22.5 C
Zürich
Mittwoch, September 16, 2026

Në Zvicër, tri promovime të suksesshme të “Libri i Luftës” të autorit Nuhi Bytyçi

Për tri ditë me radhë libri “Libri i Luftës”, të gazetarit dhe reporterit të njohur Nuhi Bytyq, përjetoi tri promovime: në Bernë, rrethinë të Cyrihut dhe Gjenevë, duke nxit interesim të theksuar me përmbajtjen voluminoze e dokumentare për njërën ndër periudhat më dramatike të popullit shqiptar

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Në një ambient thuaja se familjar, në Wüerlos, jo larg Cyrihut, në restorantin e Mejdi Sejdiut, me prejardhje nga komuna e Ferizajt u bë promovimi i librit “Libri i Luftës”, të gazetarit dhe reporterit të njohur Nuhi Bytyçi

Që në fillim shefi misionit të Konsullatës së Kosovës në Cyrih, Sami B. Kastrati, shprehi kënaqësinë që merrte pjesë në promovimin e librit të një kolegu nga fusha e gazetarisë e tash edhe në detyrën e porsaemëruar i kishte rënë hise të merrte pjesë në këtë ceremoni të një libri me shumë peshë dokumentare e kombëtare. Më pastaj u shfaq një film dokumentar për rrugën jetësore të Nuhi Butyçit si gazetar dhe telekronist në periudhën e luftës së UÇK-së për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe në periudhën e pasçlirimit.

Me një recension për librin e Nuhi Bytyçi „Libri i luftës“, u paraqit njëri nga krijuesit e letrave tona, veprimtari, Ibish Neziri i cili që në fillim tha se: Nuhi Bytyçi jemi mësuar ta shohim në një  format tjetër, ndërkaq sonte para nesh po vije në një tjetër format. Nuk besoj se është ndonjëri në mesin  tonë që emrin e Nuhi Bytyçi nuk e ka të njohur. Këtë emër e mësuam sidomos në vitët e vështira por lavdiplote të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga emisione e kronika të ndryshme televizive, raporte nga terreni, kronist nga fushat e tri luftërave që u zhvilluan në hapësirën e ndarë shqiptare, dhe pas luftës edhe autor të shumë emisioneve e dokumentarëve televiziv që kanë të bëjnë me figura të rëndësishme të rezistencës dhe luftës për liri dhe bashkim të popullit shqiptar të Kosoves dhe Ushtrisë së tij Çlirimtare, të cilës iu bashkuan vullnetarë nga të gjitha viset shqiptare dhe nga e gjithë bota ku ata ishin të shpërndarë..  Nuhiu mbahet mend edhe si autor shkrimesh në gazetat e revistat e ndryshme të viteve 70-ta dhe 80-ta, por dalëngadalë këto u zbehen në favor të televizionit dhe filmit.

Krahas “Libri i luftës”, mund të quhet edhe libri i jetës

Më tej Ibish Neziri nënvizoi se : Këtë herë Nuhiu mes nesh nuk vije as si kronist televiziv e as si autor filmash dokumentarë që jemi mësuar ta shohim në këto 22-3 vjetët e fundit , por vije si autor me librin e tij të parë të titulluar „Libri i luftës“, libër voluminoz sa iu përket faqeve –767 faqe, por edhe temave që i trajton dhe me të drejtë, pos libri i luftës, mund të quhet edhe libri i jetës, ngase në të, autori i sjell kujtimet e tij  të një periudhe rreth 50 vjeçare.

Titullin „Libri i luftës“ e arsyeton përmbajtja nga se në secilin kapitull e në secilën faqe ka përballje, luftë e për autorin lufta nuk ka filluar në vitin 1998 sikur për shumë njerëz tjerë, por shumë më herët se këtë vit. Vitet janë hallka kujtimesh për përjetimet e ngjarjet që vijnë duke u lidhur me njëra tjetrën nga e veçanta për të shkuar drejtë të përgjithshmes. Nga vendlindja e fëmijëria në Shkozë të Malishevës drejt gjimnazit në Prizren, shkollimit të mëtutjeshëm në Prishtinë dhe bashkëpunimit me gazeta e revista duke filluar nga „Bota e re“ që në fakt do të jetë edhe përcaktues i rrugës së tij jetësore dhe profesionale, për të kaluar përmes zhvillimesh e ngjarjesh, të cilat e ndryshuan historinë më të re të Kosovës dhe popullit shqiptar për të përfunduar te Kosova e pavarur, pa e lënë anash as mërgatën shqiptare dhe rolin e saj kolosal në zhvillimet në atdhe.

