20.9 C
Zürich
Dienstag, September 15, 2026

Në sheshin qendror të Tuzit u përurua shtatorja e Gjergj Kastriotit Skënderbeu

Sot me 28 Nëntor 2024, në 581 vjetorin e ngritjes Flamurit Kombëtar në Kalanë e Krujës nga Skënderbeu, në qytetin e Tuzit me pjesëmarrje të qindra banorëve të Tuzit e Malësisë Madhe, por edhe bashkatdhetarë nga disa vende të botës, përballë  me Malin të Deçiqit u vendosë monumenti madhështor i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit -Skënderbeut.

 Nga Luigj Camaj & Hysen S. Dizdari

Mali i Deçiqit kishte hyrë në historinë shqiptare, si mali ku u ngrit Flamuri Kombëtar Shqiptar me 6 Prill 1911 nga patrioti hotjan, Ded Gjo Luli.

Paraprakisht, kryetari i kësaj komune, Nik Gjeloshaj, përmes një postimi në rrjetet sociale, tha se, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, udhërrëfyesi i kombit shqiptar, kryeheroi dhe frymëzimi ynë i fuqisë dhe trimërisë, krenaria e qëndresës dhe bashkimit të shqiptarëve, do të vendoset në vendin më të bukur që ka Malësia, në sheshin qendror dhe njëkohësisht edhe sheshi do të fitojë emrin “Sheshi Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Përndryshe, shumë historian e shkrimtar e kanë vlerësuar e krahasuar luftën e Hotit dhe të Malësisë Madhe në vitet 1910 -1912 me luftën e Skënderbeut në shekullin e XV, kundër perandorisë otomane.  Shkrimtari Ismail Kadare ka thënë se lufta kundër Perandorisë Otomane fillon me luftën e Skënderbeut dhe përfundon me luftën e kryengritjet e Hotit e Malësisë Madhe të udhëhequra nga Ded Gjo Luli.

Ashtu siç Kalaja e Krujës, dhe malet e Krujës për luftëtarët e Skënderbeut ashtu ishte dhe Mali i Deçiqit për trimat e Hotit e Malësisë Madhe të udhëhequr nga Ded Gjo Lulit. Për Malin e Deçiqit, flet historia por i këndojnë e shkruajnë për më shumë se një shekull  historianët, poetët dhe shkrimtarët më të mirë të kombit shqiptar. Sot pas 581 vite nga ngritja e Flamurit Kombëtare Shqiptar në Kalanë e Krujës u vendosë monumenti madhështor i Gjergj Kastrioti Skënderbeut në Tuz përballë Malit Deçiqit.

Skënderbeu me luftën e tij kundër perandorisë otomane shpëtoi, jo vetëm Shqipërinë por edhe Evropën e botën e qytetëruar nga shkatërrimi përfundimtar i ushtrisë otomane. Prandaj sot është krenari për banorët e Tuzit , për banorët e Hotit e Malësisë Madhe, për gjithë shqiptarët, që kanë në mesin e tyre monumentin, madhështor të Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Ndërsa që manifestimi u përcoll me një program të pasur artistik, me pjesëmarrjen e këngëtarëve të njohur nga trevat shqiptare.

E gëzofshi, përjetësisht, kthimin e  Skënderbeut, në shtëpinë e vet vëllezërve të Tuzit, Hotit e Malësisë Madhe dhe të gjithë shqiptarët kudo nëpër botë.