Shkruan: Ornela Radovicka
Ndërsa hulumtoj botën arbëreshe më vjen ndër mend Shpejtësia me të cilën mijëra gjuhë po shuhen: sipas studiuesve të ndryshëm, të paktën gjysma e gjuhëve të folura në botë do të kenë vdekur deri në fund të shekullit të 21-të. Çfarë po ndodh?
Gjatë takimit me krijuesit dhe artistët në mërgatë zhvilluar në Vjenë, 30\04\2023, midis disa librave që më dhuruan shfletoj edhe një libër me titullin «Shkollë e Rritës”.
Libri, në strukturë i ngjan një reviste ku është kodifikuar puna e bërë nga mësuesit e Nurnberg, që nga hapja e shkollës së parë shqipe deri në vitin 2001. Faqet e këtij libri nuk zotërojnë ndonjë stil popmpoziteti, por brenda atyre rreshtave shtrihen grimca profile, vargje, punime artistike, aktivitete, emocione, sentimente ku përmblidhet sinteza e një pune kolosale bërë nga mësuesit e Nornbergut për hapjen e shkollave shqipe. Ky libër është kodifikuar nga mësuesi Nustret Dërguti.
Kur takohesh me këtë Mësues vë re se Ai nuk ka atë profil të atyre mësuesve të lodhur, por mban atë buzëqeshje, të përfshinë në atë energji artistike, ndoshta ngaqë artin e ka në gjak. Edukata është veshja e mësuesve, dhe Z. Nustret kjo e karakterizon.
Nuk po i bëjë ndonjë reklamë këtij libri, është një libër i botuar 22 vjet më parë, por nëpërmjet këtyre rreshtave dëshiroj që të njiheni me rolin e atyre mësueseve të vërtetet, të cilët për themelimin e shkollave punuan në tokë të huaj me kushte shumë të vështira dhe kontekst historik të trishtueshëm dhe plot barriera, u ndeshën me pengesa sa ekonomike aq edhe psikologjike për të bërë një punë bindëse me prindërit, si edhe demonstruan një këmbëngulje stoike pranë strukturave përkatëse administrative e politike të vendeve perëndimore ku ata u vendosën.
Hapja e shkollave shqipe në emigrim është një tematikë aktuale. Po e shikojmë me sytë tanë se si territori i Shqipërisë ashtu edhe i Kosovës po shpopullohet. Në këtë botë globale çdo ditë vdes një gjuhë por kur mendojmë se në shekuj shqiptari si fe e identitet tët tij kishte aksiomën më të shenjtë “Shqiptarinë” që përmblidhet në binomin “mëmëdhe- gjuha shqipe”. Është pikërisht ky akt sublim që çdo shqiptari të vërtet i vlon në deje na bënë deri diku të rrisim shpresën, që ky popull mos të shuhet kurrë në mërgatë.
Nëse hap një shkollë të gjuhës tënde në mërgatë, nuk edukon një etni, por një popull, me gjuhën e identitetit. Përgjegjësia më e madhe është ta lulëzosh atë!
Hapja e një shkolle shqipe në emigrim nuk përmblidhet vetëm në ato vlera sociale si; respekti, toleranca, sjellja, paqja, solidariteti. Nuk apostrofohet as në vlerën profesionale, të profilit që vendos për të ardhmen e tij çdo nxënës, por hapja e një shkollë shqipe shkon më tutje, i ka rrënjët në atdhedashuri, në atë sentiment sublim, fisnik që o e ke o nuk e ke, që nuk ngelet i ngurt brenda vetes, por si një delt fertilizon çdo gjë për rreth teje. Mësueset e shkollave shqipe janë pikërisht ata, që kanë brenda dashurinë për gjuhën shqipe dhe shkrihen si qiriu, për të shpërndarë gjuhën, traditat, folklorin, ruajtjen e identitetit brezave që rriten në një atdhe që nuk është i prindërve apo gjyshërve të tyre.
Po le të shfletojmë faqet e këtij libri.
Kush është mësuesi Nustret Dërguti?
Lexoj se ai lindi në fshatin Varosh në Ferizaj 1958. Studimet e para i mbaron në fshatin e lindjes. Gjimnazin në Ferizaj dhe studimet e larta në Universitetin e Prishtinës degën gjuhë letërsi. Është i talentuar në teatër ku merr pjesë, por në vitin1989\ 90 shkon si mësues i mësimit plotësues në Gjermani; Nurenberg, Wurzbur, Schwinfurt, Erlangen, Herzogenaurach, Furth, Neumarkt-oberpfalz, Ansbac e Bamberg. Ky mësues, aty ku ishin nxënësit ishte ai, aty ku ishin preokupimet për shkollën ishte ai, aty ku ishin prindërit ishte ai, dhe aty ku hapej një shkollë ishte edhe ai.
