14.5 C
Zürich
Freitag, September 18, 2026

Nën tingujt e Shkëlzen Dolit, në Zvicër hapet edhe një qendër pleqsh e Merita Pintës

Një ambient thuaja se përrallor në Zvicër: nën tingujt e violinës së një anëtari të Filarmonisë së Vjenë në një objekt në menaxhim të një ish- malësore të Jezercit, vështirë ishte të kuptohej se e tërë kjo ishte edhe një vepër e shqiptarëve të suksesshëm në Perëndim

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Të gjithë ne që merremi me përcjelljen e aktiviteteve shqiptare këtu në vendet perëndimore, nuk jemi mësuar që të përcjellim një promovim apo një inaugurim objekti, pa ndonjë fjalë rasti, pa ndonjë fjalim.

Ndaj edhe inaugurimi i djeshëm, më 1 Qershor 2019, solemn i qendrës për përkujdesje te njerëzve të shtyrë në moshë, gjegjësisht një shtëpi e pleqve, Primapflege “Residenz im Park” pranë banjës së njohur Bad Zurzach, institucion ky në menaxhim të Merta Pintës, i treti apo i katërti me radhë në Kantonin Aargau, ishte rast unik, sepse i tëri filloi e mbaroi me tingujt e violinistit tonë elitar që ishte ardhur nga Vjena për të bërë edhe më madhështor jo vetëm rastin solemn, por për të dëshmuar edhe njëherë shkallën e lartë ku kanë arrit sot shqiptarët, ndërsa që në vendet e tyre edhe më tej kultura është bira e fundit e kavallit!

Në lokalitetin që posedon një nga banjat më të njohura termike në shtetin helvetik, në Bad Zurzach të Kantonin Aargau prej dje edhe zyrtarisht përmes aktit të “Ditës së derës së hapur” u bë inaugurimi shtëpisë për të moshuar dhe personave me nevoja të posaçme shëndetësore, Primapflege “Residenz im Park”, që në krye të një personeli prej 25 vetash ( një e katërta shqiptarë) do të kenë në krye menaxheren e shkëlqyeshme me prejardhje nga Jezerci i Ferizajt, e specializuar në Zvicër, Merita Pinta, që për te nuk është ky objekti i parë që merr nën drejtim e udhëheqjes, përçka e ka edhe mbështetjen e bashkëshortit të saj Bajram Pinta.

Për të nda me Meritën këtë sukses nga anë të ndryshme të Zvicrës por edhe të Gjermanisë kishin ardhur shqiptarë profesionesh të ndryshme e sidomos nga fusha e shëndetësisë e biznesit por edhe përfaqësues diplomatik nga Shqipëria e Kosova: ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bernë, Ilir Gjoni dhe Ministri këshilltar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë, Islam Spahiu, drejtor ekzekutiv i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, Bekim Brestovci e të tjerë.

Krahas muzikës së shkëlqyeshme të Shkëlzen Dolit, ( me prejardhje nga Gjakova dhe i lindur në Elbasan më 9 Gusht  1971) të pranishmit patën rastin të njihen më për së afërmi me objektin dhe dhomat dhe lokalet përcjellëse të kësaj shtëpie me dhjetëra dhoma të cilën Merita Pinteli i ka dhënë udhëheqje Leonora Pecit, ndërsa që ka punësuar edhe disa shqiptare të reja që sapo kanë kryer shkollat adekuate për këto shtëpi të specializuara.