21.5 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

Në Gjenevë festival treditor me moton: “Për nder të Kosovës,homazh të parëve tanë”

Në hapje të manifestimit, përshëndetën ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj dhe përfaqësuesja e Shqipërisë në misionin e OKB-së, Filloreta Kodra, ndërsa që programin e artistik e përmbushi, ansambli “Gëzuar” nga Gjeneva, i cili edhe përfaqësoi Kosovën në këtë manifestim shumetnik

Rexhep Rifati

Vetëm pak ditë pas mbajtjes së një manifestimi në Kloten të Cyrihut, sërish shqiptarët ishin ata që e hapën dhe për tri ditë rresht dominuan në Festivali ndërkombëtar të dokeve të lashta, mbajtur në Gjenevë nga 1 deri më 3 nëntor . Ishte ky rast i mirë që në këtë manifestim , që simbolizonte paqen dhe bashkëjetesën që shqiptarët dhe Kosova të jenë në qendër të vëmendjes. E veçanta tjetër  ishte se sivjet motoja e këtij festivali treditor ishte: “Për nder të Kosovës, homazh të parëve tanë”, e që për qëllim kishte të nxit kureshtjen për zakonet dhe traditën e shqiptarëve, por edhe në fusha të tjera që ndikojnë jo vetëm në imazhin e komunitetit por edhe në krijimin e urave të mirëkuptimit me vendasit dhe popujt e tjerë që jetojnë në këtë kanton.

Ndaj edhe aty ishin sjell fotografi, veshje e ushqime tradicionale shqiptare. Të gjitha këto bashkë me pjesëtarët ishin organizuar nga Shoqata e Shkëmbimeve Socio-Kulturore. Përmes këtij manifestimi synohej që ti bëhen homazhe nga gjenerata e tashme paraardhësve, e njëherësh palës zvicerane të ia afronin një pjesë të kulturës nga vendi i origjinës. Në ditën e  parë të festivalit merrnin pjesë edhe përfaqësuesit diplomatik nga Shqipëria e Kosova, ndërsa që në hapje një fjalë përshëndetëse e mbajti ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj. Gjithashtu përshëndeti Filloreta Kodra, përfaqësuese e Shqipërisë në misionin e përhershëm diplomatik shqiptar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, të cilët veçmas folën për ndërlidhjet e mes popullit shqiptar dhe atij zviceran, si dhe rolin që luan mërgata jonë në gjirin e shoqërisë zvicerane, jo vetëm duke u integruar në rrjedhat e saj por edhe duke e ruajtur identitetin gjuhësor e kulturor. Në ditën e parë të hapjes merrnin pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Bernë, Mehmet Elezi si dhe Mira Bregu,  sekretare e dytë në misionin diplomatik të Shqipërisë në Gjenevë , si dhe përfaqësues të LAPSH “Naim Frashëri”, UPSH e të tjerë. Dita e dytë e festivalit kaloi përmes disa konferencave të moderuara nga Raymond Zoller, nga specialist fushash të ndryshme, ku u inkuadruan edhe diplomatët shqiptarë nga Kosova e Shqipëria, meqë rast u theksua edhe domosdoshmëria e rritjes së këmbimeve kulturore midis trojeve shqiptare dhe këtij kantoni e më gjerë. Kontribut të veçantë për suksesin e këtij festivali shumetnik dha zonj. Mireille Grosjean, kryetare e Shoqatës zvicerane të Esperantos, znj. Anne Duvinhneau-Ansermet, përgjegjëse e Konservatorit të mjekësisë tradicionale etj.

Pjesën artistike me një program solid, e përmbushi njëri nga ansamblet më të mira artistike shqiptare në Zvicër, “Gëzuar” me seli në Gjenevë , që udhëhiqet nga koreografi i mirënjohur  Xhemali Berisha. Në emër të artistëve të ri përshëndeti studenti dhe valltari i shkëlqyeshëm Gëzim Ilazi. Ansambli “Gëzuar” prej vitesh, i prirë nga dore e një koreografi e artisti të spikature e ndihmuar nga bashkëpunëtorët e tij dhe vetë prindërit e anëtarëve është shndërruar  jo vetëm në një grup tejet cilësor artistik, por edhe në një shembulli për integrime të mirëfillta kulturore, duke pas përherë parasysh identitetin dhe kulturën e mirëfilltë kombëtare.