13.7 C
Zürich
Freitag, September 18, 2026

Mr. Ukshin HOTI : Republika dhe lufta në kontekst të evropës

Mr. Ukshin HOTI – Krushë e Madhe, Dhjetor 1991

Nga gjysma e parë e këtij viti (1991), në fshatin Billushë të Prizrenit, gjatë një bisede, pyetjet e shumta të pjesëmarrësve reduktoheshin në interesimin e tyre të gjallë mbi mënyrën dhe mundësitë eventuale për jetësimin e Republikës së Kosovës. Natyrisht, kjo bisedë ishte një këmbim joobligues i mendimeve. Ma kishte marrë mendja se do të duhej të kthehej policia e mbrojtja teritoriale, pastaj të formohej një qeveri, e cila do ta merrte mbi vete përgjegjësinë mbi zhvillimin e ngjarjeve dhe eventualisht të legalizohej Lëvizja Popullore e Republikës së Kosovës. Disa nga këto mendime mund të jenë realizuar, por në mënyrën e vet, dhe pavarësisht nga ajo që kisha menduar unë, gjë që do të thotë se të tjerët jo vetëm që mund të kenë pasur mendime të ngjashme, por edhe të elaboruara, meqë vetë nuk e kisha bërë elaborimin e mendimeve të mia, në qoftë se përgjigjet e rastit në pyetjet e shumta që më shtroheshin, nuk do të konsideroheshin si të tilla. Në ndërkohë kishte përfunduar me sukses të plotë referendumi gjithëpopullor për Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës; ishte zgjedhur qeveria dhe ishte emëruar kryetari i saj dr. Bujar Bukoshi, kurse Kuvendi i Republikës së Shqipërisë e kishte bërë njohjen e Republikës së Kosovës. Dukej se gjërat do të venin mbarë… Megjithatë, komentet e politikës serbe për referendumin dhe  ato që pasuan më pastaj kishin qenë mospërfillëse, ndërsa ndonjëherë edhe ironike. Ato flisnin për një republikë «joekzistuese» të Kosovës, ose për «Republikën në letër» të Kosovës! Një gjë e tillë nga kundërshtarët politikë edhe mund të pritej. Mirëpo nuk mund të pritej prej tyre edhe moslejimi i vijimit të mësimit për nxënësit dhe studentët. Pavarësisht nga arsyetimet e ndryshme dhe fajësimi i alternativës kosovare, kjo nuk mund të arsyetohej me asgjë. Zhvillohej vallë një luftë për të vajtur në Evropë në një ose në shumë mënyra, apo për t’a ruajtur errësirën mesjetare në trojet e Ballkanit? Pastaj nuk mund të arsyetohej vazhdimi i heqjes nga puna të mësimdhënësve të Universitetit, pastaj mbyllja e tij e mëvonëshme dhe  suprimimi i Akademisë së Shkencave; nuk mund të arsyetohej as mizerja e luftës në Kroaci, as keqësimi i vazhdueshëm i gjendjes ekonomike të popullsisë dhe as ikja masive e rinisë shqiptare në Perëndim. Mbi të gjitha, nuk mund të pritej pajtimi me një gjendje të tillë, e cila vazhdimisht është duke ecur drejt një lufte të përgjithshme në Ballkan dhe ndoshta edhe në Evropë.

Të gjitha këto e rëndojnë për së tepërmi situatën politike në Kosovë. Madje edhe politikisht, përmes ekranit të TV-së, u shqyrtuan mundësitë për hapjen e «frontit të jugut» dhe u përgënjeshtruan pastaj nga funksionarë të lartë të LDK-së, por gjërat ecin me logjikën e tyre të brendshme pavarësisht nga prognozat dhe përgënjeshtrimet. Atmosfera e rëndë politike në Kosovë megjithatë nuk është vetëm refleksion i luftës në Kroaci, i gjendjes në Jugosllavi, i mosjetësimit akoma të Republikës së Kosovës, por edhe i faktit se gjërat pothuajse ngecën, si dhe i faktit se atmosfera e tillë e rëndë politike tashmë me të dy këmbët është futur në dekadën e dytë. Përse e kemi situatën të këtillë? Përse po zgjat kaq shumë ajo, dhe sa do të duhej pritur akoma? «Të presim edhe dy-tre vjet» -u thoshte fshatarëve të mi një titist i flaktë i dikurshëm që u shndërrua tani në një demokrat edhe më të zjarrtë  «dhe pastaj do të jetë aq bukur… do të bëhemi të fortë!»

Fëmijët si peng

Këto fjalë menjëherë ma përkujtuan situatën e fëmijëve të mi: Andinin  5- vjeçar dhe Brisildën 1,5 vjeçe. Ata i kishte marrë nëna e tyre dhe i mbante te prindërit e vet. Ishte hidhëruar dhe më kishte braktisur. Kur i kisha lutur disa titistë të dikurshëm dhe demokratë të tanishëm të ndërmjetësonin dhe së paku të m’i kthenin fëmijët, më ishin përgjigjur: «Prit edhe dy-tre vjet, pastaj djali  do të vijë vetë ke ti, kurse pas dy-tre vjetëve të tjerë do të vijë edhe çupëza!». Mirëpo e njëjta gjë kishte ndodhur edhe me vajzën time 10-vjeçare – Erletën, nga martesa e parë. Në vitin 1981 ia kishin zënë peng (burgosur) babanë. Në vitin 1985 e kishin zënë peng atë, pikërisht sikurse Andinin – në moshën 4,5 vjeçare. Kisha pritur të kthehej, por ndërkohë ishte tëhuajsuar tërësisht dhe tani nuk njiheshim më në mes  vete. Erletën nuk e njihja edhe ngaqë e kisha braktisur si foshnjë 7-muajshe. Ndërkaq zëri i Andinit akoma më është i freskët. Kur një herë kishte arritur të ikte për të më vizituar në shtëpi, e pata vështruar nga dritarja: e puthte një shtyllë betoni që dikur e kisha ngritur për të shënuar mezhdën. Pastaj në çdo dhjetë hapa përkulej dhe si i babëzitur e puthte dheun duke bërtitur «O Babiiiiiiiii!». Më në fund i puthi disa  herë dyert  e hyrjes dhe më kërceu në qafë. Nuk kisha mundur t’ia ktheja asnjë përgjigje. E doja për së tepërmi. Natyrisht, kisha pasur rrugëdalje por duhej që të bardhën ta quaja të zezë dhe të zezën të bardhë. Kishte pasur edhe një rrugëdalje tjetër, por duhej që edhe e ëma e tyre gjërat t’i emërtonte drejt, me emrin e tyre të vërtetë. Mirëpo kjo ishte treguar e pamundur dhe tani vuanin fëmijët. Duhej të prisnim edhe dy-tre vjet, pastaj edhe dy-tre vjet të tjerë, dhe sipas disave «do të bëheshim të fortë, shumë të fortë», por me kusht që të mos tëhuajsoheshim tërësisht dhe që akoma të njiheshim në mes  vete…

Republika si peng

Nuk e di tashmë saktësisht se në cilin vit  ishte zënë peng Republika e Kosovës. Nuk e di as se kush saktësisht mund ta ketë zënë peng atë dhe se a thua  mund të ishte e vërtetë fare se ajo ishte zënë peng nga ndokush që nuk e prisnim? Mirëpo, ishte e sigurt se ajo ishte e zënë peng. Gjithashtu e dija se gjatë dimrit të kaluar njëri nga ish-funksionarët e lartë titistë në revistën «Republika» të Salih Kabashit kishte deklaruar se ata  (d.m.th.  titistët) nuk e kishin dashur Republikën me stalinistët. Bislim Elshani, redaktor i «Demokracisë Autentike», i ishte përgjigjur drejtëpërsëdrejti me pyetjen se cili ishte vallë kriteri me të cilin e matnin ata patriotizmin e tyre? Shumë më vonë një funksionar i lartë i LDK-së, në intervistën e vet në një gazetë në gjuhën shqipe, kishte deklaruar se nuk e kishin dashur Republikën brenda federatës jugosllave. Ky kishte pandehur se çdo ide për ruajtjen e integritetit territorial të Jugosllavisë do të ishte profane, ndonëse gazeta që ia botonte këto mendime shtypej në Prishtinë, nën patronazhin e Serbisë, e cila luftën në Kroaci e arsyetonte me qëllimin e ruajtjes së atij integriteti. Ndërkaq «Demokracia autentike» që ishte vënë në funksion të Republikës së Kosovës pa e cënuar këtë integritet, ishte heshtur. Ishte heshtur gati çdo mendim i pavarur që nuk i kishte rrënjët në Perëndim por në Kosovë; që hotelin «Grand» nuk e kujtonte për «Hayat Regency» dhe që Prishtinën nuk e merrte për Paris. Kjo nuk do të thoshte se Prishtina  s’do të duhej të bëhej Paris. Do të thoshte vetëm se duhej filluar nga fakti se akoma nuk ishte bërë. Në të vërtetë shpeshherë mendimet e tilla etiketoheshin si staliniste dhe «serbo-sllavo-komuniste», pavarësisht nga fakti se komunizmin nuk e kishin lindur sllavët por gjermanët, përkatësisht  hebrenjtë në Gjermani, dhe se sllavët vetëm sa e kishin huazuar këtë ide me qëllim të ruajtjes së kufijve të Carit të tyre të madh dhe pothuajse po atë çast e kishin «shitur». (Shumë teorikë të njohur të politikës ndërkombëtare marrëveshjen e Brest-Litovskit të vitit 1918, nënshkrimin e së cilës e kishte urdhëruar Lenini, e konsideronin si «shitje» të revolucionit gjerman. Karl Libknechti dhe Roza Luxemburgu, por edhe shumë të tjerë, kishin mbetur të habitur, por kjo ishte arsyetuar me interesat e paqes dhe të revolucionit të ardhshëm botëror. Ngjashëm ishte injoruar edhe Revolucioni hungarez i po atij viti). Mirëpo «njohësit» e komunizmit të kohës së dështimit të tij këtë e bëjnë me qëllim të identifikimit të tij me të keqen nacionale, duke fshirë çdo gjë pozitive nga kjo kohë me një lëvizje të thjeshtë pene. Pastaj do të dëshironin që ndonjë gjeneral Schwarzkopf t’i fshinte mbeturinat e komunizmit në Ballkan. Pas kësaj do të pajtoheshin me çdo gjë që do t’u ofronte Lordi Carrington, sepse nuk mund ta marrin me mend ndonjë republikë me «stalinistë» ndërkaq «stalinist» ata e quajnë cilindo që nuk është i mendimit të tyre. Në këtë mënyrë, ndonëse të gjithë përbetohemi në demokraci, bëhet gati e pamundur të dihet se kush dhe përse në të vërtetë e mban peng Republikën?  Si rezultat i natyrshëm i këtij «animi» të tepruar, uniteti dhe homogjeniteti me të cilin lavdërohemi duket se nuk mbështetet mbi këmbë të sigurta. Uniteti rreth idesë e cila do ta fshinte  një të kaluar të tërë duke e shpallur si mishërim të së keqes nacionale, duhet thënë hapur, është fare jashtë hapësirës, ndonëse mund të ketë unitet rreth mendimeve, ideve, pra edhe veprave që i artikulojnë synimet e vërteta të popullit dhe që dalin nga ai, por jo rreth «aksioneve të mbuluara» (covert action). Ato mund të jenë ndihmesë efikase e ndonjë politike të caktuar por jo edhe zëvendësim për politikën dhe as për idenë. Ky është njëherësh edhe kuptimi që Abraham Lincolni në kohën e vet ia dha demokracisë. Kjo e vërtetë po shpërthen pakëz ngadalë, por do të shpërthejë. Shpërthimi i saj doemos do ta vërë Republikën e Kosovës në raport të drejtë me situatën politike, e cila pa dyshim se do ta çlirojë.

Republika dhe princi

Në një nivel serioz të shqyrtimit të çështjeve, pyetje të tilla si ato të shtruara më lart janë indikatorë me rëndësi të gjendjes së dhënë si dhe të atmosferes dhe të situatës politike në përgjithësi. Mirëpo janë edhe diçka tjetër – një ndihmesë e rëndësishme për zbërthimin e problemeve. Branko Kostiqi, Nënkryetar i Kryesisë së Jugosllavisë (së cunguar), në një emision të  TVB-së, pakëz më heret, i përsëriti qëndrimet e njohura të politikës serbe lidhur me Republikën e Kosovës: «Shqiptarët duhet ta kuptojnë, -tha ai, -se Republika e tyre është Republika e Serbisë, e definuar me kushtetutë si republikë e qytetarëve të saj». Në kontekst të ofensivës së forcave të armatosura në territorin kroat (zhbllokimi i kazermave), fjalët e tij mund të kuptoheshin si vendim – rezolutë për zgjidhjen e krizës jugosllave në mënyrën serbe. Ndërkohë ky vendim u formulua si qëndrim me të cilin politika serbe rezervohej nga propozimet e Lordit Karrington në Konferencën e Hagës mbi Jugosllavinë. Si pretekst u morën dokumentet me të cilat garantoheshin të drejtat e pakicave kombëtare në Evropë. Ndërkaq, edhe më vonë, me nënshkrimin e tij, lutej Këshilli i Sigurimit të OKB-së që të vendoste mbi dërgimin e helmetëkaltërve në rajonet e luftës në Kroaci. Politika serbe bënte çmos që ta ruante integritetin territorial të Jugosllavisë, tani jo më si opcion adekuat për popujt e saj por vetëm për serbët! Ndërkaq, Princi Tomisllav Karagjorgjeviqi në Oplenac, vizitës së të cilit TVB i kishte dhënë rëndësi të veçantë, deklaronte si nën buzë, gati me druajtje, por në mënyrë rezolute, se «Serbia do të bëhej shtet i fortë, më i forti në Ballkan, në Evropë, bile edhe në botë, do ta shihni!». Dukej se princi plak Tomisllav Karagjorgjeviqi e besonte me gjithë mend një gjë të tillë. Ai nuk tha asgjë për shqiptarët, dhe as për Republikën e Kosovës. Dukej sheshazi se Republika e Kosovës kundërshtohej në mënyrë rezolute, dhe kjo mbështetej mbi forcën e armës së armatës jugosllave. Princi serb këtë me siguri e dinte. E dinte edhe politika serbe se edhe shqiptarët e kishin një mbret, ndonëse nuk e di nëse e kishin edhe ndonjë princ. Mbreti shqiptar – Leka I Zogu, me siguri se ishte po aq, në mos edhe më i fortë, se ai princi tjetër i serbëve – Aleksandër Karagjorgjeviqi; po aq, në mos edhe më i gjatë se ky. Edhe mbreti i shqiptarëve – Leka I Zogu, e ëndërronte një republikë të fortë shqiptare, «më të fortë  në Ballkan,  në  Evropë, bile edhe në botë, do ta shihni!». Princi serb mund ta gjente, në mos Sllobodan  Millosheviqin, atëherë ndonjë kryetar tjetër të Serbisë, për t’i sendërtuar  ëndrrat e tij. Mirëpo edhe mbreti shqiptar mund ta gjente, në mos Ramiz Alinë, atëherë ndonjë kryetar tjetër të Shqipërisë, për t’i sendërtuar ëndrrat e tij. Edhe shqiptarët e kishin një armatë dhe një popull hiç më të vogël dhe hiç më pak luftarak se sa ai serb. Serbët thirreshin në të drejtat historike mbi Kosovën, por shqiptarët kanë më tepër të drejta historike mbi Kosovën, ndërkaq kanë edhe të drejta legjitime që dalin nga realiteti i sotëm  politiko-demografik. Serbët e shpresojnë përkrahjen e Rusisë, por edhe shqiptarët mund ta shpresojnë përkrahjen e të tjerëve, sidomos tani që kërkesat shqiptare vlerësohen si legjitime. Kështu, princërit dhe mbretërit do të luftonin në Ballkan përmes kalorisë moderne-aviacionit, dhe njësive tankiste me këmbësorinë e shkretë, për t’i sendërtuar qëllimet e tyre përkatëse – «për t’u bërë më të fortë, më të fortë në Ballkan, në Evropë, bile edhe në botë!».