Që në faqet e para gjejmë sintezën e këtij libri”; Çdo gjë për shkollën shqipe”.
Faqet nisin me historikun e hapjes së Shkollave shqipe nga Hasan Prishtina me ndihmën e Austro-Hungarisë në vitin 1915. Vazhdon me rihapjen e shkollave në 1945, bazat e së cilës i kishte hedhur Ernest Koliqi 1941.
Periudha më e errët për shkollat shqipe në Kosovë ishin vite 1990\99 kur pushuesit Serb, prekën fëmijët, helmuan shumë prej tyre, vranë një mori fëmijë , dhe një pjesë e tyre u degdisën me qindra nëpër botë.
Ajo pjesë e fëmijëve të rritur që erdhi në dhè të huaj, ashtu si edhe prindërit e tyre nuk e kishin të lehtë.
Kishin lënë çdo gjë në trojet e tyre, një pjezës të jetës, fëmijërinë, dhe mbi të gjitha malli, për atë tokë, dhe këtë e shohim te vargjet e Dafina Lumi: Vendlindja e dashur\ me asgjë s-të ndërroj\ gjeja më e shtrenjtë\ ti je për mua.
Shkolla e parë në Nurnberg u hap nga mësuesi Jetullah Kadriu 1979\80. Morën pjesë 22 nxënës të cilët ishin ulur në bangat për të mësuar gjuhën shqipe.
Në rrëfimet e mësues Dërguti paraqitet me nota emocionuese takimi i parë me nxënësit. Ato momente nuk janë thjesht ai raport mësim dhënie ndaj nxënësve, por një raport – gjaku që lidh gjuha, kombi, mëmëdheu.
Imagjinoni vështirësitë e një mësuesi i mësimit plotësues sapo ardhur nga Kosova, që nuk ka eksperiencë (sepse askush nuk është trajnuar) të përballet me këta nxënës të rritur në Gjermani, të cilët komunikojnë gjermanisht, njohin vetëm ndonjë fjalë shqipe të cilën e kanë dëgjuar tek tuk nga prindërit e tyre, por nuk hezitoj të shtoj që edhe me një kulturë ndryshe.
Por, vullneti kur është i madh dhe zemra e gatshme, arrin të përcjellësh edhe majat e Zugspitze dhe ti çosh në Bjeshkët. Kështu filloi itinerari i gjuhës shqipe të mësues Dërguti nga Ferizaj drejt Nurenbergut.
Një udhëtim me plot stacione ku hypin dhe ngjiten ne trenin “ gjuhë shqipe” shume të rinj, mishëruan këtë udhëtim, dhe çuan deri në fund itinerarin. Nuk di nëse dikush prej tyre është bërë mësues, dhe shpërndanë nëpër botë vëllezërve të të njëjtit gjak këtë gjuhë kaq unike, por me siguri sot shumë prej tyre në çdo dikaster qofshin thonë me krenari: Jam shqiptar, jo prej delirit të madhështisë por për të rrëfyer rrënjët e tyre të lashta.
Shkolla është edhe art. Si jë paradë bukurie na rreshtohen emrat e artistëve të vegjël të shkollës. Të cilët jo vetëm janë pjesëmarrës, por të denjë shkëlqejnë në aktivitet si 28 Nëntori dita e Flamurit, 7 Marsi, 2 Korriku, 7 shtatorit. Përcjellim vargjet e një nxënëse, quhet Teuta Rama. Ja se si është Kosova në zemrën e saj: “Ku djelli duket më i bukur, ku lulet janë më të hijshme, por edhe pse u larguam fatin e Kosovës kemi në duar”. Ndërsa Teuta thur vargje, vogëlushja Fitore Gashi përcjellë një pikturë mbështetur në vargjet e saj.
Këta artistë të vegjël janë të mbrekullueshëm. Puna e tyre, dashuria për gjuhën e mëmës i ka bërë të prek zemrën e Ali Podrimes i cili ka shkuar e takuar këta nxënës. Me siguri që Podrimja i ka ftuar në shpirtin e tij, siç mbante me menteshat e shpirtit të tij “Lumi Lumi” dhe u ka thënë: Ti mëso të duash vogëlush. Ti mëso të ecësh me këmbët e tua\ mbi të keqen mbi të mirën, mendo me kokën tënde\ kurrë mos pështyj në dashuri, as në pleh; Mallkim i fisit\Shkolla jote antike; të dish të çelësh derën e shtëpisë\Në çdo kohë\Të dish të thuash fjalën kur duhet thënë\ Urrejtja është më e rëndë se vrasja.
