Ese: Ndikimi i kulturës serbo-jugosllave në politikën e Shqipërisë pas viteve ’90-ta e këndej…
“Kultura serbo-sllave dhe ndikimi i saj në klasën politike shqiptare, nga ish-Jugosllavia te tranzicioni shqiptar, dhe kontrasti me përvojën perëndimore”, janë çështje domethënëse, por ende nuk artikulohen me zë të qartë. Pas viteve ‘90-ta Shqipëria, dhe mërgata në Gjermani, Austri dhe vende të tjera të BE-së, janë laboratorë të kundërt të njëra-tjetrës, por edhe të vetëdijes politike shqiptare…
Nga Safet SADIKU
Në Shqipëri, qytetari mësoi t’i drejtohet një deputeti apo një “të forti” për të zgjidhur një hall, ndërsa shqiptari në Gjermani mësoi t’i drejtohet një procedure, një institucioni dhe ta kërkojë zgjidhjen përmes ligjit. Në Shqipëri, karriera politike shpesh ndërtohej mbi lidhje partiake dhe patronazh, ndërsa në Austri apo Gjermani, Zvicër dtj., shqiptari i ri mësonte se suksesi matet me performancë dhe transparencë, duke krijuar një bagazh profesional që më pas mund të kthehet në kapital për vendlindjen.
Në këtë kuptim, mund të thuhet se klasa politike shqiptare, si në Shqipëri ashtu edhe në hapësirat e tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë, ndonëse kishte jetuar dhe ende jetojmë në realitete të ndryshme shtetërore, mbetet e ndikuar nga i njëjti problem themelor: paaftësia për ta vendosur interesin kombëtar mbi interesin e pushtetit personal dhe mbi privilegjet e momentit, që është një paaftësi, e cila rrjedh nga trashëgimia e drejtpërdrejtë e kulturës politike të rajonit, e cila për dekada me radhë e ka parë pushtetin jo si mision dhe përgjegjësi, por si pronë dhe privilegj personal. Ndërkohë që shqiptarët në hapësirat e ish-Jugosllavisë mbetën të ngarkuar me trashëgiminë e kulturës serbo-sllave, e cila ndikoi drejtpërdrejt në formimin dhe sjelljen e klasës së tyre politike, po njëjtë edhe Shqipëria, pas viteve ’90, nuk mund të thuhet se u shkëput menjëherë nga ky ndikim, ose edhe sot ende nuk mund të themi se është e shkëputur? Edhe pse regjimi komunist i Enver Hoxhës kishte ndërtuar një izolim të plotë nga ish Jugosllavia dhe çdo shtet tjetër, në strukturën e tranzicionit politik të pluralizmit të hershëm u shfaqën qartë tiparet e mentalitetit ballkanik të trashëguar nga e kaluara. Kompromiset e fshehta, klientelizmi, shkelja e ligjit dhe interesat e ngushta të individëve apo klaneve politike u bënë udhërrëfyes i elitës së re, duke ngadalësuar ndërtimin e institucioneve demokratike dhe duke e zhvendosur vëmendjen nga interesat kombëtare te pushteti i radhës. Megjithëse Shqipëria u hap ndaj Perëndimit dhe nisi procesin e integrimit euro-atlantik, shumë politikanë, në vend që të mësonin kulturën e përgjegjësisë dhe të llogaridhënies, riprodhuan në formë të re tiparet e vjetra të mentalitetit autoritar e klientelist, të ngjashëm me përvojën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Pra, klasa politike bëri shfrytëzimin e pushtetit për përfitime personale, dëshmoi mungesën e një vizioni shtetforcues drejt jetësimit të demokracisë dhe paaftësinë për të dalluar mes interesit publik e kombëtar nga interesat e ngushta partiake dhe individuale. Kështu, tranzicioni shqiptar shpesh është përshkruar si “tranzicion pa tranzicion”, sepse shumë reforma mbetën vetëm në letër, ndërsa korrupsioni dhe kapja e shtetit u shndërruan në norma të përditshme të qeverisjes.
