Në momentin kur ish- kongresisti amerikan Xhozef DioGuardi (Joseph J. DioGuardi), Kryetar i Ligës Shqiptaro-Amerikane, po e viziton Kosovën, po ju prezantoj qendrën e vetme arbëreshe në krahinën e Avelinos: KATUNDI, apo it. Greci, ngulimi prej nga e ka prejardhjen Diogardi ( që e vizitova tri herë), për të cilin thotë se: “Rrjedhë nga një familje e ushtarëve të Skënderbeut”, njërit nga komunitetet e para arbëreshe në Itali, e ku edhe sot pas pesë shekujsh mund ti gjesh shtëpitë e para kalive! Për ne ishte kënaqësi që në ish- shtëpinë prindërve të DioGardit të valvitnim flamurin tonë kombëtar!
Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati
Gjatë udhëtimeve të mija në mesin e vëllezërve arbëresh, përherë preokupim kisha si dhe kur të vizitoj vendin e prejardhjes së ish-kongresistit shqiptaro-amerikan, Xhozef DioGuardi apo Joseph J. DioGuardi, i cili në shtator mbush të 83-tat ( lindi më 20 Shtator 1940). Ai duke qenë më parë si kongresist amerikan e edhe tash edhe si intelektual e atdhetar i shquar me prejardhje arbëreshe aq shumë iu përkushtua çështjes së Kosovës, duke pas përherë në krah të shoqen, Shirley Kloj Diogardi, sa edhe në këtë moshë nuk ndalet së punuari për çështjen e Kosovës, por edhe asaj atë shqiptare në përgjithësi, pasi për te shqetësim i përhershëm është çështje shqiptare në Ballkan.
Banorët arbëreshë, që mbërritën në shekullin XV e quajnë Katund
Se kemi një lidhje gjuhe e trungu këtë e dëshmon edhe vet DioGuardit, i cili thotë se prejardhja e tij vjen: “nga një familje e ushtarëve të Skënderbeut që kishin ndihmuar Mbretërinë e Napolit më qysh më 1461 ”. Banorët arbëreshë, të cilët mbërritën në shekullin XV, e quajnë qytetin Katundi, që në gjuhën arbëreshe do të thotë “qyteti, qendra e banuar”.
Në katundin prej nga e ka prejardhjen DioGardi, për herë të parë u gjenda më 20 Korrik 2019, bashkë me shoqëruesit: kryetari i SHKA “Dardania” nga Winterthuri, Shefqet Cakolli; Elida Jorgonin nga Durrësi, kryetare e Shoqatës “Foleja Kombëtare Shqiptare” dhe veprimtarin nga Lozana, Gjergj Prenkoçaj, me prejardhje nga Malësia e Madhe.
Që të arrinim nga provinca e Foxhes, në Katund ( it. Greci), ku ka jetuar dhe ka pasur shtëpinë babai i DioGardit, nuk ishte aspak një rrugëtim i lehtë, sepse navigacioni na nxjerri disa rrugëve të ngushta njëkahëshe derisa arritëm në provincën Kampanja, ku Katundi është i vetmi vendbanim arbëresh e ku edhe më tej ruhen mjaft mirë gjuha, tradita veshjet dhe ku sheshin e tij e stoliste busti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i përuruar viteve të fundit. Ishte kënaqësi se në Katund nuk takuam vetëm pleq por edhe të ri e madje edhe nxënës, që sapo dolën nga oborri i shkollës në shesh. Ndërsa hasëm në mikpritje edhe brenda familjeve arbëreshe, që na gostitën me pije e ëmbëlsira.
Katundi me histori të lashtë e me figura të shquara arti
Siç mësuam ky fshat malor është shumë i vjetër, daton nga shekulli IX qe shkatërruar nga saraçenët; më 1462 u ripopullua nga arbëreshët, të cilët prej kësaj kohe, ndonëse në kushte të rrethimit nga gjuha e kultura e huaj, sërish e ruajtën shqipen dhe zakonet arbërore.
Nga Greci, apo Katundi kanë dalë shkrimtarë, poetë e dramaturgë të njohur arbëreshë, si: Leonardo de Martino, Luixhi Llanda, Xheradi Konforti, Jani de Majo etj.
Pak statistikë për Katundin
Ja edhe pak të dhëna për Katundin: Në vitin 1898 Greçi ose Katundi siç quhet nga arbëreshët kishte 3863 banorë, në vitin 1920 numëroheshin 3200 banorë, në regjistrimin e vitit 1951 kanë qenë në 2756 banorë, dhe në vitin 1991 vetëm 1186 banorë, sepse edhe këtu migracioni e bëri të veten, si në shumë fshatra arbëreshe. Ata ruajnë gjuhën, zakonet, doket, traditat dhe folklorin e shqiptarëve të lashtë. Katundi apo Greci vazhdon të ruajë të kaluarën me tërë madhështinë e tij për më shumë se 5 shekuj dhe pret të gjithë të rikthehen, apo edhe të vijnë e ta vizitojnë, ku nga afër rrëfehet historia e komunitetit të parë arbëresh në Itali
Ngritja e flamurit ne ballkonin e shtëpisë së familjes DioGardi
Ndaj edhe me të shkelur në Katund, cak kishim shtëpinë e familjes së Diogardit, por nuk mundëm e të mos i bëjmë një vizitë edhe vet këtij lokaliteti arbëresh që ka dhënë figura të shquara në të mirë të kombit e të kulturës shqiptaro- arbëreshe. E pastaj të shoqëruar nga një vendas arbëresh vizituam edhe shtëpinë e babës së DioGardit, që tash e posedonte një tjetër pronar, e që ishte në meremetim e sipër.
Por ne që kishim bërë gjithë atë udhëtim nuk u përmbajtëm pa hip në katin e sipërme për të shpalos flamurin shqiptar në ballkonin e kësaj shtëpi qindvjeçare. E që për ne shqiptarët kishte një domethënie të veçantë, pasi në te kishte jetua familja e Diogardit, prej nga babai i tij si shumë arbëresh tjerë kishte migruar në Amerikë, ku edhe kishte lindur Diogardi, i cili do të bëhet personifikim i së mirës shqiptare tash e gjysmë shekulli.





































