I.
Revista e njohur amerikane „Times“ më 1997 njeriun e mijëvjeçarit e shpalli Johannes Gutenbergun. Ai e revolucionarizoi produksionin e librit, i cili deri më atëherë riprodhohej përmes kopjimit me dorë. „Bibla e Gutenbergut“ e realizuar në vitet 1452-1454 në faqe me dy kolona dhe në 36 rreshta është vlerësuar për risitë e saj estetike dhe teknike. Me këtë ai e ka shënjuar epokën e Rilindjes.
Pas rreth 550 vjetëve një kopatriot i tij, me një emër identik, Karl-Theodor zu Guttenberg, u bë i njohur në mbarë botën: Ai shtypi doktoraturën e tij të stisur në dy të tretat nga burime të padeklaruara. Buja ishte kaq e madhe sa u shpik folja „guttenbergen“ (gutenbergoj), në kuptimin e kopjimit, së cilës Shoqëria për Gjuhën Gjermane ia dha vendin e shtatë në fjalët e vitit më 2011.
Zu Guttenberg u bë shembulli tipik i plagjiaturës. Aristokrati në fillim e mohoi të kishte kryer plagjiaturë. Më pas i pranoi lëshimet shkencore, por refuzonte ta dorëzonte titullin e doktorit. Pastaj e lëshoi doktoraturën, por refuzonte dorëheqjen nga posti i ministrit të Mbrojtjes. Në fund u detyrua t’i dorëzojë edhe titullin edhe postin. E tëra në një hark kohor prej dy javëve!
II.
Opinioni publik shqiptar njëkohë qahej nga politikanë të pakualifikuar. Sidomos në Kosovë e Maqedoni. Në mënyrë proverbiale, ndonjëri thuhej se e kishte marrë diplomën e universitetit pa shkollë të mesme. Tjetri e kishte siguruar diplomën universitare pa i kryer studimet ndonjëherë. Një tjetër i kishte kryer studimet në një afat të denjë për Librin Guiness të rekordeve…
Gjithsesi më tepër është neveritur marifeti i sigurimit të një diplome në rrugë të ç’rregullt, sesa mugesa e një shkollimi sistematik akademik. Opinioni më tepër ankohej nga mungesa e integritetit dhe përgjegjshmërisë së aktorëve politikë, sesa për faktin që këta nuk shkëlqenin me dije dhe nuk të magjepsnin me të shprehur. Jo më kot në opinion më të përhapura janë kualifikimet „tradhëtar“ e „hajdut“ se ai „injorant“.
Vërtet pozita e shqiptarëve, para së gjithash mirëqenia, demokratizimi dhe integrimi, nuk u përparuan domethënshëm as në periudha të qeverisjes së kuadrove me profil të lartë akademik. Kujto peridhën e tranzicionit në Shqipëri të shënjauar nga kardiologë, ekonomistë, matematicienë, fizicienë të doktoruar në universitetet më të mira të huaja. Kryesisht në Francë.
III.
Për herë të parë Këshillin Federal të Zvicrës prej shtatë anëtarësh(!) e dominojnë ministra pa formim klasik akademik. Ky është vetëm një rekord, sepse Zvicra ka njohur disa ministra dhe kryetarë të lavdëruar pa diplomë universitare.
Ministri i Financave dhe Kryetari i Këshillit Federal ka mbaruar një zanat për administratë. Ministri i Ekonomisë, Arsimit dhe Shkencës ka të kryer gjimnazin, por pastaj ka marrë një zanat për bujqësi. Ministrja e Ambientit, Trafikut, Energjisë dhe Komunikimit ka mbaruar gjithashtu gjimnazin dhe mandej ka kryer për pianiste në Konservatoriumin e Luzernës. Ajo ka ndejkur ligjërata në degën e letërsisë spanjolle dhe angleze, por s’ka diplomë universitare. Ministrja e Drejtësisë dhe Policisë ka një diplomë tregtare, më pas e ka ndjekur një shkollë për përkthyese; së fundmi ka marrë një diplomë për mësuese gjuhe në Institutin Pedagogjik të Universitetit të Friburgut. Ministri i Jashtëm është mjek. Ministri i Brendshëm është doktor në ekonomi. Ministrja e Mbrojtjes dhe Sportit është juriste.
Për t’u zgjedhur si ministër në Zvicër vlerësohet se para diplomës universitare konsiderohen ca kompetenca të tjera: Aftësia për t’i kapur gjërat shpejt e koordinuar me sensibilitetin politik; ministri duhet të dijë të prijë; të mbledhë një ekip të mirë dhe të krijojë një klimë të mirë pune në ministri; aftësia për t’i rënë pikës në komunikim. Pastaj sukseset profesionale dhe përvoja vlejnë aq shumë.
IV.
Për dy javë opinioni gjerman e zbythi politikanin më të popullarizuar të vendit dhe – sikurse është bërë zakon të thuhet – yllin në ngjitje të Merkelit. Sepse kishte kopjuar dhe kishte gënjyer. Në Kosovë pothuajse janë harruar denoncimet për plagjiaturë që iu janë bërë disa peronaliteteve të nderuara edhe përtej partisë së tyre! Në opinionin shqiptar të Maqedonisë është denoncuar një rast prominent për plagjiaturë dhe, me sa di, çështja s’është ezauruar plotësisht.
Sidomos protestat e studentëve nxorrën në dritë që klasa politike në Shqipëri është katandisur për faqe të zezë: Deputetë që i japin kurset e kaminonave në një vend të Perëndimit si diploma universitare, kryedeputetë dhe ministra që nuk japin pesë pare se iu tunden gjetjet e plagjiaturës së doktoraturave në sytë e tërë opinionit publik satelitor!
Si nuk tundet asnjë institucion për këtë hata?! Si nuk e hap gojën universiteti që i ka nënshkruar ato?! T’u dalë për zot vendimeve të veta, ose të marrë përgjegjësitë që i takojnë. Vërtet, mentori i një studimi të denoncuar (i specializuar në Zvicër), njëkohësisht politikan, i pranoi lëshimet në vlerësimin e asaj pune shkencore. Një zyrtar i Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë u largua pa bujë pas denoncimit për plagjiaturë. Të vjen t’i shpallësh personalitet të vitit që në janar! Të vjen të bërtasësh „rrofshin politikanët që s’kanë diploma universitare!“
Nëse kanë vendosur ta dekriminalizojnë plagjiaturën, atëherë ta ligjërojnë si pjesë të titullit akademik: Plag. Dr. Filan Fisteku.

