Ata ndërkaq, sipas komenteve të TV-së, nuk do të luftonin për evropeizimin e vendeve të tyre të mbetura gati në nivelin aziatik të zhvillimit…

Simbolizimi i kontinuitetit të traditës

Tani është e qartë se princërit dhe mbretërit mund të kthehen në vendet e tyre; mund të simbolizojnë kontinuitetin e traditës së shtetësive të shteteve të tyre, të unitetit të kombeve të tyre, dhe për këtë mund të gëzojnë respektin e duhur të popujve të tyre, por vetëm nëse këta dy popuj, secili në vendin e vet, do të vendosin ashtu. Përveç simboleve klasike që do të simbolizonin institucionet mbretërore, mbreti shqiptar, për shkak të ndasisë së kombit, do të mund të simbolizonte edhe unitetin historik-shpirtëror dhe aspiratat shekullore të natyrshme të popullit, por vetëm në qoftë se do  të kuptohet se në prag të shekullit XXI mbretëritë e tyre nuk mund të mbështeten edhe më tutje mbi raportet feudo-klanore të shoqërisë dhe mbi mohimin e progresit të brendshëm në favor të madhësisë së jashtme. Progresi i brendshëm mund ta realizojë madhësinë e një kombi, ashtu si dikur madhësia e jashtme e realizoi progresin e brendshëm të shumë kombeve. Për shqiptarët, por edhe për serbët, progresi i brendshëm e nënkupton jetësimin e Republikës së Kosovës, jo vetëm sepse ajo është e drejtë elementare e tyre -instrument vital i zhvillimit, por edhe sepse vetëm në atë mënyrë mund t’i shmangemi instrumentalizimit në dobi të interesave të huaja për t’i hapur kështu rrugët e evropeizimit të shpejtuar. Në qoftë se kjo gjë nuk kuptohet, ose kuptohet por nuk dëshirohet të pranohet, alternativa e saj mund të jetë vetëm kthimi në mesjetë – përgjakja e sërishme e historisë. Duke u deklaruar për republikën dhe për bashkimin e trojeve shqiptare në kuadër të proceseve integrative të Evropës, pa rezonimin e forcës, populli shqiptar e tregoi pjekurinë e vet politike. Ndërkaq, madhështinë e vet historike e argumentoi me faktin se, fare i vetmuar, i qëndroi çdo stuhie dhe çdo rrebeshi të kohës. Tani ai i ngjan një metuzalemi të qëndresës që nuk i dihet me saktësi mosha. Andaj përgjakja e sërishme e historisë mund të jetë vetëm reminishencë tragjike e kohërave të shkuara dhe totalisht në kundërshtim me trendet aktuale të zhvillimit të qytetërimit në Evropë, por edhe në botë. Me siguri se argumentimi i sërishëm i një teze të tillë nuk mund të jetë i tepërt. Kurrnjëherë nuk mund të jetë e tepërt të bindemi para se të bëhet përfundimisht vonë. Është detyrë njerëzore dhe në natyrën e njeriut që së paku të provojë të mos e lejojë vonimin përfundimtar të gjërave, po qe se ato do të kenë veshë për atë që është e arsyeshme, kurse luftërat janë gjithmonë iracionale, ndonëse zhvillohen për qëllime racionale.

Lufta si mundësi reale dhe modeli evropian

Lufta megjithatë mund të shpërthejë, jo për shkaqe ideologjike, që gjithmonë kanë qenë vetëdije e deformuar mbi realitetin, por për shkaqe të interesave jetike: serbët janë të bindur se ruajtja e integritetit territorial të Jugosllavisë është interes jetik i tyre. Shpërbërja eventuale e Jugosllavisë, -rezonon politika e tyre, -do t’a reduktonte Serbinë në kufijtë e tanishëm të asaj që quhet Serbi e ngushtë, kurse një pjesë e mirë e popullatës serbe do të mbetej jashtë Serbisë dhe do ta fitonte statusin e pakicës kombëtare. Si komb i krishterë, ngadhënjimtar i Luftës së Dytë Botërore, me shpërbërjen e Jugosllavisë do të ndjehej i dëmtuar dhe kompensimin për këtë dëmtim doemos do ta kërkonte te popullata jo e krishterë, tek myslimanët dhe shqiptarët. Ndërkaq, ndonëse shqiptarëve vendet fqinje u përpoqën t’ua kontestojnë kontributin në Luftën e Dytë Botërore, ata megjithatë nuk ishin më pak në anën e ngadhënjimtarëve dhe janë populli i vetëm realisht i dëmtuar qysh nga përfundimi i luftërave antiturke në Ballkan. Si popull me provim të dhënë të pjekurisë politike, shqiptarët e shpallën Republikën e Kosovës dhe i deklaruan hapur qëllimet e veta politike. Në thelb të këtyre qëllimeve nuk qëndron ekspansioni – lakmia për tokat e huaja, por e drejta për t’u kompletuar si komb i Evropës. Me përkrahjen e kësaj të drejte, Evropa do të duhej ta jepte provimin: – a vlejnë vallë të drejtat njerëzore, e drejta e njeriut dhe parimet demokratike për të gjithë popujt e saj njësoj apo vetëm për ata të krishterë? Populli shqiptar niset nga besimi i plotë se është popull i Evropës, njëri ndër më të vjetërit, dhe se parimet që do të vlenin për të tjerët do të duhej të vlenin edhe për të. Në këtë mënyrë, tashmë është në provë e sipër kriteri religjioz, kaherë i injoruar dhe i harruar, në përcaktimin e statusit e popujve të Evropës.

Historia e Evropës së bashkuar doemos do të fillojë nga fakti se si do të zgjidhet ky problem, pra pikërisht ai i shqiptarëve. Ndërkaq, meqë zhvillimi i civilizimit në Evropë kaherë e ka përballuar kriterin religjioz në përcaktimin e statusit të popujve, nga mënyra e zgjidhjes së këtij problemi do të varet se sa është e civilizuar vërtetë Evropa. Mirëpo, jo vetëm kaq. Nga kjo do të varet edhe vetë atraktiviteti i modelit evropian për popujt jashtë Evropës. Me fjalë të tjera, nga kjo do të varet akceptimi i Evropës nga të tjerët, në suaza ndërkombëtare, si model serioz i barazisë së popujve dhe i synimeve të saj jashtë Evropës. Për këto dhe për shkaqe të tjera, shqiptarët poashtu kanë shansa reale të jenë të përkrahur në kërkesat e tyre legjitime. Në qoftë se ato do të kundërshtohen nga politika serbe, atëherë teorikisht, shanset për konfrontimin e drejtpërdrejtë të këtyre dy realiteteve politiko-ideore janë bukur të mëdha, me shpresa përafërsisht të barabarta në fitore, gjë që përsëri nuk do të ishte kurrfarë fitore reale dhe në planin afatgjatë -stabile, sepse humbja e cilitdo prej tyre do t’i hapte rrugë destabilitetit politik të mbarsur edhe me revanshizëm. Për këtë shkak, lufta nuk është as alternativë reale për jetësimin e Republikës së Kosovës, dhe as në frymën e proceseve integruese në Evropë. Megjithatë lufta mund të shpërthejë në qoftë se edhe më tutje do të lejohet thellimi i trendeve të tanishme të situatës politike  lidhur me jetësimin e Republikës së Kosovës dhe me zgjidhjen e çështjes shqiptare në tërësi. Mirëpo në këtë pikë do të ndërpritet analiza tek e cila do të kthehemi më vonë.

Tani është e udhës të bëhet një digresion me qëllim të shquarjes së elementeve teorike të demokracisë që e kundërshtojnë apo e favorizojnë luftën në suaza të sistemeve globale të mendimit.

Lufta për të përfunduar luftën

Për sistemet globale të mendimit, në periodën pas Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht gjatë luftës së ftohtë politike, gjërat dukeshin të qarta. Ideologjia komuniste, në njërën anë, besonte se botëkuptimet mbi botën dhe mbi qëllimet klasore të dy sistemeve shoqërore (socializmit dhe kapitalizmit) ishin të kundërta dhe të papajtueshme. Koekzistenca e vendosur në raportet midis këtyre dy sistemeve globale ishte formë e imponuar e ekzistencës për shkak të armatimit raketor-nuklear, por ajo intimisht nuk e përjashtonte bindjen se vetëm fitorja e komunizmit në tërë botën do t’a  përjashtonte luftën si metodë  për zgjidhjen e kontesteve ndërkombëtare dhe do të ishte garanci e sigurt për ruajtjen e paqes. Organizimi i brendshëm politik  (jo vetëm policia dhe armata), prandaj duhej të ishte në funksion të këtij ideali. Në thelb të mendimit të tillë politik ishte ekspanzioni.  Zgjerimi i sistemit dhe organizimi i brendshëm politik duhej t’i shërbente rendit që i avanconte qëllimet e këtilla politike. Ndërkaq, mendimi i kundërt politik, në anën tjetër, cilësohej me një filozofi realiste e cila politikën e konsideronte si luftë për pushtet ku interesat e fuqive të mëdha vazhdimisht ndodheshin në konflikt midis tyre. Në thelb të mendimit të tillë politik poashtu ishte ekspanzioni, pasiqë të dy sistemet globale të mendimit e kishin të qartë se vetëm sistemi i organizimit të brendshëm politik mund të ishte garanti i fundit i paqes në botë. E thjeshtësuar gjer në fund, kjo do të thoshte se vetëm njerëzit që mendonin njësoj, që jetonin në mënyrë të ngjashme dhe që kishin interesa përafërsisht të ngjashme, nuk mund t’a rrezikonin as qetësinë e brendshme dhe as paqën e jashtme. Përfaqësuesi amerikan i idealizmit politik, ish-Presidenti i SHBA- Woodrow Wilson, konsideronte se duhej zhvilluar luftë për t’i përfunduar luftërat. Sipas tij, Lufta e I-rë Botërore i kishte shkatërruar perandoritë e Evropës Qendrore (Gjermania, Austro-Hungaria) me ç’rast ishin formuar shtete të reja në mbështetje të parimit të vetëvendosjes. Liga e Kombeve, formimin e së cilës e kishte propozuar vetë, do të duhej të merrej me zgjidhjen e kontesteve që e rrezikonin paqen. Përvoja e brendshme e organizimit politik të SHBA-ve Wilsonit i kishte shërbyer për të nxjerrë parimet për një organizim të mundshëm të botës, ku Liga e Kombeve, duke i mbështetur principet e raporteve midis shteteve, do të kishte rol të veçantë në universalizimin e tyre.

Mirëpo, idealizmin politik të Wilsonit nuk e kundërshtonin vetëm marksistët, dhe as vetëm Revolucioni i Tetorit. Sir Halford Mackinder («Democratic Ideals and Democracy» 1919) shkruante se demokracia ishte inkopatibile me organizimin e domosdoshëm të luftës kundër autokracive. Ata (idealistët politikë si Wilsoni) «refuzonin t’i njihnin realitetet e gjeografisë dhe të ekonomisë». Andaj Mackinder e nxirrte përfundimin se paqja botërore mund të sigurohej vetëm duke sunduar me ujdhesën botërore (shih «DeA»-6/1991), e cila praktikisht e nënkuptonte themelimin e një lidhjeje të shteteve të pavarura midis Gjermanisë dhe Rusisë. Ndërkaq, këtij botëkuptimi realist mbi sigurimin e paqes, por që gjithashtu shkonte ndesh me idealizmin politik të Wilsonit, i kishte paraprirë Alfred Thayer Mahan. Duke e çmuar lart fuqinë detare (maritime) të Britanisë, amerikani Mahan me 1890 shkruante se «përdorimi dhe kontrolli i duhur i detit është vetëm një vijë në vargun e këmbimit me të cilin akumulohet pasuria». Mahan dhe Mackinder ishin teorikë të gjeopolitikës, veçse njëri e theksonte rëndësinë e kontrollimit të ujërave detare, ndërsa tjetri të tokës, për ruajtjen e paqes botërore. Me fjalë të tjera, ata ishin zëdhënës të zgjerimit të imperatorive koloniale, të cilat do të duhej ta vendosnin paqen mbi rruzullin tokësor. Për këtë shkak nuk ishte çudi që të dy teorikët  nuk mund t’a honepsnin aspak «shpirtin jo-luftarak të demokracisë», por as tregtinë e lirë dhe as tregtarët si klasë. Mackinder madje besonte se lufta kompetitive për tregje ishte burimi kryesor i luftërave dhe këtu ai nuk ndryshonte shumë nga marksistët. Ai mendonte se paqja mund të ruhej duke e vënë kontrollin e drejtëpërdrejtë mbi burimet e mëdha të pasurive natyrale dhe jo me tregti, ose përmes tregtisë që zhvillohet jashtë zonës së ndikimit të vet. Dobia nga një gjë e tillë do të ishte iluzore, sepse është e gjykuar të sjellë vullnerabilitetin (shih Stanly Kober, «Idealpolitik», Foreign Policy, Summer 1990). Megjithatë goditjen kryesore idealizmit politik ia dha shpërthimi i Luftës së II-të Botërore. Nevoja që të shpjegohen filozofikisht shkaqet e shpërthimit të luftës e nxiti zhvillimin e drejtimit të realizmit në politikë. Hans Morgenthao ishte eksponenti kryesor i këtij drejtimi. Në librin e tij kapital «Politika Midis Kombeve» (Politics Among Nations, 1948), ai konstatonte se politika, si dhe shoqëria në përgjithësi, udhëhiqet me ligje objektive, rrënjët e të cilave ndodhen në natyrën njerëzore. Meqenëse ligjet e këtilla janë objektive, ato doemos kanë karakter universal. Sjelljet e shteteve i udhëheq interesi i definuar si fuqi  dhe jo idealet e burrave të shtetit. Në harmoni me këto botëkuptime, Henry Kissingeri më vonë, ngjashëm me Morgenthao-n, kishte ardhur në përfundim se stabiliteti i sistemit ndërkombëtar varej nga dy komponenta: nga drejtpeshimi i forcave dhe nga principi i legjitimitetit të pranuar përgjithësisht. Dhe përsëri, së bashku me të, besonte se realiteti i politikës së fuqisë e kushtëzonte nënshtrimin e ideologjisë nacionale ndaj interesave më themelore. «Kujdesi për sigurimin nacional, -shkruante Kissingeri më 1986 në «Washington Post», – duhet të jetë në harmoni me vlerat tradicionale amerikane», për të përfunduar më vonë me një dozë pesimizmi se «ndonëse morali dhe fuqia jonë nuk duhet të jenë në kundërshtim me njëra -tjetrën», në instancë të fundit,  «të gjitha politikat serioze të jashtme doemos nisen nga nevoja për të mbijetuar  (the need for survival).

Ligji dhe demokracia

Ajo që është interesante te realizmi politik ka të bëjë me faktin se nuk e merrte parasysh ndikimin e kurrfarë ideologjie. Për ndryshim nga «njohësit» kosovarë të politikës, që gati sa nuk u cfilitën duke gjuajtur «shtriga staliniste» në hapësirën edhe ashtu të ngushtuar politike të Kosovës, ai edhe idealizmin politik e konsideronte si filozofi naive që nuk mund t’a kuptonte realitetin e politikës së fuqisë dhe i cili, për shkak të ngarkesave me moralizime, të çonte qoftë në tërheqje dhe izolim nga një botë e papërsosur, qoftë në një intervenim për t’i ndrequr të gjitha paudhësitë e saj. Realizmi politik, në të vërtetë, e shprehte rezignacionin ndaj realitetit politik të pas-Luftës së II-të Botërore. Mirëpo, paralelisht me forcimin e realizmit politik, kah fundi i viteve ’80 teorikët dhe burrat e shtetit sovjetik kishin filluar t’i kontestonin hapur postulatet e teorisë marksiste. Eduard Shevernadze, p.sh., me 1988 shkruante se «koekzistenca nuk mund të indentifikohej me luftën e klasave», kurse M. Gorbaçov e shpjegonte perestrojkën si «revolucion legal që kishte për qëllim ta pengonte koncentrimin e fuqisë së tepruar në duar të pakicës me qëllim që shoqëria të udhëhiqej me parimin e sundimit të ligjit». Një kthesë e tillë marramendëse në teorinë sovjetike tani i jepte krah riafirmimit të idealizmit politik në Perëndim. Mirëpo edhe ky tani kishte evoluar: e pranonte se demokracia kishte zhvilluar luftëra, por institucionet demokratike, të cilat në instancën e fundit e kushtëzonin agresivitetin e politikës së shtetit të dhënë, mund të evoluonin: «Demokracia mishëronte kriteriume rigoroze të sundimit të shumicës dhe të drejtave të pakicës. Sundimi i shumicës do të thotë se të gjithë njerëzit e kanë të drejtën e votës, ndërsa ata që zgjidhen i japin llogari votuesve në intervale të shpeshta dhe të rregullta». Përfaqësuesit e zgjedhur e kanë për detyrë t’i informojnë për ato që bëjnë, por edhe t’i furnizojnë me informata të nevojshme për të ushtruar kontroll mbi ta, i cili pastaj rregullohet me mekanizma të veçantë. Teorikisht, megjithatë, të drejtat e pakicës duhet të jenë në kundërshtim me të drejtën e sundimit të shumicës, por sipas Stenly Koberit ky botëkuptim është i gabuar: «Siç e demonstrojnë konfliktet etnike të kohëve të fundit, -shkruan ai -shumicat mund të ndryshojnë me kohën, dhe sundimi i shumicës, në mungesë të të drejtave të garantuara të pakicës, është reçetë për katastrofë. Të themi megjithatë më shkoqur: garancionet mbi të drejtën e pakicave, të cilat mund të vendosen vetëm me pajtimin e shumicës, e shënojnë respektin e të dobëtit nga ana e të fortit. Ky sistem i vlerave të respektit për ligjin më parë se për forcën është siguria më e mirë e rendit dhe e stabilitetit, qoftë atij të brendshëm, qoftë  atij të jashtëm ndërkombëtar» (Stanley Kober, Idealpolitik, op.cit.). Në harmoni me këto botëkuptime, idealizmi politik tani shpjegonte se shkaqet e Luftës së II-të Botërore nuk duhej kërkuar në konfliktet e interesave të imperatorive koloniale por pikërisht në Kushtetutën e Weimarit. Kjo Kushtetutë, në vend të botëkuptimit amerikan mbi të drejtat e patjetërsueshme të individit, ato ia kishte nënshtruar kolektivitetit. Rene Brunet në The New German Constitution /1922/  lidhur me këtë vërente se «liritë individuale jo vetëm nuk ishin edhe më tutje qëllim në vete, por as që përbënin akoma  një të mirë të pavarur në vete. Ato nuk kanë më vlerë dhe nuk mund të mbrohen përveç në masën që shërbejnë për ta kryer këtë detyrë sociale» (ibd.).