Dhe Azem Shkreli do ti shikonte në sy këta nxënës dhe nga shpirti i tij do të dilnin vargjet: Sonte Qava sonte për ty Arberi\Nuk me vjen turp Pse qava\Me vjen turp pse s’munda\ Te bej tjeter\
Nga turpi qava
Fejzi Bojku, do ti vogëlushat në koreografine “këngën e shkronjave”, Zejnullah Halili i vozitë në “ Ç thonë borbardhat”, Eqerem Basha do ti shetiste në botën e përkthimit, e poligloti më zoti ishte ai që njehte shqipen ”, Basir Capriqi i imbarkoi në anijen e Teutës drejt Ulqini, Milazim Krasniqi do ti pyeste se “Çfarë është atdheu”, ndërsa Hamza Halabaku do ti përmblidhte në esklamacionin e tij “u bëftë Arbëria”! Këta bijë të shqipes me flatrat e tyre të valëzuara, në tingujt shqip, i kanë përcjellë këta nxënës në sinfoninë më të bukur, atë të “Mëmëdheut” vatra e baballarëve të tyre.
Në faqe t e këtij libri, janë paraqitur një mori artistësh por shohim edhe punimet e piktorëve të vegjël të cilët marrin pjesë në aktivitete dhe gara. Ndalojmë tek piktura e një vogëlushi, quajtur Lum Dërguti. Më tërhoqi disi në stil, dhe më kujtuan ato shtëpitë “Kodra” të artisti Ibrahim Kodra. Kompozimi i atyre kullave, herë më çonte në Dukagjinë, herë në Drenicë, herë tek Oso Kuka. Çuditërisht ajo ngjyra blu që zinte një vend të konsiderushme në artin e këtij djaloshi, më coi tek “Capela Sitina”. Në atë pikturë, Djelli dhe pse në lartësi, zinte parametrat e një gjysmë kulleje, ndërsa rrezet e tij të çponin me nostalgjinë e “ Aidi\ Heidi”e të çonin në Vendlindje.
Në mënyrë të detajuar Autori na përshkuan aktivitetin më të madh të shkollave “ Nurenbergu 95”
Një konkurs i organizuar me një pyetësor, një atmosferë në detaje; Flamuri shqiptar, tabelat në gjuhë shqipe, fëmijët në komunikim shqip dhe një juri me njerëz që dashuronin artin, pikturën letrërsinë, teatrin por mbi të gjitha një shkëlqim në gjuhën shqipe. Dukej një copëz Shipërie apo Kosove në ato imazhe.
Nga këto faqe libri mësojmë se veprimtaria e nxënësve në këto shkolla shkojnë më tej se programi i tyre mësimor. Me nismat e tyre ata janë prezent në momentet më të errëta të Kosovës. Këta nxënës përfshihen në ndihma konkrete. Përmendim rastin mbështetjes së një ndërhyrje kirurgjikale të një bashkatdhetarit të tyre i quajtur Jetmir Jaupi i plagosur nga ushtarët serb. Nxënësit investuan edhe për ngritjen e një lapidari të Afrim Prebreza në Kosovë. Këta nxënës kishin mbështetur nismën “ ndihmë moshatarëve Kosovarë”.
Faqet e këtij libri mbyllen me profilet e disa nxënëseve të cilat me sukses kishin dhënë provimet e pjekurisë dhe kishin zgjedhur gjuhën shqipe. Ja vlen të përmenden emrat e tyre si:
Shahdie Sahiti, nga Presheve, Shpresa Shala nga qyteti i Mitrovicës, Shkëndije Helshani nga Peja, Teuta Rama Podujeva. Këto vajza janë shembuj për brezattë cilët duhet të kuptojnë se Gjuha shqipe, nuk është gjuhë inferiore( këtë nuk po e them unë, se nuk jam askushi) Gjuha shqipe është gjuha më e lashtë(nuk po shkoj më tutje tek rrënjët e saj pellazgo ilire), por si mund të ndihesh inferiore nga kjo gjuhë kur dhe Vatikani me shekuj krahas latinishtes, greqishtes e përdorte shqipen si gjuhë zyrtare!
Shënim:
Në faqet e këtij libri autori Dërguti nuk anashkalon asnjë prej miqëve të tij; Fillon Mehmet Reçika,1983 i cili mbuloi një terren më të gjerë të Bavarisë: Munchenin, Nyrenbergu, Schveinfurtin dhe Erlangenin.
