11.5 C
Zürich
Donnerstag, September 17, 2026

Ndahet nga jeta mësuesi 100 vjeçar, Abdullah Shabanaj, për ta përmbyll kaptinën e pishtarëve që në Kosovë i solli Ernest Koliqi  

Nga Elbasani, që i dha trojeve shqiptare me qindra e qindra mësues, pishtarë të denjë drite e diturie, sapo na erdhi lajmi i dhembshëm se nga jeta u nda mësuesi i fundit i plejadës së edukatorëve që erdhën në Kosovë e trojet tjera shqiptare, që në vitet e 40-ta.- Pikërisht me 1 Mars 2023, Abdullah Shabanaj festoi 100 vjetorin e lindjes dhe pata kënaqësinë me Osman Osmani të udhëtojmë nga Cyrihu për në Elbasan për të uruar këtë mësues lapidar i cili që nga 10 tetori 1942, shërbeu në Talinoc të Muhaxherve të Ferizajt, në moshën e tij djaloshare.- Ne harkun kohor brenda një viti shuhet jeta e dy kolosëve të fundit, mësuesit Selami Kreka (96) nga Korça dhe Abdullah Shabanajt (100 vjeçar) nga Elbasani.

Teksti dhe fotot : Rexhep Rifati

Më 1 Mars të këtij viti, pata kënaqësinë që bashkë me familjen miqtë e tij të marr pjesë me Osman Osmanin në një ceremoni të rrallë e të papërjetuar më parë: 100 vjetorin e lindjes së mësuesit Abdullah Laçi- Shabanaj, të vetëm nga plejada e qindra mësuesve nga Shqipëria që shërbyen me devotshmëri për ti vu themelet e para të shkollës shqipe në Kosovë. Ishte ky një gëzim i rrallë që e ndamë me vajzën e tij Flora, dhëndërin Kujtim Çengeli dhe me Veli Shyphejën djalin e ish mësuesit Ymer Shyphjea nga Elbasani, që po ashtu shërbeu, në kuadër të qindra mësuesve që dërgoi ministri Ernes Koliqi, e që ishte edhe shok me Abdullahun.   

Atë ditë kremteje nuk e besonim se kaq shpjet, vetëm pas pesë muajsh do të na jepte lamtumirën ky mësues i dashur, bujar e fisnik. Ndaj edhe duke e ngushëlluar familjen, të afërmit e miqtë e tij, Mësuesit Abdullah i shprehim një falënderim nga zemra për kontributin e tij të madh në arsimimin dhe edukimin e brezave që i mësoi në Talinoc të Muhaxhirëve, duke shpreh kënaqësinë që në përcjelljen e tij të fundit, siç mora vesh nga Ferizaj, do të merr pjesë edhe një delegacion nga bijtë e ish- mësuesve që u dha mësim, mësuesi i mësuesve Abdullah Laçi- Shabanaj.

Ja edhe ca të dhëna për mësuesin Abdullah:

Abdullah Shabanaj, që mbijetoi një shekull të plotë jete u lind në Elbasan më 1 Mars 1923 dhe kur erdhi në Kosovë kishte mbiemrin Laçi, u lind në Elbasan në mars të vitit. Ndërsa Shkollën normale e ka mbaruar në vitin 1941 dhe me të  diplomuar i qe përgjigjur ftesës së ministrit Ernest Koliqi për të shkuar në Kosovë. Edhe atë, më 10 tetor 1942 në Talinoc të Muhaxherve Ferizajt, të cilin fshat edhe pas 80 vjetësh nga ai udhëtim, Abdullahu e kishte në kujtesë gjatë vizitës sonë.

Ai vite më parë, thoshte se : “ Ishte kënaqësi të bisedosh me banorë, të cilët ishin të lumtur me punën tonë, sidomos kur përmendej e kaluara e lavdishme historike shqiptare”. 

(Përndryshe mësuesi i parë që themeli shkollën në Talinoc të Muhaxherëve ishte Rrahman Palushi nga Bicaj- Kukës, viti 1941, ndërsa një vit më vonë atij i bashkohet  Abdullah Laçi ngase në vitin shkollor 1942-1943 numri i nxënësve thuaja se u dyfishua.)

Po ndajmë një gëzim dhe një hidhërim të mësuesit Abdullah gjate jetë së tij sa i përket Kosovës:  

  • Ai ne moshën 86 vjeçare , në maj 2008, pati një ardhje në shkollën fillore tetëvjeçare në Talinoc, kur edhe ishte tejet i kënaqur që i gjeti disa nxënës të tij në moshën 70 vjeçare. Edhe më i lumtur se e pa Kosovën të lirë dhe të pavarur. Jeta deshi që mësuesi Abdullah të jetë edhe njëherë në Ferizaj edhe atë më 30 tetor 2016, kur mori pjesë në 75 vjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe “Ismail Qemali”, më vonë “Tefik Çanga”. Por ishte ndër të paktët që e përjetoi pavarësinë Kosovës.
  • Momenti më i vështirë për mësuesin Abdullah ishte largimi i tij nga Kosova më 3 korrik 1944, kur pushteti i atyre viteve pa asnjë sqarim i grumbulloi me dhjetëra mësues dhe i dëboi për në Shqipëri, ndërsa disa nga ta edhe i mbante edhe më tej në burgje, përmes proceseve të montuara politike. 

Në veçanti është për të ardhur mirë se këtë mësues të dashur e të zellshëm asnjëherë nuk e harruan ferizajasit, qoftë duke e vizituar në Elbasan apo edhe duke e thirre në jubiletë shkollore në Talinoc e Ferizaj. Edhe sot në vorrimin e mësuesit tonë do të ketë ferizajas, ndaj edhe shpresojmë se do të kemi informacione edhe nga ana e tyre.