Demokracia që nuk i garantonte të drejtat individuale nuk mund të zgjaste shumë. Abraham Linkolni që moti kishte vënë re se «shumica që bëhej zap me kontrollin dhe me përkufizimet kushtetuese… është sovrani i vetëm i vërtetë i një populli të lirë. Kushdo që e refuzon këtë, doemos ka për të rënë, qoftë në anarki, qoftë në despotizëm» (cit. sipas Kober, ibd.). Andaj Hitleri kishte rënë në despotizëm dhe e kishte ndërtuar një diktaturë militariste të fashizmit që e kishte nxitur luftën! Ndryshe nga realizmi, idealizmi politik tani iu kthye konceptit të Adam Smithit lidhur me grumbullimin e pasurisë si fuqi. Zgjerimi perandorak, me fjalë të tjera, e së bashku me këtë edhe kontrolli gjeopolitik i territoreve të huaja, nuk ishin më burim i fuqisë ekonomike dhe politike të shtetit. Sikundër që e vë re Karlo Kipola në The economic Decline of Empires (1970) «një perandori në mënyrë të pashmangshme cilësohet nga një numër i madh institucionesh sklerotike» të cilat «i pengojnë ndryshimet për hir të ekzistencës së vet» (ibd.). Për këtë shkak, pasuria e kombit nuk varej edhe më tutje nga shkalla e kontrollit direkt dhe nga veçoritë ekonomike të territorit të kontrolluar, por, siç thoshte Adam Smithi: «Në rend të parë nga mjeshtria, gjeturia dhe gjykimi me të cilat janë të pajisur punëtorët, dhe së dyti, nga proporcioni i numrit të atyre që janë të zënë me punë të dobishme dhe të atyre që nuk punojnë». Nga ky postulat i dikurshëm i Adam Smithit, në rrethana të ndryshuara të braktisjes së sistemit kolonial, nuk ishte vështirë të përfundohej se fuqia e punëtorëve të vendeve të zhvilluara duhej që në mënyrë konstante t’i përsoste mjeshtritë e veta duke vazhduar të prodhonte mallra dhe shërbime të reja që t’i ndihmonin nxjerrjes së superprofitit. Ishte konstatuar përfundimisht se kontrolli politik mbi popullin që atë e urren është bazë jostabile për një rritje të vazhdueshme ekonomike, sepse përpjekjet për ta mbajtur atë nën kontroll, me kohë «do të rezultojnë në shpenzime kolosale të qeverisë që do ta provonte një gjë të tillë» (ibd.).

Kanti dhe ligji

Ishte tërësisht e natyrshme që edhe sovjetikët të kishin ardhur në përfundime të ngjashme por për arsye jo tërësisht identike. Tani nuk ishte fjala për sklerotizimin e sistemit që e vërente  Kipola, por për paralizimin dhe për plogështimin e tij krahas nevojave të rritura për modernizim. Për këtë shkak ata e braktisën besimin mbi nevojen e fitores së socializmit në botë dhe e akceptuan kontrollin parlamentar mbi forcat eventuale luftënxitëse. Sipas një artikulli të botuar  në numrin e janarit të vitit 1988 në revistën «Komunist» të PK të BRSS «nuk ekzistojnë forca me ndikim politik, qoftë në Evropën Perëndimore, qoftë në SHBA, që të mund të ndërrmernin ndonjë agresion ushtarak kundër socializmit». Sipas tij, institucionet demokratike amerikane, edhe po të ekzistonin ato forca, do t’a pamundësonin një agresion të tillë të shkallës së lartë. Demokracia borgjeze tani shërbente si barrierë definitive në rrugën e shpërthimit të një lufte të tillë. Konstatime të tilla logjikisht të çonin tek përfundimi se luftëra të mëdha mund të zhvillonin vetëm ato vende ku nuk ekzistonin institucione të tilla demokratike, d.m.th. pikërisht si në Bashkimin Sovjetik. Andaj rrugëdalja nga lufta në Afganistan u gjet edhe në ndërtimin e sistemit të mendimit që më vonë u përfshi me emrin «Perestrojka»: «Përdorimi i forcave të armatosura jashtë vendit, – shkruante M Gorbaçovi, -pa sanksionimin e Sovjetit Suprem ose të Kongresit, ka përfunduar kategorikisht njëherë  e përgjithmonë». Në një numër të mëvonshëm (qershor, korrik) të po atij viti, revista në fjalë përmbante një tekst të Vlladimir Kudravcievit dhe të Jelena Lukashevës (doktore e shkencave juridike) ku pohohej se marksistët kishin gabuar në kritikën e tyre të ndarjes së pushtetit dhe të sundimit të ligjit (parime të organizimit të pushtetit politik në Perëndim, tani edhe këtu) : «Baza filozofike e parimit të sundimit të ligjit është formuluar nga Kanti -pohonin ata. Në të vërtetë Imanuel Kanti në veprën e tij të vogël «Paqja e përjetshme» të botuar me 1795, konsideronte se paqja e përjetshme nuk mund të ishte produkt i balancës së fuqive, por i një qeverie republikane si në Amerikë. Duke i admiruar parimet e Revolucionit Amerikan, ai e hidhte poshtë merkantilizmin ekonomik si dhe botëkuptimet gjeopolitike, në favor të tezave të cituara të Adam Smithit. Ashtu si idealizmi politik në Amerikë, edhe teoria sovjetike kishte ardhur në përfundim se kontrolli i urryer politik i territoreve të huaja nuk mund të ishte as bazë solide e zhvillimit të mëtejshëm ekonomik dhe as e modernizimit. Për një gjë të tillë, nëse nuk do të ishte e mundshme përsosja e menjëhershme e aftësive të klasës punëtore, atëherë më adekuate do të ishte tregtia. Andaj, në qoftë se kësaj i shtohet edhe besimi se institucionet demokratike në Perëndim nuk do të lejojnë ndonjë luftë eventuale antisovjetike, atëherë, në instancën e fundit, sigurimi sovjetik nuk garantohej me hendeqe territoriale dhe as me fuqinë e forcave të armatosura sovjetike. Kjo gjë i mundësonte Bashkimit Sovjetik që të tërhiqej nga Evropa Lindore dhe Mihal Gorbaçovi të deklaronte se «faktori kyç i mendimit të ri është koncepti i lirisë së zgjedhjes… Të kundërshtohet liria e zgjedhjes do të thotë t’i kundërvihesh tendencës objektive të vetë historisë». Ndërkaq Eduard Shevernadze do të shtonte se «imazhin e shtetit e përbën qëndrimi i tij ndaj qytetarëve të vet, respekti për të drejtat dhe liritë e tyre dhe njohja e sovranitetit të individit». Mirëpo teoria sovjetike pikërisht këtu nuk është e shkoqitur, dhe as që mund të jetë e shkoqitur gjer në fund. Sovraniteti individual është në themel të teorisë amerikane: «Parimi amerikan, nga ana tjetër, – shkruan Stanly Kober, -është vetëvendosja individuale dhe jo vetëvendosja nacionale». Ndryshe nga francezët, të cilët besojnë se «baza e gjithë sovranitetit qëndron  esencialisht te kombi (Deklarata franceze mbi të drejtat e njeriut dhe të qytetarit), amerikanët konsiderojnë se në shtetet multietnike dhe në botën multinacionale -nuk mund të ketë bazë tjetër për ruajtjen e paqes pos garantimit të drejtave dhe lirive mbi baza individuale dhe jo kolektive. Përderisa e besojmë një gjë të tillë, atëherë «koncepti i kombit për amerikanët është irelevant». Por jo edhe për sovjetikët. Perioda e zhvillimit socialist atje ishte e mbushur me lavdata për afirmimin e kombeve, të kombësive dhe të nacionaliteteve, dhe kjo gjë nuk mund t’u mohohet aq lehtë. Andaj akceptimi i variantit amerikan mbi të drejtat e njeriut dhe të qytetarit në Bashkimin Sovjetik normalisht ka përfunduar në konceptin mbi BRSS-në si shtet – asociacion i republikave sovrane dhe të barabarta, por jo edhe në shtimin e numrit të tyre (që do të ishte gjithashtu teorikisht e logjikshme) apo në pavarësimin e plotë të atyre ekzistuese apo të pranuara.

Shqiptarët dhe proceset integruese

Procesi i sipërpërmendur nuk ka përfunduar as në Bashkimin Sovjetik, as në Evropë dhe as në Jugosllavi. Vërtetë është e vështirë të pritet që procesi i tillë të përfundojë me konstituimin e 58 njësive të ndryshme kushtetuese, a të mbi 100 nacionaliteteve  në republika sovrane dhe të pavarura të Bashkimit Sovjetik, njësoj sikur do të ishte e vështirë të pritej se pakicat turke, rome, serbomalazeze e muslimane në Kosovë ose katolikët e Mirditës apo etnosi grek i Dropullit në Shqipëri të konstituohen si kombe të veçanta dhe në republika sovrane dhe të pavarura. Midis ekstremizmit të majtë dhe ekstremizmit të djathtë njëmend ekzistojnë shumë pika të përbashkëta  jo vetëm për shkak se e reflektojnë njëri-tjetrin, por edhe sepse që të dy ata në çështjen nacionale rëndom përfundojnë në relativizimin ekstrem të rolit të shtetit apo edhe në folklorizimin e këtij roli për kombet më të vogla. Një gjë e tillë duket se akoma i takon sferës së fantastikës politike, por një pjesë e intelektualëve shqiptarë në Kosovë megjithatë seriozisht e beson një mundësi të tillë. Ata nisen nga besimi jo fort i pabazuar, se Evropa së shpejti do të bashkohet, se kufijtë shtetërorë do të suprimohen dhe se, prandaj, do të hapen mundësi të pakufizuara për krijimin e feudeve të tyre të vogla. Ata vetëm sa nuk e thonë hapur, akoma jo në mënyrë rezolute, se në rrethana të tilla nuk na duhet kurrfarë republike, pasi që nuk do t’ia vlente barra qiranë të luftosh për diçka që edhe ashtu është e destinuar të zhduket. Ndoshta edhe për këtë shkak rinia e Kosovës pothuajse u shpërngul e tëra  nga Kosova. Pohohet se tashmë janë shpërngulur  afro 300.000 të rinj, të shumtën në Gjermani dhe në Zvicër. Pohohet se atje me të madhe janë duke u martuar me evropiane  dhe kështu procesi i «evropeizimit» të tyre shprehimisht është në përfundim e sipër. Mirëpo, asimilimi nuk është evropeizim. Nga ana tjetër, «njohësit» e politikës në Kosovë  duhet ta kuptojnë (dhe sa më parë ta kuptojnë këtë aq më mirë do të jetë) se proceset integruese të Evropës nuk e kanë për qëllim, dhe as që mund ta kenë për qëllim, deklarativ apo sekret, rivendosjen në Evropë të universalizmit kishtar të mesjetës së hershme. Universalizimi i konceptit mbi të drejtat e njeriut dhe të qytetarit si dhe të parimeve demokratike në Evropë, e ka për qëllim ndërtimin e një Evrope të re, bashkimin e saj mbi baza të dialogjikës, (jo të dialektikës, ndonëse rezultati mund të jetë i njëjtë), por është me rëndësi intenca që lidhet me ruajtjen e identiteteve kombëtare; integrimin ekonomik, qarkullimin e lirë të ideve, mallrave dhe vlerave, të cilat do ta mundësonin zhvillimin e saj të mëtejshëm dhe forcimin si fuqi.

Ky është një integrim i mbështetur në proceset e brendshme që e kanë logjikën  e vet imanente. Në qoftë se kjo logjikë e brendshme do të rezultojë në relativizimin e rolit të kombeve më të vogla në favor të kombeve më të mëdha, atëherë detyra e intelektualëve të kombeve të vogla do të duhej të konsistonte nga ajo që të luftonin për instrumentalizimin e shtetit në funksion të zhvillimit dhe kultivimit të identiteteve të njëmendëta të kombeve të tyre. Fjala është për kombet e ngulitura në territoret e tyre shekullore, të cilat në krahasim me pjesëtarë të kombeve të tjera janë në shumicë, ndërsa në krahasim me kombet tjera  brenda shtetit të dhënë multietnik, proporcionalisht nuk janë edhe aq të vogla. Për këtë shkak lufta për jetësimin e Republikës së Kosovës në të vërtetë është luftë për ekzistencën e Kosovës, jo si konotacion gjeografik, por politik. Ata që këtë nuk dëshirojnë ta kuptojnë, tashmë ndodhen me një këmbë në Evropë, por shpopullzimi i Kosovës nuk është në interes të askujt dhe këtë as që do ta lejojë populli në Kosovë.

Zhvillimi i proceseve të përmendura integrative është e vërtetë se ndihmohet nga bartësit kryesorë të tyre – shtetet e zhvilluara të Evropës (Bashkësia Ekonomike), por edhe nga SHBA-të. Është e natyrshme  që ato ta ndihmojnë zgjerimin e proceseve të këtilla në ato vende dhe në ato shtete ku ato akoma nuk janë zgjeruar plotësisht  dhe ku nuk janë thelluar akoma. Mirëpo, pikërisht këtu paraqitet «thembra e Akilit»: Një shtytje e këtyre proceseve që nuk do t’i merrte parasysh specifikat e realitetit politik të këtyre vendeve është rrezik të konsiderohet si imponim i proceseve të këtilla dhe të shkaktonte kundërvënien  afatgjatë të forcave të ndryshme politike. Në rrethana të kundërvënies së këtillë, siç po ngjet aktualisht në Jugosllavi, është e mundshme fitorja e njërës apo e palës tjetër, por për një kohë relativisht të gjatë nuk do të jetë i mundshëm qetësimi i kënaqshëm i situatës dhe as integrimi i vullnetshëm i Evropës, sepse një integrim i Evropës mbi baza të fitores së njërës palë presupozon mbështetjen në aleatët e saj dhe frenimin apo shtypjen e kundërshtarëve. Hipotetikisht do të ishte p.sh., e mundshme mundja e sllavëve dhe integrimi i tyre në baza të kësaj mundjeje. Mirëpo, çfarë do të ishte perspektiva e Evropës në qoftë se, p.sh., nesër do të forcohej aq shumë njëra nga shtetet sllave, si p.sh., Rusia, saqë Evropa të paraqiste një kafshatë të vogël për të?  A do ta kishim pastaj një integrim të ri mbi baza të fitores ruse apo një luftë tjetër botërore? Një Evropë të tillë të ndarë me Murin e Berlinit tashmë e kishim. Secila në sferën e vet i presupozonte aleatët dhe kundërshtarët. Në Evropën Perëndimore, në plan të jashtëm, ndodhej një gjysmë Gjermanie e kontrolluar prej aleatëve kryesorë të luftës, të cilët mbështeteshin në shtetet-aleate, satelite të tyre, ndërsa në planin e brendshëm mbështeteshin nga shtresa të caktuara shoqërore të cilat me metoda të ndryshme e pengonin aktivizimin e plotë në jetën politike të forcave kryesisht të majta. Një skenë e ngjashme ndodhej edhe në Lindje. Atje ishte gjysma tjetër e Gjermanisë nën kontrollin e shtetit kryesor ngadhënjimtar të luftës (BRSS) që mbështetej në kontrollin e shteteve tjera të Evropës Lindore, me përkrahjen e forcave të pakta komuniste dhe me shtypjen e forcave të djathta, por edhe të masave tjera të përcaktuara për demokraci dhe për pluralizëm politik. Bashkimi i Gjermanisë u arrit në mbështetje të proceseve integruese të cilat teorikisht e synojnë fshirjen apo tretjen e këtyre ndasive dhe të hierarkisë së tyre të brendshme.  Në këtë mënyrë supozohet edhe bashkimi i Evropës. Bashkimi i Gjermanisë realisht u arrit edhe në mbështetje të mundjes ekonomike të palës tjetër. Gojëkëqijtë do të thoshin se ajo u «shit» nga rusët me para të majme.