Siç dihet, Shqipëria e pas viteve ’90-ta hyri në tranzicion me pritshmërinë e një çlirimi të plotë institucional dhe moral nga skemat autoritare të së shkuarës, por shpesh duke ricikluar logjika klienteliste, centralizuese dhe paternaliste që e afronin mentalitetin e saj politik me paradigmën e vjetër ballkanike ku pushteti mirëmbahet me rrjete patronazhi, ku institucioni trajtohet si pronësi pushtetari dhe jo si detyrim publik. Dhe ku interesi shtetëror ngatërrohet me interesin partiak a personal. Kështu brezat e rinj shqiptarë të rritur në Gjermani dhe Austri, (dhe në vende të tjera të BE-së)në një mjedis ku rregullat vlejnë për të gjithë, ku merita paraprin lidhjet, ku ligji është kornizë e përbashkët e jo armik i improvizimit, u formësuan në një kulturë politike që i edukon të shohin shtetin si kontratë besimi, detyrë dhe shërbim, duke i mësuar njëherazi të ruajnë gjuhën, familjaritetin dhe identitetin shqiptar pa u mbyllur në folklor, por duke i tejkaluar kufijtë e nostalgjisë përmes një prezantimi të hapur që e konsideron atdheun si fushë veprimi dhe jo thjesht si vend rrëfimesh. Kështu, kur në Shqipëri tranzicioni prodhoi cikle të krizave, përçarjeje dhe “kapjeje” të shtetit, duke rritur distancën midis qytetarit dhe institucioneve sepse individi mësoi t’i drejtohet një personi të fortë e jo një procedure të fortë, dhe sepse politika shpesh preferoi simbolikën përpara përgjegjësisë dhe retorikën përpara reformës. Ndërsa në Gjermani e Austri, etj., të rinjtë shqiptarë u mësuan të matin suksesin me kritere të verifikueshme (performancë, transparencë, kohëzgjatje, cilësi shërbimi publik), të ndërtojnë rrjete profesionale që nuk varen nga bindjet partiake, të planifikojnë kthimin ose kontributin e tyre në vendlindje përmes investimeve, sipërmarrjes, transferimit të dijes dhe projekteve të matshme komunitare, duke e kuptuar se dashuria për atdheun nuk matet me thirrje, por me rezultate, dhe se krenaria kombëtare nuk është e përjashtueshme, por fuqizohet kur përputhet me standarde të larta pune, shërbimi dhe etike.
Në këtë kontrast të mprehtë, Shqipëria e tranzicionit shpesh e gjeti veten duke ripërtërirë mekanizma të ngjashëm me ato që, në hapësirën ish-jugosllave, përkufizoheshin si kulturë politike e kontrollit dhe e privilegjit të mbyllur, duke i bërë aktorët e brendshëm më të prirur për marrëveshje të shpejta që ruajnë balancat e një klase të vjetër, e cila sheh shtetin si platformë pushteti. Ndërsa mërgata në Gjermani e Austri(BE), e cila jeton çdo ditë marrëdhënien midis qytetarit dhe shtetit si marrëdhënie të dyanshme përgjegjësish, e sheh Shqipërinë si një detyrë konkrete si një “know-how-u”,(= dije e specializuar, plus përvojë konkrete për ta zbatuar). Kështu që pas viteve ’90, Shqipëria dhe mërgata shqiptare në Gjermani, Austri dhe vende të tjera të BE-së përfaqësojnë dy laboratorë të kundërt të vetëdijes politike shqiptare: në Shqipëri tranzicioni politik u karakterizua nga riciklimi i mentalitetit klientelist, autoritar dhe nga ngatërrimi i interesit publik me interesin privat, ndërsa mërgata, e rritur në kulturën perëndimore të rregullit dhe meritokracisë, zhvilloi një know-how (dije praktike dhe përvojë të zbatueshme) që i mësoi ta shohë shtetin si kontratë shërbimi dhe si përgjegjësi ligjore.