Një telekronist i shkëlqyeshëm i luftës sonë për liri 

Duke u lëshuar në trajtimin e temave të librit, Neziri më tej tha se: “Temat që autori i trajton në libër nuk janë më pak apo më shumë të rëndësishme. Të gjitha e kanë peshën e vetë dhe secilës prej tyre i është gjetur vendi në libër sipas viteve të zhvillimit.

Libri ka gjithasej 12 kapituj tre, prej të cilëve; Bazamenti, Fillet e Gazetarisë dhe Lufta për thyerjen e cenzurës u kaluan shkurtimisht me fjalët që sapo u than.

E vërteta për Kosovën ishte mbuluar, prandaj asaj duhej t’i hiqej mbulesa dhe të thuhej botërisht, gjë që nuk ishte e lehtë. Për këtë duhej luftuar dhe pikërisht në kapitullin e katër me titullin Lufta për të vërtetën e Kosovës në 73 faqe paraqitet kjo luftë e cila atë kohë nuk mund të bëhëj ndryshe pos përmes masmediave, gazetave, radiove. Tv-ve etj, të cilat pa përjashtim ishin ekstremisht të kufizuara. Dhe në këtë luftë autori nuk qëndroi largë, por u bë pjesëmarrës i drejtpërdrejt i saj. Ajo autorin e ndoqi hap pas hapi. Edhe kapitulli i pestë po ashtu lidhet me luftën. Me që frika si mekanizëm e kishte bërë të veten dhe ishte futur thellë në palcën gati gati të secilit, ajo duhej mposhtur  dhe lëvizjen për liri duhej dinamizuar. Në këtë kapitull, autori i trajton senzibilizimin e opinionit publik, pasqyrimin e lëvizjes studentore të vitit 1997, pasqyrimi i së cilës, si thotë autori, e pengonte padyshim dikë, pastaj mbështetjen që rinia shkollore e Prishtinës ua jep studentëve, dhe shumë zhvillime tjera gjithandej Kosovës dhe viseve shqiptare.

Nga Kapitulli i gjashtë, përmes kujtimesh autori e trajton luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në shërbim të së cilës krejtësisht e vënë vetveten, duke u bërë një telekronist i shkëlqyeshëm i kësaj lufte, ngase nuk la pothuajse asnjë fushëbetejë e asnjë zonë operative ushtarake pa e vizituar e pa raportuar nga ajo. Autori duke qenë shumë i kujdesshëm në përgaditjen e këtij libri, edhe mërgatës dhe rolit të saj ia jep një vend, pak a shumë, meritor.

Libër mbi zhvillimet më të vrullshme të jetës së shqiptarëve

Referues i dytë për librin “Libri i luftës” ishte po ashtu një veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare Dr, Vaxhid Sejdiu, i cili që në fillim përmendi se: Vetë titulli i librit “Libri i luftës” i Nuhi Bytyçit detyrimisht na kthen në zhvillimet më të vrullshme dhe më dramatike të jetës shqiptare në fund të shek. XX. Po sa i shqiptojmë fjalët “Libri i Luftës” menjëherë na bie ndërmend lufta e fundit në Kosovë dhe më gjerë në trojet shqiptare nën ish- Jugosllavi, ku shqiptarët në fund të shek. XX dhe në fillim të shek. XXI  bënë çmos që të ndahen nga vargonjtë e robërisë.

Po sa e shqiptojmë titullin e librit “Libri i Luftës”, kujtesa na rikthen te skenat barbare të gjenocidit jugosllav apo thënë më gjerësisht siç ishte përkufizuar dikur: skenat barbare të gjenocidit  serbo-malazezo-maqedon. Na dalin para syve krimet,  dhuna policore dhe ushtarake e projektuar në institucionet më të larta të Beogradit, me të vetmin qëllim zhbërjen e një populli autokton, siç ishte populli shqiptar.  Na dalin para syve luftëtarët e lirisë, dëshmorët e kombit – të cilët u bënë themel i Kosovës dhe të gjithë ata, nga të gjitha trojet shqiptare, të cilët në kushtet dhe me mundësitë që kishin; vepruan, punuan dhe luftuan nën hijen e atdheut.