Realisht, ndoshta edhe bashkimi i Evropës do të arrihet në mbështetje të mundjes ekonomike. Gojëkëqinjtë do të thoshin se tani puna është «të milet» një çmim sa më i shtrenjtë për integrimin në Evropë, e cila edhe ashtu do të bëhet. Mirëpo, gjërat nuk bën të shikohen sipërfaqësisht, sepse në të dy rastet, si dhe në realitet, mundja nuk është e plotë. Nga ky aspekt, mundja, edhe po të ishte e plotë, e presupozon zhvendosjen dhe rrotullimin e pozitës së aktorëve. Në plan të jashtëm, p.sh., mund të vijë, dhe tashmë ka ardhur, gjer te forcimi i tillë i Gjermanisë (80 milion banorë, të ardhurat e shumëfishuara nacionale, etj.), i cili po të lejohej i lirë dhe i pakontrolluar nga marrëveshjet dhe instrumentet e Helsinkit, doemos do të rezultonte në ndryshimin e pozitës së stabilizuar në stacion kryesor të policisë evropiane, kurse aleatët e saj të natyrshëm do të shndërroheshin në stacione ndihmëse. Ndërkaq, në plan të brendshëm, forcat udhëheqëse gjermane do t’i përkrahnin, por edhe do ta gëzonin përkrahjen e plotë të forcave të ngjashme të aleatëve natyralë të saj. Është interesant se po të gjykohet me logjikën e forcës dhe në mbështetje vetëm të indikatorëve sasiorë (kuantitativë) një gjë e tillë do të ishte edhe e natyrshme të ngjajë, dhe është duke ngjarë. Shumë njerëz, ndër ta edhe intelektualë shqiptarë, jo vetëm se mendojnë, por edhe preferojnë që një ditë Shqipëria (eventualisht e bashkuar) ta lozë rolin e një Izraeli të vogël Ballkanik. Ëndrra të këtilla reflektohen aty-këtu edhe në shkrimet e shtypit të përditshëm shqiptar në Kosovë. Mirëpo, një rezonim i tillë politik nuk do mend se sillet në suaza të mendimit gjeopolitik. Ai është në kundërshtim me trendet aktuale, jo vetëm të proceseve integruese në Evropë, por edhe me përmbajtjen e brendshme të synimeve për universalizimin e demokracisë. Shkenca gjermane është përplot me hulumtime të shkaqeve reale të humbjes së dy luftërave botërore, andaj aspiratat për kontrollim politik (të urryer) të territoreve të huaja në rrethana të tanishme, kur protagonistët kryesorë të një politike të tillë tashmë i kanë braktisur ambiciet e tilla, për Gjermaninë, si për këdo tjetër, do të ishin një anakronizëm i vërtetë, tërësisht jashtë kohe. Ajo mund të aspirojë një ndikim politik që do të rezultonte nga niveli i lartë i zhvillimit ekonomik dhe teknologjik, por do të ishte në kundërshtim me interesat reale gjermane, po të provohej «përkthimi» i këtij ndikimi në një kontroll rigoroz politik.

Nga ana tjetër, jo vetëm frika se do të ngjante diçka e tillë, por edhe inercioni i së vjetrës, mentaliteti robust hegjemonist serbomadh i atij mentaliteti militarist i cili me 1981 kujtonte se brenda një dite do të marshonte në Tiranë, e shtyri palën tjetër t’i kundërvihet edhe asaj që është e pamundur t’i kundërvihesh -tendencës historike për bashkimin e Evropës; jetësimit të Republikës së Kosovës;  zgjidhjes definitive të çështjes shqiptare. Në një tekst tjetër (shih «Shqiptarët dhe çështjet vitale të kombit», punim i kumtuar në simpoziumin shkencor «Shqiptarët dhe Evropa dje, sot dhe nesër» të mbajtur me 6-9 qershor 1991 në Prishtinë) në mënyrë të argumentuar janë shkoqitur tezat se bashkimi i Gjermanisë nuk ishte bërë përkundrejt interesave dhe për inat të Bashkimit Sovjetik, por për hir dhe në kontekst të bashkimit të Evropës që ishte interes më i madh dhe më i rëndësishëm edhe për vetë sovjetikët.

Në analogji me këtë konstatim, Republika e Kosovës nuk u konstituua për inat të serbëve e për dhunë të të tjerëve, por se ishte e drejtë e popullit shqiptar në Jugosllavi; kurorëzim i natyrshëm i procesit të rritës në Kosovë dhe rezultat i pritur i proceseve të pjekurisë politike në vend e më gjerë. Në këtë kontekst, Kosova jo vetëm që i ndihmoi proceset integruese të Evropës, por edhe ishte ndër iniciatorët e universalizimit të parimeve dhe të vlerave demokratike në Evropë.

Republika në kontekst të situatës

Shkencërisht është vertetuar pothuajse plotësisht se shqiptarët rrjedhin nga ilirët dhe se gjuha shqipe është variant i zhvilluar i ilirishtes. Vetëdija mbi përkatësinë në ndonjë kolektivitet të caktuar nacional zhvillohet gjatë kontaktimit me të tjerët. Me atë rast është me rëndësi se fillimisht zhvillohet një vetëdije mbi atë se «çka nuk jam», e pastaj kërkohen edhe përgjigjet mbi atë se «çka jam». Në fillim sigurisht, ashtu siç konstaton edhe shkenca, duhet të kenë vënë re se e flisnin një gjuhë të veçantë nga të tjerët, një gjuhë të veten që nuk kishte gjë të përbashkët me greqishten e vjetër, me latinishten, as më vonë me variantet e gjuhëve sllave, dhe në fund me turqishten. Është irelevante për qëllimin e këtij teksti të dihet se si e quanin ata veten, por është me rëndësi të konstatohet se aty fillon zhvillimi i vetëdijes mbi atë se i përkisnin një kolektiviteti të veçantë që e fliste një gjuhë e cila shtrihej në një territor të caktuar dhe kishte interesa të veçanta nga të tjerët, por mund të kishte edhe ndonjë interes të përbashkët. Shumë më vonë kjo u quajt si vetëdije mbi përkatësinë nacionale, që mbetet e përbashkët dhe unike për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Gjatë historisë, rrethana dhe faktorë të ndryshëm politikë u përpoqën që ndër shqipatarët ta shuajnë ose t’a zhdukin vetëdijen në fjalë, por paralelisht me këtë, ose në luftë për ruajtjen e unit të vet, zhvillohet edhe vetëdijësimi politik mbi pozitën dhe mbi interesat e përbashkëta kolektive. Vetëdija kolektive politike për t’u konstituuar si komb në Jugosllavi është produkt i zhvillimit të pas Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos pas vitit 1981. Ajo ishte e lidhur me perceptimin e faktorit të jashtëm dhe me mundësinë e realizimit të bashkimit të trojeve shqiptare.

Në rrethana të drejtpeshimit bipolar të forcave ndërkombëtare, ish-federata jugosllave lozte rolin e një tampon-zone me rëndësi të veçantë për sistemet globale të forcave (Pakti i NATO-së dhe Traktati i Varshavës). Republika e Kosovës, në rrethana të tilla, ishte një hap përpara në zgjidhjen e çështjes shqiptare; në realizimin e të drejtave kolektive nacionale shqiptare, ishte një akceptim i realitetit të dhënë politik dhe një avansim me rëndësi i pozitës së tyre brenda atij realiteti. RSP e Shqipërisë atëbotë e zhvillonte një politikë të pavarur të jashtme, por nuk ishte në gjendje të ndikonte nga pozitat e forcës në ndryshimin e atij realiteti dhe as të pozitës së shqiptarëve brenda Jugosllavisë. Megjithatë, për shkak të ngecjes së zhvillimit ekonomik si dhe të atij të gjithmbarshëm të shqiptarëve në Jugosllavi dhe të mosnjohjes së realitetit në Shqipëri, propaganda ideologjike e Shqipërisë nuk mbetej pa efekt në Kosovë.

Efekti i tillë në instancë të fundit rezultonte si pakënaqësi me ndarjen e kombit dhe artikulohej si kërkesë për t’u barazuar me të tjerët në zhvillimin e gjithëmbarshëm shoqëror. Nevojat e zhvillimit s’ka dyshim se do të artikuloheshin kësisoji edhe pa propagandën nga Shqipëria, por ajo me siguri i ka ndihmuar shpejtimit të procesit. Me fjalë të tjera, shkaqet për ngecjen e vet në zhvillim pjesa më e madhe e shqiptarëve i shihte në pozitën e vet të pabarabartë dhe të subordinuar, gati koloniale, në Jugosllavi, si dhe në mungesën e aparatit të përbashkët vetjak të zhvillimit, d.m.th. të shtetit. Meqenëse rrethanat ndërkombëtare që karakterizoheshin me drejtpeshimin e përmendur bipolar të forcave nuk mund ta lejonin bashkimin e trojeve shqiptare, pikërisht për shkak të ndryshimit të kësaj barazpeshe, atëherë ishte fare i natyrshëm orientimi për Republikën e Kosovës. Ky orientim, në rrethana të veprimit të shumë grupeve ilegale, kryesisht të orientuara për bashkimin e trojeve shqiptare, ishte meritë e politikës zyrtare, por edhe e autorit të këtyre rreshtave. Kjo është me rëndësi të konstatohet për shkak të implikacioneve që mund të kishte në zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve, dhe jo për shkak të tendencave të pakripë që të injorohen faktet, e as për shkak të «dekorimit» a posteriori  të individëve që nuk kishin pothuaj kurrfarë roli në shtyrjen e proceseve përpara. Kërkesa për Republikë në esencë ishte kërkesë për evropeizimin e Kosovës, në qoftë se fjala «evropeizim» kuptohet drejt si tendencë për barazimin dhe nivelizimin e zhvillimit me shtetet e zhvilluara të Evropës, e jo për t’i imituar anët negative të civilizimit të saj, të cilat edhe ajo vetë përpiqet t’i eliminojë. Një dallim i tillë rreth kuptimit të përmbajtjes së këtij nocioni në Kosovë ka qenë prezent  edhe para vitit 1981, si edhe pas tij, por është edhe sot. Tani artikulohet si pritje pasive që Evropa ta bëjë jetësimin e Republikës, pa organizim adekuat të brendshëm dhe pa ndonjë mund për shtytje nga brenda. Vetëm nevoja për zhvillimin e gjithmbarshëm dhe të shpejtuar të Kosovës i nxiti të rinjtë dhe të rejat në luftë demokratike (atëherë kur nuk ekzistonte kurrfarë demokracie) për Republikë, e jo qejfi, moda a dëshira për ta imituar Evropën. T’i akuzosh ata që e lindën edhe Republikën edhe demokracinë se nuk e deshën këtë të fundit, do të thotë se diç nuk është në rregull, jo vetëm në kokat e individëve, por në raportet në shoqëri. Të ndërpriten proceset, duke e vënë veten në krye pa ndonjë meritë të veçantë, pasi të jenë bërë akuza të tilla të rënda dhe shkelje të çoroditura të bartësve të këtyre proceseve, e pastaj të vraposh nëpër Evropë dhe Amerikë me shpresë se ata, faktorët e jashtëm, do ta bëjnë kompletimin e proceseve në Kosovë, nuk është vetëm bajraktarizëm (kjo do të ishte e keqja më e vogël), por manipulim me interesat më vitale të Kosovës, në qoftë se jo vetëm injorancë e thellë politike.

Republika e Kosovës atëbotë nuk e cënonte integritetin territorial të Jugosllavisë dhe as barazpeshën bipolare të forcave. Ajo nuk mund të ishte kundër interesave globale të palëve rivale. Përkundrazi, Republika e tillë e Kosovës nuk do të ishte vetëm në funksion të zhvillimit të Kosovës, por edhe në funksion të forcimit të raporteve jugosllavo-shqiptare, si dhe të vetë Jugosllavisë, andaj, në mënyrë indirekte, edhe në funksion të stabilitetit dhe të paqes në Ballkan dhe në Evropë. Këto ishin disa nga tezat kryesore të zhvilluara gjatë hetimeve në burg më 1981, por hetuesit, natyrisht, i kundërshtonin me pretekstin e dëgjuar më vonë edhe publikisht, se kinse Republika e Kosovës do ta dobësonte Serbinë, do ta reduktonte, siç thoshin ata, në «pashallëk të Beogradit»!? Përderisa na mbanin në burg dhe na dënonin rëndë, ishte fare e natyrshme të gjenin ndonjë pretekst dhe arsyetim, por qysh atëherë ishte fare evidente se ato nuk ishin bindëse as për ata vetë. Përse atëherë konstituimi i Republikës së Kosovës u vonua për 9 vjet të plota, kurse jetësimi i saj akoma shtyhet edhe sot? Në qoftë se ruajtja e integritetit territorial të Jugosllavisë ose ruajtja e Jugosllavisë, e jo dominimi në Jugosllavi, ka qenë interesi i njëmendët i Serbisë, dhe në qoftë se Republika e Kosovës në Jugosllavi njëmend do të ishte edhe në funksion të forcimit të saj, përse atëherë Serbia jo vetëm që e kundërshtoi, por akoma vazhdon ta kundërshtojë jetësimin e Republikës së Kosovës?

A zhvillohet lufta për interesa ideologjike

Përgjigjet në pyetje të tilla mund të jenë të nduarnduarta, por jo edhe aq të thjeshta. Njëra nga përgjigjet më të shpeshta që lexohet nëpër faqet e shtypit, që komentohet e dëgjohet edhe përmes ekranit të TV-së, lidhet me natyrën e sistemit në Serbi, i cili cilësohet si sistem «serbo-sllavo-komunist», d.m.th. hegjemonist. Përgjigja e këtillë e presupozon faktin se marrëveshja  ose dialogu do të ishte i mundshëm sikur të suprimohej sistemi në fjalë. Fakti se në luftën në Kroaci gati njësoj marrin pjesë edhe pjesëtarët e partive tjera politike, pra jo vetëm të PSS, dhe se atë e përkrahin edhe udhëheqjet e këtyre partive, dhe jo vetëm udhëheqja e PSS, e zhvlerëson gati në tërësi këtë argument. Dhe kjo është e natyrshme, pasiqë asnjë luftë në histori nuk u zhvillua për interesa ideologjike, por për ato vitale ose jetike. Ideologjia, rëndom, me më pak ose më tepër sukses i artikulon dhe i arsyeton interesat e tilla, por nuk mund të jetë substitucion për to.

Nga disa shpjegime a posteriori të ish-funksionarëve titistë lidhur me atë se ata nuk e deshën Republikën «staliniste» ose edhe Republikën në federatën Jugosllave, sikur mund të kuptohet se në ndonjë moment, gjatë dekadës së shkuar, ka qenë i mundshëm konstituimi dhe jetësimi i Republikës së Kosovës, bile ndoshta edhe me pajtimin e Republikës Serbe, por që këtë e paska refuzuar elita titiste e Kosovës. Natyrisht, kjo është një gënjeshtër e kulluar. Elita titiste gjatë pjesës më të madhe të dekadës së shkuar as që ka pasur haber se ç’po ngjante në Kosovë, ndonëse politikisht e përfaqësonte Kosovën. Ndryshe, si mund të shpjegohet fakti që vazhdimisht ishte e befasuar me ngjarjet, dhe se gjithmonë ndodhej në bisht të tyre, në vend se t’u paraprinte? Një ish-funksionar tjetër titist, por që ishte më pak titist, sepse nuk i takonte rrethit të ngushtë të titistëve të organizuar si klikë, këtë e pranoi hapur në një intervistë të mëhershme dhënë «Zërit të Rinisë»: «Na trathtuan»-tha ai, duke menduar në ca premtime të mëhershme të instancave më të larta lidhur me ngjarjet që zhvilloheshin në Kosovë. Nga kjo del përfundimi i dytë kategorik se nuk ka qenë në kompetencë të titistëve në Kosovë as refuzimi dhe as pranimi i çfarëdo Republike të Kosovës, staliniste ose jo, në federatë ose konfederatë, në asociacionin e shteteve sovrane të ndonjë bashkësie Jugosllave ose jo. Fakti se nga fundi i viteve ’80 u shqetësua gati e tërë elita titiste në Kosovë me rrahje dhe me izolime nuk e tregon «fajësinë», përkatësisht ,»meritën» e tyre për Republikën e Kosovës, por përkundrazi: insistimin e pushtetit që më në fund edhe ajo të futet në këto procese.

Elita e frikësuar  titiste

Ambasadori amerikan në Pragë në një artikull në revistën «Foreign Affairs» me të drejtë tregonte se si elita politike dhe intelektuale e Çekosllavakisë ishte tmerruar aq shumë pas intervenimit të rusëve në vendin e tyre në vitin 1968, sa që më vonë, përkundrejt ndryshimeve të shteteve përreth, pastaj dhe në vetë BRSS-në, bile edhe përkundrejt aktivizimit të shumë grupeve jashtë elitës çekosllavake, ajo nuk lëvizte dot. Ishte dashur që ai t’i luste rusët që t’i aktivizojnë aktivistët partiakë dhe miqtë e tyre, në mënyrë që më në fund elitës intelektuale dhe politike çekosllavake t’i hiqej frika dhe të futej në vallen e demokracisë. Në analogji me këtë, elita titiste në Kosovë ishte frikësuar aq shumë nga maltretimet dhe dënimet e të rinjve gjatë dhjetë vjetëve të shkuar, gjë që e dëshmonte dhe me heshtjen e vet, saqë nuk e kishte kuptuar dot detyrën e mbrojtjes së tyre. Është dashur të organizohej një reprizë miniaturiale e përvojës së të rinjve me vetë ish-pjesëtarët e elitës titiste, në mënyrë që më në fund ta kuptonin se duhej të futeshin në vallen e demokracisë. Mirëpo për ndryshim nga elita intelektuale dhe politike çekosllovake, elita titiste në Kosovë, si rëndom, edhe këtë radhë e teproi:- kukati aq shumë, sa që gati përfundimisht i tmerroi të tjerët. Futjen në vallen e demokracisë ajo nuk e kuptoi si pjesëmarrje të barabartë në luftën për demokraci dhe për Republikën e Kosovës, por si mision për eliminimin e atyre të mëparshmëve, dhe tani habitet se si gjërat nuk ecin dot përpara! Elita titiste në Kosovë edhe këtë herë tregoi se ajo nuk mund të emancipohej nga pushteti i vjetër, se nuk mund të mendonte me kokën e vet, por doemos i duhej një mbështetje, nese jo në Beograd, atëherë doemos në Evropë! Thuajse Beogradi ndodhej jashtë Evropës dhe thuajse Evropa nuk e njihte Beogradin, por vetëm elitën titiste në Kosovë! Andaj, arsyetimet se ata nuk e deshën Republikën e këtillë apo të atillë në Kosovë nuk u duheshin gjë: me pendla të huaja nuk mund të këndohej as kënga e mëngjesit, dhe as e ditës, sado që të dukeshin të bukura.