Pra praktika e menaxhimit, standardet e integritetit dhe qasja meritokratike mund dhe duhet të importohen pa komplekse, sepse identiteti shqiptar nuk dobësohet nga rregulli dhe liria, por forcohet pikërisht kur kombinohen krenaria dhe procesverbali, tradita dhe procedurat, besa dhe kontrata. Prandaj, në Shqipëri shpesh u banalizua retorika e “Perëndimit” duke e reduktuar në deklarata, në mërgatën e rritur në Gjermani e Austri etj.,“Perëndimi” është praktikë e përditshme, është orari i trenit që vjen në minutë, është administrata që përgjigjet brenda afatit, është konkursi publik që verifikohet, është auditimi që nuk pyet për mbiemra, dhe pikërisht kjo përvojë e përditshme, e ngulitur në zakonet e punës dhe në standardet e përgjegjësisë, krijon një vetëdije shqiptare të çliruar nga komplekset e inferioritetit dhe nga tundimi i rrrugëve të shkurtra, duke e bërë kontributin e tyre për vendbanimet shqiptare konkret, të matshëm dhe të qëndrueshëm. Nga kjo nxitje e arsimit profesional me kurrikula të lidhura me tregun, te dixhitalizimi i shërbimeve lokale, nga transparenca buxhetore dhe buxhetimi me pjesëmarrje, te laboratorët e vegjël të inovacionit komunal, nga standardet e sigurisë në punë e deri te etika e prokurimeve. Nëse tranzicioni shqiptar riprodhoi shpesh logjikën e “të njohurit të duhur”, mërgata gjermano-austriake imponon me shembull logjikën e “rregullit të duhur”; nëse brenda vendit u ngatërrua shpesh “interesi i shtetit” me “interesin e pushtetit”, brezat e rritur në Perëndim ndihmojnë të rivendoset dallimi i shëndetshëm midis të mirës publike dhe përfitimit privat; nëse elitat e brendshme e lexojnë modernizimin si fasadë infrastrukturore, ata e përkthejnë modernitetin në procese, në matje dhe në llogaridhënie. Pikërisht këtu qëndron ura më e ndritshme: kultura perëndimore ku janë rritur, e cila nuk e zëvendëson kulturën shqiptare, por e rrit atë, sepse e nxjerr nga folklori ceremonial dhe e fut në rendin e praktikës qytetare, duke i dhënë përmbajtje konkrete fjalëve “atdhe”, “shtet” dhe “shërbim”. Kësodore, zgjidhja e paradoksit të tranzicionit shqiptar, ku shpesh fjalori është modern, por praktikat mbeten arkaike, nuk mund të vijë vetëm nga brenda, nëse brenda mungon vullneti për të ndryshuar rregullat e lojës. Por, ajo vjen nga një bashkëveprim i ri me mërgatën e rritur në Gjermani e Austri, Zvicërr, e cila duhet të pranohet jo si spektatore nostalgjike, por si partnere e barabartë, sepse sjell me vete një paketë zakonesh institucionale, bashkë me etikë pune që mund të përthithen pa humbur asgjë nga identiteti ynë, sepse shqiptaria nuk matet me dobësimin e shtetit, por me forcimin e tij, dhe sepse krenaria jonë nuk qëndron te shmangia e rregullit, por te aftësia për t’i dhënë rregullit shpirt, drejtësi dhe dinjitet.