Sejdiu më tej tha se: Në momentin që fillova ta shfletoj librin e Nuhi Bytyçit “Libri i luftës” në mënyrë të thjeshtë më lindën disa pyetje: Është  shkruar mjaftueshëm për luftën e Kosovës? – është shkruar mjaftueshëm për luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës? – Është shkruar mjaftueshëm për dëshmorët e kombit? – edhe pse Nuhiu i përmend vetëm në faqen 663, të librit “ Si i realizova më se 100 filma dokumentarë” etj.

Të gjitha këto pyetje, për mendimin tim,  kanë një përgjigje,  se as për luftën e Kosovës, as për gjenocidin serb në Kosovë, as për luftëtarët e lirisë dhe as për dëshmorët e kombit nuk është shkruar aq sa duhet. I madh është numri i akademikëve, shkrimtarëve, politikanëve, studiove televizive, gazetarëve etj., të cilët janë treguar tepër shterp ndaj kësaj dukurie tepër të rëndësishme kombëtare. Prandaj duke e shfletuar librin në fjalë, vijmë në përfundim se autori Nuhi Bytyçi nëpërmjet një rrëfimi autobiografik na e kthen kujtesën në ngjarjet më dramatike të kohës, duke e shoqëruar librin me jetëshkrimin e tij, peripecitë nëpër të cilat kaloi ai dhe familja e tij, vështirësitë e padrejtësitë, por gjithmonë me një përshkrim të dukshëm për shoqërinë e asaj kohe, duke na dhënë pamje të shumta, për jetën, ngjarjet, kohën, personazhet e njohura dhe të panjohura, të cilat e bëjnë librin edhe më te plotë. Edhe pse në qendër të vëmendjes është autori, i cili me mjeshtri fatin individual e sintetizon me fatin kolektiv.

Autori ka bartur me vete një barrë të rëndë faktesh dhe dëshmish

Thënë shkurt përpjekjet individuale në jetë, i gërsheton me problemet e kohës, të cilat përshkruhen në mënyrë realiste qoftë në përpjekjet duke e kundërshtuar censurën, duke e “vrarë” frikën, apo duke u ndjerë krenar në mesin e luftëtarëve të lirisë. Gjatë tërë librit shihet qarte se autori ka bartur me vete një barrë të rëndë faktesh dhe dëshmish për kohën dhe njerëzit dhe vetë botimi i këtij libri i shumë  vëllimshëm është një “çlirim” shpirtëror jo vetëm për Nuhiun,  por për çdo autor, i cili si dëshmitar i ngjarjeve të shumta ka shumë për të thënë.

Struktura e librit përbëhet prej 12 kapitujve, e shoqëruar me një biografi dhe me fjalë hyrëse nga ana e redaktorit, botuesit dhe recensentit, të cilat në përgjithësi në qendër të vëmendjes e kanë jetën dhe aktivitetin atdhetar të vetë autorit, në shërbim të fjalës së lirë, lirisë dhe atdheut.  Pra, autori nuk përton që nëpërmjet pyetjeve ta zgjasë rrëfimin për ngjarjet dhe njerëzit, të cilët i ka takuar, ka punuar me ta apo ka kaluar nëpër sfidat e jetës. Herë – herë gjatë leximit më dukej se po lexoja një ditar të mirëfilltë sepse vetë pyetjet e shtruara dhe teksti brenda në nënkapitujt  e librit instinktivisht të sjell në një atmosferë  të tillë. Mjaftojnë të lexosh nënkapitujt: “Si e sfidova policinë serbe më 2 korrik 1990…, Si më kërcënoi me armë në zyrën time…, Si u ndalova nga policia maqedonase dhe policia serbe…, Si i ula bashkë në një tryezë të gjithë përfaqësuesit e partive politike…, Si e xhiruam  dokumentarin e parë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.., Si e binda drejtorin e RTK-së… etj. Të gjitha këto dhe nënkapitujt e tjerë, në të cilët bëhet fjalë për takimet,  me udhëheqësit luftës së lavdishme të UÇK-së, ushtarakët e saj dhe sakrificën e popullit shqiptar nga të katër anët e atdheut  përshkruhen me një realizëm të thellë, sepse këto ngjarje ende janë të freskëta në kujtesën popullit. Po ashtu ende janë të freskëta zhvillimet nëpër të cilat kaloi lindja dhe zhvillimi i UÇK-së si dhe përfundimi i luftës në Kosovë.

