Në këtë mbrëmje të 2 shtatorit, na erdhi edhe një lajm i hidhur nga Kosova: ndërroi jetë akademik Pajazit Nushi. Dhembja bëhet edhe më e madhe pasi vetëm brenda pak ditësh Kosova dhe përgjithësisht shqiptarët u ndahen nga tre nga akademikët tanë që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në avancimin e mendimit shkencor: Esat Stavileci, Mark Krasniqi dhe sonte edhe Pajazit Nushi.
Teksti dhe fotot : Rexhep Rifati
Me këtë rast kujtoj një mbrëmje promovimi të librave të akademikëve tanë, më 21 prill 2012 në Langethal të Kantonit të Bernës, kur në këtë atmosferë kulmore festive askujt nuk i ka shkuar mendja se sa afër njëri tjetrit e kanë vdekjen këta akademik tanë eminent. Madje mua më la mbresë sidomos momenti kur që të gjithë bashkë ngritën një dolli të përbashkët, që ishte jo një ndërlidhje sa shpirtërore aq edhe fizike pasi që të tre i lidhte edhe një ideal dhe aspiratë e përbashkët kombëtar. Ashtu siç i zhvilluan bashkë shumë aktivitete shkencore e kombëtare për më se gjysmë shekulli, ashtu edhe patën fatin që të shkojnë bashkë edhe në botën e amshueshme, duke lënë pas vete një mal veprash për kohën dhe kushtet jashtëzakonisht të vështira me të cilat u përballuan.
Mesa po duket ashtu siç ishte shumë herë bashkë ky tresh i madh shkencor, si para studentëve në amfiteatrot e fakulteteve tona ashtu edhe në kreun e Lidhjes së Shqiptarëve në Botë, pasi për ta shqiptaria nuk do të duhej të ndahej as me barriera e as me kufij, por të lidhje, afrohej e bashkohej me sa më shumë miqësi e dashuri.
Ne që i kemi njohur nga afër, por edhe të tjerët, që kanë vlerësuar punën shkencore e atdhetare të këtij treshi, nuk na mbetet tjetër, pos që me pietet të kujtojmë jetën dhe veprën e tyre madhore.
Nga radhët e akademikëve të shquar, që u nda nga kjo jetë është ilirologu i shquar, profesor doktor Aleksandër Stipçeviq, autor i një numri të madh veprash për ilirët dhe historinë e librit, emri i të cilit identifikohet me rezultatet më të reja të studimeve ilire.
Rrallë ngjet që për një kohë kaq të shkurtër të vdesin kaq akademik eminent të një populli jo edhe të madh siç janë shqiptarët. Ndonëse këta akademik eminent u ndanë nga kjo botë, pas veti lanë një bagazh të madhe të veprave shkencore e letrare, si trashëgiminë më të mirë për brezat që pasojnë.












































