija në Bibliotekën “Latif Berisha” në Mitrovicë, deklaroi se:

“Malli për Mitrovicën ku kreva Normalen “Hasan Prishtina” jeton fuqishëm edhe në mërgim. Nuk harrohet grupi letrar i drejtuar nga shkrimtari e veprimtari i njohur “Jakup Ceraja. Ky mall për qytetin  buron që nga jeta jonë shkollore para gjysmë shekulli kur filloi rilindja shqiptare në shkollim, edukim kombëtare dhe rifilloi qëndresa në kërkim të të drejtave kombëtare”, – tha mes tjerash autori në takim me stafin e bibliotekës.

Edhe disa fjalë i përket aktivitetit krijues të Hazir Mehmetit në mërgatë: Ai është një figurë tani e njohur, me një histori në krijimtarinë letrare dhe publicistike i cili jeton në Austri.  Ai është, mes tjerash, autor i abetares së parë (A-B-C- Fibel/Abetare) për fëmijët shqiptarë në shkollat e Austrisë. Libri i ri në bibliotekë  “Studiues austriakë e shqiptarë” karakterizohet me elemente enciklopedie ku përshkruhen figura me rëndësi për gjuhën, artin dhe kulturën shqiptare që studiuan në Austri. Autori ka të botuara vepra letrare në gjermanisht, rumanisht dhe është anëtar i P.E.N. klubit austriak.
Librat tjerë të cilët lexuesi do mund t’i gjen janë: Pranverë e helmuar, Mësimi shqip në Austri, Kohëthyerja, Kohpërfytj, Mësues e krijues në diasporë”.

Ndërsa sa i përket Bibliotekës “Latif Berisha” në Mitrovicë, nga autori në fjalë mësuam se ajo  është model për biblioteka e komunave tjera të pasuruar me tituj librash dhe  hapësirë të përshtatshme e funksionale dhesë është e vendosur në një objekt tejet modern. Përfshi këtu edhe digjitalizimin dhe pasurimin e sallave kompjuterike për hulumtime që mbetet detyrë e vazhdueshme e drejtuesve të bibliotekave gjithandej Kosovës.