Në përpjekjet e mija të mësuar se a ka ende mësues në jetë që nga Shqipëria shkuan për të punuar në Kosovë, së voni mësova se pos Selami Krekës nga Korça, që tash shkel në të 95-tatë, në Elbasan jeton edhe mësuesi Abdullah Shabanaj, që në Kosovë mbante mbiemrin Laçi. Vërtetë është kënaqësi të kesh dy mësues që janë në prag të mbushin nga një shekull jetë, si aktorë direkt në mësimdhëniet në shkollat e para shqipe në Kosovë.
Nga Rexhep Rifati
Abdullah Shabanaj, që tash më ka shkel në të 97-tatë, që kur erdhi në Kosovë kishte mbiemrin Laçi, u lind në Elbasan në mars të vitit 1923 , ndërsa shkollën normale e mbaroi në vitin 1941. Me të diplomuar i përgjigjet ftesës për të shkuar në Kosovë, që edhe tash në këtë moshë ruan kujtimet nga ditët e para të mësuesisë, në katundin Talinoc të Ferizajt, ku shërbeu për herë të parë: “ Ishte kënaqësi të bisedosh me banorë, të cilët ishin të kënaqur me punën tonë, sidomos kur përmendej e kaluara e lavdishme historike shqiptare”.
Abdullahu në Kosovë shkoi me grupin e dytë, në Tetor të vitit 1942, kur shkoi edhe mësuesja Vezire Gjiraku Mezini, ndërsa që grupi i parë kishte shkuar në vitin shkollor 1941-42. Sipas librit “Mbarësitë e zhvillimit të arsimit në trevën e Ferizajt (1941-1999) , të autorit Tefik Ajvazi, që më shërbeu në masë të madhe për këtë prezantim, shkruan se: “Në Talinoc të Muhaxherëve mësuesi i parë që themeloi vatrën e diturisë ishte Rrahman Palushi nga Bicaj- Kukës, viti 1941, ndërsa një vit më vonë atij i bashkohet kolegu Abdullah Laçi, më 10 tetor 1942 nga Elbasani”.
Sipas burimeve që arrita të siguroj edhe përmes mësuesit veteran ferizajas Ibrahim Hysenit, në shkollën e Talinocit në vitin e parë 1941-42, pati të regjistruar 40 nxënës, pa asnjë vajzë, ndërsa në vitin shkollor 1942-1943 numri i nxënësve u shtua në 83, prandaj pranohet edhe mësuesi i dytë Abdullah Laçi – Shabanaj.
Nuk më dhimbsët jeta pasi e pashë Kosovën e pavarur
Abdullahu ne moshën 86 vjeçare , në maj 2008, ky pishtar i arsimit e përjetoi edhe një ardhje në shkollën fillore tetëvjeçare në Talinoc, kur sipas një shkrimi të gazetarit Afrim Demiri në kohën ditore, më 21 maj 2008, mësuesi Abdullah ishte tejet i kënaqur që i gjeti disa nxënës të tij në moshën 70 vjeçare. Ai me këtë rast deklaroi se: “ Nuk më duhet tjetër ditë në këtë jetë. Është dita më e lumtur e jetës sime , tjetër ditë nuk më duhet për të jetuar, më duhet vetëm që të shkoj deri në Elbasan dhe të vdes se e pash Kosovën heroike, pashë Kosovën e pavarur”.
Jeta deshi që mësuesi Abdullah të jetë edhe njëherë në Ferizaj edhe atë më 30 tetor 2016, ku mori pjesë në 75 vjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe “Ismail Qemali”, më vonë “Tefik Çanga”. Por fati më i madh se po ky mësues të cilin e vizituan në Elbasan edhe veterani i arsimit Ibrahim Hyseni dhe Tefik Ajvazi, është edhe më tej gjallë, ndonëse i dërmuar nga shëndeti edhe nga pesha e madhe e vjetëve.
Si njeri ishte çelik, por që lotët e mundën!
Mësuesin Abdullah gjatë vizitës e takuan edhe intelektual tjerë ferizajas, siç është ish i burgosuri politik Sylejman Bytyçi. Ja mbresat e Sylejmanit nga kjo vizitë e mësuesit Abdullah në Talinoc: “Shkuam në po atë shkollë, në Talinoc ku për të parën herë u dëgjua gjuha shqipe, hyri në po atë klasë të ’43, besoj. Si njeri ishte çelik, por që lotët e mundën sa e sa herë, edhe gjatë programit të përgatitur. Kur u ulëm në bisedë filloi të flasë me detaje për ish nxënësit e tij, duke i lavdëruar. Sapo e kreu, u prezantuan, më duket tre ish nxënësit e tij dhe nxorën dëftesat e nënshkruara prej tij, me logon ‚Mbretëria e Shqypnisë‘. Notat, të gjitha njësha. Mësues i nderuar, ti gjithë kohën i lavdërove, s’janë këta njësha? Atëherë nota (1) ka qenë më e larta, tha. Drejtorit të shkollës i siguruam një veturë dhe vizituan disa qytete të Kosovës. E mbaj mend që në fund të vizitës pat thënë: «Tani edhe nëse vdes, mos më qani».
Fshatarët i bartnin mësuesit me çeze !
Edhe Ibrahim Hyseni ka ca kujtime e mësuesin Abdullah Laçi- Shabanaj . Nga libri i Tefik Ajvazit shkëputëm edhe këtë detaj nga pune e Abdullahit derisa shërbente si mësues në Kosovë, që i referohet shkrimit të gazetarit Xheladin Rexhepi nga gazeta “Zëri” të 22 Majit 2008 : “Fshatarët nuk i linin mësuesit të ecnin në këmbë, por i bartnin me qeze-pajton. Mikpritja ishte e mrekullueshme, kujdesi i prindërve të nxënësve ndaj mësuesit ishte miqësor dhe vëllazëror”.
Momenti më i vështirë, largimi nga Kosova
Po sipas po këtij shkrimi të Xheladin Rexhepit , momenti më i vështirë për mësuesin Abdullah Laçi- Shabanaj ishte largimi nga Kosova më 3 korrik 1944, kur pushteti i atyre viteve pa asnjë sqarim i grumbulloi me dhjetëra mësues dhe i dëboi për në Shqipëri.
“Me pikëllim të thellë e pata lëshuar Kosovën, ndërsa tash jam rikthyer në pavarësi, pas aq sakrificave dhe aq vuajtjeve e martirizimit që populli i këtushëm bëri për liri. A ka privilegj më të madh për gjeneratën time. Dhe me të vërtetë mbollëm farën e shëndosh që sot në Kosovë zhvillimi i arsimit arriti në shkallët më të larta deri në universitete e akademi”.
Gjatë tetorit të sivjetmë Osman Osmani, kryetari i shoqatës Transnacional bashkë me Cen Dylgjerin, djalin e mësuesit tjetër elbasanas, Hasan Dylgjeri që punoi në Kosovë, provuan ti bëjnë një vizitë mësuesit Abdullah, por mosha dhe gjendja e rënduar shëndetësore, kësaj radhe rezultoi pa sukses. Të shpresojmë që një ditë të afërme ta realizojmë këtë vizitë, me shpresën që mësuesi Abdullah, ta rrumbullakosi një shekull jetë!
Nesër: Mësuesit Albert Karamani, më shumë brenda grilave se sa me ditar!

