Megjithatë, gjërat duhet vënë në kontekstin e tyre real. Pavarësisht nga ajo se elita titiste në Kosovë nuk ishte e informuar fare mbi atë që realisht po ngjante në Kosovë, është fakt se është refuzuar konstituimi i një republike eventualisht komuniste në Kosovë dhe në federatën Jugosllave. Me këtë i është bërë shërbim demokracisë (kushtimisht), në Jugosllavi dhe më gjerë në Ballkan, dhe ndoshta edhe në Evropë. Mirëpo, a ishte një shërbim i tillë edhe në interes të popullit në Kosovë dhe të shqiptarëve në përgjithësi  kjo do të shihet më vonë. Do të varet nga ajo se me çka do të shpërblehet një shërbim i tillë? Kthimi i statusit të autonomisë sipas Kushtetutës së vitit 1974 apo vënia e Kosovës apo e shqiptarëve nën ndonjë status special, zgjidhje të cilat herëpashere Lordi Kerrington po i formulon për serbët në Kroaci, me siguri se nuk do të ishin kurrfarë shpërblimi adekuat me viktimat e rëna shqiptare gjatë tërë një dekade dhe gjatë fillimit të dekadës së dytë. Përkundrazi, do të ishte një manipulim  i tmerrshëm me Kosovën, pavarësisht nga ajo se republika eventuale komuniste në Kosovë, sipas këtyre vlerësimeve, do ta prishte ekuilibrin bipolar të përmendur më heret të forcave, sepse do ta forconte enverizmin në Shqipëri, pastaj bllokun e republikave jo mjaft të zhvilluara në Jugosllavi; do ta rrezikonte pozitën e privilegjuar ekonomike të republikave të zhvilluara në Jugosllavi dhe interesat afariste dhe strategjike të miqve të tyre. Një vlerësim i tillë doemos niset nga teza se regjimi i Sllobodan Millosheviqit në Serbi ishte vetëm komunist e jo p.sh. nacionalist, se regjimi i tillë do të pajtohej pastaj me një republikë të ngjashme në Kosovë dhe se Kosova do të ishte përsëri me Serbinë, por nën Serbi!? Dhe përsëri kemi të bëjmë me një tezë kryekëput manipulante! Republika e Kosovës kërkohej të ishte tërësisht e barabartë me të gjitha republikat  tjera në Jugosllavi  d.m.th. ta gëzonte të njëjtin status si edhe të tjerat; të kishte të njëjtën lidhje me organet federale (konfederale apo asociative) si edhe të tjerat; të njëjtat obligime dhe përgjegjësi si dhe të tjerat. Nuk do të ishte nën Serbi por do të ishte e barabartë me Serbinë në çështje të statusit të vet. Ndërkaq, sa u përket interesave reale ekonomike, politike apo gjeopolitike (kjo duhet të kuptohet doemos njëherë e përgjithmonë) me Serbinë mund të kishim apo të mos kishim interesa të përbashkëta;  mund të zhvillojmë luftë dhe mund të kultivojmë miqësinë; mund t’i investojmë energjitë tona përkatëse për evropeizimin e shpejtë të vendeve tona, apo sërish mund ta përgjakim historinë; me Serbinë mund të zhvillonim çfarëdo raportesh, por as ne as Serbia nuk mund të zhvendosemi prej vendeve tona; nuk mund ta zgjedhim ndonjë fqinj tjetër më të mirë; dhe nuk mund të bëhemi më të tjerë  se ç’jemi. Do të qëndrojmë aty edhe ashtu siç jemi. Është mirë të përpiqemi të bëhemi më të mirë. Dhe për t’u bërë më të mirë; për të ecur më shpejt përpara; për t’i zënë vendet përkatëse aty ku duhet, doemos më parë duhet të jetësohet Republika e Kosovës. Ky është interesi vital i Kosovës, por edhe i të gjithëve në Ballkan. Nuk ekziston ndonjë rrugë tjetër.

Shtetet në rolin e xhandarit rajonal

Zhvillimi kapitalist, nga ana tjetër, në gjithë historinë e vet dhe në tërë hapësirën e botës gjithmonë është mbështetur në ligjin e zhvillimit të pabarabartë – në hapësirë e ka mbështetur zhvillimin e një rajoni të caktuar, i cili pastaj është dashur të tërheqë pas vetes zhvillimin e rajoneve të tjera. Nëse ka qenë fjala për komplekse shtetesh, është forcuar një gjer në dy apo tri shtete, të cilat, pos rolit të modelit zhvillimor, luanin edhe rolin e xhandarit rajonal (Izraeli dhe Irani në kohën e Shah Pahlavisë dhe Iraku më vonë) në Lindjen e Mesme: Republika Jugafrikane dhe Rodezia e dikurshme në Afrikë; Brazili në Amerikën Latine. S’ka dyshim se në zhvillimin ekonomik të Jugosllavisë, republikat veriore, dhe ndoshta ndonjë rajon i caktuar brenda Serbisë, kanë lozur një rol të tillë të modelit zhvillimor. Dikush këtë mënyrë të zhvillimit brenda hapësirave të caktuara dhe mbështetjen në zhvillimin e punkteve të veçanta e ka quajtur subimperializëm, duke menduar me këtë më tepër mbi një taktikë imperialiste të kontrollit mbi hapësirat rreth e përqark. Është quajtur kështu duke e pasur parasysh ndarjen e atëhershme të botës në sisteme të kundërta politike dhe luftën e tyre konkurrente. Sot në Evropë vërtetë është suprimuar sistemi komunist, por meritën më të madhe për këtë duket se e kanë pikërisht punktet në fjalë. Në Evropë gjithashtu ka akoma rajone të pazhvilluara dhe aty gjithsesi edhe më tutje vepron ligji i zhvillimit të pabarabartë ekonomik. Republika e Kosovës me angazhimin e vet do të duhej t’i zbuste efektet negative të tij. Me fjalë të tjera, nuk ka kurrfarë dyshimi se lufta në Kroaci, në të cilën të dy palët etiketohen me konotacione ideologjike (serbo-komuniste, ustasho-fashiste, etj.), në esencë po zhvillohet për sigurimin e një pozite më të mirë ekonomike në një përtëritje eventuale të Jugosllavisë. Nga ky aspekt, te kundërshtarët në fjalë ekziston një disproporcion evident: Kroacia dhe Sllovenia janë më të zhvilluara dhe modeli i ri eventual i rregullimit të raporteve në Jugosllavi do të duhej t’ua siguronte këtë përparësi edhe më tutje; ndërkaq Serbia është më pak e zhvilluar se ato, por më e madhe me territor dhe me numër të popullsisë, pastaj edhe më e fortë në pikëpamje ushtarake. Ajo do të dëshironte ta ruante pozitën e vet politike në Jugosllavinë e tretë eventuale, me shpresë se me një politikë më nacionale, do të mund të arrinte shkallën e zhvillimit ekonomik të simotrave veriore, dhe në perspektivë, eventualisht t’ua tejkalojë. Ajo që në Serbi mund të quhet mbeturinë e ideologjisë komuniste duket se është pikërisht vetëdija mbi interesin nacional të zhvillimit në perspektivë. Dhe kjo aspak nuk ka të bëjë me «ndryshkun» e mendjes sikur që nganjëherë mendohet dhe shkruhet ndër ne. Nga kjo vetëdije ajo nuk mund të heq dorë, bile as me humbje të betejës. Nga ana tjetër, duket fare evidente se republikat veriore nuk mund ta pranojnë përtëritjen eventuale të një Jugosllavie ku sërish politikisht do të dominonin serbët. Rrugëdalja nga ky rreth magjik ose do të gjendet në kompromisin brenda kufijve të tanishëm të Jugosllavisë, ose edhe në ri-rregullimin e raporteve në Ballkan. Për këtë të fundit ekziston rreziku real që të mendohet se shqiptarët do të duhej ta paguanin tagrën e pajtimit eventual të vëllezërve sllavë. Kjo ka ngjarë tashmë në të kaluarën. Do të ishte tragjike të ngjajë sërish. Mirëpo, është edhe më keq të mos jesh i vetëdijshem për këtë.

Serbët dhe rusët

Çfarëdo që të jetë rrugëdalja nga kriza, duket se ajo nuk është aspak e lehtë. Në rend të parë për shkak se e presupozon akceptimin e zgjidhjes eventuale nga të gjitha palët e interesuara, por edhe sepse palët në konflikt  bartin në vete argumente dhe interesa fundamentale, të cilat, për shkak të rëndësisë së vet, shtrihen edhe jashtë tyre. Demokratizimi i përgjithshëm i Evropës dhe bashkimi i saj mbi baza demokratike, që në Jugosllavi u lidh me republikat e zhvilluara veriore, e gëzon përkrahjen jo vetëm të Evropës dhe SHBA, por edhe të Bashkimit Sovjetik. Ndërkaq, gjykuar nga aspekti i interesave serbe, politika serbe do ta akceptonte demokratizimin, por jo në dëm të fuqisë së vet. Tashmë është i qartë orientimi afatgjatë i politikës serbe që me çdo kusht t’a ruajë pozitën e vet politike, qoftë edhe në ndonjë Jugosllavi të cunguar, miniaturiale. Duket fare irelevante nëse këtë synim të politikës serbe do t’a mbështeste konkretisht edhe Bashkimi Sovjetik.

Pikësynimi i tillë i politikës serbe jo vetëm që nuk i prish punë politikës globale të Bashkimit Sovjetik, por ndodhet edhe brenda kontekstit historik të interesave imperialiste ruse dhe brenda rezultateve tashmë të realizuara politike gjatë historisë. Bashkimi Sovjetik edhe mund të mos e përkrah aktualisht politikën serbe, por gjatë historisë së shkuar nuk kanë qenë edhe aq të rralla rastet kur politika e Serbisë e ka «detyruar» politikën ruse ta ndryshojë kursin. Rasti më i ri ishte periudha e komunizmit: nuk ishin sovjetikët ata që e detyruan Jugosllavinë të lëshojë pe konform me Rezolutën e Byrosë Informative të vitit 1948, por e kundërta, -sovjetikët ishin ata që të parët e braktisën socializmin, natyrisht jo për shkak të presionit të Jugosllavisë, por ishte evidente se u detyruan ta ndiqnin rrugën që kjo e kishte trasuar e para. Bile Jugosllavët, veçanarisht politika serbe, nuk bënë hapa drastikë në këtë drejtim sa bënë sovjetikët, dhe nuk u ngutën që t’u parapëlqejnë të tjerëve në Evropë dhe në Amerikë. Raste të ngjashme kishte edhe gjatë luftërave ruso-turke në të kaluarën, p.sh. kryengritja serbe e vitit 1804, por edhe në prag të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Me fjalë të tjera, Serbia gati gjithmonë e ka gëzuar përkrahjen e Rusisë, por hapat i ka bërë vetë, bile edhe atëherë kur ka humbur. Këtë gjithnjë në mbështetje të vlerësimeve të veta të rrethanave dhe për interesa të veta. Për momentin aktual politik kjo është me rëndësi për aq sa nuk mund të llogaritet në lëshimin pe të politikës serbe për shkaqe të mospërkrahjes eventuale të Bashkimit Sovjetik. Nga ana tjetër, një rol të ngjashëm politik mund ta luajë edhe Kroacia, por nuk mund ta lozë Republika e Kosovës, e as Shqipëria. Edhe Kroacia, p.sh., mund të tregohet autonome ose e pavarur në vendimin e vet për vazhdimin e luftës, sepse mund të shpresojë në ndërhyrjen e të tjerëve. Megjithatë, ushtarakisht nuk është e barabartë me të parën.

Meqenëse konsiderohet që Bashkimi Sovjetik me braktisjen e socializmit, tashmë e ka paguar «tagrën» për universalizimin e demokracisë në Evropë, duket se është fare evidente se as Evropa e as SHBA, nuk janë, dhe as që mund të jenë të interesuara që sovjetikët «të paguajnë» edhe më tutje, p.sh., me eliminimin e ndikimit të tyre në ato rajone të cilat tradicionalisht ia njohu  si të saj. Nga ky rregull mund të përjashtohet blloku gjerman, por me kusht që atje të mbisundojë mendimi mbi maksimalizimin e fuqisë në suaza gjeopolitike, që në momentin aktual politik, siç u pa më lart (shiko nëntitullin: Shqiptarët dhe proceset integrative) ishte në kundërshtim me interesat reale gjermane, pavarësisht nga aktiviteti diplomatik i Gensherit, dhe në kundërshtim me tendencat aktuale të politikës ndërkombëtare. Me supozimin se kompromisi i përmendur për zgjidhjen e krizës jugosllave nuk mund të jetë ndonjë federatë e modernizuar (opcion i APJ), ose ndonjë konfederatë e centralizuar, çdo zgjidhje tjetër e presupozon mundjen e njërës nga palët në konflikt. Kroacisë vështirë se do t’i duhej ndonjë pavarësi e plotë pa gati një të tretën e territorit që e konsideron të vetin, kurse Serbia vështirë që do të lejohet të formojë ndonjë «Serbosllavi». Pra, në qoftë se ky mat-pozicion nuk do të rezultojë në ruajtjen e integritetit territorial të Jugosllavisë (qëllim kapital i APJ), atëherë duket njësoj reale mundësia e zgjerimit të konfliktit, jo vetëm në pjesët  tjera të vendit, por edhe jashtë tij. Në rrethanat e tanishme ndërkombëtare kjo do të ishte pak e besueshme, sikur të përjashtohej çështja e jetësimit të Republikës së Kosovës dhe e zgjidhjes së çështjes shqiptare në përgjithësi. Për këtë shkak, në rrafshin teorik gjërat duken mjaft të qarta: ose do të ruhet integriteti territorial i Jugosllavisë, me një rregullim të brendshëm, i cili pavarësisht nga ajo se si do të quhet, do të nënkuptojë ekzistimin e organeve dhe të funksioneve minimale të përbashkëta dhe të pranueshme për të gjithë, së bashku me Republikën e Kosovës që do të kishte status të njëjtë si edhe njësitë e tjera të këtij organizmi, ose do të hapet mundësia e zgjerimit të konfliktit dhe e rirregullimit të raporteve në Ballkan, gjë që e nënkupton luftën. Në rrethana të këtilla imponohet vetëm një pyetje: A është politika e Republikës së Kosovës (duke i nënkuptuar të gjitha partitë politike dhe subjektet e tjera politike në Kosovë), duke u zhvilluar në pajtim me peshën e situatës dhe me vetëdijën e plotë mbi konsekuencat e mundshme të secilit opcion?

Politika me kushtëzime dhe direktivat

Partitë politike në Kosovë i artikuluan qëllimet politike kryesisht përmes shprehjeve në kondicional: «në qoftë se», «nëse» dhe «po qe se …atëherë». Në qoftë se, p.sh., do të ruhet integriteti territorial i Jugosllavisë, atëherë do të luftohet për një republikë të barabartë sovrane në Jugosllavi; në qoftë se do të lejohet prishja e kufijve të brendshëm, atëherë do të luftohet për një republikë shqiptare në Jugosllavi, e nëse nuk do të ketë Jugosllavi atëherë do të ketë Shqipëri edhe për shqiptarët në Kosovë! Fort bukur! Mirëpo, për cilin opcion duhet të luftohet? Me siguri, do të përgjigjeshin (gjykuar nga logjika e brendshme e pranishme në opcionet alternative) -sipas rrethanave, qëllimi dihet! E po t’i pyesje cilat janë vlerësimet mbi rrethanat ekzistuese, atëherë, pos përgjigjeve euforike mbi këto ose ato mundësi, mbi këtë apo atë bisedë me akëcilin funksionar, senator a politikan, gazetar a komentator, përgjigje definitive me të vërtetë nuk do të kishte. Dhe meqë jemi në prag të shekullit XXI dhe ndodhemi në Evropë e jo në brigjet e Amazonit, ne nuk do të kujtojmë se mungesa e përgjigjeve të këtilla është e rastit, refleksion i situatës momentale, spontanitet i vetvetishëm. As që do të kujtojmë se mungon orientimi i caktuar. Ai ekziston dhe duket se është i lidhur me republikat veriore dhe me qeverinë e dikurshme federale. Republikat veriore dhe qeveria e dikurshme federale me siguri se e kanë bërë edhe analizën e situatës politike në Evropë dhe në botë, por vetëm nga aspekti i tyre dhe me qëllim të realizimit të qëllimeve të tyre. Kosova në këtë rast ka qenë vetëm njëra nga komponentat, interesat e së cilës kanë mundur të respektohen për aq sa nuk do t’i rrezikonin interesat e komponentave  tjera -autore të vlerësimeve të dhëna. Se sa  i është përgjigjur drejtimi i tillë politik edhe interesave reale të Kosovës dhe me çfarë serioziteti janë bërë këto analiza nga aspekti i mundësive për jetësimin e Republikës së Kosovës shpresojmë se mund të shihet edhe nga tezat e përmbajtura në këtë punim. Për këtë shkak, nuk do të polemizohet me «njohësit» e politikës në Kosovë, por do të vazhdohet theksimi i atyre komponentave, që pas mendimit tonë, i vështirësojnë ecuritë e luftës politike për zgjidhjen e çështjeve me rëndësi për Kosovën.