Vazhdon me Shoqatën “Jehona” ku spikatin emrat si Pjetër Coli, ky djalosh bir i Kosovës që në 1971 erdhi si student i faklultetit të Juridikut, themelues i shoqatës “Jehona”, ndihmoi shumë bashkëatdhetar të tij si përkthyes, por ai u emërtua më vonë Kryetar i Fondit të Republikës së Kosovës, (3%) për Gjermani, të cilin e udhëhoqi tetë vjet me rradhë. Nuk kursehet duke folur për bashkatdhetarëve të tij si Bedri Mustafës në Bamberg dhe Zenun Malajt në Weissenburg, Hamza Halabaku, Miliam elezi, Igballe Gashi, Riza Iljazi, Rexhep Neziri, Qazim Ibriqi. Rushit Bytyçi, Haxhi Lokaj, Asllan Voca, Remzi Heta(Norenburg) Tahir Ahmeti(Erlangen) Bedri Mustafa(Schuinfurt), Avdi Mjeku dhe lënies së stafetës mësuesit Latif Sermoxhaj, të cilët nuk u kursyen për ndihmesën e tyre, si dhe punën kolosale për hapjen e shkollave, dhe mbyll këtë qark me ndihmesë nga bota gjermane si zonja Ilse Jakir- koordinatroe e mësimit plotësues, si dhe miqve Walter Goldecker, Ferdinand Hausen, Dr Egleseer.
Duke mbyllur faqet e këtij libri, mendoj se sot në botën kibernetike ku jetojmë në klichen e tufëzimit \ globalizimit, lumturia në para, në pushtet, dëshira për sukses, fati i një gjuhe varet nga faktorë thjesht social, politikë dhe ekonomikë.
I përkas atij mendimi që nëse do punojmë për ruajtjen e gjuhës ndoshta do ti shpëtojmë kësaj anakonde “ Asimilim” që po gëlltit çdo 14 ditë një gjuhë apo idiomë. Nëse në mërgatë prindërit dhe familja do të mbështesin mësuesit, mendoj se do të arrihet deri diku kjo detyre ku brezat do të kenë respektin “e përkatësisë, gjuhës, kulturës”.
Mendoj se alfa e cilitdo mësues në mërgatë duhet ti shpjegojë nxënësve diferencën midis; “gjuhës së bukës”(që ndryshe i themi gjuha e punës, e karrierës, e cila shërben si fond ekonomik, por edhe gjuha e shtetit ku je mysafir, ku je mërguar dhe është e rëndësishme të mësohet), “gjuha e zëmrës”, (gjuha e rrënjëve, e identitetit, e etërve), është e rëndësishme t-iu mësohet mbi historikun e “ gjuhës shqipe” (gjuha më antike) që nuk do të thotë të jesh inferior, por të ndihesh i barabartë me gjuhët e tjera si gjermanishtja apo anglishtja, Frëngjishtja etje, si të dish, për lashtësinë e saj, gjë e cila do të bëjë akoma më krenar. Kemi nevojë per brezat që dinë gjuhë të huja, por kemi nevojë për ata që dinë gjuhën shqipe, vetëm kështu mund të na ndihmojnë të rinjtë të hulumtojnë nëpër biblioteka të botës perëndimore si në Itali, Austri, Gjermani, dhe në Vatikan, ku gjenden me mijra dosje ku flitet për shqiptarët dhe rolin e tyre të madh në historinë e mesjetës. Ato dokumente janë atje nën pluhura dhe ne shqiptarëve na i intereson vetëm karrjera individuale nëpër botë, gjuhët e botës, ndërsa ndër kohë fqinjët na kanë eklipsuar deri atje sa na tukrrën në territor dhe në gjuhë.
Distanca është thjesht një faktor gjeografik, prandaj sot në botën digjitale secili në mërgatë me gjuhën e tij shqipe mund të edukohet me hipotezën: Çfarë mund të bëjë për mëmëdheun tim edhe pse jam larg tij për tu ndjerë i dobishëm?
Personalisht falënderoj mësues Nustret Dërgutin për punën e madhe të tij si edhe për këto emocione kaq të gjalla, kaq të ngrohta, dhe kaq nobile, që vetëm mësuesit e vërtetë dinë të të japin.
Suksese të gjithë mësuesve në mërgatë për sakrificat në misionin e tyre fisnik e të shenjtë!
Me nderime
Ornela Radovicka
Qëndra albanologjike A, Bellusci pranë Bibliotekës Frasnite\ Cosenca


