Ngjarjet dhe personazhet përbëjnë pjesën e historisë sonë më të re

Një libër ku ngjarjet dhe personazhet përbëjnë pjesën e historisë më të re të popullit shqiptar dhe këndvështrimi i autorit prek ndjenjat e lexuesit. Vlen të theksohet se autori ngjarjet dhe personazhet i përshkruan në mënyrë të  thjeshtë,  pa hiperbolizime, por ashtu siç ishin realisht ndarjet dhe kundërshtitë brendashqiptare. Autori është i drejtpërdrejtë, ngjarjet i radhitë në bazë të zhvillimeve dhe rëndësinë që kanë, duke i shkruar në formën e shënimeve si bisedat private, si takimet dhe përpjekjet për të realizuar takimet në fjalë. Personazhet janë realë, të mbështjellë  me fakte, ashtu siç janë radhitur edhe pesë albume me qindra e qindra fotografi, të cilat faktojnë ngjarjet dhe personazhet e kohës.  Libri  shoqërohet me data, me emra dhe ngjarje të ndryshme të cilat janë shumë të prekshme, veçanërisht për ata të cilët kanë qenë dhe janë aktorë   të zhvillimeve politike në Kosovë dhe më gjerë.

Edhe pse në fillim të librit autori e bënë një dedikim të qartë, ku librin ia dedikon prindërve të tij dhe familjes që e ndihmuan në jetë, më duket se në mënyrë të heshtur këtë libër gazetari Nuhi Bytyçi ia dedikon të gjithë atyre me të cilët i kaloi momentet më te vështira të jetës së tij, jo vetëm si gazetar por edhe si shqiptar i persekutuar nga pushteti i kohës.

Në fund të fjalës së tij Vaxhid Sejdiu , potencoi se Nuhi Bytyçi është ndër gazetarët e rrallë që me përkushtim u mundua në mënyrë reale të prezantoj vlerat e luftës çlirimtare në Kosovë dhe më gjerë, para, gjatë dhe pas luftës jo vetëm nëpërmjet filmave dokumentarë por edhe shkrimeve dhe emisioneve të ndryshme.

Mërgata preokupim i vazhdueshëm i autorit

Në fjalën e tij autori  potencoi se përherë mërgata për shkak të kontributit të madh që ka dhënë, ka qenë përherë preokupim i tij jetësor. Gjithashtu tha se: “ ka kohë që ka menduar t’i shkruaj dhe t’i publikoj këto kujtime. Përvojën profesionale të punës  në gazetari ka menduar ta përmbledh në një libër, në këtë libër autobiografik, i cili, do t’i shërbejë edhe publikut për shumë ngjarje të hershme dhe të vonshme, të rëndësishme për Kosovën.

“Veprimtarinë gazetareske e kam filluar para më shumë se katër dekadave. Duke e regjistruar në kujtesë dhe në letra, di që ka qenë e mbushur me sakrificë, guxim, përpjekje. Ka qenë njëfarë lloj lufte. Luftë për të vërtetën, për lirinë dhe pavarësinë e vendit tim; për demokracinë, emancipimin dhe zhvillimin e Kosovës. Libri që keni në duar ka brenda vetes përpjekjet, mbijetesën dhe sakrificën e vazhdueshme të popullit tim. Prandaj është i arsyeshëm titulli i tij: “Libri i luftës””, autori Nuhi Bytyçi. Më pastaj u zhvillua një bashkëbisedim me autorin e librit, ndërsa që do të ketë edhe një promovim të librit në Gjenevë, pas ati që u mbajt një ditë më parë në ambasadën e Kosovës, e cila bashkë me dy konsullatat në Cyrih e Gjenevë janë organizatore të promovimit të këtij libri me peshë të veçantë për luftën e fundit por edhe rrjedhat e kohës nën trysninë e okupimit serbë si dhe luftën mbi njerëzore të UÇK-së në rrethana të jashtëzakonshme për mbijetesën e një populli të robruar prej shekujsh.

Pas fjalës së autorit pati disa pyetje që u parashtruan nga pjesëmarrësit, të ardhur nga anë të ndryshme të Zvicrës, për çështje që atyre u interesonin dhe donin të dinin më tepër.