Qëllimet politike të artikuluara me shprehje të kondicionalit  gramatikor mund të jenë politikë serioze për grupet e ndryshme konspirative që e pretendojnë marrjen me politikën. Dikur këto i karakterizonin partitë efemere komuniste të Botës së Tretë, të cilat nuk ishin në gjendje as t’u prinin ngjarjeve, dhe as të mbeteshin jashtë tyre. Përpiqeshin t’u mbeteshin besnike  mësimeve të Leninit dhe të Stalinit për rolin e tyre në rrethanat revolucionare antikoloniale. Prandaj rëndom përfundonin në shuarje të plotë, ngase u mungonte si origjinaliteti i veprimeve, ashtu edhe i vlerësimeve. Për këtë shkak, qëllimet politike të artikuluara me shprehje të kondicionalit gramatikor janë politikë tërësisht joserioze kur trajtohen si dokumente për orientimin e luftës së një populli, pasi asnjë populli nuk mund t’u diktohen «direktiva» për sjelljet, e aq më pak për dëshirat ose për vullnetin politik. Një popull, ose e dëshiron realizimin e një qëllimi politik, dhe për të është i gatshëm të sakrifikojë, ose nuk e dëshiron. Qëllimi politik i popullit shqiptar nuk mund të jetë tjetër pos bashkimit të tij një shtet të vetëm shqiptar. Me argumente të shumta që nuk mund të kontestohen, historia e ka vërtetuar se shtetet nuk janë vetëm pikësynim historik i çdo populli; suazë më e mirë për ruajtjen dhe ngritjen e identitetit kolektiv kombëtar (që përfshin gjuhën, kulturën etj.), por edhe instrument i pazëvendësueshëm dhe absolut për zhvillimin e tij, konform me shpirtin dhe me traditën e vet, por edhe konform me kërkesat që ia parashtron koha. S’ka shtet për vete dhe për hir të vetes. Në qoftë se kjo është kështu për të gjithë popujt e civilizuar të botës, dhe me siguri se është, dhe në qoftë se jemi popull i civilizuar, dhe me siguri se jemi, atëherë nuk mund të jetë ndryshe as për ne shqiptarët. Në rrethanat demokratike për të cilat u luftua me gjak e me mund, nuk ka ndonjë arsye që kjo të mos  thuhet.

Opcioni evroperëndimor

Ndërkaq, sa i përket mundësive për realizimin e qëllimit (aspiratës) së natyrshme të popullit shqiptar, ato varen nga resurset e brendshme dhe nga rrethanat e jashtme, por varen edhe nga vlerësimi i drejtë, objektiv dhe analitik që këtyre dy komponentave të një tërësie (të brendshme dhe të jashtme) ua bën faktori i organizuar politik. Zatën, kjo është detyra qenësore, por edhe kuptimi i ekzistimit të faktorit të organizuar politik të çdo vendi. Lufta për marrjen e pushtetit politik është vetëm nusprodukt i këtij roli, sepse pushteti politik nuk mund të jetë në funkcion të vetes (përveç kur deformohet në tërësi), por të ndonjë qëllimi tjetër më fundamental. Detyrë tjetër me rëndësi për faktorin e organizuar politik është gjetja e rrugëve më të mira dhe më të shkurtra për realizimin e qëllimeve politike që janë të zbatueshme, të mundshme për përdorim me humbje sa më të vogla, sa më të lehta dhe sa më të parëndësishme. Në qoftë se kjo është kështu për të gjitha vendet e botës, atëherë s’ka se si të mos jetë edhe për faktorin e organizuar politik të Kosovës.

Për këtë shkak, është gati tërësisht e pakuptueshme që thelbi i çështjes akoma nuk shtrohet hapur: çfarë janë vlerësimet për situatën kur faktori i jashtëm për shkaqe të ndryshme, hipotetikisht: a) nuk mund të mos lejojë zgjerimin e konfliktit, por p.sh., mund t’a lokalizojë atë vetëm në territorin e Ballkanit, dhe b) mund të përpiqet ta gjejë kompromisin përsëri në dëm të interesave nacionale shqiptare? Nga ana tjetër, tani është më se evidente se interesi kyç aktual i Republikës së Kosovës është jetësimi i saj. Dhe po ashtu ai është i lidhur me zgjidhjen e krizës jugosllave. Lidhur me këtë, doemos paraqiten pyetje të shumta, por ajo që është më e qenësishme ka të bëjë me faktin se a thua ekzistojnë garanci të forta se zgjidhja e krizës jugosllave do të jetë pikërisht ashtu siç e ka paraparë faktori i jashtëm -një Jugosllavi-asociacion i shteteve sovrane, ku Republika e Kosovës do të ishte po ashtu një shtet sovran asociativ? Dhe përsëri thelbi i çështjes duhet thënë troç: fjala është për opcionin evroperëndimor me të cilin u lidhën republikat veriore të Jugosllavisë dhe me të cilin u lidhën edhe forcat aktuale politike (faktori i organizuar politik) në Kosovë, por edhe në Shqipëri. Mirëpo, në kushtet e universalizimit të demokracisë në të gjithë Evropën, edhe politika serbe që në fillim e kishte të qartë se Republika e Kosovës duhej të jetësohej në funksion të bashkimit të popullit shqiptar; jo vetëm konform me proceset integrative në Evropë, por edhe me interesat fundamentale të popujve të Ballkanit për ruajtjen e paqes dhe për kultivimin e stabilitetit politik si parakusht të çdo evropeizimi.

Vetëm në këtë mënyrë mund të evitoheshin mundësitë për instrumentalizimin e tyre në funksion të interesave të huaja.

Qëmoti ishte koha që kjo e vërtetë e moçme e këtyre trojeve të akceptohej njëherë e përgjithmonë nga të gjithë popujt. Në këtë mënyrë do të ishte e mundur të hapeshin rrugët e zhvillimit, të evropeizimit dhe të përparimit, jo të errësirës, të ngecjes dhe të vdekjes. Mirëpo, lidhur me vetëdijësimin mbi natyrën e interesave të vërteta në secilin nivel sigurisht se edhe për një kohë të gjatë do të ketë mbitheksime të interesave partikulare, jo të atyre universale; të interesave të elitave, dhe më pak të popujve;  diktate të fuqisë dhe jo të vullnetit të lirë. Të gjitha këto mund të rezultojnë në zvarritjen e proceseve, ta rrezikojnë drejtimin e tyre, por ndërkaq nuk mund t’i ndalin ato, e as ta pengojnë shpërthimin e interesave të njëmendëta; mund ta komplikojnë krizën, por nuk mund ta pengojnë zbërthimin definitiv të saj. Me shpresën se nga analiza e përmbajtur në këtë tekst është fare lehtë të nxirren veçoritë dhe tendencat e proceseve në nivelet  tjera (evropian, ballkanik, jugosllav), tani është e udhës të ndalemi ende në Republikën e Kosovës. Shquarja e disa dobësive dhe problemeve të cilat e rëndonin situatën edhe ashtu të rëndë në të kaluarën, duket se ende vazhdon. Do të ishte mirë që ato të marrin fund një herë e përgjithmonë dhe për hir të këtij qëllimi pason analiza e mëposhtme.

Një Kuvend në Krushë të Madhe

Fjala është për Kuvendin e jashtëzakonshëm të Degës së LDK në Rahovec, i cili u mbajt më 6 korrik të k.v. në Krushë të Madhe, fshat i kësaj komune. Problemet e shqyrtuara në këtë Kuvend me siguri që i tejkalojnë suazat e një dege, ndërsa rëndësia politike e çështjeve të shqyrtuara me siguri që shtrihet në tërë hapësirën, jo vetëm shqiptare. Shkaku është i thjeshtë: aty nuk u polemizua me delegatët e Kuvendit /103/, por me tezat, metodat dhe veprimet që reflektoheshin në Kuvend. Dhe sa do që heshtja vazhdon të zgjasë, problemet do të rëndojnë. Injorimi i tyre i qëllimtë me pretekstin se nuk janë reale vetëm sa i thellon e nuk i eleminon ato.

Akceptimi i njëmendët i një të vërtete e nënkupton faktin se në veprimet e veta faktori subjektiv do t’i përmbahet porosisë së saj. Ndërkaq situata e komplikuar politike, mungesa e përvojës në jetën politike të demokracisë, njohuritë e mangëta mbi interesat, intencat dhe mundësitë e faktorit të jashtëm, trashëgimia e mangët politike e faktorit të brendshëm, dhe një varg faktorësh tjerë, doemos ndikojnë në shfaqjen e dobësive të shumta që e përcjellin jetën politike në perioda të tilla tranzitore si kjo e tanishmja. Mirëpo, në qoftë se të gjitha këto  konsiderohen ekskuze për të vazhduar të vjetrën, atëherë fjala është për diçka tjetër dhe jo për dobësitë. Arsyetimi i gabimeve ka kuptim vetëm atëherë kur ato nuk bëhen me qëllim dhe sidomos kur mungon intenca e përsëritjes së tyre. Në të kundërtën fjala është për ndonjë kurs të caktuar të zhvillimit të gjërave. Në qoftë se drejtimi i tillë vazhdimisht bie ndesh me faktet, atëherë diç nuk është në rregull ose me kursin ose me bartësit e tij, apo ndoshta me të dytë. Konsekuencat rezultojnë së paku në ngecjen e proceseve, në mos edhe në diçka tjetër. Dhe pasi që ato kanë të bëjnë me të gjithë, dhe jo vetëm me disa, shanset për shpërthimin eventual të pakënaqësive të grumbulluara në atë mënyrë vetëm sa rriten e nuk zvogëlohen.

Në rend të parë duhet theksuar se përcaktimi për luftë politike nuk u kushtëzua vetëm me vlerësimin objektiv të mundësive reale për të zhvilluar një luftë tjetër nga ajo politike. Insistimi në këtë nuk do të ishte tjetër përveç se vulgarizim i tepruar i fakteve. Natyrisht, vetëdija kolektive mbi veten ushtron ndikim të duhur mbi zgjedhjen e mjeteve të luftës, por në përcaktimin për luftë politike ndikim prioritar duket se ka pasur vetë natyra e qëllimit: -Konstituimi i Republikës brenda Jugosllavisë (federale, konfederale apo asociacion i brishtë i shteteve sovrane). Qëllimi i tillë e presupozonte vazhdimin dhe jo ndërprerjen në jetën e përbashkët me popujt tjerë, dhe as paktimin rigoroz me njërën nga palët në konflikt. Puna ishte të luftohej logjika e forcës, por jo duke u vënë në shërbim të dinakërisë së të tjerëve që luftonin për hesapet e veta, e jo tonat. Sakrificat që i bënin shqiptarët nuk shkonin vetëm në favor të konstituimit të Republikës, por shtroheshin edhe në altarin e mundësive për ruajtjen e integritetit territorial të vendit; të paqes në Ballkan, por mbi të gjitha -venin në altarin e demokratizimit të raporteve politike në vend; të marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare; të atyre në Ballkan dhe në Evropë. Dhe kjo mjaftonte. Zor që në ndonjë vend të kishte ndonjë popull tjetër që kontribuoi aq shumë  për proceset integrative në Evropë, jo se shqiptarët e deshën atë më shumë se të tjerët, por sepse pozita e tyre e gjithëmbarshme i detyroi të vepronin ashtu. S’kishte kurrfarë nevoje të paktohej me ide dhe me teza të llojeve të ndryshme.

Politika serbe ishte fare e vetëdijshme se Republika e Kosovës nuk do të ishte zgjidhje definitive e çështjes shqiptare. Kjo politikë, me logjikën e forcës, rezononte në fillim se kjo çështje do të duhej të zgjidhej me forcë, gjithnjë me shpresën e ushqyer nga orekset e vjetra për shndërrimin eventual të Shqipërisë në një republikë të shtatë jugosllave. Logjika e tillë problemin e Kosovës e shihte në kontekst të raporteve jugosllavo-shqiptare. Ndërkaq çështjen shqiptare në përgjithësi e shihte në konekst të raporteve jugosllavo-italiane ose në kontekst të raportit me fuqitë e Evropës. Kosova aty mbetej një forcë e brishtë me të cilën mund të luhej ping-pong.

Mirëpo logjika e tillë e forcave, vështruar vetëm nga ky aspekt, rezononte me parametra gjeopolitikë kaherë të tejkaluar, dhe dukej sikur shkonte ndesh me realitetin aktual. Si e tillë nuk mund të ishte në interes as të atyre që këtë e praktikonin, sikur të mos ishte fjala për diferencat e zhvillimit, as të humanitetit dhe as në interes të së ardhmes politike. Puna ishte që kjo të argumentohej. Dhe pikërisht tek argumentimi gjërat çalonin e dukeshin të palogjikshme: në njërën anë, bëhej gjithnjë e më tepër e qartë se në pikëpamje të kufijve gjërat do të mbeteshin ashtu si kanë qenë. Jetësimi i Republikës së Kosovës, d.m.th. jo zgjidhja e menjëhershme dhe definitive e çështjes shqiptare, do t’i ndihmonte afirmimit të proceseve integrative në Evropë, të anëve pozitive të këtyre proceseve. Evropa nuk mund të ishte Evropë e diktatit të më të fortëve, por shprehje e vullnetit të lirë të popujve të saj. Një orientim i tillë në zgjidhjen e çështjes shqiptare do t’i evitonte mundësitë për instrumentalizimin e serbëve në dobi të interesave ruse, por pastaj edhe të shqiptarëve në dobi të interesave të Perëndimit. Për këtë shkak, stoicizmi me të cilin populli shqiptar i përjetoi viktimat e luftës politike gjatë dekadës së shkuar dhe fillimi i viteve ’90 ushqehej me shpresën se që të dy palët nuk do të tregoheshin të shurdhër ndaj kërkesave të tij legjitime, por edhe me ndjenjën e të drejtës morale se po i kontribuonte fuqimisht lindjes së një realiteti të ri që shtrihej larg përtej ëndrrave të tij të kufizuara në hapësirën e vatrave të veta.

Nën supozimin e ruajtjes së kufijve të jashtëm apo të integritetit territorial të Jugosllavisë, përse atëherë zhvillohej një luftë kaq e tmerrshme në Kroaci? Popujt nuk mund të detyroheshin dot të luftonin për shkak të konotacioneve ideologjike. Edhe fashizmi si ideologji e kishte pasur për bazë pakënaqësinë me ndarjen territoriale të botës dhe me vendin e vet në të. Ndërkaq, shovinizmi, hegjemonizmi, etj., serbomadh ishin vetëm konotacione ideologjike, pas të cilave fshihej diçka tjetër. Puna ishte të përcaktohej drejt se çka ishte ajo dhe në bazë të këtij përcaktimi të formulohej një politikë adekuate për Kosovën. Pra, nga ana tjetër, ishte gjithashtu e qartë se Serbia nuk do ta pranonte reduktimin drastik të rolit të vet në raportet ndër-republikane. Ajo e kishte vlerësuar me precizitet të saktë se një asociacion i republikave sovrane jugosllave, me supozimin se në atë asociacion Kosova do të shkëputej nga ajo dhe do të ishte e barabartë me të tjerat, do ta sillte Serbinë në pozitën e dikurshme të Kosovës ndaj Serbisë, pra, në pozitë të një kolonie të rëndomtë për nxjerrjen e superprofitit nga ana e më të zhvilluarve. Bile ndoshta edhe më keq, se tani nuk do të ekzistonte kurrfarë koncensusi në marrjen e vendimeve: -tani edhe Serbia edhe Kosova do të ishin në pozitë të barabartë të varfanjakëve për të shitur lëndë të para në tregun e republikave të zhvilluara veriore. Ndërkaq, një federatë e modernizuar që e kishte propozuar APJ me supozimin se Republika e Kosovës do të ishte njësi e barabartë federale me të tjerat, mendoja me sinqeritet të plotë dhe akoma mendoj, se do të ishte në interes të Kosovës, por edhe në dobi të të gjitha njësive federale në Jugosllavi. Meqë një kohë të gjatë Kosova kishte shërbyer si treg për plasimin e mallrave të finalizuara nga republikat veriore dhe minierë për ekstraktimin e lëndëve të para, me konstituimin e saj në republikë, mendoja se ishte rendi, bile edhe e udhës, që edhe ato tani ta bartnin «vëllazërisht» një pjesë të barrës për zhvillimin e saj të shpejtuar.