Më shqetësuese është se ky mentalitet, në vend që të dobësohej me kalimin e kohës, shpesh u riprodhua nga brezat e rinj politikë, të cilët në vend që të merrnin frymëzim nga kulturat perëndimore ku shumë shqiptarë jetojnë, punojnë dhe kontribuojnë me dinjitet, zgjodhën të ndjekin modelin e brendshëm të pushtetit autoritar e klientelist, duke i mbajtur institucionet shtetërore në një gjendje të përhershme tranzicioni dhe duke penguar konsolidimin e demokracisë. Ky është një tregues se ndikimi i kulturës ballkanike, ku përfshihet edhe ajo serbo-jugosllave si një model tipik i pushtetit të centralizuar, dhe shpesh të dhunshëm dhe jo-transparente, nuk është tejkaluar as në Shqipëri, edhe pse vendi është anëtar i NATO-s dhe synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Në Shqipëri, gjatë viteve ’90-ta, në vend që të zhvillohej një klasë politike që ta kishte qartësisht të artikuluar interesin kombëtar dhe të ndërtonte institucione të qëndrueshme mbi bazën e demokracisë, ndodhi e kundërta, u pranua logjika e punës, e asaj që quhet kultura serbo-sllave e politikës, e cila bazohet në klientelizëm, centralizim të pushtetit dhe në një raport të vazhdueshëm paternalist të qeveritarëve ndaj qytetarëve. Kjo praktikë pune u riprodhua pothuajse në mënyrë të plotë dhe po njëjtë si në vendbanimet shqiptare në (ish)Jugosllavi edhe në Shqipëri. Kjo solli një tranzicion që, në vend të reformave të thella demokratike, prodhoi cikle të pafundme të krizave politike, të dhunës në rrugë, të përçarjes së shoqërisë dhe të dominimit të një politike ku pushteti shihej dhe ende po shihet si pronë private dhe jo si përgjegjësi publike. Edhe pse shqiptarët në Shqipëri nuk u rritën nën një okupim të drejtpërdrejtë serb, një pjesë e mirë e elitës politike e pas viteve 1990 trashëgoi një mendësi të ngjashme me atë të kuadrove shqiptare në Jugosllavi: paaftësinë për të bërë dallimin midis interesit shtetëror kombëtar dhe interesit të pushtetit të ngushtë personal ose partiak. Ky fenomen, i cili në ish Jugosllavi vinte si pasojë e privilegjeve të dhëna nga pushtuesi serb, në Shqipëri u shfaq si rezultat i kulturës së korrupsionit politik, i varësisë nga qendrat e huaja të pushtetit dhe i një tranzicioni të mangët, ku demokracia u përdor si fasadë, ndërsa praktikat autoritare mjerisht mbetën të forta.
Në të njëjtën mënyrë si në hapësirat e ish-Jugosllavisë, ku kultura serbo-sllave e impononte frikën, servilizmin dhe mungesën e guximit për të vepruar në mbrojtje të interesave kombëtare, edhe në Shqipëri kjo trashëgimi u shfaq në formën e një politike ku liderët, në vend që të ndërtonin institucione të forta dhe të barabarta për të gjithë qytetarët, krijuan struktura të dobëta shtetërore, (të varura nga individë të fuqishëm), dhe të paafta për të prodhuar zhvillim të qëndrueshëm. Pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj logjike është se, edhe pse Shqipëria ka qenë për tri dekada në proces të afrimit me Perëndimin, mentaliteti politik i trashëguar ka bërë që korrupsioni, mungesa e sundimit të ligjit dhe përçarja shoqërore të mbeten ende plagë të hapura. Kur kësaj i shtojmë edhe kthimin e hjakmarrjes në shoqëri, e kuptojmë se sa e dobët është administrata shtetërore. Kështu, tranzicioni shqiptar nga vitet ’90- ta e deri më sot, në vend që të ishte një periudhë e transformimit të plotë demokratik, është shndërruar në një dëshmi të gjallë se sa e thellë mund të jetë trashëgimia e një kulture politike të huaj dhe se si ndikimi i kulturës serbo-sllave, i përhapur përmes mentalitetit autoritar, klientelist dhe antidemokratik, ka penguar ndërtimin e një klase politike shqiptare që t’i shërbejë me vetëdije kombëtare interesave të popullit të vet. Shembull i freskët i këtyre sjelljeve të pushteteve në Shqipëri u përjetua këto ditë. Logjika e politikës autoritare në hapësirën ballkanike shfaqet përmes zëvendësimit të institucioneve me vullnetin arbitrar të individit në pushtet. Një shembull domethënës është rasti i Thethit, ku në kulmin e sezonit turistik shkulen ndërtimet turistike dhe bëhen rrafsh me tokë, të cilat u trajtuan si ndërtime pa leje, dhe më pas, shpërthejnë zjarre të dyshimta që përhapen njëkohësisht në zona të ndryshme në gjithë Shqipërinë!… Këto zjarre, të cilat shuhen me vështirësi vetëm pasi kanë përpirë mijëra hektarë pyje, shtëpi dhe pasuri, krijojnë përshtypjen se janë të orkestruara. Ky mekanizëm dhe e gjithë arroganca pudhtetare pasqyron kulturën politike të regjimeve serbo-ballkanike, ku veprimi politik është i centralizuar tek individi dhe jo tek shteti institucional.

