Për të marrë vesh nëse Kosova pranohej si republikë në propozimin e sipërm të APJ, e shkrova kryeartikullin e «DeA»-s, 2/1991, me titull «Armata dhe politika», por si presidenti Joviq (atëherë ishte kryetar i Presidencës jugosllave), ashtu edhe gjenerali Kadijeviq, e heshtën pyetjen që ishte e pranishme aty. Pastaj, pasuan sulme të ashpra me qëllim të diskreditimit tim të plotë, por kjo akoma nuk më mërziste. Mendoja  atëherë, por edhe tani, se do të kishte qenë në interesin politik të Kosovës angazhimi i saj në favor të ruajtjes së integritetit territorial të Jugosllavisë. Edhe atëherë edhe tani për mua si individ gjërat ishin të qarta: ose do të ekzistonte një Jugosllavi me Republikën e barabartë të Kosovës në të, ose për Kosovën, për të pasur Shqipëri, do të duhej luftë për të cilën nuk ishim edhe aq të gatshëm. Andaj, gjithnjë si individ, pavarësisht nga sulmet që më drejtoheshin, isha i përcaktuar në mënyrë kategorike: a) për ruajtjen e integritetit terrritorial të Jugosllavisë; b) për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë; dhe c) për Republikën e barabartë të Kosovës në Jugosllavi. Këto edhe i thashë në Kuvendin e jashtëzakonshëm të Krushës së Madhe. Si studiues i politikës ndërkombëtare, e dija tashmë se qarqet politike në Perëndim territoret shqiptare i konsideronin si sferë të interesave të Lindjes dhe nuk ishin të gatshme të luftonin me sllavët për interesat tona. Përkundrazi, mendoja se duhej të luftonim vetë, me vendosmëri të plotë, për ato qëllime politike, të cilat edhe serbët nuk do të mund t’i refuzonin me asnjë pretekst moral dhe racional.

Ndërkaq, pikërisht në artikulimin e një optimizmi të tillë, të së drejtës morale dhe të shpresave reale duket se u bënë lëshime të rënda: uniteti dhe homogjeniteti që ekzistonte në popull që nga fillimi rreth kërkesës fundamentale -Republika e Kosovës, gjatë një kohe u shfrytëzua për realizimin e qëllimeve tjera të deklaruara ose të padeklaruara, por gjithsesi më pak të rëndësishme: u krijua artificialisht një disponim euforik që ushqehej me shpresën se faktori i jashtëm do t’a binte Republikën e Kosovës në Kosovë dhe bile, pa ndonjë mund të madh, do ta mundësonte edhe bashkimin e trojeve shqiptare! Krijimi i kësaj euforie, andaj u përcoll me shkeljen e faktorit të brendshëm: të rinjtë e dënuar të cilët njësoj iu kishin kundërvënë edhe administratës së dikurshme të Krahinës, pra jo vetëm politikës serbe, në fillim u morën me të mirë, ndërsa më vonë u sulmuan si marksist-leninistë e si komunistë. Në të vërtetë viktimave të rëna në vitet ’90 iu bë homazh me të gjitha nderimet e duhura, me tentimin që në mënyrë perfide t’i konsideronin vetëm si viktima të Demokracisë, por jo edhe të Republikës! Shokëve të gjallë të atyre që kishin rënë gjatë dhjetë vjetëve të shkuar iu shpjegua se «do t’i mbanin në zemër», por që nuk mund të dilnin në ballë të proceseve se «ashtu e donte situata». U ndërmor aksioni i pajtimit të gjaqeve dhe iu dha rëndësi pleqnarëve. Të dyja këto institucione ishin ndërmarrë edhe më parë, qysh para vitit 1981, por tani u stërtheksua rëndësia e tyre, u riaktivizua  makineria e tërësishme e administratës së dikurshme dhe pastaj iu kënduan këngë «heronjve» që e kishin bërë vetëm punën e tyre dhe nuk kishin pasur kurrfarë lidhjeje me luftën për Republikë. U bë aq shumë propagandë rreth këtij aksioni saqë Ismail Kadaresë në Tiranë i ishte dashur publikisht ta shfaqte befasinë me thellësinë e problemit që paskësh ekzistuar. U riaktivizua Fishta, jo vetëm me vlerat letrare të veprave të veta, por edhe me tërë ideologjinë e tij profashiste. Për pak sa nuk u legalizua zogizmi si ideologji zyrtare e Republikës! Një numër bukur i madh i njerëzve, duke i shfrytëzuar fasilitetet e udhëtimit jashtë vendit  (ndryshe prej atyre që leja e udhëtimit u ishte marrë me kohë) u shpërnda nëpër Evropë dhe Amerikë për «të luftuar për çështjen shqiptare» me paratë e popullit që i kishte ndarë nga kafshata e gojës. Askush nuk i kishte zgjedhur dhe askush nuk i kishte autorizuar (përveç administratës së vjetër), por duke u mbështetur në interpretimin voluntarist të historisë shqiptare, kishin kujtuar se po e bënin punën e Isa Boletinit dhe të Ismail Qemalit. Harronin natyrisht se Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin i kishte zgjedhur populli. Gjatë luftërave aktive antiturke pikërisht ai ua kishte dhënë mandatin që t’a përfaqësonin në forume të caktuara ndërkombëtare. Ndërkaq, Ismail Qemalët dhe Isa Boletinët e sotëm të Republikës këtë mandat ia kishin dhënë vetës, duke u marrë me «kryerjen e punëve» të cilat kishin përfunduar që moti. Për këtë shkak çdo takim me njerëz të llojeve të ndryshme jashtë vendit, me t’u kthyer në vend, e prezentonin si takim me njerëz të rëndësishëm të politikës. Pikëpamjet e shprehura në biseda joformale prezentoheshin si qëndrime ministrash, bile edhe qeverishë. Kishte qenë i çuditshëm diletantizmi që e kishte shfaqur një numër aq i madh i intelektualëve tanë.

Mirëpo, kishte qenë edhe më e çuditshme politika e të gjitha niveleve në Jugosllavi që e lejonte një manipulim aq të madh me popullin dhe heshtja e politikës në Shqipëri. Kakofonia e zërave të tillë nga Kosova nuk mund të ishte kurrfarë kontributi i luftës për republikë dhe as që mund të arsyetohej me festimin e republikës. Fjala ishte për përzierje të tillë të kompetencave dhe të kritereve saqë nuk mund të kishte kurrëfarë lidhje as me demokracinë, në qoftë se ajo nuk identifikohej me hajdutëri të organizuar politike, dhe në qoftë se nuk kundrohej vetëm si anarki e rëndomtë. Ndërkaq shtypi në Kosovë ishte hapur tërësisht, jo për qasje të matura e kompetente për çështjet kyçe të historisë dhe të politikës në Kosovë, por për fushata të organizuara antikomuniste dhe antipolitike. Antikomunizmi kishte qenë një nga shtyllat e politikës së jashtme amerikane, por kurrnjëherë nuk kishte qenë veti e asnjë demokracie. Mund të kishte qenë somozizëm, pinoçetizëm dhe neofashizëm, por jo edhe demokraci. Jepeshin dhe akoma jepen lloj-lloj vlerësimesh, pa kritere dhe pa kurrnjë rezervë, vlerësime të tilla të çështjeve kyçe të historisë dhe të politikës, jo vetëm në Kosovë, të cilave nuk u mungon  vetëm kompetenca, por edhe shija; jo vetëm ndjenja për kohën dhe kontekstin historik të zhvillimit të ngjarjeve, por edhe njohuritë elementare për vetë epokën, si edhe për momentin. Kush i dha leje shtypit në Kosovë që me paratë e shoqërisë t’ia impononte asaj zogizmin si ideologji? Për çfarë demokracie dëshirohet të bindet  shoqëria se ekziston në Kosovë kur me makinacione tanimë të njohura ndihmohet shuarja e shtypit privat? Njëpartizmi në thelb, e pluralizmi në formë; avansimi i së vjetrës dhe shtypja e së resë; përparohet mediokriteti dhe injorohet talenti!

Revolucioni autentik

Në pjesën e dytë të artikullit «Viti 81 dhe proceset e demokracisë» të botuar në «DeA»-2/91 autori i këtyre rreshtave kishte qenë i mendimit se në Kosovë nuk mund të bëhej fjalë për një demokraci e cila do ta nënkuptonte revanshizmin; rrotullimin e rolit politik të forcave politike dhe të klasave; zevëndësimin e një monizmi me një monizëm tjetër, jo vetëm se me një të tërhequr pende nuk mund të fshiheshin 50 vjet histori të një populli, por sepse në këto troje ishte zhvilluar një revolucion autentik, i pandihmuar nga tanket e Armatës së Kuqe, si dhe për shkak se aty jetonin shumë popuj. Ndërkaq, në artikullin «Gishti i trashë i Vëllait të Madh» të botuar në «Alternativa»-5/1990 e kishte përqafuar me gjithë zemër demokracinë, por atë nuk e kishte kuptuar si mohim të vetes, e as të historisë. Besoja se demokracia do të duhej të ngrihej në mbështetje të trashëgimisë pozitive të kontinuitetit politik të historisë së pandërprerë të popullit. Ky ishte një koncept që mund të vendosej brenda kontekstit të maturisë politike, por e besoja sinqerisht se Kosova nuk ndodhej as në Oregon dhe as në Alaskë, që do të thoshte se ajo nuk ishte ndonjë superfuqi e zhvilluar, por që nuk do të thoshte se nuk duhej synuar shpejtimi i zhvillimit të saj. Mirëpo ca zotërinj duket se me gjithë mend besonin se demokracia mund të ndërtohej vetëm me ndërprerjen e historisë, me mohimin total të një epoke dhe me identifikimin e saj të plotë me të keqen nacionale, duke harruar se vetë ata intelektualisht u ngritën dhe u afirmuan pikërisht në atë epokë dhe duke i shfrytëzuar privilegjet e po atij sistemi, në të cilin  tani dëshirojnë të na bindin se as që paskëshin qenë prezentë. Zotërinjtë në fjalë, por sidomos ata që qëndronin pas tyre, duket se akoma nuk e kishin të qartë se shoqëria demokratike që synohej të ndërtohej nuk e kishte ndërmend t’i përsëriste gabimet e vjetra: ajo nuk mund të mbështetej mbi një moral të dyshimtë intelektual dhe njerëzor i cili pastaj doemos do të rezultonte në trauma të njëjta shoqërore. Ky popull kishte përjetuar mjaft trauma që ia shkaktonin të tjerët. Ishte koha që të mos i duronte as të vetat. Në Kosovë nuk mund të kishte kthim prapa në komunizëm, por as që mund të lejohej marshimi i saj drejt fashizmit apo neofashizmit. Të gjitha këto fjalë nuk u thanë në Kuvendin e jashtëzakonshëm të Degës së LDK të Rahovecit në Krushë të Madhe, por u diskutua në frymën e tyre, dhe u thanë edhe gjëra të tjera edhe më të rrepta. Autori i këtyre rreshtave kishte qenë vërtetë i indinjuar me sjelljet, trajtimin dhe me shpifjet që  ishin bërë në adresë të tij, por pavarësisht nga kjo, kishte qenë më në fund e nevojshme që gjërat të emërtoheshin me emrin e tyre të vërtetë.

Rrënjët shoqërore të oportunizmit

Gjatë  qëndrimit tim shumëvjeçar në Krushë, të cilin shokët nga Prishtina (të Kryesisë së LDK) e quanin vetizolim, kisha pasur kohë të mjaftueshme të vëreja dukuri të çuditshme, prezentimi i të cilave besoj se do të ishte më rëndësi të madhe shoqërore. Qysh para vitit 1981 e kisha vënë re fenomenin e bijëve të «tatave» nëpër Prishtinë, por nuk e dija se ata mbështeteshin nga bijtë e «haxhi-babave» në fshat. Gjatë dekadës së shkuar kisha kujtuar se e kishim çrrënjosor oportunizmin në politikë, por nuk e kisha ditur se kjo dukuri i kishte pasur rrënjët kaq të thella.

Në realitetin politik dhe intelektual të Kosovës dukej se vazhdimisht diçka më pengonte, por nuk kisha ditur ta shpjegoja dhe as ta kuptoja në tërësi. Kishte qenë kjo e lidhur me kuadrot në politikë. Para vitit 1981, kur isha marrë aktivisht me politikë, disa herë isha konfrontuar me zyrtarë të lartë të politikës në Kosovë rreth kuadrove. Kisha bërë vërejtje se nuk hapeshin mundësi të mjaftueshme për inkuadrimin në politikë të brezit të ri, por kisha marrë pergjigje se nuk kishim kuadro të mjaftueshme, bile jo ashtu si kërkohej. Kisha konkluduar se ata kërkonin kuadro lojalë për vete dhe jo për zhvillimin e Kosovës. Dhe nuk ishim pajtuar. Gjithkush kishte qëndruar pas botëkuptimeve të veta. Ndërkaq, dukej se LDK-ja kishte bërë hapa të duhur përpara. Shumica absolute e kuadrove të zgjedhur në bazë kishin përgaditje të lartë profesionale, kurse në organet më të larta -edhe tituj të ndryshëm shkencorë. Megjithatë, kisha vënë re se disa të rinj që i njihja personalisht si njerëz me aftësi të veçanta organizative dhe talente të tjera, përkundrejt insistimit në nivele ku kisha mundësi të insistoja -nuk ishin zgjedhur. Ndërkaq ata që u zgjodhën, në një apo në mënyrën tjetër, më vonë u larguan nga vendet ku ishin zgjedhur ose u larguan tërësisht nga LDK-ja. Kjo më kishte habitur, sidomos për shkak se ishte fjala pikërisht për ata që kishin qenë më aktivët gati në çdo aksion të ndërmarrë të secilit nivel. Kishte qenë e qartë që në fillim se një pjesë e mirë e fajit e kishte mekanizmi elektoral i cili  mbështetej kryesisht në mëhalla (nëpër fshatra) ose në koteri shoqërore nëpër qytete. Natyrisht se mëhalla kërkonte zgjidhjen e kandidatit të vet, pavarësisht nga ajo se a ishte më i mirë se tjetri i mëhallës tjetër. Mirëpo këtu kishte dhe diç tjetër. Rëndom vërehej se djelmoshat që kishin aftësi të veçanta ndodheshin në raporte të tendosura me mëhallën e tyre dhe kjo pastaj për një arsye të veçantë nuk i kandidonte, e as që i zgjidhte. Kjo gjë e kishte nxitur kurreshtjen time.

Kisha vënë re se pjesa dërrmuese e atyre që zgjidheshin në nivel të bashkësisë lokale apo të komunës, kryesisht për shkaqe objektive (papunësia dikur jo e plotë, ndërsa tani gati totale), por edhe për shkak të njohurive të mangëta të fituara gjatë shkollimit; mungesës së kulturës së punës intelektuale, etj., jetonin nëpër familje të mëdha së bashku me vëllezërit e me prindërit, dhe në shumë raste, edhe me axhallarët e kushërinjtë më të largët. Të martuar dhe me fëmijë, nuk e kishin provuar ndonjëherë shkëputjen dhe jetën individuale të familjeve të veta-nukleus. Ndonëse qytetarë akademikë, gati të gjithë me radhë i nënshtroheshin jo vetëm autoritetit, por edhe gjykimeve të më të vjetërve dhe të zotit të shtëpisë. Me kohë, midis tij si qytetar akademik, familjes së madhe dhe pushtetit ishte krijuar një simbiozë e çuditshme, që shkonte në dobinë e tyre reciproke, por që jashtëzakonisht shumë e ngecte dhe e ngadalësonte progresin shoqëror; 1) Qytetari i tillë akademik nuk kishte llogari të shkëputej nga familja e madhe, sepse rëndom vetëm ai ishte në punë, por jo edhe bashkëshortja e tij. Me të ardhurat e fituara shumë vështirë do të mund ta mbante familjen e tij, zakonisht shumë-anëtarëshe, dhe kishte fare pak shanse ta ngiste ndonjë veturë. Ndërkaq brenda familjes së madhe ishte pothuajse i liruar nga përgjegjësia e kujdesit dhe e edukimit të fëmijëve të vet, ose këtë përgjegjësi e ndante me të tjerët. Duke mos pasur kokëçarje të kësaj natyre, ai mund të merrej me aktivitete të lira, të cilat në kushtet e fshatit zakonisht përfundonin në sport; 2) Ndërkaq edhe familja e madhe në raport me të kishte fitim të dyfishtë: a) Rrënjët e këtij fitimi zakonisht ndodheshin te kontestimi i hises (pasuria e trashëguar nga prindërit, ose edhe ajo e përbashkët). Meqë familjet e tilla kishin arritur të shkollonin vetëm një ose dy anëtarë (në raste të rralla shkolloheshin shumica), ndarja e pasurisë në pjesë të barabarta, pavarësisht nga shkalla e shkollimit të vëllezërve, bile edhe atëherë kur punonin të gjithë, doemos do të rezultonte në standarde të pabarabarta të jetesës. Qytetari akademik, i punësuar si profesor ose si inxhenier, me pjesën e pasurisë së ndarë,  doemos që do të jetonte ndryshe nga vëllezërit e tij të pashkolluar (motrat në këtë mes asnjëherë nuk merreshin parasysh). Nga kjo pastaj mund të lindnin mosmarrëveshje të ndryshme, raporte të sëmura familjare që mund të shtriheshin edhe në shoqëri. Të ndodhur para këtij fenomeni të çuditshëm, shumica e etërve vendosnin të «mos bënin mëkate» dhe t’i pavarësonin bijtë e tyre të shkolluar. Ndërkaq këta, duke mos pasur mundësi të kacafyteshin me problemet e jetës, me heqjen dorë nga pasuria e përbashkët, detyroheshin t’i nënënshtroheshin traditës dhe mënyrës tradicionale të jetesës. Këtë pastaj gradualisht, e «paguanin» me një shkrirje të unit të tyre individual në identitetin kolektiv të familjes; d) Familjet e tilla të mëdha e hetuan me kohë  se autoriteti shoqëror i birit të tyre të shkolluar mund të ishte i dobishëm jo vetëm për rritjen e drejtëpërdrejtë të pasurisë materiale (kjo ngjante rëndom në qoftë se bijtë e tyre punonin në ekonominë e dikurshme shoqërore), por para së gjithash për forcimin e lidhjeve shoqërore ose vendosjen e tyre (në qoftë se tashmë nuk i kishin formuar) dhe ngritjen e autoritetit të familjes. Për këtë shkak, ato filluan t’ia kushtonin kujdesin e duhur standardit individual të birit të tyre të shkolluar, por jo edhe nukleus-familjes së tij, e cila me xhelozi të veçantë u nënshtrohej rregullave të jetës së përbashkët në familjen e madhe. Atij mbase nga depot e vjetërsirave në Evropë ia  blinin edhe ndonjë veturë me shkëlqim të jashtëm  me të cilën mund të kënaqej duke shetitur, ndërkaq fëmijët e tij i lidhnin për vete, përmes miqësive të reja që i ngjanin vetes së tyre; 3) Ndërkaq vetë shoqëria kishte fitim nga këto familje të mëdha. Sipas vlerësimeve statistikore, gati rreth 60% të strukturës së popullsisë shqiptare i takonte rinisë, ose banorëve të moshës rinore. Pushteti i dikurshëm komunist e kishte të pamundshëm kontrollimin në mënyrë efikase të kësaj armate të të rinjve, të cilët ishin rritur ndërkohë dhe të cilët ishte e vështirë vetëm t’i njihje, e jo më edhe t’i kontrolloje. Për këtë shkak, struktura politike e pushtetit zakonisht mbështetej te të zotët e shtëpive dhe te pleqtë autoritativë të këtyre familjeve. Në mënyra të ndryshme u ndihmonte atyre që ta mbanin autoritetin në familjet e tyre, qoftë duke ua falur ndonjë dënim gjyqësor (për t’ua ruajtur «fytyrën») qoftë duke i shikuar «nëpër gishta» veprimet që shkonin ndesh me normat shoqërore dhe juridike.

Meqë simbioza e tillë familjare realisht ishte rezultat i kushteve objektive ekonomike, ajo nuk mund të ndryshonte pa trauma të mëdha familjare. Për këtë shkak, mekanizmat mbrojtës psikikë dhe shpirtërorë u shndërruan shumë shpejt në një oportunizëm të përgjithshëm brenda familjeve. Por ajo pastaj, si një merimangë gjigante, e shtrinte rrjetën e vet në tërë shoqërinë. Familjet e tilla krijonin me sukses të plotë edhe lidhje me një pjesë të intelegjencës në Prishtinë, e cila gjithashtu në thelb udhëhiqej me leverdinë materiale. Shumë profesorë, mjekë, drejtorë të ndryshëm, etj., «kthenin» në këto familje me pretekste të ndryshme, rëndom kinse për t’i takuar ish-studentët e tyre, të cilëve edhe ashtu shpesh ua kishin falur notat, po në të vërtetë për t’i mbushur gepekët e veturave të tyre të mëdha me zarzavate e gjëra të rastit. Sidoqoftë, shtrirja e lidhjeve të tilla e kishte krijuar me kohë një shoqëri çuditërisht njëtrajtëshe në themelin e së cilës ndodhej një oportunizëm i tmerrshëm, jo vetëm ndaj kërkesave të kohës, por edhe ndaj kërkesave të jetës në përgjithësi.

Sikur një kompleks i tillë raportesh të pasqyronte ndonjë shoqëri të zhvilluar, atëherë themeli oportunist i saj do të ishte mbështetje e fortë e stabilitetit shoqëror. Mirëpo fjala ishte për raportet që i diktonin kushtet ekonomike dhe në rend të parë mungesa e vendeve të punës. Ato ngriteshin mbi mohimin gati total të femrës si subjekt shoqëror; nuk llogaritnin në rritjen e brezave të rinj dhe përfundonin në odat e fshatarëve si simbole të «rendit e të konakut». «Stabiliteti» i arritur në këtë mënyrë nuk u shërbente ndryshimeve pozitive shoqërore, po përkundrazi, e konservonte gjendjen ekzistuese të gjërave; nuk drejtohej drejt së ardhmes, por vetëm në të sotmen; matej me të djeshmen, por e injoronte të nesërmen. Dukej qartë se simbioza e tillë oportuniste nuk e lejonte zgjedhjen e më të mirëve në strukturat udhëheqëse, jo vetëm të LDK-së.

I prekur thellë nga kjo gjendje, e cila në raste hidhërimi më detyronte ta parafytyroja Kosovën si një depo të madhe të veturave të vjetra të Evropës, të cilat me shkëlqimin e tyre të rrejshëm kishin arritur t’i rrotullonin vlerat, në Kuvendin e jashtëzakonshëm në Krushë, më nxitën të konstatoja se fjala ishte për bijtë dhe bijat e «haxhi-babave» në fshat dhe të «tatave» në qytet, të cilët nuk e kuptonin dot se në Evropë nuk mund të shkohet me raporte feudo-klanore e feudo-kapitaliste. Me fjalë të tjera, kërkoja që t’i hapet rruga konkurrencës së vlerave të njëmendëta. Më vonë mora vesh se më akuzonin për botëkuptime elitiste. Disa shkrime nëpër gazeta në gjuhën shqipe në mënyrë indirekte më mbanin leksione mbi filozofinë e Platonit, ndonëse nuk e kishin kuptuar faktin elementar se Platoni, duke e kërkuar sundimin e filozofëve, në të vërtetë e kërkonte sundimin e kompetencës, ose kompetencën në rregullimin e punëve shoqërore (filozofët si njohës kompetentë të shoqërisë). Mirëpo duket se e kisha pasur gabim. Shumica  gjatë historisë rëndom e kishte imponuar jokompetencën për të udhëhequr me shoqërinë. Ndonëse nuk kishte ngjarë që jokompetenca të tërhiqte pas vetes shumicën, në Kosovë kishte ngjarë që gati e tërë rinia shqiptare të shpërngulej për në Evropë. Dukej sikur caku i evropeizimit të Kosovës do të arrihej me «evropeizimin» e rinisë, duke u martuar me evropiane dhe duke i braktisur raportet e përshkruara feudo-klanore njëherë e përgjithmonë.

Covert action  dhe konsekuencat

Ato që ngjanë pas këtij Kuvendi-të jashtëzakonshëm në Krushë nuk është e mundur të përshkruhen, se mbase do të skuqej edhe letra. Megjithatë do të dhunoja vetën dhe fëmijët e mi po t’i heshtja në tërësi.

Kishte plot 10 vjet që insistohej në «përshtatjen» time, por kjo nuk bëhej në biseda të drejtëpërdrejta njerëzore, veçse përmes «bedelëve» e «telallëve», të cilët më vonë, duke e parafrazuar Nolin, i quaja honxho-bonxho të demokracisë. Kur edhe kjo nuk pati sukses, atëherë sërish u ringjallën presionet: -në xhaminë e fshatit, nëpër oda të fshatarëve në Krushë, nëpër xhamitë dhe nëpër odat e fshatrave përreth; nëpër qytetet e afërta dhe më pas nëpër tërë Kosovën, bile edhe në diasporën shqiptare. Akuzohesha për gjithçka. Shtypi në gjuhën shqipe i përmblodhi akuzat e tilla në «sllavo-komunist», «dogmat», «marksist-leninist», «stalinist», «millosheviqist»    e sihariqe të tjera. E kisha kërkuar shpjegimin e kësaj fushate të tmerrshme e cila i prekte sidomos anëtarët e familjes sime, dhe e kisha gjetur. Një oficer i lartë i C.I.A.-s që tani punonte si hulumtues në Qendrën për Studime Strategjike Ndërkombëtare në Uashington D.C., në një numër të një reviste të njohur amerikane e kishte dhënë shpjegimin e asaj që e quante «covert action» (veprim i mbuluar). Sipas tij, «veprimi i mbuluar» përfshinte çdo gjë, që prej «inkurajimit të ndonjë gazetari të huaj që të shkruante ndonjë artikull ose ndonjë koment redaksie, gjer te përkrahja, bile edhe udhëzimi i aktiviteteve ushtarake të shkallës së lartë, në vendet e huaja». «Qëllimi i «veprimit të mbuluar», -vazhdonte oficeri i lartë i C.I.A.-s, «është të influencojë sjelljen ose politikën e individëve më të rëndësishëm të huaj, të grupeve dhe të kombeve, si edhe rrjedhën e ngjarjeve në rajonet e huaja, me qëllim që të avancohen interesat e vendit që e ka ndërmarrë një veprim të tillë të mbuluar, por në të njëjtën kohë, t’a bëjë këtë në mënyrën që ia mundëson maskimin e duarve të veta, si edhe mohimin së paku zyrtar të përzierjes së vet… Kur përdoret në mënyrë të mençur veprimi i mbuluar mund të jetë ndihmesë efektive për politikën. Kurrnjëherë nuk mund të jetë substicion i politikës ose i mendimit» (shih George A. Carver, Jr. «Intelligence in the Age of Glasnost», «Foreign Affairs», Summer,1990). Mirëpo amerikanët për raste të këtilla e kishin edhe një fjalë të shkëlqyer: -No comment!

Bisedë me mjekun dhe me veten

Andini është djali im i vetëm, i cili i ka mbushur plot 5 vjet në praninë time. E doja për së tepërmi. Ditën që isha i detyruar të ndahesha me të, e pësova keq: gati sa nuk u verbova tërësisht.  Më kërceu sheqeri në gjak në mënyrë të panatyrshme. Kishte ngjarë kjo gjatë natës dhe nuk kisha qenë i vetëdijshëm. Duke e ngarë veturën për në Lubjanë, e shihja se nuk dalloja shumë gjëra, por mendoja se ishte mjegull. Në mëngjes megjithatë, duke dashur të përgatisja një shkrim që e kisha premtuar për pjesëmarrje në simpoziumin shkencor «Shqiptarët dhe Evropa, dje, sot dhe nesër», nuk, e dalloja dot asnjë shkronjë. Duke m’i caktuar një palë syza të trasha, mjeku në Lubjanë u habit që kurrsesi nuk po më shkonte në kokë diagnoza e tij mbi pleqërinë time: «Ka të tillë, -tha ai, -të cilët nuk duan të pajtohen as me veten, e jo më me pleqërinë». Mirëpo pas nja tre muajsh m’u kthye tërësisht të parit. Shkova sërish te mjeku. «Stres të rëndë paskëshit pasur, zotëri!»-tha ai. «Nuk ishim kuptuar me presidentin Bush, -thashë unë, -se ma kishte marrë djalin dhe e mbante peng.

«Aaah!» -bëri me sy të zgurdulluar nga habia. Por e mbylla derën. Nuk desha ta përfundoja bisedën. Në rrugë e sipër vazhdimisht më shqetësonte pyetja: «Mos ishte vallë Gorbaçovi ai që ma mbante peng Andinin?  Por nuk e dija përgjigjen…

* * *

Në Kuvendin e Krushës kisha deklaruar se isha për ruajtjen e integritetit territorial të Jugosllavisë, ndonëse e kisha parë se ishte duke u shkatërruar;  se isha për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë, ndonëse e shihja se e kërkonin rrëzimin nga posti të Ramiz Alisë; se isha për Republikën e Kosovës në Jugosllavi, e në funksion të bashkimit me Shqipërinë, dhe nuk e kuptoja dot se cila do të ngjante më së pari. Kisha arritur të deklaroja fuqimisht: në Kosovë nuk kishte kthim prapa në komunizëm, por as marshim drejt fashizmit. Kosovën nuk do ta udhëhiqnin bijtë dhe bijat e baba-haxhinjve nëpër fshatra  dhe as bijtë dhe bijat e tatave nëpër qytete, nëse këtë nuk e meritojnë; në Evropë nuk arrihet dot me raporte feudo-klanore dhe bile as feudo-kapitaliste; përparimin nuk e bart mediokriteti por talenti. Populli duhet të ecte përpara drejt progresit dhe jo ta konservonin në status quo dhe në errësirë. Pastaj delegatëve ua kisha ofruar dorëheqjen, por salla ishte ngritur në këmbë dhe masa kërcënonte të shpërthejë… Më vonë, një telall-honxho-bonxho i demokracisë më kishte sqaruar: votëbesimi absolut që e kisha fituar në Kuvend, në të vërtetë kishte qenë i aranzhuar; më ishte dhënë një satisfakcion moral nga keqardhja, nga se kisha vuajtur për së tepërmi!

Pastaj bisedova me veten: «d.m.th. të gjithë ata që i kisha parë duke vdekur; të gjithë ata me të cilët e ndanim së bashku gazin dhe lotin; të gjithë ata të tjerët prej të cilëve  ishte tundur Ballkani  dhe Evropa  që nga themeli; të gjitha ato fytyra të mërdhezura të Kuvendit dhe ata që shkrepnin flakë nga sytë; të gjitha ato ngjarje që ma kishin bërë jetën tmerrësisht iracionale, sepse edhe koha kishte qenë tmerësisht iracionale, pra, të gjithë me radhë nuk më kishin dashur vallë! Ky njeri tani më shpjegonte se e kisha gënjyer veten, se ata nuk më kishin dashur, por ja që, nga keqardhja për mua, e kishin organizuar një cirk nga Kuvendi, pikërisht atje ku e kisha patur djepin e lindjes, në fshatin e vendlindjes sime. Pastaj kisha kujtuar se ky njeri bënte një blasfemi, një ndotje. Një sakrilegj ndaj tyre ose ndaj mendimeve të mija, nuk e dija me saktësi.  Pastaj m’u kujtua Evropa së cilës nuk ia kisha borxh asnjë eky, por që kujtoja se e mbante peng Andinin. Ishte e fortë Evropa. Mund ta mbante peng edhe Republikën. Dhe pastaj më ishte kujtuar Migjeni, në të vërtetë ajo vjersha e tij që fliste mbi një grusht të fortë për ta goditur malin. Mirëpo, nuk mund ta largoja dot përfytyrimin mbi bisedën me honxho-bonxhon e demokracisë. Kisha jetuar vallë unë në iluzion apo ai kishte bërë një sakrilegj, cila ishte e vërteta? Një funksionar i LDK, një profesor që tani ishte bërë politikan, në një rast kishte deklaruar se nuk kishim probleme, se problemet nuk kishin qenë të njëmendta, reale. Me këtë mendim kisha rënë në gjumë, por isha përpëlitur tërë kohën; isha zgjuar në befasi, duke kërcyer nga shtrati dhe i kisha mbyllur veshët me shuplakat e dorës. Megjithatë, e kisha dëgjuar zërin e thekshëm të Andinit: «O, baaaabiiiiiiiiiii !». Kisha provuar të heshtja, por e kisha dëgjuar përsëri. «Po, biri im, -kisha provuar t’i përgjigjem me vete, – nuk do të ketë probleme, por do të duhej që Kosova të qëndronte mbi këmbët e veta». Pastaj, me shpirtin e copëtuar nga dënesjet e thekshme të Andinit, natën që i shëtisnim fushat e Celinës, më ishte kujtuar ajo poetja që kishte deklaruar se «nuk kishte perëndi, kishte vetëm njerëz, njerëz, njerëz.» Mirëpo po të mos kishte perëndi,  me çka vallë do ta matnin veten e tyre njerëzit ? -e kisha pyetur unë, por kisha mbetur pa përgjigje…

Krushë e Madhe, Dhjetor 1991

Shkrimi botohet me rekomandim të Bislim Elshanit:
Kam vënë re se sa herë që përpiqem të kërkoj shpjegime mbi situatën që po kalojmë tek autorë të shquar të filozofisë politike ndërkombëtare, askund nuk gjej përgjigje më të arsyeshme e mësimdhënëse se sa tek gjeniu ynë më i madh politik, Ukshin Hoti. Prandaj këtë radhë të gjithëve do t’ua rekomandoja eseun e tij «REPUBLIKA DHE LUFTA NË KONTEKST TË EVROPËS», të shkruar në dhjetor të vitit 1991.

https://www.facebook.com/notes/1300345573651986/